back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Libri “Kujtimet e Veronikës” si dëshmi e jetimoreve gjatë diktaturës komuniste nga Alisa Velaj

Gazeta

Anisa Velaj
Anisa Velaj
Libri “Kujtimet e Veronikës” si dëshmi e jetimoreve gjatë diktaturës komuniste
nga Alisa Velaj

Shkrimtari nobelist francez André Gide pat shprehur mendimin, se për të shkruar prozë nuk është e vështirë. Mjafton të shkruash për veten në vetë të tretë. Vasilika Michalas Gjoka ka vepruar pikë e presje sipas “porosisë” së Gide-së në librin e saj të parë “Kujtimet e Veronikës”. Madje duke na e përmendur që në nëntitullin “Bazuar në ngjarje të vërteta”, se kemi të bëjmë me një autobiografi të maskuar. Romani është botuar më 2024, nga Argeta LMG dhe vet Gjoka e ka cilësuar si prozë psikosociale. Përcaktim i vlertë, për sa kohë lexohet sipas këndvështrimit të një proze që rrok analizën psikologjike dhe sociale të një realiteti të shoqërisë shqiptare, për të cilën është shkruar tepër pak.
Analiza psiko-sociale kryhet sipas skemës narrative të letërsisë realiste. Gjoka shpesh e ndërpret rrëfimin për t’u ndalur te përshkrimi me detaje i një personazhi, një situate dramatike apo një pjesë ku autori jep mendimin e tij mbi fakte të ndryshme të realitetit që sjell për lexuesin. Vasilika është një lexuese e etur e Balzakut, ka përgatitur madje një libër me thëniet më të bukura të veprës së plotë të prozatorit francez. Dashuria për një autor që krijon shkollë padyshim ndikon te dashuronjësit e universit letrar të tij. Rrëfimi realist e plot detaje i Gjokës është ndikuar bukur nga Balzaku. Me një gjuhë të pasur dhe paanësi absolute për çka na risjell në “Kujtimet e Veronikës”, autorja merr përsipër të fshikullojë një nga shumë anët e errëta të diktaturës komuniste në lidhje me jetën e fëmijëve të jetimores.

Vasilika Michalas Gjoka “Kujtimet e Veronikës”
Vasilika Michalas Gjoka “Kujtimet e Veronikës”

Redaktori i librit, prozatori dhe studiuesi Gëzim Zilja shkruan: “Libri “Kujtimet e Veronikës” dallohet veç të tjerave nga një vërtetë si dhe sinqeritet i mahnitshëm. Nga letërsia sovjetike brezi im ka njohur Makarenkon, shkrimtar dhe pedagog që krijoi shkollat e edukimit sovjetik për jetimët. Por libri i Vasilikës është krejt ndryshe. Ajo nuk predikon, por rrëfen e rrëfen pa u lodhur për fëmijët e jetimoreve, për jetën e saj e të shokëve e shoqeve në kohën e diktaturës, duke mos mbajtur anë, e duke thënë të vërtetën. Tregon bukur, thjesht, pa ngarkesa (nuk mendoj se është roman psiko-social), por në çaste të veçanta, libri të dridhet ne duar e shpirti të ngarkohet me dhimbje. Ka shumë pak dashuri dhe shumë vuajtje te ata fëmijë që jeta “ i dënoi” të rriten pa prindër. Vështirë, shumë e vështirë të rritesh në një shtëpi pa dashuri, lëre pastaj në një jetimore. Po ja, dhe atje kishte edukatore që dhuronin e jepnin dashuri e ngrohtësi për fëmijët. Është jeta e autores në këtë libër? Edhe më mirë që është!”
Të qenit dëshmitare okulare e realitetit të jetimoreve është vlerë e shtuar krahas vlerës së padiskutueshme artistike. Autorja i potretizon me të njëjtën paanësi dashurinë dhe padashurinë e hidhur. Nuk flet asnjëherë me urrejtje për edukatorët e paedukatë e shpirtzbrazur nga empatia për jetimët, por i sheh me sytë e dhimbjes së një njeriu me shpirtin plot, që tmerrohet se si në këtë botë ëngjëjsh të braktisur, të ketë qenie aq të varfëra në shpirt, sa në vend t’u zbutet zemra e t’u shtohet dashuria, iu ndodh e kundërta; mprehin urrejtjen. Po çfarë mund të presësh nëse foshnja rritet me padashuri? Pranohet gjerësisht se njeriu është fryt i trashëgimisë gjenetike dhe faktorëve shoqërorë. Po t’i rrisësh foshnjat pa përkëdheli, çfarë njeriu do të dalë prej tij/saj në të ardhmen. Po shkëpusim një pjesë shumë dramatike nga libri për ta ilustruar më mirë mëkimin e fëmijës me dhunë të pastër psikologjike.
“Provokimi që u bëjnë zyshat, që të kuptojnë që një fëmijë fle apo jo, ishte pëshpëritja në vesh: “Të ka ardhur mami, ngrihu!”. (fq 122)
“Zysha ngriti çarçafin lehtë, iu afrua pranë veshit. Me zë “të ëmbël” i pëshpëriti: “Të pret mami, të pret…!” Nuk mbylli dot fjalinë, kur Veronika u ngrit me vrull krahëhapur si flutur të përqafojë zyshën për lajmin e bukur, por mori një shpullë të rëndë në vesh, dhe ra pa ndjenja! (fq. 123)
Në anë tjetër, Gjoka rrëfen me shumë dashuri dhe mirënjohje për gjithë edukatorët e mrekullueshëm e shpirtndritur që i edukonin plot dashuri fëmijët e vegjël dhe madje edhe kur i ndëshkonin për hir të së mirës, edhe veprimet ndëshkuese i kishin po aq të bukura e kuptimplote sa mund t’i ketë prindi për fëmijën biologjik. Përshkruhet me aq dashuri e përdëllim figura e Persa Grabovës dhe e plot edukatoreve të tjera, të cilat pavarësisht se punonin në kushte jo të favorshme, e mbajtën të dlirë njeriun brenda tyre. Autorja thekson dhe anët e mira të një sistemi që me sistemin arsimor të kohës, u jepte jetimëve mundësinë e studimit në profesionet, me të cilat siguronin jetesën, njëlloj si fëmijët që lindnin në familje. Por në përgjithësi, jetimoret përjetonin në pjesën dërrmuese po atë dramacitet në të cilin u zhyt për gjysmë shekulli një komb i tërë.
Krahas jetimëve të ardhur në jetë nga dashuritë e parealizuara, ka aq shumë fëmijë nga prindër të burgosur, shqiptarë apo të huaj, të cilët për një arsye apo tjetër kanë shkelur vijën e marksizëm-leninizmit shqiptar. Bisha komuniste ka në krye bij e bija çnjerëzorë që luajnë me fatet e jetimëve si të jenë kukulla. Historia tragjike e Marias së pafajshme flet shumë për monstruozitetin e atij regjimi. E padjallëzuar, ende e parritur dhe me talent të përveçëm, çka premtonte një artiste të vërtetë në të ardhmen, Maria përdhunohet nga biri i prokurorit dhe shokët e tij dhe më pas mbyllet në psikiatri për gjithë jetën. Sa fate të tilla të panjohura për publikun e gjerë ka diktatura komuniste? Me qindra padyshim. Vasilika Gjoka bëhet zëri kolektiv i tragjedisë së gruas shqiptare në institucionet e jetimëve dhe më gjerë.
Çasti kur edukatorja e dhëmbshur Jeta Vukica shkon në institutin e shëndetit mendor për të vizituar Marien e dashur dhe për t’i shpënë diçka si nëna bijës, është nga përshkrimet më të bukura në libër.
“Për cilën Mari e ke fjalën? Se vitet e fundit kanë hyrë shumë Maria këtu, vijnë, ikin, kthehen, largohen, vijnë të tjerë…! – iu përgjigj shumë thatë dhe shpejt e shpejt.
-Më lini ta shoh njëherë – i lutet t’i hapë rruga. […]
-Aaa! S’është familjari juaj? Po ik moj shoqe se kemi punë.[…]
-Ju lutem! – i foli infermieres, duke i treguar trastën të mbështetur, pas kanatës fikse të portës. – Ndajua këtë të gjitha femrave me emrin Maria”.
“Kujtimet e Veronikës” është proza psikosociale e një autoreje dhe dëshmitare okulare për jetën e jetimëve në kohën e diktaturës. Roman i shkruar plot pathos për dashurinë e pranishme dhe padashurinë rrënqethëse, si dhe një vepër memuaristike për një realitet jo fort të njohur për lexuesin e gjerë shqiptar.
Gazeta Telegraf – 26 Gusht, 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.