back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Letra e Mark Zuckebergut… dhe marria jonë kolektive… nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci
Ilir Seci

Letra e Mark Zuckebergut… dhe marria jonë kolektive…

nga Ilir Seci

Ne që jetojmë prej vitesh jashtë Atdheut, na asht ba zakon që përditë mëngjeseve bajmë nji shfletim virtual të shtypit shqiptar… Lexojmë lajme nga atdheu, mësojmë ma të rejat e ditës, jetojmë me vendin nga vijmë, dhe po aq sa u gëzohemi lajmeve të mira, po aq u trishtohemi lajmeve të keqija… Përditë mjeseve kët ritual kemi: shfletojmë lajme nga vendlindja…
Në shumë faqe online të gazetave kryesore dhe të rrjeteve sociale… sot në mjes krejt Facebook-u gëlonte nga shpërndarja e nji lajmi “sensacional” për Mark Zuckerberg-un… Kishte marrë Dheun Virtual nji lajm alla-Nastradin se na qenka zbulue nji letër rreth shqiptarëve që kish lanë katragjyshja e Mark Zuckerberg-ut themeluesit të Facebook… Sigurisht dikush ishte tallë duke sajue nji letër të katragjyshes… nji mesele me Hajdar K. Shtimjen në Kosovë, dhe mbasi i hodha nji sy kësaj letre nuk mu ndejt pa bërtitë:
Pashni besën, boll me qéto prralla buzë hinit burra, boll me katragjyshen e themeluesit të Facebook dhe Hajdarin e Shtimjes… Vërtet që kallzimi ishte përplot me nëntekste frojdiane e fromiste mbi “Bollën”, “Hajdarin”, “Shtimjen”, “Fëmijën që lindi mbas nandë muejsh fiks” që Rozolinën e kish këndue Hajdari, etj… Por kjo ishte thjesht nji hokë e qepun trashë me pé të bardhë mbi copë të murrme… Histori e kallzueme nga ndonji çoban, ndonji natë te gjatë kallnueri… rreth votrës tuj çërrmue zjermin e çungit të bungit…
Po të paktën ta kishin sajue pak ma bindshëm… sepse sipas Hajdar K-it të sotëm stër-stërnipit të Hajdar K-it të Shtimjes, në vjeten 1853, katragjyshja e Zukenbergut shkruenka se po udhëtonte me makinë nëpër Kosove dhe na paska ndalue në Shtimje: “I bëra shenjë shoferit të ndalonte makinën”
Pashë besën e Zotit, mos na merrni ftyrën kështu me kësi marrinash që shkrueni dhe i postoni edhe në gazeta me emën?! Hej, po në vitin 1853, as asht kanë kund në projekt makina!!! Karl Benzi ka qenë veç 9 vjeç!dhe makina e parë në rrugë, në historinë e njoftun të botes asht pa me 21 shtator të vitit 1893, në Springfield, Massachusetts… Plot 40 vjet mbas kësaj meselesë së Shtimjes… Bile ta kishit ba me tren, sepse treni nëpër Fushë-Kosovë ka kalue bukur kaditë… Ma ngat neë kohë asht! O trullana, po mos leni nam! Krejt analfabetet funksionale të “Balkanweb”, “Mapo”, “Kosova.info”, e qindra tjerë portale me rradhë e kishin shpërnda kët lajm!
Krejt injoranca virtuale e medies shqiptare ishte lëshue n’brohorimë sot me postue kët lajm të shekullit, pa qenë as 1 prilli…
Na e shpifët edhe Facebook pasha Tokë e Qiell… Folklor Virtual… ku Zuckerberg-u dhe Hajdari i Shtimjes mu dukën si Zuku Bajraktar e Gjergj Elez Alia… Humor i trashë bre, që as duhej marrë seriozisht po të mos ishte ba sot kryelajm e shpërnda me aq ngut e me aq shumicë prej portaleve shqiptare…
Hajde fol mbandej për seriozitet e besueshmëri shtypi!?! Nji zbulim alla-Nastradin si ky merr Dheun Virtual për disa orë dhe gati i ban me u djegë tranzistorët e Facebook apo Tëitter-it, mbasi Zuku Bajraktar na u paska dhanë edhe do porosi shqiptarevë që mos të grinden ma ne Facebook…, ndërkohë që lajmet serioze për korrupsionin, për krimin apo fatkeqësitë natyrore si përmbytjet e fundit, me të cilat përballet përditë atdheu, as kapin 100 shpërndarjet!?
Kjo dalldi e folklorizmit virtual vërtet asht shqetësuese… Diçka asht mangut në përceptim tonë kolektiv!? Apo asht thjesht, çeshtje e drrasave mangut që po na i shkul, kaq me dashuri kjo qeveri!?!
9 janar 2016

Mark Zuckerberg - Babai i Faceook
Mark Zuckerberg – Babai i Faceook

Pronari i Facebookut Mark Zyckeberg deklaron:

Familja ime ka gjetur shërim te shqiptarët!

Pronari i Facebook-ut Mark Zuckeberg
në një letërkëmbim me shqiptarin Hajdar K. Shtimja,
ka përmendur një detaj interesant
që e ka dëgjuar nga stërgjyshja e tij Rozeline Zuckeberg,
e cila në vitin 1853, kishte vizituar Shkupin, Prishtinën, Prizrenin dhe Pejën.
Ja letra e magnatit të Facebook-ut dërguar shqiptarit Hajdar K.Shtimja

Dear Hajdar K. Shtimja,
Letrën tuaj që ma keni adresuar dje e lexoi për fat të mirë sekretari, im i cili është duke e pregaditur një libër për historinë time familjare. Emri i Juaj i kujtoi një histori të stërgjyshes sime në lidhje me njohjen e Hajdar K. Shtimes senior aty rreth viteve 1853, që e kishte lexuar në ditarin e saj të mbajtur gjatë një udhëtimi nëpër ballkan në kuadër të një misioni diplomatik. Ja ç’ka shkruante stërgjyshja ime Rozeline Zuckeberg:
10 Qershor i vitit 1853.
Ishte dita e 14 e udhëtimit tonë nëpër Ballkan bashkë me John-in, bashkëshortin më të veçantë që ëndërron ta ketë çdo grua. Kur lëshuam Podgoricën dhe morëm rrugën për në Shkup, kërkova kësaj radhe që përkthyesja të jetë shqiptare dhe grua, sepse isha mërzitur nga përkthyes burra dhe jo aq xhentilë. Pas Pejës ndaluam në qytetin e bukur të Prizrenit. Aty drekuam të shadërvani dhe dolëm në tregun që quhej “qylhane”, unë bleva një xhamadan të punuar me kllapadan për tezen time, Rebekën kurse për vete zgjodha një postë të punueme aknagishi siç ma shpjegoi përkthyesja, kurse burri im bleu një llullë me qelibartë dhe një sahat xhepi serkisuf.
Bënte vapë e madhe. Piva edhe njëherë ujë në shadrevan dhe u nisëm drejt Shkupit. Nga ora 16, arritëm në një fshat qe quhej Shtimle. Aty ku ndahej rruga për Shkup e për Prishtinë. Afër urës së madhe e pashë një turmë grashë dhe disa burra që ishin grumbulluar para derës të një shtëpie të vjetër buzë rrugës. I bëra shenjë shoferit ta ndalonte makinën. I thashë përkthyeses të pyeste së çka po ndodhte në atë vend. Nuk kisha parë asnjëherë aq gra të grumbulluara gjatë këtij udhëtimi. Përkthyesja u kthye shpejt dhe më tha se ato gra kishin ardhur nga të gjitha viset, bile ajo që më tregoi kishte ardhë pikërisht nga Shkupi, ku kishte dëgjuar se njëfarë Hajdar Shtimja po i shëronka gratë që nuk bëjnë fëmijë.
E shiqova John-in habitshëm dhe sikur ai e kuptoi atë që kisha në mendje më tha: “Nuk humbasim asgjë nëse e provojmë, nganjëherë mjekësia tradicionale nëpër këso vendesh të humbura mund të na gjejë zgjidhje…”
Kishim 5 vjet që ishim martuar me John-in dhe ëndërronim të kishim një djalë. Kishim konsultuar edhe mjekun më të mirë të San Françiskos por më kot, bile pasi i i humbëm shpresat vendosëm që në vjeshtë të adaptojmë një djalë nga jetimorja e qytetit.
Shqiptarët na shiquan me habi, kur zbritëm nga makina dhe iu afruam derës.
Kur morën vesh se ishim amerikanë na buzëqeshën dhe na e lëshuan rrugë të futemi pa rend.
Hajdar Shtimja, ishte një burrë shtatgjatë, i bukur, e me ca mustaqe të dredhura dhe një hundë të krrysur. Kishte të veshur një këmishë të bardhe dhe pantallona të murrtë prej leshi që i quanin tirqi.
Dhoma ku konsultonte Hajdari ishte rudimentare. Në tokë ca rrasa guri, dhe një minder i mbuluar me postiqe. Në dollap në një kosh të vogël pashë një bollë dhe u zbeha nga frika. Hajdari e pa shqetësimin tim dhe i tha përkthyeses të më sigurojë se bolla është e shpisë dhe e zbutun dhe falë saj ai i shëron shumë sëmundje. Pasi dëgjoi përkthyesen e cila ia tregoi problemin tim dhe pasi ia shpjegoi përkthyeses procdurën e shërimit, kërkoi nga ajo që të largohet dhe të na lejë vetëm.
Pas gjysëm ore dola dhe u futa në makinë. John-i nuk më bëri as më të voglën pyetje, më shtërngoi fort dhe tha “po e lusim zotin të kesh ra në ilaqë!”. Nëntë muaj më vonë i asistuar nga Dr. Jefferson në Los Angeles na lindi foshnja jonë e parë, gëzimi më i madh në jetën tonë. I vumë emrin Harris, duke i marrë dy gërmat e para nga emri i Hajdarit, për ta falënderuar dhe kujtuar atë.
Harris rritej për mrekulli dhe u bë një djalë tepër i bukur dhe shumë i gjallë. Sa herë e shiqoja me admirim duke lozur me shokë e kujtoja Hajdarin dhe e falënderoja Zotin që më zgjodhi mua në atë udhëtim që i dha kuptim gjithë jetës sime. Kisha shumë dëshirë edhe njëherë të kthehesha atje me gjithë Harrisin dhe Johnin, por Johni vdiq në një aksident hekurudhor dhe unë e kalova gjithë jetën duke ia kushtuar edukimit dhe ngritjes sq Harrisit, shpresës së madhe të familjes Zuckeberg.
Dhe nëse pas shumë e shumë gjeneratash ndonjë pasardhës i familjes sonë i lexon këto kujtime dhe nëse pozita ia mundëson, atëherë e ka amanet nga unë të bëjë diçka të mirë për at vend të bukur e të shkretë dhe për ata njerëz të mrekullueshëm siç ishte Hajdar K. Shtimja…

I nderuar Hajdar K. Shtimja Junior,
Nuk e dij saktësisht a është koinçidencë emri dhe mbiemri i juaj, apo vërtet ju jeni stërnip i Hajdar K. Shtimles senior, por letra juaj që ma solli sekretari im dhe kujtimet e stërgjyshes që lidhen me këtë histori më bëjnë borxhli gjithë jetën për ju dhe popullin e Kosovës. Sepse po të mos ishte Hajdar K. Shtimja, sot nuk do të isha as unë e nuk do të ishte as Facebook-u që ju shqiptarët e doni aq shumë.
Është e vërtetë se kemi me ba më parë për shkak se kanë fillue me teprue duke e përdorë për gjëra pa lidhje, promovime politike, biznes e shamje mes vedi, dhe kemi menduar se bërja me pagesë në formë abonimi do të ngrinte kualitetin e këtij rrjeti.
Sido që të jetë me këtë letër po ju garantoj se për ju shqiptarët do të jetë gratis për hatër të katragjyshit tuaj dhe amanetit të stërgjyshes sime. Por e kam një lutje për ju Shqiptarët që të shkrueni sa ma pak për politikë, mos të shaheni mes veti, sepse siç me tregoi menaxheri i rrjetit, faqja shqiptare e Facebook-ut po del më e ngarkura me politikë dhe debate boshe. Ju kisha lutë që të shkrueni sa më shumë për dashurinë dhe bamirësi njerëzore dhe mos e humbni traditën a katragjyshit tuaj.
Mos ja merrni ftyrën Hajdar K. Shtimjes
Me shumë respekt për shqiptarët
Mark Zyckeberg
President Drejtor Gjeneral i Facebook-ut.
http://www.panorama.com.al/mark-zyckeberk-deklaron-familja-ime-ka-gjetur-sherim-te-shqiptaret/

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.