back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam… – nga Visar Zhiti

Gazeta

Shkrimtari Visar Zhiti
Shkrimtari Visar Zhiti

Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam…

nga Visar Zhiti

Mesazh i shkrimtarit Visar Zhiti, në promovimin në “Vatër”
të librave të bashkëvuajtësit të tij Dine Dine “Alida” dhe “Gjyqi i Shopenhauerit”*
 
E dashur “Vatër” e Shqiptarëve në SHBA*
I dashur mik dhe bashkëvuajtës, Dine Dine!
I dashur mik dhe bashkeqytetar Dalip Greca
Të dashur të pranishëm në këtë takim,
Përgëzime për këtë takim, përurimin e dy librave me autor Dine Dinen, njëri me bashkautor dhe bashkëshorten e tij, Adriana Dine, botuar në Shqipëri dhe faleminderin për ftesën që të isha dhe unë bashkë me ju.
Do të desha të isha, por për shumë arsye nuk munda dot. Kujtoj që kam qenë më parë në një tjetër përurim mes jush, po të Dine Dines, për romanin “Mbi varkën e Karontit”, ku ai rrëfen me sinqeritet dhe pa urrejtje, madje dhe pa akuzuar, dënimin e tij.
Dhe unë me Dine Dinen u njoha në burgun e Spaçit, u bëmë miq dhe ajo miqësi, ashtu si dhe me të tjerë njerëz të mirë dhe të besës në burg, kishin një rëndësi të madhe për të qëndruar kundër së keqes, për të qenë njerëz, atje ku ishte e vëshirë.
Kujtoj bisedat me Dinen, kemi folur shpesh për librat, për poezinë, Dinia më dha dhe përktheu poezinë “If” të Kiplingut, kemi folur për Heminguejin, kujtoj, për filozofë, Dinia dinte dhe donte Shopenhauerin, etj, kemi folur për Lazër Radin, shkrimtar i burgosur dhe i internuar gjithë jetën, vjehrri i Dines, kemi folur për dorëshkrimin e tij për Migjenin, etj, pra, për gjëra të ndaluara.
Po kështu vazhduam kur na shpërngulen në burgun e Qafë-Barit, edhe kur u liruam, deri sa ra apo u shpërbë diktatura komuniste në Shqipëri e Dine Dine, si qytetar i lirë mërgoi në SHBA.
Por prej andej erdhën librat e tij, roman në fillim, novelat e tregimet.
Dine Dine duket sikur kërkon shplodhje shpirtërore në atë që shkruan, jo kujtimet e vuajtjes dhe të përndjekjes vetëm, po ato ku është dashuria, jeta që kërkon normalitetin dhe bukurinë e vet. Novela “Alida” në ballinën e pasme” ka dhe këtë vlerësim timin: “Alida” është një novelë e shkëlqyer, jo për dashurinë, por për pamundësinë e saj, fiksimin e pashpjegueshëm erotik si patologji, me sfond vuajtjen në internime e burgje të rrëfimtarit e kohën më pas deri në tej jetë…
.
"Alida" - Novele nga Dine DIne
“Alida” – Novele nga Dine DIne
Të kujton rrëfimet alla Turgeniev e Cvajg, një klasiçizëm që autori e ndiqte me ëndje dikur si letërsi e ndaluar.
Pathosi dhe e çiltërsia, moskokëçarje ndaj të vërtetës, dënimeve, familjes, etj, janë përqendruar në një obsesion, që i tutet arritjes së një dashurie reale, duke e besuar këtë si dashuri dhe kështu iluzioni “Alidë” bëhet më i fortë.”
Dine Dine tashmë është autor në letrat e ditëve tona, sipas meje. Unë sapo kam botuar librin “Kartela të Realizmit të Dënuar” një studim i gjerë për letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e autorëve të dënuar, që vazhdojnë të shkruajnë dhe tani, etj, pra të një “letërsie tjetër”, krejt ndryshe nga ajo e Realizmit Socialist, i imponuar nga regjimi i dikurshëm, por theksoj se “Letërsia e Realizmit të Dënuar” nuk erdhi që të zëvendësojë letërsinë shqipe, por për të sjellë vetveten, ato të vërteta të munguara, për të cilat letërsia ka aq shumë nevojë.
Mbase i diskutojmë çështjet që ngre ky libër ndonjë ditë në “Vatrën” tonë, por desha të them se mes shumë “kartelave” që ka ky libër, emrave të shkrimtarë të dënuar, një pjesë mizorisht si asgjëkund tjetër, me pushkatim nga regjimi gjakatar apo autorë të çmuar që janë shuar burgjeve, veprat e të cilëve e nderojnë letërsinë shqipe, që tregojnë se ajo qëndroi dhe dha vlera kombëtare, po kështu dhe me dëshmitë tona, me poezinë që nxorëm nga burgjet, që përkthehet dhe emocionon lexuesin nëpër botë, etj, etj, me vazhdimet deri më tani me libra të kujtesës, etj, pra, mes atyre kartelave të shumta me vlerësime, tashmë është dhe ajo e Dine Dines, ja, ç’është shkruar shkurt, ndër të tjera në atë:
Dine Dine: …Ishte rritur internimeve, nip i një kryeministri të dënuar, familje e madhe nga Dibra, të ikur jashtë si kundërshtarë politikë, larg në SHBA. Atje emigroi dhe Dinia, kur sa po zhbëhej diktatura dhe nisi të botojë dhe në median e diasporës, kujtime për bashkëvuajtësit, rrëfime e recensa librash dhe tani së fundmi nxori romanin autobiografik “Mbi varkën e Karontit”. Dhe vazhdon të punojë, të rrëfejë burgun e tij…!
“Alida” – është novela që e pasoi, dashuri e gjitha, për pamundësinë e dashurisë, ku pengesë nuk është vetëm burgu.
“Gjyqi i Shopenhaurit” – novelë tjetër bashkë me disa tregime, të shoqëruara dhe me rrëfime të bashkëshortes së tij, Adriana, bija e Lazër Radit.. Që nga internimi ajo i vinte në burg, mbante familjen me dinjitet dhe nder duke punuar kanaleve, rriste djalin…
.
Dine Dine dhe familjare të tij në promovimin e librave në "Vatër" 29 maj 2021
Dine Dine dhe familjare të tij në promovimin e librave në “Vatër” 29 maj 2021
Qëndresa e grave të internimeve, me burrat në burg, është një heroizëm tronditës, shenjtëri e dashurisë, që letërsia shqipe ua ka borxh. Së pari letrat tona…”
Ja, këto do të thosha dhe unë modestisht, po të isha me ju në këtë përurim për librat e një bashkëvuajtësi dhe miku.
Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam.
Ju dëshiroj vetëm të mira!
Miqësisht, Visar Zhiti
28 maj 2021
.
*Në pamundësi për të ardhur në promovimn e librave e bashkëvuajtësit të tij Dine Dine, shkrimtari Visar Zhiti dërgoi këtë përshëndetje që u lexua në fillim të veprimtarisë nga moderatorja Marjana Bulku.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.