back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letërsia shqipe ndodhet në zgrip ekzistencial – nga Behar Gjoka

Gazeta

Studiuesi Behar Gjoka
Studiuesi Behar Gjoka

Letërsia shqipe ndodhet në zgrip ekzistencial

nga Behar Gjoka

Krijimi i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, është një sfidë e ndërmarrë me jo pak përgjegjësi. Është një sfidë për të kuptuar se ne kemi nevojë që të komunikojmë pak më ndryshe, kemi nevojë që të kundrojmë se çfarë ka ndodhur me kulturën, me librin, me letërsinë shqipe në shtjellat e kohës. Është sfidë për shkak se vetë fati i librit, edhe i autorit shqiptar ndodhet në këtë moment, në një zgrip ekzistencial. Shkrimtari, autori, për probleme ekonomike, ndodhet në një moment, që mund të thuash se: “E drejta e autorit ka ikur në drejtim të paditur!”. Kjo metaforë në fakt nuk e shfaq thelbin e gjithë situatës, por në fakt jemi në një situatë pak më të vështirë. Natyrisht që bashkangjitur me të drejtën e autorit, është edhe fati i letërsisë shqipe. Në gjykimin tim, letërsia shqipe, e cila na mundësoi që të rilindim si komb dhe popull, gjendet në një moment jo kaq të lehtë, do të thosha në një moment jetik. Them kështu për vetë faktin se rrymimet globale, ekonomike, politike, edhe shumëçka tjetër, e vështirëson ekzistencën e kultures dhe të letërisë. Nga ana tjetër letërsia është identiteti, është e vetmja gjë me të cilën ne mund të shkojmë në hapësirat e tjera, mund të komunikojmë, mund të ballafaqohemi, si fat ekzistencial. Natyrisht nuk është se Qendra “Pjetër Budi” merr përsipër zgjidhjen e të gjitha problematikave, por guxon, sfidon veten, sfidon këtë kohë, pa kohë. Sfidon këtë kohë tepër të vështirë për mbijetesën e librit shqip. Po ju them me bindje se e kam biseduar me miq këtë ide, edhe të gjithë fillimisht e kanë konsideruar si t’i hysh detit në këmbë, por mesa duket pa ide, pa pasion, apo pa dëshirë, është e pamundur, që të bësh ndryshimin. Unë do të thoja se e gjithë ajo situatë na çoi tek ideja fillestare, që të merremi me disa problematika që ne i ndeshim shpesh, por që bëjmë sikur nuk i shikojmë, ose realisht nuk i shohim, sepse janë pikërisht ato ide, që kanë të bëjmë me anën e një gjykimi personal, por tashmë në tentativën për t’u institucionalizuar duhet të dimë se nga vimë dhe për ku po vemi. Në 25 vjet të demokracisë, të sistemit ku jemi, pritshmëria dhe realiteti janë gati kundërshtues. Së pari: Kam shpresuar që do të ndodh një ndryshim i madh në marrëdhënie me letërsinë e hershme. Në fakt jemi te një moment, që letërsia e hershme është monument, është vlerë historike, është vlerë gjuhësore, edhe që vihet në dyshim se është vlerë letrare. Nuk e di, shpesh e dëgjojmë që letërsia e mirëfilltë fillon me De Radën, edhe Naimin. Çuditem se si mund të këtë letërsi të mirëfilltë, edhe të pamirëfilltë? Aty ku ka vargje, aty ku ka tekst autorial, padyshim që ka letërsi, por çështja e nivelit është tjetër gjë. Më kuptoni drejt. Po të mos ishte ajo periudhë e ndritur, pjesë integrale e Rilindjes Europiane (përlindur në vatrën e Kundëreformacionit), nuk e di se çfarë gjuhe do të flisnim.
Ata misionarë, ata martirë të gjuhës do të duhen që të kthehen në panteon, sepse në fakt janë ura e parë, që na kanë vendosur në marrëdhënie me Perëndimin, me qytetërimin, me aspiratën, edhe me ëndrrën ku ne duam që të shkojmë.
Së dyti: Unë do të thoja që kam shpresuar, kam dëshiruar dhe kam hedhur herë pas here ndonjë mendim, se çfarë do të ndodh me letërsinë e realizmit socialist? Letërsia e realizmit socialist është ulur këmbëkryq në kokën tonë. Çfarëdo që të bëjmë, është mjaft e vështirë, sepse ka një arsye përveç të tjerave, që gjithmonë njeriu bën atë që është më e lehtë. Të mësuar me këtë model, në gjykimin tim, është vështirësisht i ndryshueshëm realiteti i marrëdhënies me këtë letërsi.
Tentuam që të kthejmë Fishtën, e kthyem përgjysëm, tentuam që të kthejmë Konicën, e kthyem çerek, tentuam që të kthejmë Koliqin, Kutelin etj. Kemi tentuar me edhe me Camaj, Trebeshinën, Arshi Pipën, që pamëdyshje janë pjesë e vlerave letrare. Por e cilave vlera? E vlerave që nuk paragjykohen, e atyre që janë pjesë e letërsisë reale të letrave shqipe, e vlerave në të cilat unë do të them se nuk e di, sesi mund që të guxohet, që të mendohet panteoni i letrave shqipe pa këta korifenj dhe mjeshtra të shkrimit të fjalës shqipe. Kemi mbetur mendjembyllur në raport me atë që thuhet se: A ka njeri që mund të japë përgjigjen e letrave shqipe, se çfarë është letërsia? Letërsia nuk është ideal që udhëhiqet, por është aspiratë shpirtërore. Është atributi i njerëzve të lirë, është vetë njeriu. Natyrisht liria të cilën ne e meritojmë çdo ditë. Nuk është se na e dhuron dikush, na e paketon, na e sjell në një çantë, edhe na thotë: “Urdhëro ja tek e keni, përdoreni. Jo liria është një atribut që udhëton me njeriun, që e meriton të jetë i tillë. Në këtë kuptim në vështrimin tim, në të gjitha aspektet e letërsisë bashkëkohore çfarë po ndodh? Përse korifenjtë e realizmit socialist janë përsëri maja e marrëdhënies sonë me letrat shqipe? Nuk jam që të përjashtohet askush, nuk jam që një metodë të caktuar duhet që të zëvendësojë të tjerat. Të hapur dhe të lirë. Pa qenë të lirë, nuk jemi të barabartë. Pa qenë të barabartë, nuk jemi të lirë. Le ta kuptojmë njëherë e mirë, sidomos në marrëdhënie më kulturën, në marrëdhënie me letërsinë, prishja e këtij ekulibri, është shkatërrimtare.
Së treti: Ajo që e bëri pak më të domosdoshme marrjen e kësaj nisme, e cila është sfidë edhe përgjegjësi, lidhet edhe me një fakt, se sa vjen edhe flitet se nuk ka letërsi shqipe. Por kush është ai, që e merr përsipër këtë gjë? Sa vjen e thuhet se nuk ka letërsi për fëmijë. Por kush është ai që e merr përsipër këtë gjë. A janë bërë analiza, a është argumentuar? A kemi arritur në përfundime jo paragjykuese, sepse ka një problem. Është shndërruar komunikimi mjaft i vështirë, është komunikim me kështjella pa dritare, është komunikim ku secili ka të drejtë të thotë çfarë të dojë, me mëtimin se po thotë fjalën e fudnit. Jo, në marrëdhënie me kulturën dhe letërsinë, nuk mundet të thuash çfarë të duash. Nuk ka nevojë për gjykatës dhe prokuror, se koha dhe lexuesi janë përzgjedhësit më të vlertë. Të thotë argumentin, shijen, idetë, secili që e ka lidhur jetën me letërsinë. Kjo është një ftesë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne, kundra nesh, vetëm që të dialogojmë realisht për letërsinë, për fatin e kulturës, për fatin e librit shqip.

Marrë nga Muri i FB  Behar Gjoka, 5 shkurt 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.