“Letërsia shqipe është më e fortë se Shqipëria!”
Lectio magistralis i poetit Visar Zhiti
mbajtur në universitetin e Napolit gjatë Konferencës “20 vjet pas rënies së Murit”
Prolog i vogël
Në kohën kur shembej Muri i Berlinit, në vendin tim hiqeshin statujat e fundit të Leninit dhe të Stalinit, kurse shtatorja e lartë e diktatorit Enver Hoxha u rrëzua nga turmat, që ishin ngritur në protesta dhe u zvarrit si një përbindësh i bronztë rrugëve të kryeqytetit.
Rastësisht u njoha me një gjerman, që kishte ruajtur copëra gurësh nga Muri i Berlinit. I kërkoj një… “Po më dhe ndonjë copë nga statuja e diktatorit tuaj”, – më tha. Dhe kështu bëmë shkëmbimin në natyrë, i dhashë pak mermer nga piedestali i Enver Hoxhës dhe mora një copëz guri nga Muri i Berlinit. Teksa e mbaja në dorë, përveç të tjerash, mendova dhe këtë metaforë tronditëse për mua. Statuja e diktatorit mund të barazohej me muret, që ndanin atdheun nga vendet e tjera, nga Europa, ne brenda na ndante dhunshëm me njëri-tjetrin, madje secilin e ndante tragjikisht nga vetvetja.
Mendoni letërsinë nën të tilla mure.
Ndërkaq dua të shtoj se në demonstratat tona në Shqipëri, kur sapo ishte shembur Muri i Berlinit, studentët dhe turmat e revoltuara, që bërtisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ngrinin lart dhe dy portrete shkrimtarësh shqiptarë, atë të Ismail Kadaresë dhe të Rexhep Qoses, ky i dyti nga Kosova, mes të cilëve kohët e fundit plasi një konflikt për identitetin europian të shqiptarëve, ndërkohë, së fundmi fare, kritiku Qose hodhi në shtyp mendimin provokues se letërsia shqipe nuk është në nivelin europian.
Menjëherë e kundërshtuan disa shkrimtarë të tjerë, duke thënë se letërsia shqipe është në nivelin europian.
Pata rast të ndërhyj dhe unë në një gazetë shqiptare.
Thashë që letërsia shqipe thjesht është letërsi europiane, se shkruhet nga shkrimtarët e një populli që jeton në Europë. Këtë mendim kishte dhe një albanalog kanadez, kurse një shkrimtar rumun do të thoshte në mënyrë paradoksale se “Letërsia shqipe është më e fortë se Shqipëria!”
Në ndërhyrjen time në gazetë shtoja se ne kemi çështje më të rëndësishme. Ndër të tjera mund të diskutohet për letërsinë dhe rolin e saj në robëri dhe në liri, para dhe pas rënies së Murit të Berlinit ose shtatores së diktatorit, se, siç thashë, janë e njëjta gjë.
Në Shqipëri, ku ishte e ndaluar disidenca dhe fjala e lirë, ku janë dënuar shkrimtarë, varre shkrimtarësh dhe libra, madje ka ndodhur ajo që s’ka ndodhur kurrkund në asnjë kohë, as në rendin skllavopronar e as në mesjetë, ka qenë e dënuar metafora, prandaj dhe janë pushkatuar poetë, ndërsa në mbarim të shekullit XX u krye kriminalisht varja e fundit në të gjithë perandorinë komuniste, në mes të qytetit ngritën trekëmbëshin e poetit Havzi Nela, bashkëvuajtës imi në burg, i cili i pari dhe i vetmi kishte shkruar një poezi për të drejtat e njeriut, kur ishte e ndaluar të përmendej Helsinki… nejse, dua të them se në Shqipëri tani ka dhe një letërsi tjetër, që vjen nga ferri, del nga burgjet dhe balta e internimeve, ringjallet nga varret. Kjo letërsi nuk është kundër letërsisë, siç i trembeshin, thjesht sjell vetveten.
Po vazhdoj… Dy gjysmat e një letërsie me realitete të ndryshme
Letërsia shqipe ka qenë e ndarë me një Mur të trashë Berlini. Gjysma zhvillohej në Republikën Socialiste të Shqipërisë dhe gjysma tjetër në Kosovë, por dhe në Maqedoni e Mal të Zi në ish Jugosllavi, dhe më tej akoma, në diasporë, në Itali e SHBA. Dhe gjysmat e letërsisë shqipe, pothuaj nuk komunikonin me njëra-tjetrën. Njëri vëlla siamez ishte i vdekur për tjetrin.
Kur Shqipëria socialiste u mbyll dhe u bë si një kështjellë-burg kafkiano-buzzatiano-kadareane, me burgje të tjera të vegjël brenda, kur, për një gjysmë shekulli, shtypej gjithçka për të ndërtuar një utopi dhe eksperimentohej monstra e njeriut të ri, kur njeriu më shumë është i vjetër dhe i ri gjithmonë, i shenjtë, teksa prisheshin me radhë vlerat e së kaluarës, në traditë dhe në kulturë, ishte e detyruar të ushtrohej vetëm metoda e Realizmit Socialist, veprat e së cilës u ngjanin tullave të një muri ndarës. I këndohej vetëm komunizmit që do të vinte, me poema e romane, partisë dhe diktatorit, pa lejuar të merreshe me realitetin.
Gjithçka tjetër ishte e ndaluar, sidomos po të vinte nga Perëndimi e sidomos nga Italia, që ishte afër dhe që regjimi i gëzohej faktit se mes dy vendeve tona kishte një mur të madh prej uji, që dallgëzonte: deti.
Megjithatë, e kam thënë dhe herë tjetër, letërsia e vërtetë gjente mënyra dhe forma për të qenë vetvete, jo paralel me letërsinë e realizmit socialist, pronë e shtetit, as si pasqyrim i përmbysur i saj.
Letërsisë shqipe i duhej të qëndronte, të gjente mënyrat për të kundërshtuar dhe, sipas meje, këto janë interesante për t’i rrëfyer…
E para. Jo, po filloj nga e dyta, lejomëni.
Mos do të ishte më mirë ta nisja nga e treta? Për t’u kuptuar, ndoshta, shërben kapërcimi, si në një mur, që, për ta kaluar, gjendet vendi më i përshtatshëm.
Letërsia shqipe, ajo, e rralla, që i shmangej socrealizmit, në vitet e diktaturës për të kundërshtuar absurdin dhe për të përballuar diktaturën, ka përdorur metaforën dhe gjuhën e Ezopit, edhe kur ato ndaloheshin, sidomos poezia me emrat e njohur tradicionalë, kur s’kuptohej në donin përmirësim të regjimit a ndryshim të tij.
Proza arrinte ndonjëherë të shtirej sikur po rrëfente një fabul a ndodhì të kohërave të tjera apo të vendeve të tjera, pra, jo të Shqipërisë Socialiste, por të largëta, larg, e megjithatë aludimet kuptoheshin. Edhe nëntekstet. Shumë romane të shkrimtarit më të njohur, Ismail Kadare, në këtë kohe merrnin subjekte dhe nga lashtësia dhe mitet, ai arrinte të bënte autopsinë e shtetit perandorak otoman për të kuptuar burokracinë vrastare të shtetit aktual, denonconte komunizmin në Moskë apo në Kinë, absurdin dhe shtypjen që në Shqipëri ishin më keq.
Së katërti, letërsia e përkthyer në Shqipëri ka ndikur në emancipimin e lexuesit, në kthjellimin e mendjeve. Ne kemi një shkollë të mirë përkthimi, sidomos të klasikëve. Homerin e ka përkthyer një i burgosur, Gjon Shllaku, kurse Danten, një tjetër i burgosur, Pashko Gjeçi. I pari mundi të shkojë në Greqi vetëm kur ra Muri i Berlinit dhe i dyti, s’mund të vinte dot në Itali, ku kishte studiuar, për shkak të sëmundjeve të rënda që mori burgjeve.
Shpesh në Shqipëri nuk u vihej emri i përkthyesve nëpër botime, si p.sh. Dramat e Lorkës, shqipëruar nga i burgosuri i përhershëm Kasëm Trebeshina apo romaneve të Kadaresë në frëngjisht, që i përkthente virtuozi Jusuf Vrioni, fisnik i burgosur ashtu siç nuk i vihej dhe mbi librat e diktatorit që përkthente po ai. Këtë bënim dhe me botimet në italisht të poetit Kudret Kokoshi, i burgosur dhe ai! Në shqip ishin tashmë Shekspiri dhe Servantesi apo dhe një pjesë e “Dekameronit” të Bokaçios, p.sh., që pastaj ndaloheshin(!?!). U ndalua dhe romani “Çoçarja” i Moravias, p.sh. Po kështu u ndaluan Hemingueji si amerikan, Esenini, liriku i rus, fshatari i zhgënjimeve të mëdha nga revolucioni, por edhe Lukreci i lashtë, s’dihet pse, patjetër nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez, edhe Remarku, përkthyer shkëlqyer nga ebreu Robert Shvarc, që e modernizoi shqipen e përkthimeve.
Kurse modernët s’lejohej të përktheheshin. As që bëhej fjalë për Kafkën e Xhojsin, Kamynë apo Joneskun. Sidomos po të ishin gjallë autorët e huaj, qofshin dhe komunistë, sepse mund “të tradhtonin” kauzën. Por kur lexonim për diktaturat e Amerikës Latine, Asturiasin, p.sh., nënkuptonim dhe tonën.
Ndërkaq përktheheshin shkrimtarë afrikanë dhe nga ata që s’njiheshin fare as në vendet e tyre. Ribotoheshin klasikët e socializmit si Gorki, Fadajevi, Majakovskij, Go Mo Zho, Mao Ce Dun, por edhe romantiku i madh europian Hygo, apo ai i realizmit kritik Balzaku, që njiheshin mirë tek ne, se i kishte pëlqyer në rininë e vet në Francë diktatori ynë Enver Hoxha… por botoheshin me pjesë të hequra, kapituj të tërë, të pa përshtatshëm ose siç thuhej ndër ne atëherë: me gabime ideore apo kufizime, që gjithsesi kanë ndikuar në mendësinë, formimin dhe shijet e lexuesit shqiptar, që të mos ishin aq të egra dhe të shkreta njëkohësisht sa ç’donte t’i bënte Realizmi Socialist yni.
Së pesti do të thosha se gjinia letrare e humorit, një pjesë nga satirat, skeçet e komeditë nga estradat shqiptare, që duke mos e marrë shumë seriozisht rrezikun e tyre, shteti s’e vinte re se si janë tallur duke krijuar një si pakënaqësi qesharake, të përgjithshme, të pakuptim, anonime, qoftë dhe pa dashje. Janë krijuar qindra dhe mijëra barcoleta dhe folklor opozitar, sidomos në qytetin verior të Shkodrës, ndoshta me humorin më të hidhur në të gjithë perandorinë komuniste, sa arriti puna që dhe të burgoseshin përhapësit e tyre.
Së gjashti në Shqipërinë socialiste, arratisej, sado pak, letërsi nga Kosova, si një alternativë e letërsisë shqipe, më me liri dhe më me modernitet, me vokacion identitetin, sidomos në poezi me poetët më të njohur si Ali Podrimja, Azem Shkreli, etj, dhe me prozatorët si Anton Pashku, të lexuar fshehurazi, etj. Andej, shihnim, se lejoheshin forma të ndryshme letrare, metafora e dënuar, sinteza, ironia, protesta, dhe përktheheshin kontemporanët, që kalonin fshehurazi kufirin si trakte…
Së shtati. Nëse kishte një letërsi të socrealizmit, brohoritëse, mediokre, vrastare, që vetëm himnizonte deri në marrëzi partinë dhe sistemin, (pati vende si Rumania, që e përdorën lavdërimin e tepruar për të krijuar efekte të kundërta,) në Shqipëri, shkrimtarët e politizuar, fanatikë, ortodoksë, pa qenë të ndërgjegjësuar për antimisionin, shpesh me talent të pamjaftueshëm, që denonconin kolegët e tyre, etj, etj, bënë që të neveritej kjo lloj letërsie, edhe pse sunduese.
Tani të kthehemi te ajo që lashë, te çështja e dytë. Në Shqipëri herë pas here dilnin libra nga qarkullimi, komplotoheshin me heshtje ose ndaloheshin, sepse u gjendeshin gabime ideo-politike në përmbajtje, metafora dhe gjuha e Ezopit që thashë më lart, apo që s’u pëlqente forma.
Pra, ne kishim vepra të ndaluara të autorëve të pa ndaluar.
Shembuj: goditeshin romane të shkrimtarit Petro Marko si “Qyteti i fundit”, bashkë me to dhe vetë autori apo romani “Tuneli” i Dh. Xhuvanit, “Ata të tre e të tjerë” i K. Kostës, poema të Viktor Qurkut, Faslli Halitit, Bardhyl Londos, etj., ndërsa autorët çoheshin të punonin kantiereve apo fermave a kritikoheshin ashpër. Ndodhte të dilte nga qarkullimi dhe të komplotohej me heshtje dhe ndonjë libër i shkrimtarit të mirëbesuar Dritëro Agolli, kryetar i Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë, etj., dhe shpesh e më shpesh kritikoheshin apo komplotoheshin me heshtje ose ndaloheshin përgjysmë apo fare dhe u kërkohej një variant tjetër i pranueshëm veprave të Ismail Kadaresë, si p.sh. romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që u bë “Dimri i madh”, apo “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, për të cilin u mblodh dhe një plenum partie dhe e kërcënoi autorin, s’dihej ç’ndëshkim do të mund ta gjente, edhe flakja në “ferr”, ku qenë mbyllur të pavdekur kundërshtarët e pandreqshëm.
Dhe dalim tek e para tani, infernalja, danteskja, armiqësorja dhe e rrezikshmja, e fshehta, e panjohura. Te letërsia tjetër, që kundërshtoi hapur, disidente, e shkrimtarëve të arratisur apo të mbyllur burgjeve apo varreve.
Librat e tyre, së bashku me një pjesë të letërsisë të së kaluarës, çoheshin në fabrikë të letrës për t’u ricikluar në letër të bardhë, sterile si harrimi. Që për fat të keq, kjo letërsi atëherë ishte e detyruar të mbetej e panjohur për lexuesin e gjerë, pra, pa ndikim në atë gjysmë shekulli diktatorial, kur vepronte shfarosshëm socrealizmi. Pjesa tjetër e saj mbruhej fshehurazi, nën tokë dhe priste përmbysjen të dilte.
Masakra nisi me poetin Gjergj Fishta, Homeri i fundit në Ballkan, akademik në Itali, i propozuar për çmimin “Nobel”, të cilit i ishte ndaluar edhe vdekja, as i vdekur s’pranohej, i kishin prishur dhe varrin në një kishë dhe eshtrat ia kishin hedhur në lumë. Eposi i tij u ndalua rreptësisht.
Por shkrimtari tjetër i ndaluar Ernest Koliqi, i mërguar politik në Romë, themelues i tregimit modern shqiptar, do të parashikonte në një dramë të tij qysh në vitet ’70 rënien e komunizmit, pra do të ishte, sipas meje, një lloj Xhorxh Oruelli pozitiv, një autor anti “1984”. Vepra e tij i bën nder gjithë inteligjencës së Europës Lindore.
Do të çanin telat me gjemba dhe do të arratiseshin nga Shqipëria, Martin Camaj, Arshi Pipa… ky i fundit, me të dalë nga burgu, nga Jugosllavia do të vinte në Itali, ku do të botonte sonetet e famshëm të Kanalit, që i kishte marrë me vete, të shkruara mbi letra të holla cigaresh, kur punonte si i burgosur në tharjen e një kënete. Më vonë do të arratisej dhe tregimtari brilant Bilal Xhaferri dhe do të hapte një gazetë në Çikago. Mbetën burgjeve rebeli Kasëm Trebeshina, romancier i papajtueshëm, as me veten, i lodhur së qeni shqiptar dhe do të vetëshpallej së fundmi si turk, apo Lazër Radi, gazetar dhe poet, i laureuar në Romë, do të burgosej liriku qytetar Frederik Reshpja, që do të guxonte të mos e pranonte akuzën se qe shkruar me gabime ortografike, do të dënohej me vdekje Pjetër Arbnori, por ia falën jetën pa e ditur se më vonë do të bëhej kryetar i Parlamentit pluralist shqiptar dhe do të botonte romanet e shkruara në burg, me emër tjetër, gjoja se ishin përkthime. Edhe romanet e të burgosurit Astrit Delvina, i diplomuar në Itali, do të botoheshin pas vdekjes së tij, kur askush s’e dinte se ai kishte qene gjallë dikur.
Dua të kujtoj dhe një grua, yll, e bukur, shkrimtaren Musine Kokalari, e lauruar dhe ajo për letërsi në Itali, që ka pasur korrespodencë, thuhej, me shkrimtarin Alberto Moravia, e futën në burg si kundërshtare, donte të themelonte një parti demokratike. Vdiq e vetmuar, e hodhën në karrocerinë e një kamioni zhavorri.
Edhe unë u dënova vetëm dhe vetëm për poezi, sepse nuk ishin të realizmit socialist, por të trishtuara, pesimiste, me metafora. Po isha dhe biri i Hekuran Zhitit, edhe ai i dënuar, edhe krijimtaria e tij, dramat dhe poemat.
Në burg do të gjeja shkrimtarë si Halil Laze, që nuk shkruante dot, por i tregonte ato që do të donte të shkruante apo piktorët Edison Gjergo, Ali Osekun, Valeri Dyrzi-Tarasov, arkitektin Maks Velo, kritikun e teatrit, Miho Gjini, muzikantë dhe këngëtarë sepse donin Bahun apo Wagnerin apo Celentanon e vendit në bregun përtej. etj.
Në burgun klasik të Burrelit ishin dhe dramaturgu Fadil Paçrami, që partia në pushtet e kishte nxjerrë nga skena e vet, siç kishte nxjerrë më parë profesorin e Marksizmit në Moskë Sejfulla Malëshovën apo Mehmet Myftiun, autori i romanit të parë disident në klandestinitet.
Në burg do të shkruante ditarin e tij Fatos Lubonja, romanet e tij Spartak Ngjela dhe do të vinte dhe shkrimtari Bashkim Shehu, djali i kryeministrit të diktaturës, që ende s’dihet, u vetvra apo e vranë.
Një pjesë e të dënuarve mbeti pavdekësisht nëndhe, u pushkatuan, kryesisht nga radhët e klerit katolik. U vranë poeti dhe studiuesi Bernandin Palaj, Anton Harapi, Viçens Prennushi. Trifon Xhagjika, i cili recitoi dhe një poezi në sallën e gjyqit “Atdheu është lakuriq”. Në burg mbylli sytë dramaturgu Et’hem Haxhiademi.
U pushkatuan poetët e rinj Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, me akt-ekspertizë nga kolegë, njëra grua, shkrimtare e përkthyer… edhe në Itali, me emër perëndeshe, asaj të gjuetisë, me hark në dorë, i cili do të shndërrohej në pushkët e skuadrës së pushkatimit.
Gjyqtarët e tyre përsëri janë gjyqtarë. Kemi bërë detyrën, thonë, kur i ngacmon ndonjë gazetë a ndonjë libër i ri. Po detyrën e njeriut kur do ta bëjnë? A do të pendohen, a do të kërkojnë falje ndonjëherë ata që e bënë diktaturën… edhe pse kanë dale vepra monumentale nga të burgosurit politikë si ajo e At Zef Pllumit, që kanë tronditur opinionin…?