back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Libofsha – Qendër e rëndësishme e arsimit dhe e lëvizjes kombëtare – nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Ilirjan Gjika
Historiani Ilirjan Gjika
Libofsha – Qendër e rëndësishme e arsimit dhe e lëvizjes kombëtare
nga Ilirjan Gjika
Me rastin e përvjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe

E përmendur në histori qysh në fund të mesjetës, Libofsha, vazhdon të mbetet e njohur jo vetëm për zhvillimet dhe ngjarjet por edhe për kulturën, njerëzit dhe vlerat e krijuara në kohë. Për herë të parë ajo del në burimet historike bashkë me dy fshatrat fqinje të Vanajt dhe Petovës në regjistrin e Sanxhakut Shqiptar të vitit 1431-1432.1) Ndërsa në regjistrin e Sanxhakut të Vlorës në vitin 1570, Libofsha, figuron si fshat me 165 shtëpi.2) Për t’u përmendur është edhe shdërrimi i saj në një treg zonal dhe në një qendër të ekonomisë bujqësore gjatë periudhës së reformave të Tanzimatit.3) Një gjë e tillë mori përparësi në fund të shek. XIX dhe lidhet me emrin Nedin Bej Leskovikut, administratorit të çifliqeve të sulltan Abdyl Hamitit II, në Myzeqe. Ky njeri reformator, gjatë viteve 1882-1909 të ushtrimit të detyrës në Libofshë, hartoi hartat e para kadastrale të kësaj zone, ndërtoi rrjetin e parë të kullimit, kultivoi në masë bimët e pambukut, lirit, agrumeve, ullirit, si dhe solli nga jashtë për mbarështim raca kuajsh dhe bagëtish. Po kështu ai hapi edhe një degë kreditimi për bujqësinë, duke i dhënë një nxitje ekonomisë së kësaj treve.4) Ndërkohë gjatë kësaj periudhe, Libofsha, do të shquhej si vatër e zhvillimeve të lëvizjes kombëtare në krahinën e Myzeqesë. Kështu, në ditët e para të shek. XX, këtu u do të krijohej edhe çeta kryengritëse e Myzeqesë e drejtuar nga patriotët ikonom Kozma Dhima, Spiro Saqellari, Leksi Saqellari, Lame Shtëmbari, Llazi Bozo, etj.5) Ndërsa përpjekjet për hapjen e shkollave të para të arsimit shqip në këtë zonë i ndeshim në vitin 1905. Të tilla ishin shkolla e Libofshës e hapur nga Jovan Ndreko, e Kolkondasit e çelur nga Spiro Saqellari dhe ajo në Metaj e hapur nga mësuesi Tuni Gjergji. Por ato do të kishin fatin e keq, sepse do të mbylleshin nga dhe mësuesit e tyre do të përndiqeshin.6)

Një nga ndërtesat e Shkollës së Parë shqipe në Libofshë
Një nga ndërtesat e Shkollës së Parë shqipe në Libofshë

Ndërkohë që zhvillimet politike dhe ndryshimet që solli Revolucioni Xhonturk dhe shpallja e kushtetutës në 23 korrik 1908, bënë të mundur krijimin e klubeve patriotike dhe hapjen e shkollave shqipe. Në këtë kuadër, në 25 gusht të vitit 1908 nën drejtimin e mësuesit patriot Jovan Ndreko, u hap në Libofshë shkolla e parë shqipe në bankat e së cilës do të uleshin fillimisht 20 nxënës.7) Për çeljen e kësaj shkolle dhanë një kontribut të rëndësishëm jo vetëm populli dhe patriotët vendas, por edhe Klubi “Bashkimi” me qendër në Berat, ku një rol të rëndësishëm luajti Babë Dudë Karbunara. Nëpërmjet tij erdhën udhëzimet e para dhe pjesa më e madhe e librave, ndërsa një pjesë tjetër erdhën nga Bukureshti. Në këtë mënyrë, si shkolla e parë me karakter kombëtar dhe demokratik në krahinën e Myzeqesë, ajo do të shërbente si nxitje në hapjen e shkollave të tjera, në zhvillimet arsimore dhe emancipimin shoqëror.8)
Midis nxënësve që u ul në bankat e kësaj shkolle ishte edhe Naun Doko (Prifti) një figurë e shquar e Libofshës dhe Myzeqesë. Përveç pjesëmarrjes në Luftën e Vlorës (1920-1924) dhe lëvizjen me karakter demokratik (1920-1924) ai do të vendosej në Bashkimin Sovjetik. Atje, pas përfundimit të studimeve do të drejtonte fillimisht si zv. rektor (1932-1933) dhe më pas si rektor (1933-1934), Universitetin e Transkaukazisë në Tbilisi.9) Kështu Naun Doko do të shënonte rastin e dytë të një shqiptari pas atij të Hasan Tahsinit, që do të drejtonte një universitet të huaj.
Ndërkohë duhet theksuar se shkolla e Libofshës ishte vepër e përpjekjeve të përbashkëta të një sërë patriotëve vendas, si: Ikonom Dhima, Vasil Gjone, Jovan Ndreko, Zoi Ndreko, Jorgji Dhamo, etj.10) Lidhur me këtë ngjarje, Jovan Ndreko, anëtar që nga viti 1908 i Klubit Bashkimi të Beratit dhe mik i Babë Dudë Karbunarës, mbante korrespondencë me një sërë patriotësh dhe gazeta të ndryshme që botoheshin jashtë vendit. Kështu, në një letër të datës 5 mars 1909, të cilën ja dërgon patriotit Jani Vruho në Egjipt, ai midis të tjerave shkruan: “Të më dërgosh fletënë ‘Rrufeja’ se ma ka ënda ta këndoj. Këtu në Libofshë kemi një mësonjëtore ku mësohet turqishtja prej një hoxhe dhe shqipja prej një të krishteri. Në këtë shkollë bëhen ndonja njëzet djem myslymanë e të krishterë…”11) Kurse, në një tjetër letër tjetër botuar në numrin e datës 10 maj 1911, në gazetën “Liria e Shqipërisë”, Jovan Ndreko informon edhe për vdekjen e Nedin Bej Leskovikut. “Javën e parë ndrroi jetë i ndjeri Nedin bej Leskoviku, i cili qe një nga mirëbërësit e kombit dhe gjuhës shqipe. Zoti e ndjeftë, ngushëllimet tona gjithë fisit.12)

Zoi Ndreko
Jovan Ndreko

Por lëvizja kulturore dhe patriotike do të vijonte në Libofshë më me intensitet edhe në vitet në vazhdim. Në vitin 1910, gazeta “Kalendari Kombiar” botoi poezinë “Shqipëria” të Zoi Ndrekos (Libofshës), një tjetër veprimtari të spikatur të Rilindjes dhe Pavarësisë, pjesëmarrës aktiv në hapjen e shkollës shqipe të Libofshës.13) Poezia në pjesën e saj të parë ka kuptim alegorik ku dallandyshja është Shqipëria. Ajo është shkruar nën ndikimin e poezisë së njohur të Naim Frashërit, “Manushaqja” dhe në të ndihet fryma patriotike dhe dëshira për ta parë Shqipërinë të lirë. Por Libofsha do të shndërrohej edhe në një qendër të zhvillimeve të rëndësishme gjatë kryengritjes së përgjithshme të pavarësisë, në vitin 1912. Për të realizuar udhëtimin që do të çonte në shpalljen e pavarësisë, Ismail Qemali dhe grupi i patriotëve që e shoqëronin, do të ndaleshin në mbrëmjen e datës 24 nëntor në Libofshë, për tu strehuar në konakët e Nedin Bej Leskovikut.14) Përveç njerëzve që e shoqëronin atë e mori nën mbrojtje edhe çeta patriotike që vepronte në këtë zonë. Krahas bashkëbisedimit që pati atë mbrëmje me patriotët vendas, disa prej tyre si ikonom Kozma Dhima, Jovan dhe Zoi Ndreko do ta shoqëronin të nesërmen, Ismail Qemalit, deri te lundra e Petovës dhe më pas drejt Fierit dhe Vlorës.15) Gjatë daljes nga Libofsha, dëshmitarët okularë tregojnë për një bisedë të zhvilluar midis Ismail Qemalit dhe ikonom Kozma Dhimës.
Farën e hodhëm, tani kujdesuni të mbijë, ju drejtua atij ‘arkitekti’ i pavarësisë. Do të mbijë e do të rritet e shëndetshme, se toka është e punuar e plot vlagë, ju përgjigj menjëherë prifti patriot.16)
Këto ishin shkurtimisht disa nga zhvillimet e periudhës së fundit të Rilindjes dhe pragut të Pavarësisë në Libofshë, në këtë qendër të rëndësishme të arsimit dhe lëvizjes kombëtare, e cila edhe gjatë periudhave të mëvonshme do të jepte kontributin e saj në të gjitha zhvillimet progresiste.

Poezia “Shqipëria” e Zoi Ndrekos
Poezia “Shqipëria” e Zoi Ndrekos
Literatura

1-Halil Inalcik, Defter-i Sancak-i Arvanid, Hicri 835 Tarihli Suret-i, Türk Tarih Kurumu, Ankara, 1987, f. 55-75
2-Regjistri Kadastror i Sanxhakut të Vlorës, përkthyer nga Vehxhi Buharaja, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
3-Zija Shkodra, Qyteti Shqiptar Gjatë Rilindjes Kombëtare, Tiranë 1984, f. 223; Hysen Emiri, Historia e Fierit, Gutenberg, 2001, f. 73
4-Mehdi Frashëri, Probleme shqiptare, Plejad, Tiranë 2006, f. 147-148
5-Rrapi Bardhi, Historia e Arsimit të Myzeqesë I, Darmisa, Fier 1998, f. 62
6-Naun Kule, Mësonjtorja e parë shqipe, Globus R, Tiranë 2008, f. 59-60
7-Po aty, f. 68; Naun Kule, Shkollë shqipe në Myzeqe, Muzeu Historik i rrethit Fier, Tiranë 1988 (broshurë)
8-Rrapi Bardhi, Historia e Arsimit të Myzeqesë I, Darmisa, Fier 1998, f. 64-70
9-Figura të shquara të rrethit Fier, Gutenberg, Fier 2002, f. 33-34; Naun Kule, Mësonjtorja e parë shqipe, Globus R, Tiranë 2008, f. 145-149
10-Nikolla Laska, Veprimtaria e çetave të lirisë dhe figura e patriotit Ikonom Dhima në to, 1979, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
11-Gazeta Rrufeja, nr. 4, dt. 5 mars 1909
12-Liria e Shqipërisë, Sofje, dt. 10 maj 1911
13-Kalendari Kombiar 1908-1912, (1910), ALSAR, Tiranë 2017, f. 62-63; Naun Kule, Mësonjtorja e parë shqipe, Globus R, Tiranë 2008, f. 63
14-Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007, f. 76; Kristo Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 87
15-Dosja e Pavarësisë, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
16-Nikolla Laska, Veprimtaria e çetave të lirisë dhe figura e patriotit Ikonom Dhima në to, 1979, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.