back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Libri “An Albanian Revival” – dokument me rëndësi të veçantë historike – nga Pertefe Leka

Gazeta

Nikollë Ivanaj (1879-1951)
Nikollë Ivanaj (1879-1951)
I nderuar Jozef,
uroj të jeni mirë me shendet në këte kohë të vështirë Shkrimin që po ju dërgoj,
për Nikollë Ivanaj, është personalitet i njohur për ju, edhe në Librin
“Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj”, nga prindi juaj i nderuar, i ndjeri Prof. Lazër Radi.
Ajo çka më nxiti më shumë për ta thelluar studimin, ishte fjalimi i tij në Romë,
me 26 Janar të vitit 1911, që edhe sot kur e lexon të zgjon ndërgjegjen,
të ngre në këmbë, të bën të mendosh si do të projektohet e ardhmja e Shqiptarëve
në të gjithë etninë shqiptare, Kosovë, Shqipëri… e deri në Çamëri.
Duke e ditur edhe për përvjetorin e vdekjes në Janar të Ismail Qemalit,
për të cilin Nikollë Ivanaj ka një shkrim të gjatë e plot dhimbje për Flamurtarin e Vlorës,
i cili u nda nga jeta në kohën kur Ai duhej të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris,
mendova dhe u thellova në eksperiencat më të mira të Ivanajt në bashkësi…
që mund t’i shërbejnë sadopak realitetit të sotëm, për ta përgatit të ardhmen me Unitet e Drejtësi…
Me mirënjohje për punën tuaj me përkushtim
Respekt Pertefe
Pertefe Leka
Pertefe Leka

“An Albanian Revival” – dokument me rëndësi të veçantë historike

nga Pertefe Leka

Fjalimi i Nikollë Ivanajt, mbajtur me 26 Janar të vitit 1911, në Romë, në prag të pavarësisë, është një panoramë e ngjarjeve më të rëndësishme historike të Shqipërisë. Kopja origjinale e fjalimit e shkruar Italisht, është gjetur nga interesimi i Zonjës Drita Ivanaj, në “Museo del Risorgimento” në Milano.
Me vullnetin e mirë të Dr. Anton B. Fistani, (1944-2020) është përkthyer në gjuhën shqipe dhe është shoqëruar me spjegime shumë të arsyeshme të studiusit, për të mos krijuar insinuata, për disa mendime të Ivanajt.
Drita Ivanaj, presidente e “Fondacionit Martin e Mirash Ivanaj” e botoi librin duke përfshirë në të, fjalimin original shkruar në italisht me parathënie të Prof. Teresio Trinchieri dhe përkthimin në shqip. Libri doli në dritë, kur Kosova po tërhiqte vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, (1999) ashtu siç veproi dhe paraardhësi i saj i cili e mbajti fjalimin në prag të kryengritjes 1911, titulluar “Nella ripresa della Rivolucione Albanese” (Në prag të rifillimit të Revolucionit Shqiptar) Botimi i librit “An Albanian Revival” u bë i mundur për publikun në N. Y. në ditën e Flamurit, 28 Nëntor 1999, me një parathanie nga Drita Ivanaj, dedikuar paraardhësve të saj, shkruar në anglisht dhe përkthyer nga gazetarja Rafaela Prifti. Me shumë interes është parathënia e botimit original (italisht) nga Prof. Teresio Trinchieri, i cili jep vleresimet e duhura, duke e quajtur fjalimin e Nikollë Ivanaj Beut, si “Programin minimal të Partisë Kombëtare Shqiptare… Ai minimum garancish janë absolutisht të domosdoshme për Shqipërinë e cila në këtë mënyrë mundet, ashtu si kombet e tjera të qytetëruara të zhvillojë energjitë e veta të mrekullueshme e të marrë pjesë drejt mirëqenies që sjell qytetërimi…”
Po aty ka përfshirë edhe disa të dhëna për biografinë e Nikollë Ivanaj Beut… “Nikollë Ivanaj i përkushtoi të gjithë qenien e vet idealit të lirisë, që ndizte flakë zemrën e shpirtin e tij rinor.” Prof. T. Trinchieri
Është e vërtetë së gjithë jeta e Nikollë Ivanajt ishte shtegtim. Ai ishte një udhëtar që vraponte nepër Shqipëri Veri e Jug. Ishte një Maratonomak që nuk ndalesh, nëpër Ballkan e në Europë deri në Amerikë. Ku shkonte në konferenca a metingje, tregonte vuajtjet e popullit të vet ndër shekuj. Me flakadanin në dorë lajmëronte së po afrohet Liria e një populli luftarak në vendin e vet mijëra vjeçar e për këte duhet të zgjohet opinioni ndërkombëtar se Shqipëria nuk është një “shprehje gjeografike” por se aty jeton një popull liridashës me gjuhen më të vjetër në botë… Prandaj në kritikën e tij, Mitrush Kuteli, për Librin e Nikollë Ivanajt “Historia e Shqipnies së Re” shkruante: “ titulli më i përshtatshëm i librës do të kish qenë nëntitulli i sotmë “Vuajtjet dhe pësimet e mija për Shqipni”. Edhe pse përpjekjet e këtij luftëtari, për kombin e bashkuar nuk reshtën asnjëherë dhe në vazhdimësi, Ai e la porosinë e çmuar se: “Lufta do të përfundojë vetëm kur Shqipëria të administrohet nga zyrtarë shqiptarë, të arsimuar në gjuhën e vet dhe të lirë në zhvillimin e vet drejt kulturës kombëtare.” Nikollë Ivanaj
.
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Nikollë Ivanaj (1879-1951), ishte një personalitet i shquar i kombit shqiptar, atdhetar demokrat, udhëheqës politik i devotshëm, publicist, revolucionar i paepur por ishte edhe një ideolog, i cili nën ndikimin e ideve të Giuzzeppe Mazzinit, bënte pjesë në organizatën ilegale italiane, “Risorgimento”.
Fisi Ivanaj ishte i përmendur si një çerdhe lutëtarësh atdhetarë, nga “Bëkajt e Trieshit”. Ai së bashku me Martin e Mirash Ivanaj, të një trungu, vazhduan rrugën e të parëve të tyre, që u sakrifikuan në luftën për liri, deri në perfaqësim, në Lidhjen e Prizrenit”. Këtë e dëshmon me një foto Mitrush Kuteli ku shkruan: “Kapedani Lek Ivani Ivanaj, babai i Nikollës, kryelidhur me shami, me kobure në brez, e dorën në kobure…”
Dimë nga historianët, se Lekë Ivanaj ishte pjesëmarrës në “Lidhjen e Prizrenit” Me 4 Prill 1880, krerët e maleve në marrëveshje me degën e Lidhjes së Prizrenit në Shkodër, i drejtuan ambasadorëve të fuqive të mëdha (Austro-Hungarisë, Francës, Anglisë, Italisë, një protestë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga Mali i Zi. Midis nënshkrimeve, ishte edhe ai i Lekë Ivanajt, si anëtar i saj, të cilin për këtë aktivitet, malazezët e vranë tradhëtisht në Shkodër.
Nikollë Ivanaj, i lindur në Grudë, në tokë shqiptare, kufi me Malin e Zi, por i rritur në Podgoricë dhe i shkolluar në Beograd, Vjenë, Zagreb… i jepte shumë rendësi arsimimit, zhvillimit kulturor dhe nxiste rrugën e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet një shkollë laike. Kështu, u bë një publicist i lëvizjes sonë revolucionare dhe i zhvillimit kulturor për të ecur si popujt e Evropës së qytetëruar. Duke u bashkuar edhe me intelektualët e shquar të kësaj levizje, në organizimin e kryengritjes së Malësisë së Madhe” me Risto Siliqin, Hilë Mosin, Luigj Gurakuqin… Ata u njësuan me kryengritësit dhe strategët e kësaj levizje si Ded Gjo Luli dhe burrat e malësisë të cilët ngritën flamurin në Deçiq, me 6 Prill 1911, fitore që shtroi rrugën për kërkesat e autonomisë me frymën e të gjitha trevave shqiptare në Kuvendin e Greçës, 10-23 Qershor 1911, ku mori jetë edhe programi politik i pavarësisë.
Me lëvizjet e shumta që bënte, Ivanaj në prag të kryengritjes së Malësisë Madhe, nëpër gjithë Shqipërinë veri e jug, shikonte edhe vatrat e tjera të ndezura për t’u bashkuar në një revoltë të përgjithshme. Ai gjithashtu ishte i ngarkuar nga Komiteti i Korfuzit (i krijuar nga Ismail Qemali) së bashku me Themistokli Gërmenjin që vepronte në jug edhe në Çamëri me Musa Demin, Muharrem Rushitin, të vepronin edhe jashtë Shqipërisë për krijimin e komiteteve të fshehta, Bullgari, Rumani, Itali. Prandaj me veprimet e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë, konsiderohet, ambasador i kryengritësve shqiptarë në rrethet politike Evropiane.
Nikollë Ivanaj, ishte i pranishëm në mitingje e konferenca të organizuara në Romë, Paris, Londër, Boston, duke i sjellë shërbime të çmuara kauzës së lirisë të popullit shqiptar.
Si lider i Lëvizjes Nacionale Shqiptare, bënte takime me militantë të levizjeve revolucionare të Ballkanit dhe të Evropës.
Ashtu si Pashko Vasa e Dervish Hima… edhe Nikollë Ivanaj, u përpoqën të implementojnë në Shqipëri idetë revolucionare të Giuzzeppe Mazzinit e Garibaldit. Ato ide ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë e asaj kohe, për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, sidomos në aspektin religjios.
Megjithëse ishte çështje delikate për Shqipërinë e asaj kohe të përhapeshin ide revolucionare, ku predikonin në tre religjione te ndryshme.
Apeli i maxinianit Pashko Vaso se “Feja e shqiptarit, asht Shqyptaria” nuk gjeti ndonjë kundërshtim nga tre religjionet, por shkonte në të njëjtën linjë me religjionin e Ri. Duke ditur së si armiqtë tanë po e përdornin fenë për përçarje, po përmend një thënie të predikuesit fetar atdhetar, dijetar i shquar i letrave shqipe, Atë Anton Harapi “I vetmi religjion i shqiptarit janë niesit kombtare… Po ka edhe një tjetër mënyrë së si mund rrnojmë në paqë nierz me besime të ndryshme, kjo asht toleranca shtetërore-politike” Patër Anton Harapi
.
An Albanian Revival
An Albanian Revival
I ushqyer me këto ide, Nikoll Ivanaj, që në vitin 1905 bënte pjesë në këte lëvizje të re,”Risorgimento”.
Me këte formim, që në vitin 1905-1908, boton në Raguzë, Trieste e Romë gazetën “Shpnesa e Shqypnisë” me suport të Albert Gjikës (anëtar i familjes së nderuar Gjika dhe pretendent për fronin shqiptar)
Kjo u pasua me fjalimin e zjarrtë që mbajti në Romë, me 26 Janar 1911, përpara Shoqatës së Shtypit Italian që mbetet edhe sot, një dokument i një rëndësie të veçantë historike. Audienca prej me shumë se 2000 dëgjuesish, magjepsi auditorin, nga oratoria e tij, që të nxiste për aksione konkrete. Një thirrje në prag të kryengritjeve të mëdha dhe të një aktiviteti të dendur diplomatik para pavarësisë 1912: “Po ju sjell te ju, o njerës të lirë, jehonën e thirrjeve kryengritëse të Atdheut tim të robëruar, zërin e tërë një populli, që kërkon solidaritet nga një populli i cili e di ç’është skllavëria dhe shtypja politike… E tashti po ju tregoj kushtet tona të sotme… së shqiptarët në shek. XX, po luftojnë kundër tiranisë së shëmtuar turke me pushkë, shumica e të cilave janë me mbushje nga mbrapa të porositura ndër kovaçë-hekurishtesh… siç më tregoi para pak ditësh Mehmet Shpendi, njeri nga krerët e Fiseve të Shalës… Shqipëria nuk duhet dhe nuk dëshiron të jetë një karrem për nxitjen e trazirave dhe të luftërave, asgjë më të mirë ajo nuk dëshiron, veçse drejtësia të kryhet me ndershmëri dhe për këtë ajo kufizohet në kërkesat e veta, që përmblidhen në Pavarësinë e saj. (shkëputur nga fjalimi N. I. përktheu nga italishtja Dr. Anton B. Fistani)
Fill pas këtij aktiviteti po në muajin janar 1911, pa humbur kohë, Ivanaj niset nga Roma në Bari të Italisë, ku me nismën e tij u krijua atje një komitet i kryengritjes “Pro Albania” rreth të cilit u bashkuan elementët përparimtarë Arbëreshë, midis tyre shumë deputet, studentë, punëtorë, të cilët shprehen dëshirën për të marrë pjesë në ekspeditën e vullnetarëve të cilën do ta drejtonte djali i G. Garibaldi, Ricciotti Garibaldi, i cili e quajti aksionin, “detyrë” ashtu siç vepronte edhe babai i tij. Qeveria italiane nuk ishte e interesuar të ndihmonte Shqipërinë, kishte synime të tjera, kështu e ndaloi, këtë mision të vinte në ndihmë te kryengritësve. (N. Ivanaj i dinte planet e grabitqarëve fqinj, martesa e Viktor Emanuelit të tretë me Princeshen e Malit të Zi, Jelena Petroviç 1896, nuk ishte thjeshtë martesë, kishin edhe qellime tjera, ndarjen e Shqipërisë dhe koha e ka provuar…) Prandaj për Ivanajn, ngritja e komiteteve jashtë perandorisë ishte e domosdoshme, e shikonte se nuk kishte ndihmë tjetër, përveç së nga vetë shqiptarët, brenda e jashtë që duhet ta zgjidhnin problemin e pavarësisë. Këto komitete kishin për qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e fuqive të mëdha rreth kërkesave të Shqipërisë për Autonomi.
Një punë të madhe në dobi të Pavarësisë, (1912) kanë bërë patriotët shqiptarë e arbëreshë në Itali e gjetkë, si vullnetarët e Vatrës nga Amerika, që tërhoqën opinionin publik përparimtarë dhe zgjuan një valë të fuqishme solidariteti.
Për këto përpjekje, brenda dhe jashtë Shqipërisë, u dënuan shumë patriotë si në Shqipëri dhe shumë aktivistë shqiptarë, u dëbuan nga toka italiane, ndër ta edhe Nikollë Ivanaj.
Botimi i titulluar “Rebelët shqiptarë – Mospërfillje italiane” Romë 10 Maj 1911, raportonte qëndrimin e qeverisë italiane që e përzuri patriotin e mirënjohur Nikollë Ivanaj Bej, gjë e cila provokoi një protestë të madhe në komunitetin shqiptar në Itali.
Me ndihmën e Partisë Republikane, Nikollë Ivanaj, shkoi në Francë duke marrë një letër rekomandimi, për Amilkar Ciprianin (1844-1918), revolucionar i njohur italian, emigrant politik në Paris, shok armësh me Garibaldin dhe me shumë arbëreshë patriotë.
Në Paris, ai pati rastin që të takohej me Leninin i cili më vonë,denoncioi Traktatin e Fshehtë të Londrës, në mes fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Serbisë, Italisë dhe Malit të Zi, si dhe likuidimin e Pavarsisë së këtij vendi. Nikollë Ivanaj e përdori këte fakt me 1920, duke iu drejtuar Presidentit Amerikan ëilson… me një lutje që të ushtronte autoritetin e tij për të larguar nga shteti ynë qëllimet grabitqare dhe marrëveshjet e fshehta që kundërshtojnë pavarësinë tonë popullore…
Në vitin 1912, Nikollë Ivanaj, merr pjesë në një Konferencë të rëndësishme në Sofje, si misionar për komitetet Maqedonase (shkoi atje me funksionin e sekretarit të zgjedhur nga një konferencë e rëndësishme në Prishtinë) Pyetjes që i bënë atje: “A kishte mosmarrëveshje mes shefave shqiptarë?” Ai iu përgjigj: “Shqiptarët nuk janë të ndarë nga parimet, por nga oportunizmi. Ata janë të bashkuar me pasion të idealit të vetëm për pavarësi, hamendja e tyre e përbashkët u thotë që të moderojnë kërkesat e tyre për momentin për t’i bërë ato të realizueshme. Kjo arsye praktike është veçanërisht e dukshme në mesin e shefave të moshuar si Isa Boletini, i cili kombinon instinktin e tij thellësisht politik, me njohurinë e madhe që ka ndaj turqve!” Me këtë diskutim Ivanaj si mjeshtër i fjalës së zgjedhur i vërtetoi auditorit së ëndrra kombëtare e patriotëve shqiptarë, të rinj apo të vjetër, është plotësisht e afirmuar. Me këto qëndrime dinjitoze, kjo figurë u bë e njohur edhe nga shtypi huaj.
Gazeta franceze “La Temps”, me 21 Gusht 1912, publikon deklaratën e patriotit shqiptar nga Tuzi, Nikollë Ivanaj, duke parashtruar dy qëllime kryesore:
1.Aktivizimin e ndërgjegjës kombëtare në mes të popullit.
2.Paraqitjen e problemit Shqiptar përpara Europës në rrugë diplomatike…
“Turqit nuk mund të na marrin më tri gjera: Ndërgjegjen, Zemrën dhe Armët tona!” (dokument i përkthyer nga Aurenc Bebja)
Me 27 Shkurt – 6 Mars 1913, ai merr pjesë në një Kongres shqiptarësh, të organizuar nga Faik Konica e Sotir Kolea, me suport te autoriteteve austriake, “Kongresi Shqiptar i Triestes” ku diskutuan për:
1.Njohjen politike dhe ekonomike të Pavarësisë së Shqipërisë drejtuar fuqive të mëdha.
2.Kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë.
3.Diskutimin rreth Princit.
4.Mbështetjen e popullsisë aromune jashtë kufijëve, që të inkludohen në shtetin shqiptar. Për këte eveniment të rëndësishëm dhe për personalitetin e Nikollë Ivanajt, e ka paraqitur në librin e Tij, “Shpnesa e Shcypeniis” Paolo Muner, simbol i shqiptarizmës, (P. Muner gazetar, publicist, studiues i historisë së Shqipërisë, Oficer i Forcave Detare Italiane, Shef i Forcave Detare pranë Delegacionit të Eksperteve Italianë 2001-2003 në Tiranë, “Shpnesa e Shcypeniis” (Shqipëtar të Trieshtit) Botuar nga Botimet “Jozef” Durrës, 2014)
.
Me 1915, Nikollë Ivanaj, ishte organizator i klubit “Lidhja Kombëtare” në Shkodër. Po këtë vit, me 29 Mars, ai botoi në Shkodër, numrin e parë të gazetës së përjavshme “Lidhja Kombëtare”, organ i klubit me të njëjtin emër. Fletorja që dilte në shqip, pjesërisht edhe në frëngjisht trajtonte çështje politike, shoqërore dhe kulturore. Gazeta ishte në përkrahje të vetëqeverimit shqiptar dhe në mbrojtje të drejtave të popullit tonë. Në Janar të vitit 1919, publikon gazetën “Koha e Re” në Shkodër. Vdekja e parakohëshme e Ismail Qemalit e tronditi thellësisht dhe në gazetën e sapo publikuar, shkruan me pikëllim për humbjen e një burrështeti që i duhej Shqipërisë më shumë së kurrë. “Na mbërrijti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës… Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të Atdheut tonë… Ne, sot i lutemi shpirtit që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypsej ende trupi e mendja e tij, më tepër së kurrë deri më sot.” Gazeta “Koha e Re” doli në janar të vitit 1919, në kohën kur po negocioheshin kushtet e Paqes dhe po ribëhej harta e Europës, në Konferencën e Paqës në Paris, kjo gazetë ishte një kujtesë për fuqitë e mëdha se Shqipëria nuk duhej harruar.
Më 1919, shkoi pranë Konferencës se Paqes në Paris, si delegat i “Partisë Politike Shqiptaro-Amerikane” nga diaspora e Sh.B.A-ve.
Letra e parë që Nikollë Ivanaj i dërgon Kristo Dakos, President i Partisë Politike Shqiptare në Boston, shkruhet: “Njoftoni kompetentët se çështja e Pavarësisë së Shqipërisë është çështje e ekzistimit e popullit shqiptar… Aneksimi i Vlorës dhe ndarja e Gjirokastrës dhe Korçës e “vrasin” ekzistencën shtetërore dhe nacionale të Shqipërisë. Populli shqiptar nuk duhet të lejojë ta komandojë as Italia, as Greqia, dhe as cilido mandat tjetër kushdo qoftë. Italia nuk ka vend në Vlorë…” (Poezinë “Vlona” ua kushton këtyre ngjarjeve: “Në zjarm e në gjak, sot po vlon Vlona// Në kambë asht çue e gjithë Shqipnija// Nuk e lëshojmë, thotë asht e jona// Pa dekë për të gjithë Burrnija// Nikollë Ivanaj).
Po në një letër tjetër drejtuar Kristo Dakos me një shkrim të shkurtër: “Bindeni koloninë tonë, që populli shqiptar nuk mund të presë kurrfarë të mirash nga Italia, derisa ajo të heqë dorë nga qëllimet e saj okupuese në Ballkan!”
Në letrën drejtuar Presidentit Amerikan (1913-1921) Thomas Woodrow Wilson, me 2 Prill 1920 shkruan: “Në kohën kur Konferenca e Paqes në Paris përfundon punimet e saj, unë apeloj në Presidentin e Sh.B.A-ve në të mirë të popullit shqiptar, përfaqësues i të cilit jam, në të drejtat e mija të njeriut dhe në principe që përfshihen në 14 pika të Presidentit Wilson, duke e lutur që të largojë nga shteti ynë të gjitha qëllimet që shkojnë në dëm të integritetit të tij politik dhe shtetëror… Shqiptarët, nuk mund t’ia lëshojnë shtetin e vet kërkesave të Italisë e Greqisë dhe as nuk mund të pranojmë që në Ballkan të instalohet një fuqi e huaj…” (Revanshin grek për tokat shqiptare e shpreh në vargjet: “Po, shpresoj së as ti Greqi// Qëllimit s’ke me i a mbërri// Se Epiri asht i yni// Do të jenë së bashku me Shqiptari// N. I.)
Më 1923, N. Ivanaj së bashku me kushëririn e vet, Mirash Ivanaj (i njohur si reformator i Arsimit Shqiptar )publikon në Shkodër gazetën “Bashkimi” dhe gazetën javore “Republika”
Ata ishin të bindur se fusha më e përshtatshme për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin, përparimin dhe emancipimin e bashkësisë shqiptare, ishte publicistika, ku mund të shfaqeshin lirshëm pikëpamjet e tyre politiko-shoqërore. Peshën më të madhe në këte gazetë e mbante Mirash Ivanaj. Përveç artikujve problemorë të kohës, bënte punët si redaktor, korrektor e deri radhitës në shtypshkronjë. Shumica e artikujve ishin shkruar nga Vëllezërit Martin e Mirash dhe nga Nikollë Ivanaj.
Nikolle Ivanaj - "Lulet e pasosme" - Poezi
Nikolle Ivanaj – “Lulet e pasosme” – Poezi
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Nikollë Ivanaj botoi librin autobiografik “Historia e Shqipërisë së Re”, “Vuajtjet e veprimet e mija” në dy pjesë me 1943, pjesën e parë dhe pjesën e dytë 1945. Këtë libër me autografin e autorit e ruante me kujdes vjehrri im i nderuar, Avokat Rakip Leka, si dhuratë nga vetë Nikolla. Kur rrinin bashkë kishin çfarë të tregonin për ngjarjet e jetuara sidomos për Ismail Qemalin. Av. Leka ruante në memorie ngjarje nga jeta e I. Qemalit në Turqi, kur ai ishte student i jurisprudencës në Universitetin e Stambollit. Në atë kohë Ismail Qemali ishte deputet i opozitës liberale në Parlamentin Turk dhe mbronte me zjarr të drejtat e shqiptarëve sidomos për alfabetin shqip. I riu Rakip Leka, ishte një ndër firmëtarët e parë në telegramin e protestës për mbrojtjen e alfabetit të gjuhës shqipe, i vendosur me 1908, dhe i kundërshtuar nga Xhonturqit që ishin pro alfabetit arab. Telegramin e gjejmë të shkruar të gazeta “Tan”, 27 janar 1910, nga shoqata e studentëve të Stambollit.
Ashtu edhe në telegramin tjetër që ia dërguan kryetarit të parlamentit turk për të protestuar ndaj incidentit që i ndodhi Ismail Qemalit me 21 shkurt 1911, kur Ai ishte deputet i Sanxhakut të Beratit. Kjo ngjarje u bë e njohur nga telegrami që iu dërgua gjithë shtypit të Stambollit, deputetëve, klubeve shqiptare nga studentët Universitarë si: Rakip Leka, Mustafa Kruja, etje, ku ata shprehnin indinjatën: “Një shuplakë për deputetin shqiptar, është një shuplakë për tërë kombin…” E gjithë kjo sepse Ismail Qemali iu kundërvu nga foltorja turqëve të rinj, që ishin në parlament. Ata po mohonin premtimet që kishin dhënë sipas kushtetutës së re. Kjo revoltë bëri që edhe deputetët e tjerë shqiptarë të largoheshin nga parlamenti në shenjë proteste. Ngjarja më interesante që Av. Leka tregonte për Ismail Qemalin ishte qëndrimi i babait tij, Ibrahim Leka Borshi, i cili kur ishte qarkkomandant i Lushnjës, kishte marrë urdhër nga Janina të arrestonte Ismail Qemalin në kohën, kur do të kalonte nga Lushnja për në Vlorë. Ibrahim Leka, lajmëroi Nebi Sefa Lushnjen (firmëtari i Pavarësisë) që të vepronte sa më parë në mënyrë që Ismail Beu me shoqëruesit e tij të ndërronte destinacionin nga Lushnja në një rrugë tjetër dytësore për të kryer Misionin e rëndësishëm në Vlorë, që e realizoi pa asnjë incident nga kjo mbrojtje. Ndërsa Nikollë Ivanaj rrëfente për merakun që kishte Ismail Qemali për rrezikun e politikës së fanatizmit fetar të zbatuar nga Xhonturqit, që I. Qemali i denoncoi me forcë kur ishte në Itali. Qëllimet e tyre ishin për t’i futur shqiptarët në luftë ndërmjet vedit, – zhdukjen e Malësorëve me të gjitha mundësitë dhe zëvendësimin me emigrantë nga Bosnja… gjë që e vazhduan fqinjët tanë serbë, grekë e malazez… dhe s’po ndalen!! Këto të vërteta historike po i zbulojnë historianët e ndershëm dhe me shumë këmbëngulje gazetari i guximshëm, Marin Mema në emisionin “Rrënjët Shqiptare”. Kështu publicistika e Nikoll Ivanajt do të ndihmojë sadopak në këtë drejtim.
Mitrush Kuteli, duke analizuar librin e Nikollë Ivanajt, “Historia e Shqypnisë Re” shkruan: “Mendimet dhe ngjarjet janë shprehur çiltazi – troç, si thonë durrsakët – dhe në një stil energjik, si vetëm ata të Shkodrës mund ta shkruajnë. Nikollë Ivanaj shkruan ashtu si flet, pra shkruan mirë… Është veprim i një njeriu që breth shtet më shtet, për një ide të tijnë, tani i pritur mirë, pastaj i nxjerrë me polici, po gjithmonë i palodhur “maniak” për mbesimet e veta. Një njeri ky, Nikollë Ivanaj, insistent e persistent, i cili sapo i nxjerrë nga një kufi vjen e hyn nga tjetra për t’u nxjerrë prap me daulle. Gjithmonë në luftë, gjithmonë në opozitë… si ndënë Zogun edhe ndënë Duçen – sepse u pat internuar. I ngjan shpirtërisht atij Nikolla Naços të Rumanisë (Nikollë për Nikollë) edhe ay po aqë i përvojtur, për gjith atë ideal.”
Viti i fundit i jetës tij kurorëzohet më botimin e librit, “Lulet e Pasosme”, për këte vepër ka bërë vlerësimet e duhura studiusi Sinan Gashi, duke e cilësuar Nikollë Ivanajn, si poet lirik si në poezinë patriotike ashtu dhe të dashurisë. Ndër të tjera studiusi thekson për Poetin se për çdo poezi shënonte datën e krijimit dhe vendin ku e kishte shkruar. Kështu shtrirja gjeografike e krijimeve të tij përfshinte më shumë së 30 vende…
Nga titujt e poezive: “Kosova”, “Bashkimi i Shkodrës me Atëdhe”, “Vlona” “Malësia e Madhe”, “Udhëtimi – mërgim”. “Flamur” (janë rreth 70 poezi) Po ashtu dhe nga vargjet “Flamur i kuq, me Shqype të zezë,// Hidhur madheshtuer n’erë të dlirë!// Flamur i shenjtë, që zemrën m’ke ndezë//. Hidhu përpjetë në Shqypëni të lirë…” njohim së çfarë rrihte në zemren e një Atdhetari luftëtar, siç ishte Nikollë Ivanaj. Le të jetë një udhërrëfyes edhe për brezin e ri sot, që të shpalosin dijet e tyre, energjitë pozitive, duke u plotësuar me eksperiencat e njerëzve më të suksesshëm të historisë sonë dhe të botës për të bashkuar shqiptarinë dhe për ta lulëzuar Mëmëdheun etnik…
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.