back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Librat e mi janë plagët e mia… në Republikën e katandisur të letrave!! Intervisë me Roland Gjozën

Gazeta

Roland Gjoza
Roland Gjoza 

Librat e mi – plagët e mia… në Republikën e katandisur të letrave!*

Intervisë me Roland Gjozën

poeti, tregimtari, romancieri, lëvruesi i esesë dhe skenarit,

Intervistoi për revistën Illz: Anila Xhekaliu

Në shtypin letrar shqiptar rrallë herë gjen intervista profesionale,
ku një gazetar dhe një shkrimtar të hyjnë në nji sinkron
pyetje-përgjigjesh në vlerësime të thella e reciprokë…
Gazetar, është fjalë e rëndësishme, si edhe shkrimtar
gazetar kulture është edhe më e rëndësishme… ashtu si edhe romancier
Duhen të kapërcesh male me libra për të pyetur një autor
që edhe pse flitet pak për të, kaherë e ka konsoliduar vetveten…
Edhe pse e cilësuar intervistë, kjo për mua është më shumë një bisedë
midis dy personazhesh që në njifarë mënyrë
zbulojnë dhe ndihmojnë njëri tjetrin…
trajtesë një gazetareje shkrimtare qe e njeh mjaft mirë materien
me një shkrimtar e skenarist që di ta shprehë mjaft qartë vetveten…
Prandaj këtë intervistën e trajtoj si mjaft interesante…
mbasi jemi pjesë e një nahije, përplot me çupëlza e kokoshë
që të kërkojnë një intervistë pastaj të pyesin se kush je…
Roland Gjoza si një njeri dhe shkrimtar me shumë kulture,
me shumë eksperiencë dhe lëvrime të shumta të zhanreve letrare
ka trajtuar mjaft probleme në mënyrë profesionale dhe të sinqertë!
Urojmë që edhe lexuesit të plotësojnë jo vetëm kreshërinë e tyre
me bisedën e Gjozës, po të nxiten edhe në leximin e librave të tij.
jozef radi, gusht 2017

.

Përkthyesja Anila Xhekaliu
Përkthyesja Anila Xhekaliu

Illz: Falemnderit që pranuat të bashkëbiseojmë për Illz dhe lexuesit e saj! Fillojmë nga e para: Në moshën 18-vjeçare botoni, “Mozaik” vëllimin e parë poetik që vë në pah talentin tuaj: Merrni dhe çmimin e parë kombëtar për poezi për krijuesit e rinj me këtë libër, në 1970, por që në vazhdim censurohet. Ndërkohë në moshën katërmbëdhjetë vjeçare shkruani rrëfimin e parë: “Mbret me një ungjill me shkronja të arta”, që iu duhet ta digjnit. A mund të na tregoni për këto përvoja të parat të shkrimit? Roland Gjoza: Falemnderit dhe juve! Po, libri i parë me poezi “Mozaik” ka një histori interesante: një kulm dhe një rënie. Isha 16 vjeç kur e dorëzova në shtëpinë botuese “Naim Frasheri”. Një ditë më thërrasin në drejtorinë e gjimnazit. Më japin dorëshkrimin që kisha çuar në shtëpinë botuese. E hap: një copë letër rrëshqet nga fletët dhe bie poshtë. Aty shkruhej pak a shumë se libri ishte premtues, kishte lirika të freskëta, por kërkonte një harrje. Këtë fjalën e fundit nuk e kuptova. Dorëshkrimi, pasi kishte kaluar zyrën e shefit, në vend që t’i dorëzohej redaktorit, i qe çuar gabimisht korrierit dhe ai e solli në shkollë. Pastaj redaktori, Andrea Varfi, ma hodhi poshtë si një vëllim ku nuk dukej kurrkund një polic, një punëtor, një kufitar. Ai, madje më recitoi dhe një nga poezitë e tij me rimë në frymën popullore dhe më tha të mos ndiqja Kadarenë, që, sipas tij, po i merrte në qafë të rinjtë. Më thërret shefi, Dhimitër Fullani: Roland, je shumë i ri, kam menduar një variant: do të bashkoj me një poet tjetër, që është ca epik. Të dy në një libër. Jo, thashë, nuk dua kooperativë. U ngrit, hapi derën, pa se mos kishte dëgjuar njeri, e mbylli dhe qëndroi në këmbë. Shkruaj dhe nja dy cikle dhe sille prapë. 18 vjeç! Libri u bë gati, por pa titull. Ma lër mua titullin, tha ai. Dëgjo, poezitë i ke shumë lirike, prandaj të duhet një titull revolucionar. O Vargje pranvere, o Shalli i aksionit. Si të duken? S’më pëlqejnë. More, je në vete…18 vjeç s’boton njeri… Pa hë, cili është titulli yt? Mozaik. O, ç’do më marrësh më qafë! Shko te Safo Marko të bëjë kopertinën. Pastaj çmimi i parë, shokët në burg, babai në burg, libri u çua për karton, mua m’u hoq e drejta e botimit. Dhe një libër të rrallë, një Bibël të përkthyer nga Kristoforidhi, me germa prej ari, si dhe një bllok me novela të shkruara me dorë të lirë, përplot sensualitet, i mora dhe i dogja në banjë nga frika e një bastisjeje. Edhe sot i kujtoj me shumë dhimbje.

 Illz: I shpëtuat për mrekulli burgut duke qenë pjesë e “grupit të të rinjve kundër vijës së partisë në art e letërsi” që dënohet për agjitacion e propagandë (1970). Sipas sistemit, kishit rënë në ndikimin e degjenerimit kapitalist dhe letërsisë revizioniste. Na shuani kureshtjen për librat e ndaluar që lexonit në atë kohë. Ç’gjurmë ju la ajo kohë? Roland Gjoza: S’dinim ç’bëhej jashtë nesh. As që na interesonte. Vetëm shkruanim kundër rrymës. Një grup shokësh që na bashkonte shija letrare dhe antikonformizmi. Për ne më të mëdhenjtë ishin ata që s’përktheheshin, Borges, Kafka, Shollzenicin, Pasternak… Lexonim shumë, çmendurisht shumë. Dhe kishim një prirje të lexonim të ndaluarën. I bindeshim verbërisht instinktit të vetëshkatërrimit. Shkonim drejt rrezikut, sepse vuanim prej ëndrrash të guximshme. Unë iu vura përkthimit, me anglishten time të belbër, Paundit, që nuk e di si kishte mbërritur gjer tek unë. Lexonim fshehurazi Dostojevskin, Kafkën, Bodlerin, Malarmenë, Tzarën, Jevtushenkon, Breton, Rembonë… Në atë kohë në fakultet qarkullonin nën dorë blloqe të trashë me poezi botërore, përkthime të lira, prej anonimësh, që natyrisht ishin poetë me emër. Vuanim prej dualitetit. Hem ishim, përpiqeshim të botonim, hem nuk ishim, arratiseshim në shkrime që s’mund të botoheshin kurrë. Zyhdi Morava vinte nga Yrsheku (Kashar) në këmbë. Ngrihej në tre të mëngjesit, realizonte normën, hapte kanale, vinte në këmbë në Tiranë. Unë merrja nga shtëpia bukë, ndonjë copë djathë a hallvasi dhe ia çoja, ngaqë nuk kishte asnjë lekë dhe s’kishte fuqi të ecte. Bedri Myftari vinte në këmbë nga Lapraka, me atë fëshfëshen e tij të rrudhosur që nuk e hoqi kurrë. Atë kohë Bilal Xhaferri shkruante te hotel Çajupi, diku aty ku sot është Muzeu Kombëtar. Kishte shumë vizitorë. Pothuajse kishte famën e Kadaresë. Punonte në zift, shtronte rrugë. Piro Kuqi vuante nga mushkëritë, në të ri kishte puthur në buzë vajzën e ambasadorit polak brenda në territorin e vilës. E pa qelinë e burgut që 18 vjeç. Ishte bohemian i lindur. Fillikat gjithmonë. Faik Ballanca shkonte trokiste te Bilali dhe i çonte nga kopshti i tij fiq. Bilali ishte i përkorë në shije, i vështirë, po Faiku e duronte nga adhurimi. Pëllumb Kaso kërkonte vajzën. Nuk e linin ta shikonte. Ish gruaja e parë, bijë gjenerali, bënte çfarë i thoshte i ati. Pëllumbi kishte punuar te Hosteni. Tani i papunë, kishte ngritur një barakë andej nga Lapraka dhe shkruante romanin për Amerikën: “Nesër është e hënë”. Ia kishin hequr të drejtën e votimit, pritej që të arrestohej. Veç, së pari, po e torturonin me varfëri dhe mjerim, po ia nxinin jetën, ngaqë kishte ndarë vajzën e gjeneralit. Shkruante me qiri dhe muzikë kishte korin e bretkosave. Nuk e di ç’u bë me të, po mbeti burgjeve. Asgjë s’kishim bërë, asgjë me vetëdije, vetëm kërkonim letërsi të vërtetë, jashtë skemës. Dhe kur mblidheshim nuk lexonim trakte, apo flisnim kundër pushtetit popullor, po vetëm lexonim shkrimet e njëri-tjetrit dhe ndanim çmimin Nobel. A kishte marrëzi dhe naivitet më të madh? Dihet ç’ndodhi: Bilal Xhaferi u vra në Amerikë, Faik Ballanca vrau veten, Bedri Myftari, Zyhdi Morava, Ahmet Golemi, Sadri Ahmeti u burgosën, mua më degdisën në Pukë.
Roland Gjoza - Gruaja që vinte të kuq buzësh (Buzuku)
Roland Gjoza – Gruaja që s’ve të kuq buzësh (Buzuku)
Illz: Do të thotë, pas diplomimit per gjuhë-letërsi, dhe gjithë këtij acarimi caktoheni si mësues në Pukë, ku qëndroni, në mos gaboj, rreth 8 vjet. Në prozën tuaj gjen pasqyrim kjo periudhë, me një veçori që rrallë e has në prozën bashkëkohëse, personazhet, karakteret, kaq origjinalë dhe realë përballin realitete jetësore të nginjura me elementë socialë, deri arketipe të prozave të Migjenit, ngacmimi që të japin “Nord Mort”, “Tereza për Terezën”, “Zero” dhe “Koleksionisti i engjëjve”. Në gjurmët e Migjenit si mësues në Pukë, në gjurmët e Migjenit si krijues… Roland Gjoza: Puka ishte një kalvar. Atje vuajta shumë. Po Bethoveni thotë se nga vuajtja vjen gëzimi. E vërtetë: akti sakrifikal është përvojë. Kavafis pikërisht këtë thotë te poezia për Odisenë, përtej mallit për Itakën, kaq shumë të përsëritur, ai veçon përvojën. A ka gjë më të çmuar për një shkrimtar? Kur e pyetën Xholionin e ri (Saga e Forsajtve) se a mund të bëhej i biri shkrimtar, ai u përgjigj: jo, i mungon përvoja. Kalvarët nganjëherë s’vijnë për keq. Për shkrimtarët gjithmonë vijnë për mirë. Aty qe ngjizja e shumë librave të mi të mëvonshëm. E çuditshme: unë mbërrita në Pukë në moshën kur Migjeni kishte vdekur. E kisha shkollën e tij disa hapa më tutje. Dhe shumë prej ish-nxënësve të tij ishin prindër të nxënësve të mi. Dhe kur pinim ndonjë gotë, kur bënim pak dashuri dhe rastësisht më binte udha te oborri i asaj shkolle, që ishte kthyer në muze, pëshpërisja: më fal, Migjen, për gëzimin tim. Po të mos ishin kampet e punës, s’do të kishim Nobelin te Sollzhenicini, po të mos ishte Siberia, ku u internua, s’do të kishim gjithë atë madhështi te romanet e Dostojevskit, po të mos ishte shurdhimi, s’do të kishim veprat më të mëdha te Bethoveni. 8 vjet në internim (pavarësisht se u mbulua me parullën: Të shkojmë atje ku ka nevojë atdheu). Dhe ky internim bishe u kthye në bukuroshe, në vepra letrare që përbëjnë pasurinë time të vetme. Pa të s’do të shkruheshin librat me novela dhe tregime: “Kolombi i rremë”, “Harmonia”, “Nord Mort”, romanet: “Tereza per Terezen”, “Virgjeresha”. Ç’është e vërteta kur shprehesh kështu sikur i jep të drejtë dhunës, frikës, censurës, përndjekjes, po ja që pa to, unë s’do të bëhesha shkrimtar. Paradoksi, absurdi, irracionalja, nga njëra anë dhe frymëzimi, lënda e përpunuar brenda vetes, ai mugullim i beftë i gjetjeve, i ftillimeve të historive, i tharmeve të personazheve që i ke parë vetëm ti, më në fund libri. Një libër i dalë prej ferrit, por që lexohet si libër. “Tereza për Terezën” u nis të shkruhej në vitet 80-të, me dorë të lirë dhe u la për një kohë të mëvonshme, sepse nuk mund të shkruhej e vërteta lakuriqe që ai qytet e vriste të bukurën. Dhe romani mbaroi së shkruari në mes të ngjarjeve të 97-tës, kur sërish unë konstatova se asgjë në përmbajtje s’kishte ndryshuar, demokracia ishte një gënjeshtër, një mashtrim i madh, përsëri qytetet e vrisnin të bukurën. Po të më pyesnin sot: a i mohon librat që ke shkruar në socializëm, unë do të përgjigjesha: Idiot je që e bën këtë pyetje? Nuk të dhimbsem? Ato janë plagët e mia. Sepse prej andej vij i gjymtuar. Por, ama, jam unë. S’ka fshirje të kujtesës, sepse nuk ke si ta fshish, atë e bëjnë vetëm diktaturat përkohësisht.

Illz: “Nord Mort” mbyllet me fjalinë: “dokumentari u prezantua në Francë dhe pati sukses. Në Shqipëri u ndalua.” Kjo fjali përmbyll të gjithë librin në fakt. Si do ta përkufizonit këtë dukuri tashmë të ndalimit, censurë? Nëse do heqim një paralele me censurën e kohës së totalorizmit, që e njihni se e keni përjetuar me njërin nga librat tuaj: ndalohej leximi i librave të quajtur dekadentë nga regjimi. Një pjesë e mirë e letërsisë suaj gjendet në Kosovë dhe në kohën postmoniste prania e librit të Kosovës ka qenë pothuaj më e kufizuar se në monizëm. Si e përjetoni këtë dukuri si krijues? Pra një pjesë e mirë e krijimtarisë suaj nuk mund të lexohet nga njerëzit e vendit tuaj, mendoni se ka një shpjegim kjo situatë pak a shumë absurde? Roland Gjoza: Unë prej kohësh kam një moskuptim me vendin tim. Nuk e kuptoj. Ika prej tij, jetoj jashtë. Por shkruaj për të. Censura vazhdon në rrugë të tjera, të nëndheshme. Atje sot luhet me paranë dhe krimin. Njeriu i thjeshtë, familja normale e ka shumë të vështirë të përballojë jetën. Jeta s’bëhet dhe për të. Ky është shkaku. S’ka rregulla, sistem, mbrojtje. Je i shpartalluar nga të katër anët. Edhe kur u krijuan shtëpitë botuese, prej njerëzish që s’merreshin me letërsi, kjo zeje zotash u pa si biznes. Këtu filloi e keqja. Ke të më japësh? Jo. S’të botoj. Kjo është censura më e madhe. Letërsia e vërtetë, në rastet më të shpeshta, nuk gjen terren për t’u botuar. Jo gjithmonë do të lexohet Kadare. Jo gjithmonë do të përkëdhelet me të gjitha format shtetërore dhe private miti Kadare. Kështu letërsia nuk ka vazhdimësi. Dhe unë që shprehem kështu jam një nga adhuruesit konstant të Kadaresë. Dhe vetë Kadare duhet të bënte shumë më tepër për letërsinë shqipe. Atje në majë ku është, të hidhte sytë poshtë, në republikën e letrave që është katandisur në urë ku kalojnë turmat e pafundme të pipizanëve dhe barinjve të tufave të vargjeve. Atje poshtë është një kaos. Edhe kjo është një censurë, se mbyt me baltë dhe ndonjë metal me vlerë. Censurë është dhe shtypi që blihet. Sa kërkon? Kaq. Mos do të organizojmë dhe ndonjë darkë? Sa bën? Kaq. Dhe i varfëri letrar që i del bretku jashtë në punë të rënda, përdhoset dyfish prej batakçinjve të ushtrisë barbare të botuesve. S’ka lexues. Ç’lexues të ketë në këtë katrahurnajë? Një mjeshtër i ri në prozë, një roman europian, një vëllim poetik që do ta kishte zili dhe Rembo… Këto shpikje të biznesit të botimeve e morën në qafë letërsinë. Në Shqipëri punohet në përgjithësi për kulturën dhe artin, krejt rastësisht, me fushata, sa për të thënë se në këtë vend, si kudo, bëhet art. Po arti është në grahmë, në hekë, siç i thonë nga veriu, kur njeriu heq shpirt. Edhe kur një libër ka sukses të vërtetë, ai menjëherë mbulohet me harresë, se puna e konkurrencës di ta bëjë mirë këtë gjëmë. Ajo s’do t’ia dijë për vlerë dhe në përgjithësi letërsia në Shqipëri është katandisur vetëm në përkthime. Dhe Ministria ndan para vetëm për përkthyesit. Ndoshta letërsia shqipe quhet e vdekur. Dhe Kadare s’ka faj, pas tij të gjithë janë të dështuar. Kjo nuk është normale, po është bërë mënyrë jetese. Një vend ku të vjen turp të thuash se shkruan libra. Të qeshin nën buzë me ironi, sepse atje kush nuk fiton para është dështak. Po ama janë shtëpitë botuese, këta gjakpirës, që hiqen si kisha e xhami ku shkojnë e falen rishtarët me para në dorë. Ëndrra është më e fortë se e vërteta. Prandaj në librin tim “Nord Mort” kam aq pikëllim. Ata pushtetarë pseudopatriotë vazhdojnë t’i fshehin plagët e shoqërisë. Si dje dhe sot. Vërtet kur u shfaq filmi “Kanun” në Francë dhe Europë, pati sukses të madh, ndërsa në Shqipëri ai u bllokua. Pse? Në Shqipëri s’ka gjakmarrje, ata që e thonë këtë janë antikombëtarë. Edhe unë isha një nga antikombëtarët. Nuk e dija se në Kosovë ishte një botues që vinte nga libri. Ai ishte Abdullah Zeneli, që kishte themeluar shtëpinë e parë botuese private në Kosovë, “Buzuku”. Mora pjesë me një roman: “Darka mistike”, në konkursin që kishte shpallur dhe ai u interesua për mua. Miqësia dhe bashkëpunimi me të po zgjat edhe sot. Po pse ndodhi kjo? Ai më kuptoi. Unë kërkoja njeriun që të më kuptonte, përtej interesave materiale, nuk më kërkoi para, por më dha para, më kërkoi dorëshkrime dhe më botoi libra. E kisha gjetur njeriun dhe botuesin. Ai nuk ma kurseu fjalën e mirë edhe për gjashtë romane të tjerë. Sepse ai e njihte mjaft mirë letërsinë, ishte vetë shkrimtar dhe poet, njeri me karakter të fortë, antikonformist, polemist i zjarrtë. Motoja e tij është: Të qëndrojmë! Dhe jo pak e kanë luftuar, madje kohët e fundit kërkojnë me ngulm që Buzuku të falimentojë. Por e kanë të kotë. Ai s’erdhi në fushën e botimeve si biznesmen, por si shkrimtar idealist në radhë të parë. Ai e do librin shqip dhe vlerëson pa masë letërsinë kundër rrjedhës, te anatemuarit e djeshëm, veçmas shkrimtarin e shquar Kasem Trebeshina. Për mua s’ka rëndësi ku botohem, po e di që në Shqipëri jam i sëmuri me murtajë që vjen nga socrealizmi, një keqkuptim ky prej rioshëve bythëpambuk, që hiqen heronjtë e sotëm dhe rrëmbejnë çmimet, por kurrkund s’kanë famë. Dy-tre lexues kam. Dhe më mjafton vetvetja, lexuesi i katërt. Shkruaj për vete. Fama më duket marrëzi, mjerë ai që e ka atë marrëzi, i duket sikur të gjithë i kanë sytë tek talenti i tij gjenial dhe pa magjen e tij s’gatuhet dot buka e përditshme e letërsisë. Por këta s’janë pak, veç në tokën e thatë rritet gjembaçi.

Roland Gjoza - Nord Mort (Buzuku)
Roland Gjoza – Nord Mort (Buzuku)

 Illz: Tek “Nostalgjia” shkrihen dy pamje në njësh, ajo e realitetit dhe ajo subkonshiencës. Të dyja ndërveprojnë, përzihen, bëhen njëra-tjetra, me këtë thurimë bëhen njësh vendet, kohët, nostalgjia kthehet në një qenie të vetme, që vjedh këto kohë, përjetëson të shkuarën e të ardhmen, i kthen në ndjenjën e fortë të mungesës. Personazhi një intelektual që ka korrur sukses jashtë, vendos të kthehet në Shqipëri papritur, i përgjigjet thirrjes së fëmijës së zgjuar tek ai dhe e prek gjithçka përmjet këtij fëmije: Ju tashmë jetoni në Nju-Jork? Si vjen Rolandi në Shqipëri? Roland Gjoza: Tregimi “Nostalgjia” është një skenar tregim, aty ka ndikuar shumë filmi. Është një simbolikë poetike e një përvoje emigranti, si unë, në thelbin e tij: nostalgjinë. Ç’lidhje ka? Pse me atë vend? I ke arritur të gjitha, ike prej atdheut me dëshirë, po ai s’të ndahet. Nostalgjia është vdekje. Më kujtohet shkrimtari Naum Prifti kur më thoshte: vajzat më luten të shkoj me to për pushime në vende të bukura të Amerikës, por unë dua të kthehem në atdhe. Ç’është kjo shtysë drejt dhimbjes? Përse duhet kaluar sërish nëpër ata rrathë ferri? Atdheu është ferr, atdheu është parajsë. Më mirë se kushdo këtë e kupton një emigrant. Ky emigranti im i famshëm i tregimit, një pjellë e subkoshiencës dhe e një filozofie të vjetër, luan aventurën me vdekjen. I fitove të gjitha, po s’paske fituar asgjë. Sepse atje, në atdhe lë atë fëmijën e vogël, e braktise në ato yrte ku vetëm atje ai mund të jetojë. Të vjen fëmija. Dhe te makina e shkrimit, dhe në avion, dhe në aeroport. Me atë fëmijë ke luajtur, po veçmas me kohën e ngrirë. Ai i gjen gjallë nënën dhe babanë, ndonëse ata kanë 20 vjet që kanë vdekur. Nostalgjia jeton me kohën e ngrirë. Irrealja dhe realja në simbiozë. Më fort te një shkrimtar emigrant ndodhin këto përthyerje, dalje prej skemës, thyerja. Dhe thyerja e saj është dykohësia, njëra andej e kallkanosur, kjo këtej zjarr e flakë në vrapimin e përditshëm. Po seç ndien, ikja të tundon për kthim, përmbysen gjërat çuditërisht. Do të kthehesh te vendi me shumë orë ku të gjitha kanë ngelur. Por kjo ndodh me kohën e nostalgjisë. Ishte diçka që më tundonte dhe mua dhe kur u ktheva pas 12 vjetëve, nuk pashë ndryshim. Madje ma ndrydhi zemrën harresa. Aty e kuptova që s’kisha ikur, po më kishin flakur. Isha një i panjohur në një vend ku më ishin zhdukur vendet fizike për të më zgjuar kujtimet. Betonizimi gjigand i kish vdekur dhe ato. Pamja e Dajtit nga dritaret e lindjes, s’ishte më, prej andej vinte era e peshkut dhe e gjithfarëlloj gjellërash në restorantet poshtë, ndërsa nga dritaret e perëndimit ishin zhdukur kodrinat dhe fasha e portokalltë e diellit mbi detin Adriatik. Nostalgjia ishte kthyer në një gjysmagjel.

Illz: Në krijimtarinë tuaj, vend të veçantë zë dhe tema e të persekutuarve dhimbjen e të cilëve e shoqëron grotesku, absurdi: mjafton të përmendim tregimet: “Vjedhësi i yjeve” dhe “E diela e sopranove” ku te i pari përcillet kalvari që përjeton këtu S.S. me eshtrat e babait në një thes (njëri nga të vrarët në rastin e bombës në ambasadën sovjetike, me 3 fakultete e 4 gjuhë të huaja, që e lë të birin 7 muajsh në barkun e nënës). I shndërruar në një lloj Edipi që e përzënë të gjithë. Dhe te i dyti personazhi, emigrant, i lindur nga dy prindër që asgjësohen, e madje fill pas lindjes së tij, i varin të ëmën, e vetmja gjë të shtrenjtë që ka është përshpirtja e një mungese lindur bashkë me të. Thurima e dramave të etërve dhe bijve i ngjan një kalvari të pafundmë. Si kanë përfunduar në laboratorin tuaj krijues këto histori? Roland Gjoza: A nuk ju thashë, të persekutuarit ishin miqtë e mi të penës: Bilal Xhaferri, Zyhdi Morava, Bedri Myftari, Piro Kuqi, Sadri Ahmeti, Ahmet Golemi. Ata së pari e donin një homazh prej meje. Dhe filloi me dokumentarin me katër seri: “Të zhdukurit”, një autopsi e diktaturës, i cili fitoi çmim të parë midis 160 shteteve, në Uashington, USA, me 1995. Prej këtij dokumentari erdhi dhe ajo frymë e re për letërsinë time. Sot ai dokumentar është zhdukur nga arkiva e Televizionit shtetëror, për arsyen e thjeshtë se atje u përmbysën etërit, po u ngritën bijtë. Amerika, në vend që të më shterte, se këtu emigranti punon, nuk ka kohë të merret me shkrime, më dha një punë ideale, një kompjuter dhe më tha në vesh: jepi! Më rrethonte depresioni, humbja e shpresës, zhgënjimi. Shqiptarët e mi kujtuan se do t’i priste në aeroport Madona me lule në dorë. Ata që e kuptuan shpejt se duhej të ulnin hundën dhe të bënin çdo punë, e kapërcyen të keqen. I kam përditë përqark, ua njoh hallet, mërzinë, pakënaqësinë, mallin, por ama ua di dhe fjetjen e mendjes, për bukën dhe frikën. Veç mendjen e kanë te atdheu. Jetojnë me politikën, grihen e s’gjejnë qetësi duke ngritur zërin nëpër kafenetë e shumta ku kalojnë dhe pushimet. Unë i dëgjoj, ata flasin, unë i vjedh e ata s’e kuptojnë. Kështu u bënë tregimet prej vjedhjeve. Veç tregimit: “E diela e sopranove” kam dhe shumë tregime të tjera që janë botuar ndërkaq. Është tema e re e ekzilit, aq e njohur në botë, por kaq e dhimbshme, sepse ke të bësh me drama të mëdha. Emigranti le të thotë sa të dojë se është mirë, e ka realizuar ëndrrën më në fund, le të marrë shtëpi të re në një lagje të mirë, të ketë makina e para në bankë, ai prapëseprapë gënjen për gjithçka. Gënjeshtra është poezia e tij më e bukur se çdo poezi e famshme e Eseninit. Pse? Ai bëri një gabim që kërkon ta shlyejë me një supergënjeshtër. Shtiret. Mendoni: kur shkon në atdhe, zgjedh rrobat më të mira, fryn portofolin, ndan dhurata, nuk e heq buzëqeshjen nga fytyra, flet për lumturinë e tij dhe dëgjon me keqardhje vuajtjet e tua. Mos i tregoni gjë, se ai i di, me ju jeton, me shumë se ju me veten, ju njeh rrënjë e dhëmballë, se e ha meraku mos i merrni pjesën e tij atje: kujtimet. Ai s’përshtatet, s’ndihet rehat, është një personazh tragjikomik. Dualizmi nuk i ndahet as në Amerikë. Për një artist këtu është shumë vështirë, gati e pamundur. Por është rruga që zgjodhi vetë dhe, ku i dihet, ndoshta puna me shkrimin i kthehet në alkimi. Ai jeton aq shumë me iluzionin dhe ëndrrën, sa humb vetveten, nuk e gjen më. Është si ai personazhi i Gogolit që kërkonte hundën e vet. Por më të dhimbshëm se të gjithë, janë ata që dolën nga burgjet dhe kampet e punës, që kushedi ç’prisnin këtu. Amerika të pret si në një ring boksi, të jep nokdaunin e parë, po kurrë nokaut. Vrapo! Ose vdis! Po kush do të vdesë? Të gjithë vrapojnë! Vetëm kafeneja ua ndal vrapin. Po ajo s’është një kafene, bie fjala, në Forest Avenue, po në Laprakë apo Rroskovec, se ata sërish po ata kanë mbetur, ora ju ka ngelur në atdhe. Vrapo! – vjen urdhri – dhe ata dalin nga kafeneja dhe sërish ndodhen në Amerikë, rrëmbejnë fshesën, shtyjnë kovën me kimikate dhe ia nisin pastrimit në katet e pafundme të gradaçelave që dikur i kanë parë me zili. Aty e derdhin djersën dhe psherëtimën kapitëse; Ah, moj, nënë!
 

Roland Gjoza - Bukë dhe verë
Roland Gjoza – Bukë dhe verë
Illz: Shumë mirë mund të cilësohet letërsia juaj dhe letërsi e tranzicionit. Nuk mund të lë pa përmendur dhe tematikën e mërgimit. – Të mos merret kjo si përsëritje nga sa u tha deri tani. – Kaosi, kriza ku gjendet shoqëria e sotme shqiptare reflektojnë dhe realitetin e shoqërive të mbyllura, ngjizin fate të reja njerëzore. Lënë Shqipërinë për një jetë më të mirë, ikin për të takuar ëndrrat. Kaq shumë izolimi kishte lënë damka tek ta, sa gjithçka larg tij idealizohet. Gjithçka donin ishin një vend i largët në Perëndim, që nuk e njihnin, pa e ditur çfarë ishte, diçka sipas ëndrrave të tyre. Kishin jetuar duke ëndërruar për diçka më të mirë. Pa e ditur që ëndrrat ishin sprovë e vështirë, basti i tyre ishte deri shkatërrimtar. I shpërfytyron në të tjerë që nuk e njohin më veten e tyre. Në fund prekin fundin, asgjë nuk mund të kthehet si më parë. Shkojnë për të jetuar dashurinë e tyre që izolimi në vendin e tyre nuk kish mundur t’ua shkatërronte dhe përfundojnë në krahët e njerëzve pa lidhje. Gjithçka shkatërrohet në Perëndim. Dhe nuk ka më kthim. Dashuri që përfundojnë tragjikisht, njerëz që nënshtrohen, dorëzohen, kushtëzohen nga rrethanat, premtime që s’arrijnë të mbahen deri në fund. Mërgimi, një formë që vë në provë. Gjëra që thyhen e nuk ngjiten më dhe gjithçka duket sikur ndodh normalisht. (Mister W). Për ta tejkaluar pak letërsinë e shkuar te realiteti i sotëm: pjesa dërrmuese e shqiptarëve sot ende e shohin shpresën e shpëtimit tek migrimi. A ju trishton kjo? Roland Gjoza: Po bëhen 27 vjet dhe ende nuk kemi shtet. Shqiptari më tepër se kurrë ndihet i kërcënuar nga të katër pikat e horizontit. Shpëtimin e ka parë te mërgimi. Dy nga shkaqet që më detyruan të ikja, ishte turpi. Po të mbetem pa punë? Dhe frika. Kush më mbron? Dhe ajo që më shqetësonte pa masë ishte mizerabiliteti shqiptar i përditshëm, nuk shikoja dritë, megjithëse punoja me një cikël dokumentarësh për heronjtë e Shqipërisë që bënin diçka për shpirt për komunitetin. Me këta filma donim të ngjallnim shpresën e platitur. Mërgimi të siguron sistemin, ligjin, punën, po s’të shpëton nga depresioni, vetmia, mërzia dhe mospërshtatja. Tranzicioni i zgjatur si një lëngatë nxori xhevahire për letërsinë. Në pasiguri dhe diktaturë të egër, në ngrirjen e shoqërisë te miti dhe legjenda, bëri ballë tërë ajo letërsi hispanike, duke krijuar realizmin magjik, aq ndikues në letërsinë e përbotshme. Nuk shoh lëvizje letrare në Shqipëri, po një fragmentarizëm letrar, grupazhe e klane, pa individë të shquar. Letërsia është personalitet, nuk del nga klani, po nga vepra. Ne ende jemi në kohën e barbarisë letrare, të fisit të poetëve apo shkrimtarëve dhe, ç’është më e keqja, shquhen ata që kapen fort pas së çarës së xhaketës të ndonjë politikani të shquar. Ata i marrin çmimet, paratë, famën. Tranzicioni shqiptar është dhimbje e gjatë, çoroditje trandëse, mallkim: përse kam lindur? Ai vazhdon, për të keqen tonë, parlamenti është mbushur me kriminelë dhe horra, Shqipëria është bërë Kolumbia e Europës për drogën, që mbillet fare hapur, sikur të mos ekzistojë rendi dhe transportohet me ton, sikur të jetë ushqim jetik, si mielli. Shumë probleme, por pak letërsi. Shkrova një roman me temën e tranzicionit: “Shkalla,” po nuk u ngjit njeri në të. Dhe ngaqë s’lexohet dhe interesi për letërsinë duket sikur ka mërguar dhe ai, të krijohet përshtypja se po shkruan më kot. Më ka tërhequr gjithmonë tema e emigracionit, kam shkruar romane dhe tregime me këtë temë dhe nuk kam parë asnjë reagim, sikur librin që shkruan autori, e lexon po ai. Kjo më kujton një personazh të Alfons Dodesë, Gjerin e vogël që të gjitha kopjet e librit që i mbetën të pa shitura, i bleu vetë, që të shpëtonte kështu prej turpit, zhgënjimit. Sot ka shitje të librit, po ata s’janë libra artistikë, s’kanë tekst, po informacion, apo çështë më e keqja, kuriozitet politik.
 
Illz: Keni jetuar e shkruar në dy kohëra, atë që quhet realizëm socialist, dhe postrealizëm socialist që është kjo që jemi sot. Keni botuar 7 libra në periudhën 1970-1990 dhe të gjithë pjesën tjetër pas kësaj kohe. A ka Rolandi një qëndrim personal në lidhje me realsocin? Po për disidencën letrare? Keni qenë me ekipin e TVSH-së herët që ka filmuar dosjen e Trebeshinës, e keni parë Promemorien, që tani e kanë zhdukur? Roland Gjoza: Pas botimit të librit “ Mozaik” më hoqën të drejtën e botimit. Ishin dy shkaqe unë, si pjesëtar i grupit të të rinjve që donin të rrëzonin pushtetin popullor, dhe prej babait që e prangosën duke i kërkuar floririn që kishte fshehur(!!). Ne vuanim për bukën e gojës atëherë, ata kërkonin floririn. Nuk e pata të lehtë. Puka ishte dënimi im, siç qe për Migjenin shërim për tuberkulozin, por që u bë shkak i vdekjes së tij të parakohshme. Vite pa botuar, i dhashë Dritëroit një cikël me poezi, po ai nuk më donte. Çova te Nëntori një cikël tjetër, po redaktori më tha shprehimisht: Kësaj radhe po të fal, se do të kisha çuar relacion lart për ty… Ç’janë këto poezi armiqësore? Pra, isha një armik! Tetë vjet në Pukë ishin një jetë e vënë në provë. E dija që më provokonin. Po gjithmonë është një dritëz që të vjen papritur, se dikush të dëgjon dhe të ndihmon. Besoj. Jam mistik. Atëherë bashkë me ne të deklasuarit partia çonte në rrethet e largët dhe fëmijët e familjeve të nderuara: atje kisha të njohur djalin e Aleks Budës, kryetarit të Akedemisë së Shkencave, djalin e doktor Ndroqit. Ata më dhanë lajmin të parët se te “Zëri i Rinisë” më kishin botuar disa skica. Nuk iu besoja syve: më dukej çudi që emri im ishte diku aty lart, gjë që dëshmonte se mund të botoja sërish. Kështu filloi, me një letër urimi nga kryeredaktorja që më ftonte të çoja shkrime të tjera. Kishte shumë censurë, rreptësisht censurë. Kaloje nëpër shumë sita. Ajo kohë e socrealizmit dhe kjo kohë e rrumpallhanes kanë një dallim të madh nga njëra-tjetra, natyrisht. Isha më në fund i lirë. Po liria është e frikshme. Ç’shkrova në atë kohën e përtejlargët u lexuan, u shkrua për to, ç’shkruaj në këtë kohën e furishme të njeriu tjetër, s’lexohet më, unë sot jam një shkrimtar i harruar në vendin tim. Shumë, shumë pak më lexojnë. Por sot është dhe koha e emrave që duhet të shquhen me domosdo, po s’pate emër, s’ke lexues. Unë po e pohoj me një buzëqeshje tallëse për veten: s’kam lexues. S’jam emër. Jam një individ që shkruaj si të tjerët. E pse të mburrem? Përderisa letërsia ime nuk lexohet, faji bie mbi mua. Unë vij prej kolerës, jam i asaj kohe, për ne që vijmë prej socit, rioshët vetëm tallen. Kanë të drejtë. S’lindën vetë në atë kohë dhe ta provonin derrin e Lemes. Unë shkruaj, por nuk di ç’ndodh me librin tim. Nuk jam i vetëdijshëm. E harroj. Shkruaj tjetrin, e tjetrin, po s’marr përgjigje. Nuk kam lidhje me lexuesin. Ndoshta jam në rrugë të gabuar. Ndoshta jam në rrugë të drejtë. Një shkrimtar pa lexues ka një pasqyrë përpara. Sheh veten. Dy botuesit e mi: Abdullah Zeneli i Buzukut ne Prishtine dhe Xhevair Lleshi i Uegenit në Tiranë, ma hoqën pasqyrën nga dora. Më besuan. I falënderoj. Kam një ngushëllim për harresën. Është një shkrimtar i madh shqiptar që e kanë vdekur pa vdekur: Kasëm Trebeshina. Ai po i kalon të 90-tat, po nuk e duan që nuk e duan. Dhe ka libra dyfishin e moshës së vet. S’flasin për të. Kur u morën me disidencën e tij, ai, duke hequr xhaketën, tha: Ia fal kujtdo që vjen dhe ma kërkon, po unë jam shkrimtar, kam penën, këtë nuk e jap dot. Po s’erdhi njeri t’i merrte, as njërën as tjetrën. Prandaj po rron kaq gjatë, sepse pret. I verbër dhe i shurdhër. Pret. Është e vërtetë që ia kam parë dosjen. Recensat ia kishin bërë shkrimtarët më të njohur të kohës. E kishin nxirë. Si ta nxjerrin në dritë Kasëm Trebeshinën, kur edhe sot, po ata janë shkrimtarët më të njohur të kohës? Sepse në thelb s’ndryshoi asgjë në Shqipëri. Demokracia ishte një mashtrim i madh. Ju pyesni për promemorjen. Nuk është një, po janë dy promemorie, që ai i quan testamente. Një shkrim më vete ky. Dhe një e tretë për Sali Berishën në 1994-’95 botuar te “Zëri i Rinisë”, ku parashikoi përmbysjen e Sali Berishës me gjak. Shkrimtar profet.

Roland Gjoza - North Mort
Roland Gjoza – Nord Mort
Illz: Sapo keni fituar Çmimin e parë, në konkursin e 4-t të Buzukut për roman me “Gruaja që s’vë të kuq buzësh”. Një roman sintezë i të sotmes: tranzicioni ka kaluar të gjitha përmasat, i është dorëzuar krimit të organizuar, në të gjitha sferat. Paraja është Zoti, blen gjithçka dhe zhduk gjithçka. Një roman me plane të ngjeshura, ngjarje që gjenezë kanë mistikën, paralelet mes ngjarjeve bëjnë element dhe religjionin (kishat) besëtytnitë, legjendat që i japin jetë rrëfimit, detaje mbresëlënëse që ndërthuren me psikologjitë e ngjarjeve, personazheve. Arrini të ngërtheni elementin psikoanalitik duke e kthyer deri përcaktues të tekstit: një lexues i vëmendshëm do të qëmtonte teorinë e Freud që bazohet te kundërshtitë mes instinkteve seksuale (instinktet e libidos) me ato të unit (instinktet vetëruajtjes) që në fund përqendrohet tek kundërshtia mes instinkteve të jetës (Erosit) dhe instinktit të vdekjes (Thanatos) që mbart filozofinë e krejt romanit e mishëruar te figura e Reas.bCili është Rolandi në këtë mes? Roland Gjoza: Botës po i ndodh një trandje, një rroposje së brendshmi. Njerëzimi po cënohet në nder, në mekanizmin më të rëndësishëm të jetës. Amerika miraton martesat e gejve dhe lesbikeve. Një mentalitet i ri që unë e refuzoj. Mitet e vjetra të Edipit, Saturnit, Elektrës, po i vijnë furishëm në kujtesë botës sonë prej përngjasimeve fatale. Kthimi te instinkti i zhveshur, incesti, përzierja e sekseve brenda familjes, poligamia morbide, përditë e më tepër po trazojnë ndërgjegjen njerëzore. Njerëz me pushtet, njerëz të dhunshëm, pa moral dhe kriminelë, shpesh e më shpesh drejtojnë jetën tonë. Pushtetet janë bërë më tepër se kurrë të uzurpueshëm prej horrave dhe idiotëve. Po kthehet në normë që më i forti i lagjes të fitojë kanditaturën për deputet dhe më i humburi, njeriu i dijes që punon pa u dukur, të fyhet, të poshtërohet dhe të largohet. Kjo dukuri më ka shqetësuar shumë, kjo murtajë e shoqërisë së lirë. A mos e keqkuptuam lirinë? Mos e lamë ta merrnin në duar njerëz pa skrupuj, që ne kinse i nderojmë, ngaqë i kemi frikë? Instinkti sërish po del mbi vetëdijen tonë, ai po vret! Romani “Gruaja që s’vë të kuq buzësh” trajton një temë të vështirë, po mjaft aktuale. Është një roman i shkruar me një frymë, siç i shkruaj unë, duke iu bindur vrullit të parë të fortë që nuk e di nga më vjen. Jam natyrë që e vuaj problemin, ha veten me dhëmbë prej padrejtësive, ngjiz në mënyrë të pavetëdijshme një helm që më helmon prej vuajtjes, zhuritem, rraskapitem, nuk di ç’kam e përse heq e vuaj, pastaj vjen rrëmbyeshëm fryma e unë ulem e shkruaj. Asnjëherë për gjëra që s’janë pjekur tek unë. Bie fjala ky roman është fryt i një pune të nëndheshme brenda labirinteve psikoanalitike prej më shumë se 20 vjetësh. Prandaj nuk gëzohem kur e nxjerr romanin, sepse jam shuar ndërkaq. Dhe romanin që kam shkruar, kur e shoh libër, nuk e lexoj dot, më duket shumë i dobët. Ai, ai tjetri, që po vjen prej atyre humbëtirave të mia të mistershme, ai po, mund të jetë diçka. Dhe i vihem ta shkruaj me entuziasmin më të madh, në një kohë shumë të shkurtër, gënjehem, po ndryshe nuk shkruhet.
 
Illz: “Koleksioni i engjëjve” hapet me tregimin “Paris mon amour” ku rrëfeni takimin e parë me Parisin si me një ëndërr-bizhu të kushtueshme. Në planet e Buzukut është dhe përfaqësimi i autorëve të tjerë në Paris, sepse ka potencial letërsia e sotme, është plot talente. Kur është e pranishme letërsia që krijohet në Paris përse të mos ndodhë dhe e anasjella?! Pastaj kur Nobeli dhe Goncourti vijnë menjëherë në shqip, përse veprat tona të mëdha nuk mund të depërtojnë në Paris, Nju-Jork, Londër, Berlin, Madrid…? Letërsitë marrin dhe japin, nuk jemi përjashtim dhe letërsia është në themelet e diplomacisë kulturore në të gjithë botën, por ambasadat tona a ndihmojnë përkthimin e letërsisë shqipe në vendet përkatëse, siç veprojnë të huajat në Tiranë dhe në Prishtinë? Do të vazhdojë dhe shumë ky vetizolim vicioz për letërsinë shqiptare? Shumë pak autorë shqiptarë janë të përkthyer në frëngjisht (Bashkim Shehu, Fatos Kongoli, Elvira Dones, Virion Graçi, Besa Myftiu, Ornela Vorpsi…) ku mungojnë Kasëm Trebeshina, Martin Camaj. Dhe meqë jemi te përkthimi letrar: A ndihet mungesa e Jusuf Vrionit? Roland Gjoza: E keqja e letërsisë shqipe është fragmentarizmi dhe amatorizmi. Një media ngre lart një autor, një tjetër i thur lavde një akcili që vjen nga hiçi, por që ka shënuar në shenjë që me librin e parë. Dhe kjo çoroditje është e përhershme. Asgjë s’bëhet pa interes. Ata që përmenden harrohen shpejt se do të bjerë dajrja për tjetrin. Dhe mblidhen shokët, miqtë dhe krijojnë gazeta e revista për emrat e tyre. Farfurijnë kështu emrat dhe vepra s’ka! Krijimi, dihet, është durim i një pune të gjatë. Aty ka ndonjë gazetë apo revistë të ashtuquajtur letrare, që më sjellin ndërmend ato fushatat e masivizimit në kulturë për ngritjen e estradave dhe teatrove amatore në çdo uzinë e fabrikë. Kush nuk boton në faqet e tyre, s’ka kurrfarë përzgjedhjeje, siç ndodh rëndom në sitet e internetit. Kjo është gjendja, megjithë ndonjë përpjekje, kujtoj këtu dy revista të mira që, me sa di, s’dalin më; “Mehr Liht” dhe “Alef”. Pak është botuar jashtë nga letërsia shqipe: dy tre emra. Në qoftë se nuk ke sukses, më mirë të mos botosh. Pa një fije suksesi, që kurrkund s’po na e dëgjojnë veshët, s’ke ndonjë motiv për të shpresuar. Pastaj ku janë përkthyesit? Në anglisht s’ka përkthyes. E kam fjalën për profesionistë. Për një si Vrioni, as që bëhet fjalë. Ai ishte i mahnitshëm. Idealistë s’ka më. Sot studiojnë për avokatë, mjekë, ekonomistë, sepse këto profesione sjellin para. Përkthehen, ashtu grapa-zhgrapa, po me para në dorë dhe në shtëpi botuese të dyshimta, që të rrjepin dhe t’i lënë librat te dera: vrit veten me to, sikur të thonë. Mund të botohesh dhe në internet, po s’të lexon e s’të blen njeri. Është një iluzion. Megjithatë i pari dhe i fundit mbetet shkrimi. Te fjala është dielli, të tjerat rrotullohen përqark tij.
(*Botim i Pjesshëm i intervistës)
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.