back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Liberalizmi filozofik – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Liberalizmi filozofik

nga Ervina Toptani

(Arsyeja teorike përse politika tek ne nuk do të zhvillohet asnjëherë siç është zhvilluar në perëndim. Ajo nuk është një licensë për të rindërtuar shoqërinë sipas ca skemave abstrakte e të panjohura më parë, në thelb është betim, dëshirë e aftësi e atyre që kanë trashëguar vlerat dhe përcaktimin e detyrimeve morale për këto vlera nga të parët e tyre shtetbërës).
p.s. (po e nis nga sqarimi fundor për të dalë tek kryerradha)

Analiza të tilla mendimi janë të rëndësishme për të kuptuar teoritë politike, ndryshimet politike dhe pashmangshmërisht kulturën me të cilat ato janë themeluar e zhvilluar. E thënë shkurt, ne flasim të gjithë për politikë, pa pasur ide të qarta mbi të, sepse përtojmë ose nuk dimë të mendojmë për arsye se mendimi duhet të ketë si prapavijë një bazë të gjerë kulture e studimesh për të kuptuar më pas e për të qenë në gjendje të zgjedhim drejt. Por a thua na ka kushtuar më pak gjendja në të cilën ndodhemi prej 80 vitesh sesa sikur secili individ për dëshirë e kënaqësi personale, 5 vite të jetës së tij, t’ia kushtonte mendimtarëve të mëdhenj botërorë, në orët e lira të pasdites apo të mbrëmjes përpara gjumit për shembull. Nëse do të kishim vepruar në shkallë të gjerë kështu atëherë do të kishim tjetër mendësi kolektive, tjetër fushëpamje të perceptimeve e detyrimisht tjetër realitet për të jetuar.
Ngritja e liberalizmit në politikë dhe filozofi ofron material për studimin e një problemi të përgjithshëm dhe të rëndësisë parësore: cili ka qenë ndikimi i rrethanave politike e shoqërore në teoritë e mendimtarëve më të përzgjedhur? Dhe e kundërta: cili ka qenë ndikimi i këtyre të fundit mbi zhvillimet politike dhe sociale?
Ka dy aspekte të veçanta të cilat shpesh bien në kundërshtim me njëri tjerin por të dy ndodhin rëndom. Nga njëra anë, cilido indvid që ka familjaritet më të madh me librin sesa me biznesin e tregtinë në përgjithësi ndodh të mbivlerësojë ndikimin e filozofëve. Kur ky grupim njërëzish të veçantë shohin ndonjë parti politike që frymëzohet prej teorive të njërit apo tjetrit filozof të caktuar në të bërit politikë, mendojnë se veprimet e tyre politike i atribuohen atij filozofi të caktuar. Ndërsa zakonisht filozofi vlerësohet vetëm sepse rekomandon teorikisht atë çka një parti politike do të kishte bërë në një rast të caktuar.
Pothuajse të gjithë mendimtarët, deri në kohët tona, herë pas herë kanë ekzagjeruar disi efektet e paraardhësve të tyre të letrave në këtë fushë. Del kështu në pah “gabimi” i sipërcituar, si reagim ndaj atij të vjetrit: ky gabim i ri është se teoricienët konsiderohen pothuajse produkte pasive të rrethanave në të cilat ata ndodhen (koha kur jetojnë dhe zhvillimet politike dhe sociale të këtyre periudhave), sikur të mos kishin asnjë ndikim mbi zhvillimin e këtyre evenimenteve politike e shoqërore. Sipas kësaj pikëpamjeje, idetë nuk janë asgjë tjetër më shumë sesa shkuma e sipërfaqshme në korrentet e thella, të përcaktuara nga shkaqe materiale dhe teknike. Ndryshimet shoqërore nuk ndodhin prej mendimeve siç nuk ndodh që flluskat që dalin në sipërfaqen e ujit të një lumi të përcaktojnë rrjedhën e fuqishme të korrentit të tij. E vërteta është gjithnjë diku në mes. Ndërmjet ideve dhe jetës praktike sikundër ndodh në gjithçka tjetër, ekziston një interaksion reciprok. Të kërkojmë cili është shkaku dhe cila pasoja është po aq me vlerë sa problemi i pulës dhe vezës, cila ishte e para.
Për këtë arsye ka një rëndësi thelbësore historia e liberalizmit dhe manifestimeve të tij nga fundshekulli i 18 deri sot. Liberalizmi i parë është një produkt anglez dhe hollandez, i cili ka pasur disa karakteristika shumë thelbësore. Ai ishte për tolerancën fetare, ishte protestant por një protestanizëm i qetë dhe aspak fanatik. I konsideronte luftërat fetare të pavlera. I përkushtuar pas tregtisë e industrisë dhe synonte të ndikonte tek klasat e mesme të popullsisë më shumë sesa tek aristokracia e klasa e lartë në përgjithësi. Kishte një respekt të pakufishëm për të drejtat e pronësisë veçanërisht kur ishin frut i punës së palodhur të personit që i zotëronte. Principi i të trashëguarit, edhe pse nuk ishte i refuzuar, ishte gjithsesi i kufizuar. Në veçanti refuzohej e drejta hyjnore e mbretërve në favor të principit të lirisë së zgjedhjes, që çdo komunitet e shoqëri të kishte të drejtën të zgjidhte vetë, në liri të plotë, formën e qeverisjes që dëshironte.
Në thelb, tendenca e këtij liberalizmi të parë ishte një demokraci e ushqyer nga e drejta pronësore. Me të lindi bindja se (fillimisht nuk ishte kaq e dukshme) të gjithë njerëzit lindin të njëjtë dhe se pabarazia që mund të vijë me kohën mes tyre do të ishte vetëm produkt i aftësive dhe rrethanave të caktuara të krijuara në jetën e gjithsecilit individ. Kjo gjë solli vënien e theksit mbi rëndësinë e edukimit e arsimimit.
Në këtë kohë ekzistonte një farë armiqësie kundër qeverive, sepse qeveritë pothuajse kudo ishin në duart e mbretërve apo aristokratëve, të cilët rrallë i kuptonin problemet dhe nevojat e njerëzve të thjeshtë, por kjo armiqësi mbahej nën kontroll le të themi nga shpresa se një ditë dashuria për popullin e tyre, respekti dhe dashamirësia do të prevalonin mbi interesat e ngushta politike të grupimit qeveritar që ishte në krye.
Liberalizmi i parë ishte optimist, filozofik dhe plot energji sepse përfaqësonte forcat në lindje që do të dilnin fitimtare pa ndonjë mundim të madh dhe se me fitoren e tyre do të vinin dhe të mira të mëdha materiale e shoqërore për njerëzit. Ky liberalizëm kundërshtonte çdo lloj mbetje të vjetër si në aspektin filozofik ashtu dhe politik sepse teoritë mesjetare kishin sanksionuar pushtetin e Kishës dhe të mbretit, kishin justifikuar persekutimet dhe kishin penguar zhvillimin shkencor, por kundërshtonte po me të njëjtën forcë dhe kalvinistët e anabaptistët.*
Në fillimet e kësaj lëvizjeje dallohen si vizionarë Münzer dhe Storch, të cilët u mbështetën nga Zwickau dhe u luftuan ashpër nga Lutheri, duke vlerësuar, në bazë të literaturës individiale të studiuar të Biblës, vlerën e thirrjes së brendshme të shpirtit. Ata kishin shpallur idetë e tyre mijëvjeçare dhe kjo gjë i bëri që të bashkohen në revoltë me fshtarët në 1525. Praktika e pagëzimit të ri u prezantua nga zviceranët Grebel, Manz, dhe Blaurock, të cilët mbronin rigorizmin** e ngushtë moral që e konsideron Kishën si komunitet shenjtorësh duke kundërshtuar çdo aktivitet politik sikurse dhe kundërshtimin e luftrave. Tek rigorizmi hynte si princip edhe ndarja e të mirave materiale.)
Dëshironte t’i vinte frè luftës politike dhe teologjike në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjsoheshin dhe të gjithë energjinë e tyre ta vinin në dispozicion të tregtisë dhe shkencës siç ishte dhe rasti i themelimit të East India Company për shembull, Bankës së Anglisë, teorisë së gravitetit dhe zbulimit të mënyrës së qarkullimit të gjakut. Në të gjithë botën perëndimore fanatizmi po ia linte vendin iluminizmit, frikës prej fuqisë spanjolle po i vinte fundi. Të gjitha klasat e shoqërisë po prosperonin dhe shpresat në rritje kishin përfshirë edhe dyshuesit më të mëdhenj.

Platoni (Pikture e Rafaelit)
Platoni (Pikture e Rafaelit)

Në 100 vite nuk ndodhi asgjë që t’i rrëzonte këto shpresa e në fund vetë ato i dhanë jetë dhe frymë Revolucionit Francez. Pas këtyre ngjarjeve liberalizmi duhet të merrte një hov të dytë përpara se të bëhej i mundur optimizmi i rinovuar i shekullit të 19. Përpara se të hyjmë në hollësi do të ishte mirë të ekzaminonim skemën e përgjithshme të lëvizjes liberale të shek. 18 e 19, fillimisht e thjeshtë në dukje, por që hap pas hapi u bë më e komplikuar. Karakteri dallues brenda lëvizjes është në sensin më të gjerë të fjalës individualizmi. Ky term është disi i paqartë e natyrisht duhet përcaktuar.
Filozofët e Greqisë, përfshirë Aristotelin nuk ishin individualistë në kuptimin që ka sot kjo fjalë. Mendonin thelbësisht për dhe mbi njeriun si pjestar i një komuniteti (Republika e Platonit, për shembull sforcohet për të përcaktuar komunitetin e mirë, atë pozitiv.) Me humbjen e lirive politike nga Aleksandri e më tej u zhvillua individualizmi si teori i përfaqësuar nga stoikët. Sipas filozofisë stoike një njeri mund të jetonte një jetë virtuoze pa iu referuar e pa i kushtuar rëndësi kushteve shoqërore. Ky ishte dhe mendimi i përgjithshëm i kristianizmit sidomos përpara se ai të merrte në kontroll shtetin.
Por në mesjetë, ndërsa mistikët mbanin gjallë tendencat origjinale individualiste sipas etikës kristiane, mënyra e të menduarit, të pjesës më të madhe të njerëzve përfshirë këtu shumicën e filozofëve ishin të dominuar nga një sintezë dogmash, ligjesh e traditash të tilla që si teoria si morali kontrolloheshin nga një institucion shoqëror që do të thotë Kisha Katolike. I miri dhe i vërteti nuk duhet të përcaktoheshin si mendimtarë vetmitarë por prej këshillit të të urtëve.
Ndryshimi i parë në këtë sistem u bë nga protestantët, të cilët pohuan se edhe këshillat e përgjithshëm të të urtëve mund të gabojnë. Përcaktimi i të vërtetës nuk ishte më vetëm një ndërmarrje sociale por mbi të gjitha individuale. Duke qenë se individë të ndryshëm arritën në përfundime të ndryshme, rezultati ishte një luftë e vazhdueshme dhe vendimet nuk kërkohej të merreshin më nëpër asambletë e peshkopëve, por në fushën e betejës. Duke qenë se asnjëra nga palët nuk ishte në gjendje të eliminonte tjetrën, u bë e domosdoshme gjetja e një mënyre për të provuar të pajtonin individualizmin intelektual dhe etik me jetën e zakonshme sociale. Ky ishte një ndër problemet themelore të cilit liberalizmi i parë u ofrua t’i jepte një zgjidhje.
Ndërkohë individualizmi kishte penetruar tek filozofia. Motoja e filozofisë thelbësore të Dekartit “mendoj, pra jam” ndryshoi bazën e disiplinës së njohjes duke qenë se për gjithsecilin individ pika e nisjes ishte ekzistenca e vetë personit dhe jo ajo e të tjerëve apo e komunitetit. (Rene Descartes, 31 mars 1596 – 11 shkurt 1650, ishte filozof francez dhe matematikan. Ka qenë një ndër themeluesit e matematikës e filozofisë moderne).
Nisim nga bërthama për të dalë tek gjerësia. Kur Dekarti e vinte theksin mbi besueshmërinë e ideve të qarta e të dallueshme, orientimin e merrte nga i njëjti drejtim duke qenë se e marrim të mirqenë se idetë tona kur janë të mirëmenduara janë të qarta e të dallueshme. Pjesa më e madhe e filozofisë pas Dekartit ka pasur pak a shumë këtë aspekt intelektualisht individual.
Ekzistojnë disa aspekte të përgjithshëm në këtë këndvështrim, të cilat do të sjellin si rrjedhim, në praktikë pasoja të ndryshme. Mënyra e të menduarit të një shkencëtari apo mendimtari tipik që merret vetëm me shkencë, përmban dozën më të vogël të individualizmit. Kur shkencëtari del me një teori të re e bën sepse kjo, në bazë të shumë studimeve, hulumtimeve e provave i ka rezultuar teoria më e saktë. Nuk gjunjëzohet përpara asnjë autoriteti sepse nëse e bën do të vazhdonte të pranonte teoritë e paraardhësve të tij të fushës së studimit.
Mendimtari i shkencës përpiqet t’i bindë të tjerët jo nëpërmjet autoritetit të tij, por me argumente bindëse shkencore.
Në shkencë, çdo lloj ndarje ndërmjet njeriut dhe shoqërisë është thelbësisht tranzitore, duke qenë se njerëzit që merren me shkencën përgjithësisht pranojnë të njëjtat skema intelektuale e nëpërmjet diskutimit dhe kërkimit arrijnë të bien dakord e të dalin në një përfundim, ky quhet zhvillimi modern.
Në kohën e Galileut, autoriteti i Aristotelit dhe i Kishës konsiderohej përcaktuese e mendimit dhe ndjenjave. Kjo gjë tregon sesi elementi individualistik në metodat shkencore, është shumë i rëndësishëm. Liberalizmi i parë ishte individualistik në lëmin intelektual, njëkohësisht edhe ekonomik, por nuk imponohej në fushën etike dhe sentimentale. Kjo formë e liberalizmit dominon Anglinë në shek. 18 duke u shpërndarë gjerësisht më pas edhe në Amerikë.
Një lëvizje e re, e cila kishte filluar gradualisht të përhapej derisa u bë antiteza e liberalizmit, filloi me Rousseau dhe u forcua në bashkëveprim me lëvizjen romantike dhe principet e nacionalizmit. Në këtë lëvizje intelektualizmi shtrihet në fushën mendimtare më shumë sesa atë të pasioneve. Kulti i heroit, siç u zhvillua nga Carlyle (në faqen time do të gjeni një shkrim të veçantë të bërë para disa muajsh në mos gaboj, për “Heronjtë” e Carlyle) dhe nga Nietzsche është tipike e kësaj filozofie. Në të kombinoheshin disa elementë, ndjehej armiqësia për liberalizmin e parë, për shëmtimin që ai gjeneronte sipas tyre dhe neveria për të këqijat e tij. Filloi të ndjehej tepër nostalgjia për periudhën e Mesjetës, e idealizuar si pasojë tek urrejtja për botën moderne. (e kemi hasur dhe ne në Shqipëri këtë fenomen, kur të pakënaqur nga demokracia e supozuar që ndërtuam, sheh njerëz që kërkojnë me dëshirë sot rikthimin e kohës së diktaturës, madje dhe politikanë aktivë e në qeveri që pozojnë me simbolet komuniste e foton e diktatorit. Kjo është qartazi paaftësi për të zhvilluar një rend të ri politik e shoqëror sepse mungon kultura e shtetbërjes.)
Pati një tentativë për të rregulluar raportet ndërmjet privilegjeve në rënie të Kishës dhe aristokracisë me ndihmën e mbështetësve kundër tiranisë së padronëve. Kishte një përkrahje të fortë për të drejtën e rebelimit në emër të nacionalizmit dhe fisnikërisë me luftë në mbrojtje të lirisë. Lord Bayron ishte poeti i kësaj lëvizjeje, Fichte, Carlyle e Nietzsche ishin filozofët e saj.
Por duke qenë se jo të gjithë njerëzit mund të kenë sukses e të bëhen heronj me bëmat e veprimet e tyre e jo të gjithë mundemi të prevalojmë me vullnetin tonë individual, kjo lloj filozofie si çdo lloj forme tjetër anarkie, sjell pashmangshmërisht në drejtim a në qeveri “heroin” despotik, i cili ka pasur suksesin më të madh. Deri kur kjo tirani të stabilizohet “heroi” do të zëvendësojë menjëherë etikën e afirmimit personal me të cilën ia doli të ngrihet në pushtet me despotizmin individual. E gjithë kjo teori mbi jetën është në fakt kondradiktore në kuptimin që adaptimi i saj sjell në realizimin e diçkaje të kundërt: të një shteti diktatorial në të cilin individi është krejtësisht i shtypur.
Ekziston edhe një filozofi tjetër, e cila mund të konsiderohet një prurje e liberalizmit, teoria e Marksit, po për këtë duhet një shkrim i veçantë.
I pari ekspozim shterues i filozofisë liberale gjendet tek Locke, më ndikuesi edhe pse jo më i thelli prej filozofëve modernë. Në Angli teoritë e tij ishin kaq në harmoni me mendjet më të ndritura të kohës saqë ndikimi i tyre u ushtrua vetëm në filozofinë teorike, ndërsa në Francë, ku iu dha një goditje e përqëndruar masive regjimit ekzistues, (në planin praktik e kam fjalën), patën një efekt të konsiderueshëm në rrjedhën e ngjarjeve.
Kjo është në fakt shembull i një principi më të përgjithshëm: një filozofi e zhvilluar në një vend politikisht dhe ekonomikisht të avancuar, që në vendin e tij të origjinës prevalon mbi sqarimet dhe kuptueshmërinë e opinioneve, mund të bëhet kështu burim për shkëndija të forta revolucionare e në fund mund të finalizohet me një revolucion të fuqishëm. Nëpërmjet teoricienëve, masat që janë rregullatorët politikë në vendet me progres, bëhen frymëzim për ato të vendeve pa progres. Kjo është një ndër arsyet se përse idetë “e transplatuara” rrallë kanë suksesin e menduar në vendet e eksportuara siç e kanë në vendin e origjinës ku lindën.

*anabaptiste quhej lëvizja radikale në kuadër të reformës që merr emrin nga ripagëzimi. Ata që bënin pjesë në këtë lëvizje nuk e konsideronin pagëzimin si sakrament, por si frut të aktivitetit moral dhe vullnetit të lirë.
**Rigorizmi është çdo sistem i moralit që i kundërvihet çdo interesi apo afeksioni detyrues për të ndjekur komandën morale. Përgjithësisht ai i referohet prirjes për mospërputhje në shprehjen e gjykimeve apo në zbatimin e sjelljeve ndaj tyre.

Marrë nga Muri i FB i Ervina Toptanit, 29 shtator 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.