Letra e Mark Shllakut para pushkatimit
“E dashtuna Angje e fëmijë!
Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.
Mos u mërzit për mue vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.
.
E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbetë me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë…
Banu e fortë, Angje!
Në t’u mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme, por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dashtë me shpirt deri tash në çast të mramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.
.
E dashtuna Angje!
Të lutem me m’i ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.
Të lutem me m’u interesue për eshtnat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me m’i çue në një vorr. Kam me vedi nji teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.
.
Duhet të mësohet përmendësh! – nga Stefan Çapaliku
Pas publikimit të letrës së mësuesit Mark Shllakut pak orë para pushkatimit drejtuar bashkëshortes Angje, ku ndër tjerash i lë amanet fëmijët si dhe të mos reshtin së kërkuari eshtrat e tij, ka reaguar dramaturgu i njohur Stefan Çapaliku.
Letra ka mesazhe shumë emocionuese, që nga përbetimi për dashurinë tij për Angjen, porosia për fëmijët, borxhet që kishte lënë në këtë jetë, e deri tek amaneti për të mos reshtur së kërkuari eshtrat e tij.
Mësuesi Mark Shllaku ishte dënuar me pushkatim nga regjimi komunist, për agjitacion dhe propagandë dhe për angazhim në një celulë të PSD-së.
Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç, kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimit.
“Kjo letër në mënyrë obligatore duhet të bëhet pjesë e librave të këndimit të shkollës shqiptare. Mundësisht e detyrueshme për t’u mësuar përmendësh. Kjo letër është e mira të përkthehet në gjuhë të huaja e të përhapet nga kush të mundet dhe ngado, sepse kjo letër na bën krenar dhe me turp në të njëjtën kohë”, shkruan Çapaliku.
.
Marrë nga https://observerkult.com/capaliku-letra-e-mark-shllakut-para-pushkatimit-duhet-te-mesohet-permendesh/ 27/09/2019
.
Ndërmendje dhe pendesë – nga Albert Vataj
Kush ishte Mark Shllaku, ai që shkroi këtë letër, me të cilën i’u drejtua së shoqes nga qelia e burgut të Shkodrës, pak para ekzekutimit
Këto fjalë janë shkruar në një dhomë të errët, në qelitë e burgut të Shkodrës, aty ku ngryste orët e fundit të jetës, një prej viktimave të shumta të Gulagut komunist, golgota e të cilit vazhdon atë ditë e sot të zvarritet hekakeqe dhe e mundimshme, akuzuese dhe pa pendesë.
Ende kryqi i këtij “mëkatari” zvarritet në ndërgjegjen e fjetun e vetëdije apatike të një populli martir, një shoqërie në amnezi totale.
Kryqi ku ai është gozhduar ka lënë plagë jo vetëm në trupin dhe dhimbjen e gjithë atyre që besuan dhe ëndërruan se Shqipëria ishte amaneti i të parëve, por kjo stigmatë po bëhet çdo ditë e më tepër një makth, një zezonë që ka kapluar gjithkah dhe gjithkënd që sikurse ai fatkeq, ende shpreson te virtytet, te nderi, te liria.
Kush ishte Mark Shllaku, ai i cili nëpërmjet kësaj letre që i ka dërguar së shoqes nga qelia e burgut të Shkodrës ku jetonte çastet e mbrame të jetës, para se të ekzekutohej, i tregon edhe të sotmes përmes kujtesës, gjeneratës që as në histori nuk e ka rrokur me njohje se çfarë ishte diktatura dhe cila mbeti kryevepra e saj e zezë e nënshtrimit dhe poshtërimit.
Kujto.al, nji krijesë qi ka ardhur për të na prishur rehatin tonë të rrejshme, ka behë për të përmendur, me na kujtue të shkuarën, ma së shumti nëpërmjet kallzimit të kësaj letre, dëshmimit të kësaj drithërime
.
Mësuesi Mark Shllaku ishte dënuar me pushkatim nga regjimi komunist, për agjitacion dhe propagandë dhe për angazhim në një celule të PSD-së. Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç, kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimit. Në shtëpi, kishte lënë bashkëshorten Angje dhe dy bijat. Juli, vajza e Mark Shllakut, ishte vetëm 8 vjeç në atë kohë kur i ati ishte dënuar me pushkatim. Edhe pse ishte fëmijë i mitur, ajo u përball me ngjarjen e rëndë që po ndodhte në jetën e saj, vrasjen e të atit. Me nxitjen e së ëmës, Juli u detyrua t’i lutej kryetarit të Degës që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit. Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma, Angjia e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë, Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër me disa informacione të rëndësishme.
Kur një i dënuar me pushkatim ekzekutohej, familja nuk kishte asnjë të drejtë të merrte trupin e tij e asnjë informacion për vendin ku do të varrosej. Ndaj Mark Shllaku ishte përpjekur të paramendonte rrugën që të çonte drejt vendit ku mendohej se do të vritej e groposej. Shokët e tij ishin varrosur në Zallin e Kirit, ndaj Marku e kishte projektuar aty fundin e tij. Të gjitha i kishte shkruar në këtë letër që u publikua në kujto.al.
Juli është një prej personazheve në dokumentarin “Të zhdukurit”, ku rrëfeu disa nga vargjet e kësaj letre. Kujto.al e publikon të plotë letrën që Mark Shllaku e shkroi dy ditë para se të pushkatohej. Letra nuk e ndihmoi Angjen e fëmijët që ta gjenin trupin e tij. Juli e ruan prej 70 vitesh këtë letër, me shpresën se një ditë do të mund të gjejë eshtrat e të atit, Mark Shllaku.
Amaneti i këtij fisniku, gjetja e eshtnave dhe varrimi është i papërmbushur, por mbetet sublime ajo çfarë letra e tij na risjell, ajo çfarë te ky njeri ka mbetur ende për të treguar. Ai nuk akuzon askënd, nuk bën me faj asnjeri, por vetë ndihet fajtor se do të vdiste duke lënë kaq shumë amanete, kaq shumë dhimbje, kaq shumë pendesë dhe faj për të gjithë ne që na mjafton një pikëllim për ta pranuar dhe asgjë tjetër.
Sot ndoshta do të jetë dikush duke e shkruar një letër të tillë, atë nuk do ta ekzekutojë askush, nuk ka dënim për të, ka vetëm një fat të keq për të qenë i pafat në një vend ku askush nuk kujtohet për të, askush nuk e mëshiron, askujt nuk i dhimbset. Ai hiqet zvarrë në këtë baltë të ndytë poshtërimi dhe harrimi deri ditën kur do ta gjejnë poshtë këmbëve të një ure apo në ndonjë kanal anë rrugës ku kalon hijerëndë dhe e kapardisur një botë mospërfillse, fyese dhe arrogante, e tillë që ka ndot edhe të të pështyjë.
Ja ku na shpie amnezia. Ja cili ishte fati i një mësuesi. Ja cila është e ardhmja e këtij vendi ku të gjithë ikin pa shikuar pas, ndoshta edhe pa lënë të shkruar ndonjë letër apo amanet.
.
https://www.facebook.com/1561736372/posts/10219776117624364/