back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letra e një shoku – nga Vedat Kokona (1939)

Gazeta

Vedat Kokona (1913-1998)
Vedat Kokona (1913-1998)

Letra e një shoku

nga Vedat Kokona

 Mora dje një letër nga Roma.
E hapa dhe këndova:
“I dashur shok;
Në sa ishe në Shqipni, pritshe qarkullimin e librit tand “Dritë
dhe Hije”. Për fat, nuk doli. Unë, u nisa për Romë. Kureshtja
(dhe kjo s’më len asnji herë te qetë) më shtyn ta shoh e ta lexoj.
Po këtu në cilën librari ta kërkoj?! Prandaj, po të lutem,
ma dërgo nji kopje t’atij libri. Besomë: do të të jem mirnjohës.
Të fala Lazër Radi
.
Lazer Radi - Foto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence
Lazer Radi – Foto e Laures 1942 – Doktor ne Jurisprudence
Nuk mund ta mirrni me mënd se ç’përshtypje të thellë më bëri letra e një shoku të vërtetë me të cilin jam parë e jam fjalosur vetëm një herë deri më sot. Por a ësht nevoja që njeriu në jetë, të jetë parë e të jetë fjalosur shumë herë me një njëri që ta bëj shok?! Jo aspak. Të mjafton, nganjëherë, vetëm një bisedim’ i vogël vetëm një letër e vogël që të ta mbushë zëmrën me një mall të ri dhe me një harè të vërtetë.
Nuk më shkruante veçse disa radhë. Por në ato fjalë të pakta pasqyrohej sinqeriteti i një shpirti, shprehej me ëmbëlsi një dëshirë e thellë.
Një letër e tillë të bën, shumë herë të ndryshosh mendimin tënd. Ta shëkosh jetën me një sy më të mirë dhe më të qeshur.
Më ka takuar, këto ditë, të bisedoj me disa shokë të mij të cilët s’i kisha parë prej kohësh.
-Si vete?
-Mirë.
-I mbarove studimet?
-Lavdi Zotit, po.
-Ç’po bën me punë?
-Merrem me shkrime…
-Ah! Ç’të ka rënë më qafë ky shkrimi… Nejse. Po çfarë shkruan?
-Ja, e nxij edhe unë letrën e gazetës.
-Je bërë gazetar?
-S’e dij as unë se si të them. Shkruaj përditë në gazetë po më kanë thënë se s’jam gazetar.
-Ku shkruan?
.
Vedat Kokona - Leter e nje shoku (1939)
Vedat Kokona – Leter e nje shoku (1939)
-Te “Drita”! S’kemi edhe aqë shumë gazeta në Tiranë që mos të dish se ku shkruaj. Po si duket se merr ndonjë herë gazetën në dorë…
-Të them të vërtetën unë s’i zë me dorë gazetat shqipe. Ç’i do? S’kanë asgjë brënda. Janë shkruar në gjuhën shqipe, por nuk janë gazeta shqipe… Mua më intereson, më parë nga të gjitha, të di se ç’ngjet në vendin tim, pastaj në Lindjen e Largme. Apo sësht kështu ?
-Ke të drejtë. Por megjithëatë kjo nuk është një arsye për të mos i kënduar gazetat shqipe.
-Veç kësaj ç’po bën?
-Kam bërë një libër të vogël dhe e shtypa tashti shpejt. S’e ke parë?
-Të them të drejtën, jo. S’e kam parë. Nuk ma ka zënë syri në vitrinë. Janë kaq libra të huaja atje, sa librat shqipe s’duken fare. Pastaj më as i shikoj e as i këndoj librat shqipe.
-Ashtu?!
-Më pëlqen më shumë të paguaj 15 lekë dhe të marr diçka për të qënë.
-Kjo nuk duhet të të ndalojë të japç, herë pas here, nja dy-tri lekë për të blerë një libër shqip.
-Ç’ta dua?
-Po kush do t’i këndojë kur s’i këndon ti ose tjetri? Të huajt që janë këtu? Do t’ish një tregëti e mirë për ne se janë shumë, por për fat të keq nuk dinë shqip… Më thuaj, kush do t’i këndojë?! Po mos t’i hapin shokët tanë, askush nuk do t’i këndojë…
-Le mos t’i këndojnë…
-Po si do të ketë shkrimtarë Shqipëria po mos të këndohen veprat e tyre?!
Nuk dinte ç’të më thoshte. më shëkonte me habi. Në këto fjalë e sipër kishim arrirë në një librari.
-Do të më kushtosh një libër?
-Ç’kupton ti me fjalën kushtim?
-Të kem për kujtim nënshkrimin tënd.
– Librat nuk janë të miat. Do të blesh një dhe pastaj unë do të ta shkruaj…
-Po si bëhet ashtu?…
E kuptova se ku e kishte qëllimin. Të ishte një Lazër Radi, do t’ja jepnja me gjithë dëshirë. Por atij që nuk interesohej për gazeta e libra shqipe nuk ia dhashë. E lashë kur ay ishte dyke e vënë në vënd përsëri librin, të cilin pati paturpësinë, të mos e blejë.
.
Gazeta "Drita" 24 janar 1939
Gazeta “Drita” 24 janar 1939
“Drita”, Nr. 661, e martë, 24 Janar 1939
.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. 80 vite të shkuara, është kjo korespondencë dhe ky shkrim midis Lazër Radit dhe Vedat Kokonës, dy të rinj që kishin filluar të ishin gjithnjë e më të pranishëm në shtypin shqiptar të viteve ’30. Në shkrim është edhe një person i tretë, një dandy i kohës, që i urrente librat në shqip…!
    E paraqesim këtë shkrim si falenderim ndaj Artan Qytezes, që ma dhuroi këtë dëshmi letrare, botuar në janar të 1939, po edhe për të dëshmuar se sa pak ka ndryshuar mentaliteti i shoqërisë shqiptare në lidhje me dashurinë ndaj librit.
    jozef radi, tetor 2019

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.