back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letërsia Shqiptare e Kosovës – Zhvillimi i saj në kontekst me Biblën nga Prof. Isak Ahmeti

Gazeta

Prof. Isak Ahmeti
Prof. Isak Ahmeti

Letërsia Shqiptare e Kosovës

– Zhvillimi i saj në kontekst me Biblën

nga Prof. Isak Ahmeti

Letërsia Shqiptare e Kosovës, si çdo letërsi tjetër, është rezultat i traditës që u zhvillua në determinizime tejet të rënda socio-kulturore e kulturo-historike. Në planin historiko-letrar, me zhvillimin e saj, edhe në kontekst me Biblën, Letërsia Shqiptare e Kosovës na del një fenomen i veçantë që duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë. Kjo letërsi nuk duhet të shihet e ndarë nga ajo në Shqipëri, sepse do të pretendohet për dy letërsi, për dy tradita. Në të vërtëtë Letërsia Shqiptare, që krijohet në trojet ku jetojnë shqiptarët dhe jashtë tyre, ka një traditë të vetme dhe mjafton të marrim parasysh tre elemente bazë të historisë së kësaj letërsie: biblizmin, historinë dhe folklorin. Letërsia Shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti, ka kaluar nëpër periudha të ndryshme zhvillimi.
Letërsia Shqiptare e Kosovës si pjesë e trungut e letërsisë nacionale (shqiptare), rrënjët e veta i ka që nga shek. IV-V e këndej kur në këto treva, përkatësisht në Dardani (Kosova e sotme), kishte jetuar dhe vepruar Shën Niketë Dardani nga Remesiana, i quajtur me të drejtë Shën Niketa Dardani, me të cilin edhe nis Historia e Letërsisë së Kosovës. Duke e vështruar Letërsinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj në kontekst me Biblën, kuptojmë se ajo në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj, paramodel e paratekst të parë ka pasur hipotekstin biblik, diskursin biblik në të gjitha rrafshet e shkrimit letrar-estetik, për t’u derivuar ky shkrim me shqiptime në rrafshin e kodeve tematike e semantike, stilistiko-estetike, në rrafshin e shprehjes letrare, përgjat shekujve të shkrimit të letërsisë shqipe, duke u transformuar në të gjitha periudhat letrare, për t’u bërë shkollë letrare në letërsinë shqipe, referencë paramodel në nivel të shpërndërrimit të strukturës së brendshme e të jashtme letrare. Kjo letërsi, prandaj, si shumë letërsi evropiane, do të nisë me shkrimet e shenjta dhe do të zhvillohet në këto suaza deri më sot, prirja e së cilës ndaj kësaj reference mbetet e jashtëzakonshme.
Së këndejmi, siç është konstatuar nga studiues të mirëfilltë të letërsisë, influenca, poetika e diskursit biblik, do të ndikojë edhe në rrjedhat e konsolidimit të gjuhës, kulturës dhe veçanërisht letërsisë shqiptare. Pa këtë paratekst, Letërsia Shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti, s’do të ishte kjo që është. Prandaj duke ndjekur këtë vijë do provojmë të nxjerrim në dritë pikat kryesore në Letërsinë Shqiptare të Kosovës, zhvillimin e saj historik në kontekst me Biblën, po edhe dukjet letrare të kësaj treve, autorët më të mirë, kryesorë, që kanë kontribuar jo vetëm për t’i lidhur e bashkuar shqiptarët dhe kulturën e tyre me Perëndimin, me Evropën, por edhe në zhvillimin e një kulture dhe një letërsie me karakter dhe natyrë universale. Vlen të theksohet se në Letërsinë Shqiptare të Kosovës vërehet një prani e madhe e shkrimit biblik, edhe si kulturë e shprehje jetësore, si kulturë shkrimi, si filozofi e ekzistencës dhe mbijetesës nacionale.
Prandaj tekstet e saj, modeli i ligjërimit biblik, stili, shprehësia, semantika, figuracioni, ngjarjet, personazhet, rikontekstualizohen, duke u funksionalizuar në përmasa të thella kuptimësie në letërsi, veçanërisht ngjarje e figura që ndërlidhen me gjendjen e nacionit. Të funksionalizuara në një tip shkrimi, tashmë të veçantë dhe me destinacion të veçantë, këto bartje (transformime letrare, të letërsisë biblike brenda Letërsisë Shqiptate të Kosovës, dalin me dallime të natyrshme nga paratekstet origjinale, gjthnjë duke krijuar efekte estetike letrare të veçanta, që dalin me shenjëzime në rrafshe të ndryshme, me një raport të fuqishëm e shumëdimensional. Prandaj është e natyrshme që sikundër letërsia botërore (Dante, Milton, Gëte, Eliot etj.), ashtu edhe letërsia shqiptare e Kosovës duhet të lexohet dhe studiohet edhe në kontekst me Biblën, në kontekst me diskursin biblik, ndryshe nuk bën.

shkrimeNjë pamje e shkurtër e Historisë së Letërsisë Shqiptare të Kosovës

Tradita e shkrimit, në kontekst me Biblën, në Kosovë, ndonëse në gjuhën latine, që ishte praktikë në Evropën e asaj kohe, nis që në shek. IV. Kjo traditë e shkrimit në këto treva lidhej ngushtë me traditën kishtare iliro-shqiptare në Dardani, përkatësisht në Kosovë. Kjo traditë, siç dihet tashmë, fillon me Niketë Dardanin e Remesianës, për të vazhduar, pas një ndërprerjeje bukur të gjatë, me Palin e Hasit (Pali prej Hasi), dhe me autorët e tjerë të shek. XVI-XVII siç janë: Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, etj. Më pas vjen Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752), nga Gjakova, prelat kishtar, doktor i teologjisë dhe filozofisë, autor i Katekizmit, Doktrina e Krishtenë (1743), dhe zbulues i veprës “Meshari” të Gjon Buzukut (1555), pastaj poeti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndue Bytyçi (1847-1917), autor i një numri vjershash si: T’lemit e Jezu Krishtit, Mundimet e Jezu Krishtit dhe Vaji i Zojës Bekueme, Atyna, etj., që janë margaritarë të rrallë në poezinë e tij me tematikë biblike; arkeologu dhe shkrimtari Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), nga Janjeva, autori i disa veprave letrare e shkencore dhe mbledhësi e sistemuesi i kodit zakonor të shqiptarëve”Kanuni i Lekë Dukagjinit”, si dhe autor u veprës posthume: Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit(1993). Vijnë pastaj autorët tjerë me hipertekst biblik të letërsisë bashkëkohëse, të cilët do t’i kisha veçuar sipas vitit të lindjes, si:

1.Rexhep Qosja(1936),
2.Anton Pashku(1938-1995),
3.Azem Shkreli( 1939-1997),
4.Mirko Gashi(1939-1995),
5.Ali Podrimja(1942-
6.Teki Dervishi(1943-2011),
7.Musa Ramadani(1944),
8.Frrok Kristaj(1944),
9.Beqir Musliu(1945-1996),
10.Ymer Shkreli(1945),
11.Ibrahim Kadriu(1945),
12.Anton N. Berisha(1946),
13.Arif Demolli(1949),
14.Dom Lush Gjergji(1949),
15.Sabri Hamiti(1950),
16.Prend Buzhala(1951),
17.Zejnullah Rrahmani(1952),
18.Ramadan Musliu(1954),
19.Sali Bashota(1954),
20.Sarë Gjergji(1965),
21.Ndue Ukaj(1977), etj.

Formula e Pagezimit
Formula e Pagezimit

Janë këta emra, autorë të shquar të Letërsisë Bashkëkohëse Shqipe të Kosovës, kush më pak e kush më shumë, të frymëzuar dhe të ndikuar, kur e kur në mënyrë implicite, kur e kur në mënyrë eksplicite, nga Bibla. Ky numër do ishte i mangët po të mos përmendeshin edhe autorët si:

Enver Gjerqeku (1929-2006),
Fahredin Gunga (1936-1997),
Rrahman Dedaj (1939-2006),
Jakup Ceraja (1934-2001),
Ilaz Prokshi (1949-2007), etj.

tek të cilët poashtu kemi të pranishme elemente biblike, motive, figura, elemente stilistike, parabola, metafora, ngjarje, personazhe, etj.
Është me shumë rëndësi të theksohet se autorët e Letërsisë Bashkëkohëse Shqipe të Kosovës, kush më pak e kush më shumë, janë më të frytshmit dhe më të merituarit për transformimin dhe modernizimin e plotë të saj. Në krijimtarinë e tyre letrare-poetike janë trajtuar artistikisht tema, motive e frymëzime të lidhura jo vetëm me jetën, historinë dhe biografinë shpirtërore të njeriut të Kosovës, por edhe me Biblën. Autorët e Letërsisë Bashkëkohëse Shqipe të Kosovës, kush më pak e kush më shumë, kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe, në përgjithësi, edhe me tematikën biblike. Madje edhe gjatë Luftës së fundit në Kosovë(1999), por edhe pas saj, poetët e Kosovës, një ndër ta edhe Tahir Desku(1957-2005), do të shkruajë poezi që përshkohen thellë nga fryma e lirisë dhe Biblës.
Kështu, për shembull, te libri i tij: Engjëjt e Lirisë (2000), ndër të tjera është edhe një frymë e fuqishme e lirisë por edhe e Biblës. Në këtë kontekst le të përmendim edhe poezitë e tij antologjike siç janë: Lutje Mesisë, Tregim biblik, etj. ku si një fill të vetëm lidhen liria, dashuria, jeta, fryma biblike: “Merri o Zot,/ nën mbretërinë tënde merri/ merri se i kam mbuluar me një copë qielli në një copë Dhe/ sall për hatrin tënd” Lutje Mesisë), apo “së pari u krijua Toka”… (Tregim biblik), dhe vazhdon me fjalë të kursyera duke u zgjedhur ato më të rëndat, më të fuqishmet, më të vërtetat, sepse sidomos shpirtërat tanë kanë nevojë për poezi të kthjellët e të kulluar që buron drejtpërdrejt nga shpirti, por edhe nga Bibla.
Është i gjatë vargu i shkrimtarëve, që nga Shën Niketa Dardani e deri në ditët e sotme,të cilët i kanë shkruar veprat e tyre duke qenë të frymëzuar dhe ndikuar nga Bibla. Meqë është kështu, ne, në këtë shkrim, do përqëndrohemi vetëm tek disa, të cilët, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, janë më të dalluar, si personalitete krijuese, në Letërsinë Shqiptare të Kosovë.

1.Shën Niketa Dardani (Shek. IV-V)
Kush është në të vërtetë Shën Niketa Dardani?
Shën Niketa Dardani ose Niketa i Remesianës, siç e quan bota këtë dijetar të hershëm, është një personalitet i madh i traditës dardane/ kosovare/ kulturore e artistike.
Në shek. IV-V kur jetoi, Niketa ishte, që në moshën 26 vjeçare, ipeshkëv i Remesianës të Dardanisë. Ai kishte lidhje miqësore me disa nga personalitetet më të shquara të shekullit të tij, si me Aurel Ambrozin, por edhe me Shën Augustinin, që është ati shpirtëror i Mesjetës si dhe me Paul Nolanin, poet i njohur. Kështu, për shembull, me rastin e kthimit të Niketa Dardanit nga Italia, poeti Paul Nolani ia kushton një poezi (poemë), disa nga vargjet e së cilës dëshmojnë qartë për dardanësinë e tij:

Tu Philippasus Macedonem per agros/ tu Temitanumradioris urbem
ibis et Scupos patriae propinquos/ Dardanus hispes”.

Për më tepër, Shën Niketa Dardani si teolog, filozof dhe poet, ndonëse i “harruar” deri më tash në Historinë e Letërsisë Shqiptare, e ka pasuruar jo vetëm traditën tonë letrare-filozofike dhe kishtare, por edhe traditën letrare-filozofike -teologjike-kishtare evropiane. “Te deum” i famshëm i tij, himn i mbarë krishterimit, edhe sot e kësaj dite këndohet në kremtet më solemne të jetës kishtare në mbarë botën. Ç’është e vërteta, në letërsinë tonë kishtare dhe atë evropiane, emri i Niketa Dardanit ka mbetur i njohur sidomos me himnin “Te Deum Laudamus” që në shqipet është titulluar: Lavdi e Nderë t’qoftë o Zot!, e që radhitet ndër krijimet më të bukura të poezisë botërore…

2.Atë Pali prej Hasi (shek. XVI-XVII)
Nuk mund të flitet për traditën dhe letërsinë shqipe të Kosovës e të mos përmendet edhe françeskani kosovar, Atë Pali prej Hasi, ndonëse në literaturën e hershme e as të sotme, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë krijues dhe kultivues të parë të vargut artistik shqip.
Dihet, por, me saktësi se ai jetoi në pjesën e dytë të shek. XVI dhe në fillim të shek. XVII. Edhe pse ishte koha kur feja islame dhe skizma kishin marrë përmasa, në shek. XVI-XVII u krijuan, të kushtëzuara nga faktori i brendshëm shqiptar dhe nga faktori i jashtëm evropian, vepra letrare e gjuhësore shqipe, që kanë një rëndësi të veçantë religjioze, historike-gjuhësore dhe letrare. Në këtë kontekst, prandaj, duhet të përmendim edhe Atë Palin prej Hasi, autorin e vjershës: Dita e Gjyqit. Është me rëndësi të theksohet se Pali prej Hasi jetoi dhe veproi në trevat kosovare, ku nuk do të vepronte vetëm Pjetër Budi, por edhe Ndre, Lukë e Pjetër Bogdani, doajenë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Atë Pali prej Hasi, përveç vjershës mbi Ditën e Gjyqit, prej 204 vargjeve ka shkruar edhe vjershën: Mortja, me 372 vargje. Këto dy vjersha shtjellojnë tematikë biblike, temën e vdekjes dhe të ditës së gjyqit të mbramë, tema këto gjithsesi universale të përshkruara me një ton lirik.

Pjeter Budi - Peshkop dhe Shkrimtar
Pjeter Budi – Peshkop dhe Shkrimtar

3.Pjetër Budi (1566-1622)
Krahas Atë Pal Hasit, me emrin e të cilit lidhet edhe të dukurit e parë të poezisë shqipe, në Kosovë dhe më gjerë, me frymë biblike, është edhe Pjetër Budi, të cilin e konsiderojmë, megjithatë, si poetin më të plotë dhe më të kompletuar në shqipet (shek. XVI-XVII), poezia e të cilit, shikuar edhe nga aspekti përmbajtësor e estetik-poetik, nuk mbetet mbrapa poezisë së kohës në Evropë. Dhe stilistikisht, siç shkruan edhe G. Swanne, Budi do parë si autor që është në pajtim të plotë me standardin e përgjithshëm evropian. Poezia e P. Budit është ndërtuar kryesisht mbi platformën biblike dhe kombëtare. Ai, kur këndon, për shembull, vjershën e fillon kështu:

“Kush të djeg me ligjëruom/ Se jam gjith të zi,
Ditë e nata tue kujtuom/ Të lumt qi pat njeri”.

Këtu,siç ka vërejtur edhe Sabri Hamiti, është bërë paraqitja e subjektivitetit të autorit në mënyrë të prerë, të hapur, që në fillim të tekstit, duke u identifikuar ky drejtpërdrejt në krijimin e syzheut biblik, për të shënjuar vetveten në tekst duke shprehur edhe përjetimin e vetë situatës së krijuar në poezi. Kjo është mënyra më e parë e afishimit të vetvetes së shkrimtarit, për shënjimin e autorësisë dhe të origjinalitetit.
I frymëzuar kështu nga poezia e traditës dhe drejtpërdrejt nga Dita e Gjyqit e Atë Pal Hasit si dhe nga Bibla, P. Budi ka kënduar disa nga vargjet më të bukura me tematikë biblike në poezinë shqipe. Dy poemat e Doktrinës së Krishterë (1618), të P. Budit, veçmas: “Ajo ditë me mëni”, të cilën në fragmente e gjejmë te Buzuku dhe më vonë te Pjetër Bogdani, nuk e gjejmë vetëm me përmbajtjen e ngushtë filozofike të Biblës. Kemi këtu, siç e ka vërejtur edhe Engjëll Sedaj, por edhe në vargjet e tjera të Doktrinës së Krishterë të Budit, një shpërthim të fuqishëm poetik, me përmbajtje biblike, të gërshetuar edhe me përmbajtje patriotike. Zatën Dita e Gjyqit është si një përshtatje e himnit: Dies Ira, të françeskanit Thomas nga Çelano (1200-1255).
Poezitë e P. Budit në përgjithësi janë Doktrinë biblike-filozofike në vargje, në vargje shumë të bukura shqip që për nga vlera mund të krahasohen me vargjet e Miltonit dhe Andreinit. Kështu përafërsisht mendon dhe vlerëson Zef Skiroi por edhe Henrik Lacaj. Ata kanë të drejtë.
Duke lexuar me kujdes dhe përkushtim poezinë e P. Budit, si dhe vargjet fort të bukura:

“Ajo me meni/ Qitë vinjë nda e vona
Këtë shekull të zi/ Ta duegë e përvëlojnë
Si Profet ban dëshmi/ Me shumë sibilanë, po thonë”

kuptojmë se si ai ka kënduar një temë biblike, në formë popullore. Dhe vlerë më vete poezitë e tij i bën, para se gjithash, fakti se ato janë shkruar shqip e me temë universale, që intelektuali i kohës ka mund t’i lexojë në gjuhë të tjera. Me këtë edhe në vepër e vazhdon polemikën e fituar përgjithmonë me ata “dies e leterarë” të kohës së vet që nuk donin të shkruanin shqip. E gërshetuar me elemente të krijimtarisë popullore dhe me përmbajtje e diskurs biblik, poezia e Pjetër Budit ka diçka që e lidh me rrethanat, me kushtet historike, me tendencat e kohës. Siç e ka vërejtur më parë Zef Skiroi e më pas edhe Henrik Lacaj, P. Budi në mëkatin dhe djallin shikon Turkun e urrejtur, shkelësin e atdheut të tij. Në të vërtetë ai qortim dhe kushtrim që Budi u drejton bashkatdhetarëve për një jetë më të pastër, për qëndresë në virtyt, lutjet e vazhdueshme për lirim nga gjendja e mjerueshme, shprehin realitetin e idhët të kohës dhe dëshirën për një jetë të lirë.
Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se disa nga poezitë-uratë të P. Budit janë margaritarë të rrallë në poezinë shqipe. Kështu, për shembull, poezia-uratë drejtuar Shën Mërisë apo episodi i i vrasjes së Abelit, vajtimimi i Shën Mërisë për vdekjen e Krishtit, shquhen për nga vlera letrare-poetike dhe biblike. Shkathtësia dhe rrjedhshmëria, forca ideore e tematike, krahasimet e bukura e të gjalla, kontrastet janë vetëm disa nga vlerat që shquajnë poezinë e Pjetër Budit dhe veçmas poezinë: Të mbramit e jetës. Ç’është e vërteta, vlerat morale-biblike për Budin janë edhe vlera kombëtare dhe universale. Duke kënduar, për shembull, temën e Abelit dhe Kainit, ai këndon temën universale të së mirës dhe së keqës, po mbase edhe në kuptimin e parë të vëllavrasjes, elemente me peshë për situatën sociale të kohës dhe për angazhimin e Budit. Ai nëpërmjet poezisë inziston në kuptimësinë e vlerave kombëtare kur këndon:

“Shokëtë, fqinjëtë t’i doni,/ Ambëlz tue argetuem,
Gjanë tuj shpenzoni/ Atyne me u ndihmuam.
Mos vidhni, mos kusaroni,/ Podi dina janë mmsuom
Po tuajt t’pa kujtoni/ Kush ka me na gëzuom”

Siç duket, këto vargje, sipas një vlerësimi të Behar Gjokës, në kuptim të drejtpërdrejtë, përcjellin porosi morale, aq të nevojshme për qenien njerëzore në çdo kohë, por artikulimi shestues dhe tingullor, bën që vetvetiu të kapërcehen kufijtë e një sentence thjeshtë fetare dhe për më tepër, të shpërndajë jehonë edhe përtej kohës shkrimore.
Budi është poet origjinal i një frymezimi biblik dhe kombëtar. Për origjinalitetin e tij, rëndësi të veçantë ka, sipas vlerësimit të Anton Nikë Berishës, pikërisht qëndrimi i tij ndaj çështjes, stili – ku është manifestuar vetja e tij, mbi të gjitha gjuha shqipe e pasur, e rrjedhshme, autentike. Poezitë e Budit, të frymëzuara nga Bibla, sipas vlerësimit të E. Sedajt, nuk mbesin prapa poezive më të frymëzuara të asaj kohe në letërsinë evropiane.

Pjetër Bogdani (1625-1689)
Pjetër Bogdani (1625-1689)

4.Pjetër Bogdani (1630-1689)
Në shek. XVI-XVII, në këto treva ka jetuar dhe vepruar edhe Pjetër Bogdani(1630-1689), prelat kishtar, i lindur në Gur të Hasit të Dioqezës së Prizrenit, njëri nga doktorët e parë të shkencave filozofike dhe teologjike. Vepra e tij madhore: Cuneus Prophetarum (Çeta e Profetëve, 1685), është bërë me kohë e njohur në qarqet kulturore-fetare të Evropës. Kjo vepër, e cila ka vlera të pakontestueshme letrare, gjuhësore, filozofike, teologjike, pedagogjike, etike e psikologjike, është një Krua i gjallë, thënë metaforikisht, ku mendja dhe shpirti ynë do gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë e s’do të shterret, e kjo është cilësi dhe vlerë e veprave të mëdha e komplete që bëjnë jetë në kohë, që qëndrojnë fort me tematikën dhe poetikën e vet.
Është kjo, siç ka vlerësuar me të drejtë Ibrahim Rugova, vepër bazë në humanistikën shqiptare. Vepra e P. Bogdanit, Çeta e profetëve, i përgjigjet konceptit organizativ të Biblës. Së pari libri është ndarë në dy pjesë, ashtu siç është ndarë edhe Bibla, në BV dhe BR, e këtu Cuneus Prophetarum dhe De Vita Iesu Christi Salvatore Salvum Mundi, që në titullin e përgjithshëm dalin si titull i vetëm i tij. Pjesa e parë e librit është si një traktat filozofik e shkencor në kuadër të teologjisë, ndërsa pjesa e dytë i kushtohet kryesisht jetës së Jezu Krishtit që nga gjeneza deri te rishfaqja e tij.
Si në Bibël ashtu edhe në veprën e Bogdanit personazh kryesor është vetë Jezu Krishti. Mirëpo në veprën e Bogdanit një vend shumë të rëndësishëm zë edhe figura e Shën Mërisë. Përveç tri ligjeratave të para, të pjesës së dytë që janë:
1.Jeta e së lumes virgjër Mari,
2.Lindja e së lumes virgjër Mari, dhe
3.Sihariqi i engjëllit së lumes virgjër Mari.
Personalitetin e saj e ka paraqitur në mënyrë të mrekullueshme duke na dhënë kështu, në një formë artistike të pashoqe, edhe jetëshkrimin e saj, prindërit e saj, Joakimin dhe Anën, portretin e saj moral e fizik, vuajtjet shpirtërore, besimin e saj të plotë në ngjalljen e të birit, pjesëmarrjen aktive në mrekullinë e parë në Kan të Galilesë, që janë, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, ndër pjesët më të bukura dhe më të frymëzuara të veprës së Bogdanit.
Përveç figurës qendrore të Jezu Krishtit dhe asaj të Shën Mërisë, në pjesën e dytë të veprës së Bogdanit, Çeta e Profetëve, hasim edhe në figura dhe emra të tjerë biblikë (Zotynë, Zoti, Eva, Adami, Kaini, Abeli, Engjëlli, Gabrieli, Elizabeta, Jozefi, Joakimi, Ana, Ezekieli, Jakobi, Danieli, Herodi, Luka, Gjoni, Gjoni Pagëzues, Kaifa, Ponc Pilati, Maria Magdalena, Baraba, Betlehemi, Nazareti, Jerusaeimi, Kafarnaumi, Sinaj etj. (emra këta të gjeografisë biblike). Me këto dhe të tjera të kësaj natyre dëshmohet fuqishëm prania e Biblës te vepra e Bogdanit, që, siç ka theksuar edhe Emanuele F. Fortino, del se ai, pra P. Bogdani, ishte një ndërtues i kulturës dhe lirisë së atdheut, pra ndërtues i një tempulli të shenjtë me një vlerë paradigmatike. Çeta e profetëve, shkruan Simon Pepa, monument ky i kulturës kombëtare, është krahasuar me të drejtë me prozën më të mirë evropiane të shekullit XVII me tematikë biblike.

5.Shtjefën Gjeçovi (1873-1929)
Shperblesi i Botës ase Jeta e Jezu Krishtit, vepër posthume e Gjeçovit (1929-1993). Kjo vepër, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, riciklon dhe ruan konceptin universal të Biblës, lidhur me krijimin e botës (gjithësisë), me krijimin e botës së ghallë, të lindjes së Jezu Krishtit, fëmijëria e tij, rinia, shërbimi, kryqëzimi, ringjallja, ngritja në Qiell dhe pritja e sërishme e tij. Këtë koncept e gjejmë edhe te Bogdani. Për më tepër, edhe Bogdani edhe Gjeçovi, kanë sjellë tekstet e tyre letrare si rilexim të Biblës, porse Bogdani mbetet shumë më autorial dhe shumë më shumë rekreativ se sa Gjeçovi. E ndërtuar mbi shtratin e fortë biblik, vepra në fjalë e Gjeçovit përmban vlera e cilësi të ralla biblike, filozifike, etike, sicio-psikologjike, letrare, gjuhësore, etj. Këtë vepër, siç e kam thënë edhe më parë, në Pararathënie, me rastin e botimit të parë (1993), e bën më madhështore shprehja e fuqishme teologjike-biblike, aspektet dhe elementet diturore-filozofike, gjuhësore, etj.

Libra te metalte te Bibles
Libra te metalte te Bibles

Autorë tjerë me hipertekst biblik në letërsinë bashkëkohëse të Kosovës

1.Rexhep Qosja (1936)
Letërsia Bashkëkohëse Shqipe e Kosovës, pas LDB e deri më sot, ka qenë mjaft e hapur edhe ndaj ndikimeve të jashtme edhe ndaj ndikimit të Biblës. Kështu, për shembull, Rexhep Qosja, autor i shumë veprave zhanresh të ndryshme, është një krijues që tekstit biblik i ka dhënë një referencialitet formal dhe, përveç në dramat e tij: Sfingë e Gjallë dhe Beselam pse më Flijojnë, në veprat e tjera ky referencialitet paraqet më shumë një kulturë dhe një dijeni shkrimi se sa një rindërtim dhe një risemantizim të tekstit të shkrimit, ndonëse aty-këtu, sidomos te romani: Vdekja më vjen prej syve të tillë, statusi i tekstit të Biblës merr një veprim simbolik.
Në mënyrën se si Qosja e artikulon referencialitetin biblik dallon prej një vepre siç është drama ose romani e deri te vepra kritike letrare dhe publicistike. Te drama: Sfingë e gjallë, për shembull, autori R. Qosja, veç tjerash, ka risemantizuar personazhin biblik të quajtur Kain, që në këtë dramë del me trajtën kuranore si Kabil. Figura e Kainit (Kabilit), sipas një vlerësimi të Dr. Fehmi Cakollit letrarisht është ndërtuar, tekstualizuar dhe kontekstualizuar mjaft mirë deri më tash, por me Qosjen shënohet një përparim letrar në përfaqësimin e kësaj figure biblike jo të kohës edenske, por të kohës moderne.
Po në këtë dramë hasim edhe sintagmën biblike “shtatë herë 77” me të cilën shprehet nyja dhe esenca e fjalës ose antiteza që është hakmarrja. Edhe te drama: Beselam pse më flijojnë, gjejmë ndonjë figurë biblike siç është ajo e Luciferrit, edhe pse si emërtim kuranor, Iblisi (forma kuranore për Antikrishtin, Luciferrin), gjithë ndërtimi tij dramatik i shkon për shtati tekstit biblik, qoftë si tipologji ose legjenda. Edhe romani: Vdekja më vjen prej syve të tillë, e autorit R. Qosja, është me plot shtresime biblike. Është me rëndësi të theksohet se secilit shtresim të kësaj vepre letrare i paraprin një referencë kuptimplote biblike, e Librit të Jakobit.Teksti biblik në veprën e Qosjes, qofshin artistike ose kritike, ka një shtrirje të gjërë dhe ai zë vend krahas teksteve të filozofëve antikë, humanistëve dhe iluministëve të ndryshëm evropianë dhe krahas teksteve të autorëve të ndryshëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Anton Pashku (1937-1995)
Anton Pashku (1937-1995)

2.Anton Pashku (1937-1995)
Anton Pashku, njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të Letërsisë Bashkëkohëse Shqipe, me romanin e tij: Oh, ka shënuar një pikëtakim të fortë me Biblën. Struktura e këtij romani si e tillë është analoge me strukturën e Ungjijve: tre Ungjij që trajtojnë tema të njëjta në variante, i katërti parathotë. Mitesat biblike, numri 3, numri 12 shënojnë një variant të diskursit biblik. Shembuj të pranisë së shkrimit biblik, në nivel të ideve, leksikut, sintaksës, stilit, kemi në gjithë romanin: Oh, të A. Pashkut. Në planin e dialogimit e të ndërtimit të personazheve, lidhja mes Asaj dhe Atij shënjon lidhjen biblike në mes Adamit dhe Evës. Plaku ose Bariu i Pashkut nuk qëndron në të njëjtin rrafsh vetëm me Bariun e Shkrimit, por plaku (Pashku), duke rrëfyer historinë, shtrihet edhe në nivelin e frymëzimit narrator të Shkrimit, që është vetë Zoti, ai që është qysh prej lashtësisë, vërtetë Shpirti i Shenjtë, i cili biblikisht inspiruesi rrëfimtar i Shkrimit. Delet janë lënda që biblikisht shprehin turmën e butë, por edhe të mbrojtur, ku si në tekstin e Biblës, ashtu edhe në veprën: “Oh”, të Pashkut merr dimensionin e aktuales, pra të kohës së sotme.
Edhe vetë Plaku, që e shtrin narracionin në tekstin pashkian është një personazh trinitar, i ngjashëm me skemën e trinitetit biblik. Po kështu edhe skema e personazheve, të të tri grave, faktikisht është një. Kjo skemë, është thënë, është e ngjashme me figurën e Krishtit, shumëdinensional: Bariu, Mbreti, Jezusi, Mesia, Biri i Perëndisë, Biri i Njeriut, etj. Të gjitha këto personazhe të Pashkut ndërtohen sipas skemës: 1x1x1 dhe jo 1+1+1. Por karakteret e personazheve të kësaj vepre, siç shkruan Dr. Fehmi Cakolli, janë më shumë antipod i personazheve biblike dhe mitike, kurse përsëritja e situatave të njëjta bën që të ketë një korespondim të plotë me shumë pjesë të tekstit të Biblës. Paramodel i tekstit të romanit: Oh, në radhë të parë, është teksti i Biblës. Teksti i këtij romani, që del më përbërës të caktuar, edhe në planin formal. Përndryshe Anton Pashku është prijetar i letërsisë moderne në Kosovë.

3.Zejnullah Rrahmani (1952)
Dy veprat më të mira të autorit, përfaqësues të Letërsisë Bashkëkohëse Shqipe, “Sheshi i unazës” (1970), dhe “Jusufi” (1999), të Zejnullah Rrahmanit, kanë pikëtakime të forta me Biblën. Te romani: Sheshi i unazës, për shembull, teksti letrar, si i tillë, funksionon në raporte të pastra intertekstuale me shkrimin biblik, duke shfrytëzuar diskursin biblik. Në këtë roman madje autori ka inkorporuar edhe tekste komplete të Biblës, veçanërisht të BR, duke theksuar veçmas dialogun e Krishtit me dishepullin e tij, Pjetrin… Raporti i ngushtë, po thuaj analog, si model dhe filozofi krijuese e përcjell gjithë rrëfimin e romanit.Referenca me diskursin biblik këtu është eksplicite.
Teksti i krahasuar, Sheshi i unazës (fq. 20-21) me atë të Biblës (Bibla, Ungjilli i Mateut, fq.1406) është analog, edhe në diskurse edhe në kodin tematik që lidhet e fuqizon idenë e qëndresës nacionale, qëndresë kjo e gurësuar sikurse Shkëmbi i figurshëm biblik i Pjetrit. Te: Sheshi i unazës, kemi jo vetëm figura dhe shprehje biblike, por edhe tekste komplete të Biblës, që i japin një frymë më të gjerë veprës në fjalë dhe kështu ajo merr edhe një karakter më universal.
Edhe teksti tjetër letrar i Z. Rrahmanit, titulluar “Jusufi”, libër me tregime (1999), ka pikëtakime të forta me Biblën. Jusufi si personazh kryesor, është në të vërtetë një trepersonazh, i trefigurshëm. Trepersonazhi ose trepersonaliteti i tij është koncrptuar dhe modeluar sipas konceptit trinitar biblik: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.
Në rrafshin vertikal është një Perëndi (një Jusuf), por në rrafshin horizontal janë tre Perëndi (Ati, Biri dhe Shpirt Shenjtë), pra janë tre Jusufa (Jozefi, Josifi, Jusufi). Për më tepër, Jusufi te ky tekst, ndonëse emër kuranor, është ndërtuar duke iu referuar tre emrave, si shenja të ngjarjeve, shtresimeve analoge, që gjithnjë shpërfaqen si një. Teksti në fjalë është shumështresor dhe shtresimet paraqesin përbërësit e trinsë së tekstit. Shtresa e motivimit personal e konkret, Jusufi (kuranor), lidhet me shtresimin me shenja të Shkrimit Shenjtë nëpërmjet përngjasimeve të historisë së personazhit letrar me atë të personazhit të Shkrimit Shenjtë e duke u identifikuar këto personazhe. Por vija letrare, sipas studiuesit Kujtim M. Shala, kërkon esencën biblike për ta ndërtuar dhe për ta artikuluar idenë e vërtetësisë për ta mbështetur ngjarjen…
Prania e Biblës, paramodel i diskursit biblik, i teksteve biblike, në diskursin letrar, si një vlerë e veçantë, ka ardhur duke u forcuar nëpër kohë, ka shënjuar vlera të përhershme në Letërsinë Shqiptare të Kosovës, që nga Shën Niketa Dardani e deri tek Zejnullah Rrahmani, për të vazhduar jetën në mënyrë implicite tek autorët që janë në proces të krijimit si: Xh. Bajra, H. Matoshi, Xh. Beqiri, K. Shala, A. Berishaj, A.Gojçaj, P. Kola, etj. Duke u marrë me shqyrtimin, vlerësimin dhe paraqitjen e saj historike, në vija të përgjithshme, zhvillimin e saj në kontekst me Biblën, pashmangshmërisht lidhemi edhe me konceptin e Roland Bartit, i cili mbron teorinë e tekstit kur shkruan dhe pohon: çdo tekst është intertekst…
Kështu prandaj del i kuptueshëm dhe i pranueshëm konstatimi, edhe sipas R. Bartit, se Letërsia Shqiptare e Kosovës është e mbrujtur pashmangshmërisht me intertekstualitet, me hipertekst biblik, madje në një masë mjaft të theksuar. Emrat e atyre autorëve të Kosovës, që kanë shkruar ose vazhdojnë të shkruajnë nën ndikimin dhe nën kulturën e atij arketipi biblik, siç e kam thënë edhe te pjesa: Një pamje e shkurtër… janë të shumta. Në fakt tek autorët në fjalë, tek veprat e tyre më të mira, parimisht vërejmë se ato janë të modelimit të shkrimit biblik.
Në këtë kontekst duhet të theksohet edhe fakti se, përveç veprave dhe autorëve që trajtuam, poezi të shumta të Azem Shkrelit, të Ali Podrimjes, të Anton N. Berishës, të Mirko Gashit, të Musa Ramadanit, të Beqir Musliut, të Prend Buzhalës, të Sarë Gjergjit, të Ramadan Musliut, të Sali Bashotës e të ndonjë tjetri, janë krijuar dhe krijohen në raporte të fuqishme shkrimi e krijimi me diskursin biblik, për të vazhduar jetën në mënyrë implicite tek autorët që janë në proces të krijimit. Natyrisht se ka rezultate dhe veçori të tjera letrare jo vetëm tek këta autorë që përfaqësuam, por edhe tek shumë autorë të tjerë nga Letërsia Shqipe e Kosovës dhe, dosido, ky trend i krijimit të kësaj letërsie, sipas traditës letrare, do vazhdojë edhe në të ardhmen dhe me dimensione të reja letrare të derivuara ose të ndikuara nga teksti biblik.
http://www.fjala.info

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.