back to top
2.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Lideri – (Çfarë e bën liderin) nga Michael Korda

Gazeta

Michael Korda (1933)
Michael Korda (1933)

Lideri – (Çfarë e bën liderin)

nga Michael Korda

Michael Korda është autor i bestsellerve të tillë si “Pushteti” (1975), “Shovinizmi mashkullor” (1979), “Jetë fatlume” (1979), dhe “Mbretnesha” (1985). Në këtë ese, botuar fillimisht në Newsweek, Korda shqyrton cilësitë që gjithë liderat e mirë kanë të përbashkëta. Korda përdor një numër të gjerë shembujsh historikë dhe bashkëkohorë me qëllim që t’i bëjë konkrete definicionet e tij.

Winston Churchill (1874-1965)
Winston Churchill (1874-1965)

Jo çdo president është një lider, por çdo herë që zgjedhim një president, ne shpresojmë që ai të jetë i tillë, veçanërisht në kohë pasigurie dhe krizash. Në kohëra të kollajshme ne jemi ambivalentë – lideri, në fund të fundit, ka kërkesa, sfidon status quo-në, i shkundullon gjërat.
Lidershipi është po aq një çështje e çastit kohor, sa e çdo gjëje tjetër. Lideri duhet të dalë në skenë në një moment kur njerëzit janë duke e kërkuar një udhëheqje, siç bëri Churchill-i në 1940, Roosvelt-i në 1933, apo Lenini në 1917. Dhe kur të vijë, ai duhet të ofrojë një mesazh të thjeshtë por të fuqishëm (elokuent).
Liderët e mëdhenj janë pothuajse gjithmonë thjeshtëzues të mëdhenj, që i bien shkurt argumentit, debatojnë dhe shtëmëngen me dhënë një zgjidhje, të cilën ta kuptojnë dhe mbajnë mend të gjithë. Churchill-i paralajmëronte britanikët të prisnin “gjak, stërmundime, lotë dhe djersë”; Roosvelt-i u thonte amerikanëve që “e vetmja gjë të cilës duhet t’ia kemi frikën është vetë frika”; Lenini u premtonte rusëve të drobitur nga lufta, paqe, tokë dhe bukë. Mesazhe të pazbukuruara, por të fuqishme.
Ne kemi një imazh të asaj se çfarë duhet me qenë një lider. Ne madje njohim shenjat fizike: liderat mund të mos jenë domosdoshmërisht të gjatë, por ata duhet të kenë tipare të spikatura, më të mëdha se jeta hunda dhe butat e veshëve të Lyndon B. Johnson-it; e qeshura vesh më vesh e Eisenhower-it. Një stampë na vjen gjithashtu në ndihmë: cilindri i gjatë si oxhak i Lincoln-it, karriget lëkundëse të J.F.Kennedy-t. Ne duam që lideri ynë të dallohet disi mbi të tjerët, jo të jetë si njerëzit e zakonshëm. Gjysma e shqetësimeve të Presidentit Ford vinte nga fakti që, nëse ju do t’i mbyllnit sytë për një çast, s’do të mundeshit të kujtonit fytyrën e tij, figurën apo veshjet. Një lider duhet me pasë një identitet të paharrueshëm, të ngulitur menjëherë e përgjithmonë në mendjet e njerëzve.

Franklin D. Roosevelt (1882-1945)
Franklin D. Roosevelt (1882-1945)

Një lideri i bën fajde nëse mundet të kryejë diçka që shumë prej nesh s’munden; F. D. Roosvelt mposhti poliomelitin; Mao-ja notoi në lumin Jance në moshën 72 vjeç. Ne nuk duam që liderat tanë të jenë “thjesht njëlloj si ne”. Ne i duam ata të jenë si ne, por më të mirë, specialë, më tepër kësodore. Ndërkaq, nëse ata janë shumë të ndryshëm, ne i refuzojmë. Adlai Stevenson ishte shumë cerebral. Nelson Rockefeller, shumë i pasur.
Madje dhe televizioni, i cili vjen bashkë me çokitjet si një imazh-ndërtues që zmadhon formën mbi thelbin, – nuk mundet të errësojë krejtësisht cilësitë e lidershipit që ne i njohim, ose mungesën e tyre. Televizioni ekspozoi pasigurinë e Nixon-it, marrosjen fatale të Humphrey-t me zërin e vet.
Një lider duhet me dijtë si ta përdorë pushtetin (zaten ky është lidershipi), por ai duhet me pasë dhe një mënyrë që të tregojë se po e bën këtë. Ai duhet me qenë i aftë të projektojë qendrueshmëri – pa ngathtësi fizike (si Ford-i), pa rrotullime të shpejta sysh (si Carter).
Një filozof kinez ka thënë dikur se një lider duhet të ketë hijeshinë e një valltari të mirë, dhe ka shumë mençuri në këtë thënie. Një lider duhet të dijë si të shfaqet i çlirët dhe besimplotë. E ecura e tij duhet të jetë e ngulët dhe e paracaktuar. Ai duhet të jetë i aftë – si Lincoln-i, Roosvelt-i, Truman-i, Eisenhower-i dhe Kennedy, – të bëjë një të qeshur të fortë, me gjithë zemër, në vend të gajasjes vesh më vesh të Nixon-it apo Carter-it që rreken ta quajnë humor. Përgatitja e Reagan-it si aktor pati ndikim të ndjeshëm në debatin me Carter-in, kur përmes manierave të zhdërvjellëta dhe mirësjelljes së dallueshme, ai ia doli të përçojë përshtypjen se në fakt presidenti ishte ai, ndërsa Carter-i sfidanti.

Ronald Reagan (1911-2004)
Ronald Reagan (1911-2004)

Nëse e dimë çfarë jemi duke kërkuar, pse është kaq e vështirë me e gjetë? Përgjigjja qendron në një të vërtetë shumë të thjeshtë përreth lidershipit. Njerëzit mund të udhëhiqen vetëm për atje ku ata duan të shkojnë. Lideri ndjek, megjithëse një hap përpara. Amerikanët donin ta kapërcenin Depresionin dhe kishin nevojë për dikë që t’u thonte se ata mundeshin, dhe Roosvelt-i këtë bëri. Britanikët besonin se ata ende mund ta fitonin luftën edhe pas disfatave të 1940-ës, dhe Churchill-i u tha atyre se ata e kishin mirë.
Një lider qëndron sipër valëve, lëviz sipas baticave, kupton aspiratat më të thella të popullit të vet. Ai s’mundet ta shpjerë në luftë një komb që do paqen me çdo çmim, ose ta ndalojë një komb të vendosur për të luftuar, ta bëjë këtë. Qëllimi i tij duhet t’i përputhet gjendjes shpirtërore të kombit. Detyra e tij është të fokusojë dëshirat dhe energjitë e popullit, të përcaktojë ato në terma të thjeshta, të frymëzojë, të bëjë ato çka populli tashmë kërkon të duken të arritshme, të rëndësishme, brenda rrezes së kapjes.
Mbi të gjitha, ai duhet t’u japë dinjitet dëshirave tona, të na bindë se jemi duke marrë pjesë në bërjen e një historie të madhe, të na japë një ndjesi lavdie për veten tonë. Winston Churchill-i ia doli, veç përmes retorikës, ta kthente humbjen e britanikëve dhe evakuimin e Dunkirk-ut në 1940, në një fitore të madhe. Fjalët e F. D. Roosvelt-it e kthyen mbytjen e flotës amerikane në Pearl Harbor, në një kushtrim kombëtar për luftë, në vend të një skandali kombëtar poshtërues. Një lider duhet të bëjë të na lëvrijë gjaku (na ndezë gjakun) –  dhe jo t’i bëjë thirrje arsyes sonë…
Një lider i madh duhet të ketë një cilësi të caktuar iracionaliteti, një refuzim kryeneç për t’u përballur me faktet, një optimizëm infektues, aftësinë për të na bindur se jo gjithçka është e humbur, edhe kur ne kemi frikë se po. Konfuci sugjeronte se, – ndërsa këshilltarët e një lideri duhet të ishin të ftohtë si akulli, – lideri vetë duhet të ishte si zjarr, një shkëndijë e çmendurisë hyjnore.
Ai nuk do të vijë deri sa ne të jemi gati për të, mbasi lideri është si një pasqyrë, që reflekton ndjenjat e qëllimit tonë, duke i shprehur në fjalë vetë ëndrrat dhe shpresat tona, duke i transformuar nevojat dhe frikërat tona në politika koherente dhe programe.
Forca jonë e bën atë të fortë; vendosmëria jonë e bën atë të vendosur; guximi ynë e bën atë një hero; ai është, në analizë të fundit, simboli i më të mirës sonë, të formësuar prej shpirtit dhe vullnetit tonë. Dhe kur këto cilësi mungojnë te neve, ne s’mund ta prodhojmë atë; dhe madje me gjithë shkathtësinë tonë imazh-ndërtuese, ne s’mund ta shkërbejmë atë. Ai është, në fund të fundit, veçse shuma e të gjithë neve.
Përktheu: Neritan Kolgjini
Marrë nga “Models for writers”, fq. 225
Fjala Review

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.