back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Letra e teologut bizantin Dhimitër Komateni… – nga Col Mehmeti

Gazeta

Letra e teologut bizantin Dhimitër Komateni
Letra e teologut bizantin Dhimitër Komateni

Letra e teologut bizantin Dhimitër Komateni…

nga Col Mehmeti

Letra e teologut bizantin Dhimitër Komateni me me shumë gjasë i paraprin shumë pyetjeve ende të paformulueme për mesjetën e hapësinave tona.
Në vjetin 1219, kishtaria serbe e fitoi statusin autoqefal në sajë të nji marifeti, me ç’rast Rastko Nemanjiqi – ose ai që u njoh nga posteriteti si Sveti Sava – u bâ kryepeshkop.
Kësodore, pushteti i ri eklestikal i Nemanjiqve i kollufiti edhe eparkitë e Lipjanit dhe Prizrenit që përthekonin pjesën ma të madhe të Kosovës e që ishin nën dëgjesë të Ohrit.
Ashtu si debatet e stërhollueme teologjike te “Emri i trëndafilit”, kryepeshkopi bizantin i Ohrit, Dhimitër Komateni i nis nji letër kryepeshkopit të shpallun joligjërisht.
Në letër nuk mungon arroganca proverbiale që i bânte bizantinët bizantinë, ku uzurpatorit serb i vnohet në dyshim ndjenja fetare e jeta asketike e kalueme në malin Atos.
Sipas teologut nga Ohri, Sava me t’u kthye n’atdheun e vet e harroi jetën e qashtër fetare dhe “gati u bâ siç kishte qenë në fillim” (καὶ σχεδόν τι γέγονεν ὡς τὸ απαρχῆς).
Letra në vazhdim kthehet gati në abuzim e bullizim. Dhimitër Komateni âsht teolog që e njeh me bistur eksperti të drejtën kishtare: kësisoj, uzurpatori serb e gjen veten tu e shkelë çdo praktikë e nom kishtar.
“Nëse je bâ kryepeshkop – thotë në letër teologu bizantin – qysh u bâne dhe në cilën kishë?” (Εἰ μέντοι προεχειρίσθης ἀρχιερεὺς, καὶ ὅπως, καὶ ποίας ἐκκλησίας;)
E pyetjet torturuese vijojnë me nji pamëshirë prej prokurori. Komateni e pvetë Savën qysh u bâ kryepeshkop:
θέλομεν μαθεῖν ποῦ, καὶ εἰ ἐν ͺΣερβίᾳ, λέγομεν πῶς, καὶ εἰ παρὰ τοῦ ἁγιωτάτου πατριάρχου Κονσταντινοπόλεως, διατί;
“Po dojmë me dijtë qysh, dhe nëse n’Serbi atëherë po t’pyesim qysh? Nëse kjo ka ndodh prej të shenjtit patriark të Kostandinopojës, pse?”
Aty ku Dhimitër Komateni fluturon me dije teologjike për me e skualifikue uzurpatorin nemanjiq âsht kur e citon Shën Palin se “nuk duhet me predikue aty ku Krishti âsht i njohun” (οὐκ ὅπου ὁ Κριστὸς ὠνομάσθη εὐαγγελίσασθαι).
Ky pasazh i letrës e soldifikon njohjen tonë se kërshtenimi i Kosovës ishte shenjimisht ortodoks e i fytyrëzuem kah Kostandinopoja shumë ma herët sesa pushtimi nemanjiq në fundshekullin e 12-të.
Sepse “zâni i apostujve” (ὁ φθόγγος αὐτῶν), siç na siguron në letër kryepeshkopi ohërjan, ishte shpërhapun në krejt ato treva (εἰς πᾶσαν γὰρ τὴν γῆν ἐξῆλθεν).
342019396_261809022838277_5808042928917919378_n

Etnor Canaj
Col, vetëm një gjë nuk kuptoj unë për albanezët e kohës, si ka mundësi që në ndonjë dokument bullgar të shek. 11 na dalin gjysëm-besimtar? Pasi ne e kemi si biçim mburrje që përqafuam të parët Krishtërimin.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Col Mehmeti – Etnor Canaj
Pyetje fort e mirë! Kjo puna e arbanëve si gjysmë-besimtarë âsht paksa komplekse. Termi sllavisht “poluvernici” nuk implikon nevojisht katolikë, siç ekziston njifarë interpretimi dëshiror në historishkrimin shqiptar (K. Frashëri me kompani). Fakti që në këtë tekstin e moçëm bullgar, arbanët – si kategori e “gjysmëbesimtarëve” – gjenden në nji rang edhe me armenët e bân disi problematike idenë se ata ishin katolikë. Edhe në “Zakonikun” e Car Dushanit ka referencime tepër të shpeshta për “poluvernici”, madje nene sanksionuese, por kjo duhet pa sa në frymën e tekstit, po aq edhe të rrethanave jashtëtekstuale. Për nevojat e tij, Car Dushani kishën pravosllave e ngriti në status të Patriarkanës me 1346, âshtu që prej saj të formalizonte titullin “perandor”, të cilin përndryshe nuk e merrte për asnji çmim prej Kostandinopojës. Ndaj, “kushtetuta” e mbretnisë së tij bânte përpjekje maksimale që fenë pravosllave me e absolutizue dhe me i anashnxjerrë tana burimet e tjera konkurente: mbi të gjitha bogumilizmin në Maqedoni e bashkësitë katolike në Malin e Zi bregdetar. Prandaj, “Zakoniku” në nji nga nenet e tij flet për “da se včisti hristijanst’vo” (dëlirje të Kërshtenimit), kurse katolikët i përmend vetëm si “eres’ latinskoi” (heretikët katolikë). Pra, nuk do argumentim të matejshëm që gjysmë-besimtarët (në origjinal “polouver’ci”) ishin ata shtetas të mbretnisë që nuk ishin nën dëgjesë të Patriarkanës pravosllave. Kjo domethanë që ata ishin masa kërshtene që paraprakisht kishin qenë të orientueme kah Ohri e Kostandinopja, ose-ose të prekun nga rrymat bogomile që përshkuen ma s’voni Bizantin ballkanik. Ajo çka duhet me heqë dorë njiherë-e-përgjithmonë âsht ideja ma shumë se naive se bashkësitë arbënishtfolëse në mesjetë ishin katolike. Sepse dëshmitë e kohës janë tepër të kjarta, aq sa edhe burimet papnore gjithnji e cilësonin “Albaninë” përkarshi si vend “misionar”, që nënkupton se popullata ishte anëpërtej “skizmatike” për sytë e Romës, rrjedhimisht ortodokse (shih Jean W. Sedlar, East Central Europe in the Middle Ages, 1000-1500, 2013, f. 172). Mbase nji provë tepër domethanëse që arbanët mesjetarë ishin ortodoksë âsht edhe kjo: I vetmi rrip që ka qenë i ekspozuem ndaj ndikimit misionar të Romës ka qenë “Albania Veneta”, ç’kap prej Lezhe e Shkodre deri në Budvë e Kotor. Me 1356, peshkopi i Balëzes (Balaçensis episcopus) ankohej se dioqeza e tij nuk kishte të hyra sepse popullata ishte e gjitha skizmatike (shih Theiner, Vetera monumenta slavorum meridionalium historiam, Romë 1863, 1, p. 236). Pra, bâhet fjalë për krahinën që historisë i dha familjen feudale të Balshajve. Janë dëshmi të panumërta, të cilat, kur merren si tansi, krijojnë tablon e përgjithshme se ekumena arbënishtfolëse ishte masivisht ortodokse. Baptizimi relativisht i hershëm i pararendësve të shqiptarëve âsht nji gjâ dhe konsolidimi i kërshtenimit nji gjâ tjetër. Popullata arbane – koftë në Arbënin’ proper, në Epir, Zetë e Kosovë – u mjaftue me nji kërshtenim minimalist, ma fort në formë përkatësie sesa bindje. Edhe vetë leksiku i kërshten i shqipes e ka “fotografue” këtë proces: le ta marrim si shembull fjalën “kryq”. Ajo vjen prej latinishtes “crux”, kurse barazvlera e saj greke “σταυρός” (stauros) apo sllave “krst” nuk gjeti thuejse askund përdorim. Kjo i bjen që procesi i kërshtenimit ndër proto-shqiptarë u kompletue në nji kontekst kohor kur gjuhë e Perandorisë vazhdonte me qenë latinishtja; kurse kur Kostandinopoja e etabloi pushtetin e saj kishtar në krejt Ballkanin, shtetasit e saj në Ballkanin perëndimor vijonin me ruejtë fjalë të kërshtenimit latin, por pa qenë të afiluem me Romën.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.