back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Letrat e Lolës nga Mark Simoni

Gazeta

Lola Shehi - Letra nga Pertej
Lola Shehi – Letra nga Pertej

Lola Shehi,
mbasi i dhuroj krejt nji jetë ftohtësisë së shifrave e llogarive,
nji ditë u ul me mjaft droje te ëndrra e saj të hershme: poezia…
dhe zbuloi aty mjaft dritë nga shpirti i vet derisa u bë libër.
Pa iu trembë drojes, ajo shkoi ma përtej te proza,
e cila simbas meje do të jetë nji hap plotësues i poezisë së saj.
Ky “Letërkëmbim!” i saj me gjyshen, është nji perlë letrare,
jo thjesht dashuri ndaj këtij njeriu të shtrenjtë të saj,
po nji model vazhdimsie i komunikimit midis të gjallëve dhe të vdekurve…
kur mes tyre dashuria jeton si përcjellëse e pavdeksisë së njeriut!
Jozef Radi
(nga shënimi në kopertinë të librit)

Lola Shehi - Cela
Lola Shehi – Cela

Letrat e Lolës

nga Mark Simoni

Kur po lexoja letrat e Lolës për gjyshen e saj të dashur, m’u desh t’i kthehesha dhe një herë një realiteti tjetër letrar, librit të Sussana Tamaros “Va’ dove ti porta il cuore” (që është përkthyer dhe këtu, më duket me titullin “Thuaj zemrës po”). Atëherë Sussana Tamaro në një intervistë pati thënë se “dashuria për gjyshet është e para mistikë e dashurive”. Dy mbesa që i shkruajnë gjysheve të veta. E duke patur në dorë Tamaron dhe Shehin, si për dreq, kokën time e populluan në çast lloj lloj gjyshesh, (që nga ata të butat e të mirat, të përvuajtura në shenjtërinë e tyre, e deri tek ato më shtrigat e të mbrapshtat gjyshe), që më vinin në mendje që nga rrugicat e mëhallave të fëmijërisë, dhe ma harlisnin kujtesën me bëmat dhe portretet e tyre gjithëfarëlloji.
Lola Shehi ia dërgon letrat nga fëmijëria e saj, plot ngjarje e kujtime pikërisht gjyshes që e deshi aq shumë. Pavarësisht realitetit nga ku janë nisur ato tri letra, autorja të lë shijen herë të një Kësulkuqeje, herë të një Hirusheje apo Borëbardhe. Zëri i saj ka timbrin e fëmijës, dora e saj duket sikur dridhet herë nga malli e dashuria, herë nga dhimbja e vonesave të vogla për t’i nisur ato pusulla, mbushur me një frymë të kristaltë, gati përrallore.
Gjyshe të tjera, prej vendesh të tjera, sillen vërdallë nëpër mëhallat e fëmijërisë sime. Herë të bukura e të buta e herë të tjera zevzeke e nurëseze, me fytyra të murrëtyera. Gjyshe të paqta që kur flenë në zheg nxjerrin prej qoshit të buzës një frymë të lehtë siç nxjerr ibriku i çajes avullin kur zien mbi sobë. Gjyshe që, megjithëse dinin vetëm një përrallë, (përrallën e pulës kuqaloshe pikaloshe), mbaheshin mend prej mbesave të vogla si përrallëtare të famëshme. Kam parë nga ato gjyshe, që, kur s’kishin njerëz nëpër shtëpi, vajtonin kruspull mbi minder, me vete nën zë, ndonjë vëlla a njeri të vdekur. Kam njohur axha Bijen që mblidhte në oborr kalamajtë e rrugicës dhe i vinte të dridhnin duhan për cigaret e saj. Gjyshe që iu dhimbnin kockat dhe i luteshin Zotit që ndonjëri prej nipave të bëhej doktor, e pastaj mblidhnin nëpër komodina ilaçe, skaduar e paskaduar, me bindjen se “barnat të bëjnë përherë mirë”. Kam dëgjuar për një vajzë që thuhej se nuk e donte familja e të dashurit nga që ajo qe mbesa e Nurijes. (Kush e di se çfarë Nurije duhet të ketë qenë ajo). Kam parë nga ato gjyshe që bënin shamatë me gjithë mëhallën dhe u dilte punë me tërë dynjanë. Ishin gati si burra. Më dukej se prej nervave u dilnin dhe qime si mustaqe. E kishin zërin e trashë prej duhanit dhe shanin me fjalë të pista. Kam njohur tri gjyshe që u mësonin vajzave të mëhallës se si të bënin punët e shtëpisë, se si të qendisnin me moline dhe si të dinin të kujdeseshin kur rriteshin e u ndryshonte fiziologjia.
O sa gjyshe ka kjo botë.
Gjyshja e letrave të Lolës është një gjyshe tjetër, e mikluar nga malli i mbesës së saj që e do aq shumë.
Kjo mbesë shkrimtare ka në letrat e saj pikërisht atë temperaturë që ka patur dikur dashuria e saj për gjyshën, fëmijërinë e saj dhe botën që e rrethonte.
Lola Shehi di të përdorë gjuhën e fëmijës, leksikun e moshës, letërsinë e naivitetit. Ajo e njeh dhe e kujton mirë fëmijën që ka brenda vetes, (që s’është gjë tjetër veçse vetja e vet në vogëli), dhe s’ka harruar asgjë, detaj për detaj, një vëzhguese e kujdesshme dhe e përpikët, mbasi është pikërisht dashuria që e ka orientuar këtë kujtesë. Pikërisht me këto copra të vogla të materies së kujtimeve ngre atë botë të madhe të dashurisë për gjyshen e saj. Nuk ka sajdisje më të bukur se këto tri letra.
Lola Shehi e ka të shenjtë kultin e gjyshës. Ndjehet në tërë ato që shkruan tempulli i lartë i Nanas, (se kështu e thërret përjetësisht autorja). Këto tri letra e vezullojnë tërë librin, i japin sentiment dhe e bëjnë shumë njerëzor këtë tekst, e bëjnë të duket dhe si manual që tregon dashuritë e mëdha që ikin nga kjo botë vetëm atëherë kur do të ikim edhe ne. Sa shenjtëri. Letërsia e Lolës në këto letra është si bekim, tamam si në legjenden e lashtë indiane që, nga do që shkonte vajza e vogël, nëpër degët e pemëve kishte sytë e gjyshes në formë gjethesh; anash rrugës lulet kishin petale pikërisht buzët e gjyshes; nën këmbë për të mos u rrëzuar ishin pëllëmbët e gjyshes.

Shkrimi i Mark Simonit
Shkrimi i Mark Simonit

Botuar te Koha Jone, 15 prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.