Leximi i librave… si rrjedha e një lumi
“Kam lexuar shumë libra, por shumë prej tyre i kam harruar. Atëherë, cili është qëllimi i leximit?”
Kjo ishte pyetja që një student i bëri dikur Mësuesit të tij.
Mjeshtri nuk u përgjigj në atë çast. Megjithatë, pas disa ditësh, ndërsa ai dhe studenti i ri ishin ulur pranë një lumi, ai tha se kishte etje dhe i kërkoi djalit t’i jepte pak ujë duke përdorur një sitë të vjetër dhe të ndotur që ishte në tokë.
Studenti u tremb, pasi e dinte se ishte një kërkesë pa asnjë logjikë.
Megjithatë, ai nuk mund ta kundërshtonte Mjeshtrin e tij dhe, duke marrë sitën, filloi të kryente këtë detyrë absurde. Sa herë që e zhyste sitën në lumë për t’i sjellë pak ujë Mjeshtrit të tij, ai s’mund të bënte as edhe një hap drejt tij, mbasi në sitë nuk i mbetej asnjë pikë ujë.
Ai u përpoq e u përpoq disa dhjetëra herë, por, sado që u përpoq të vraponte më shpejt nga bregu te Mjeshtri i tij, uji vazhdoi të kalonte nëpër të gjitha vrimat e sitës dhe humbte gjatë rrugës.
I rraskapitur, ai u ul pranë Mjeshtrit dhe tha: “S’munda të marr ujë me atë sitë. Më fal mjeshtër, ishte e pamundur dhe kam dështuar në detyrën time!”
“Jo, – u përgjigj plaku duke buzëqeshur – nuk ke dështuar. Shihe sitën, tani është si e re. Uji, duke u filtruar nëpër vrimat e tij, e pastroi atë… Kur lexon libra – vazhdoi Mjeshtri plak – ti je si sita dhe ata si uji i lumit!”
“Nuk ka rëndësi nëse s’mund ta ruash në kujtesë gjithë ujin që bëna të rrjedhë në ty, pasi librat gjithsesi, me idetë, emocionet, ndjenjat, njohuritë e tyre, të vërtetën që do të gjesh mes faqeve, ata do ta pastrojnë mendjen dhe shpirtin tuaj dhe do t’ju bëjnë një person më të mirë dhe të rinovuar. Sepse ky është edhe qëllimi i leximit”.
Gëzuar dhe lexime të këndshme të gjithëve…
(marrë dhe përkthyer nga Web)