back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

L’incontro – nga Gentiana Kone

Gazeta

Gentiana Kone
Gentiana Kone

L’incontro

nga Gentiana Kone

Nji pikturë e endun me frymë fjale,
qendisun ambël si t’ishte nji pajë e kahershme…
ku ti befas ndihesh i rrëmbyem rrjedhe
nëpër do çaste që flutorojnë aq shpejt,
e je ba pjese e nji dalldie që ndoshta diku, dikur të ka ndodhë edhe ty…
o ndoshta thjesht ke kapërcye nëpër nji andërr t’bukur…
jozef radi, korrik 2019
.
Nëse nuk do të kishte takuar Laura Orsinin, Francesco B. do të kishte marrë udhën ekleziastike dhe, mbas marrjes së kësulës së kuqe të kardinalit, me pak fat, do të ishte zgjedhur shërbëtori i Shën Pjetrit mbi tokë. Por ja që fati kishte të tjera plane për të.
Mëma e tij luante akoma me kukulla, kur në njërën nga dhomat e shtëpisë atërore, kishte ardhur për të banuar me qera një arkitekt. Shtëpia ishte përherë e mbushur me zëra fëmijësh, ishin tre vëllezër e dy motra, por ajo Ambra ishte e vetmja që kërkonte shoqërinë e kukullave e jo të fëmijve të tjerë.
Dhoma e arkitektit u mbush shpejt me aromë duhani dhe përmes fjollave të tymit, shtëpitë e vizatuara mbi tabakë verdhanë letre dukeshin sikur lundronin në një lumë të padukshëm. Me të mbaruar një vizatim, e rrotullonte me kujdes në formën e një tubi tejqyre, për ta vënë pranë letrave të tjera me të njëjtën formë.
Rallëherë dilte nga shtëpia, më të shumtën e rasteve mbrëmjeve, për të marrë udhën që të çonte te porti i qytetit. Në errësirën e natës, që heshturazi afrohej, i ulur në një nga pilarët e rrumbullakët ku lidheshin litarët e anijeve, do të ishte krejt i padukshëm, po të mos qe xhixha flakëruese e majës së cigares që mbante përherë në buzë.
Kur dritat e qytetit shuheshin dhe përreth dëgjohej vetëm përplasja e errët e dallgëve mbi gurët kuadratë hedhur buzë molit në mbrojtje të tij, arkitekti ngrihej e merrte udhën e kthimit. Ecte ngadalë e në çdo hap që bënte dukej sikur shtëpia e re që ëndërronte të ndërtonte, merrte formë.
Kishte mbetur pa u hedhur vetëm çatia e kuqe, kur arrinte pranë portës së shtëpisë së prindërve të Ambrës. Ajo e ndiqte fshehtazi me sy nga pas dantellave të perdeve që vareshin të ngrira në dritaren e dhomës së saj. Vetëm kur zhurma e hapave të tij shuhej pas portës së dhomës ku flinte, ajo shtrihej nën shtresa për të rënë në një gjumë të thellë, ku shtëpia e kukullave i shfaqej në ëndërr, e mbushur me aromë karamelesh.
Nuk kaluan shumë muaj, kur arkitekti një ditë iku pa u ndjerë, ashtu siç kishte ardhur. Mbas ikjes së tij, dhoma nuk u dha më me qera dhe tubat e letrave u zhdukën në bodrumin e shtëpisë. Aty kishin të drejtë të zbrisnin vetëm prindërit e Ambrës dhe hyrja ishte rreptësisht e ndaluar për anëtarët e tjerë të familjes.
Në atë kohë edhe Ambrën, për shkak të shëndetit të dobët, e nisën për disa muaj te tezja e saj, që banonte në një qytet që ndodhej shtatë orë larg, përtej malit me një kokojkë që humbte midis reve.
U deshën 9 muaj të gjatë që ajo të ribashkohej me vëllezërit e motrën. Erdhi po aq e zbehtë sa kishte qenë në nisje, me të vetmin ndryshim që kukullat nuk i preku më me dorë.
Mbas disa vitesh një zotni i pasur, që do të nisej për të shkuar në botën e re përtej detit, e kërkoi për martesë. Mbas një feste familjare, ajo u nis në krahun e bashkëshortit kokorosh, për të mos u kthyer më. Kukullat humbën a ju falën fëmijve të tjerë fqinjë dhe në shtëpi nuk mbeti asnjë gjurmë e saj, a thua se s’kishte qenë kurrë aty.
Ndërkohë, në qytetin e largët përtej malit, Francesco kishte arritur moshën sa të kuptonte që lutja që i bënte çdo natë shenjtit, mbrojtës të jetimëve, nuk do t’i plotësohej. Ai nuk do të bënte kurrë pjesë në ato familje që të djelave pas meshës, shkonin për të ngrënë një akullore në pastiçerinë antike, me vitrazhet e mbushura me lule e kokrra qershiash.
Belbëzimi i lehtë që ju shfaq që i vogël, shpejt u rëndua dhe pas një kohë u shndërrua në heshtje të plotë. Mësuesit e kolegjit të djemve e vunë të rrinte i vetëm në bankën e fundit të klasës dhe pyetjeve të tyre e lejuan t’ju përgjigjej me shkrim. Kokën e rrumbullt të qethur përherë shkurt, e mbante pak të anuar nga njëri krah, arsye më shumë që fëmijët e tjerë ta quanin torrollak. Askush nuk e dëgjoi të ankohej viteve të shkollës, vetëm e kaltra në blu e syve të tij u shndrrua në një gri të thellë vajtuese dhe flokët dikur të dielltë, u errësuan përherë e më tepër. Me të mbaruar kolegjin, me një çantë në shpinë me pak gjëra vetiake dhe një fletë shoqëruese të shkruar nga një prej mësuesve të tij, u nis drejt një qyteti të madh, që shtrihej në Veriun e largët.
Atje era rrotullonte krahët e mullinjve të mëdhenj, teksa mokrra shtypte grurin, ashtu siç ndjesitë thërmoheshin në gjoksin e tij nga një peshë e rëndë e paemër. Nga gjithë stinët e vitit, zemra kishte njohur vetëm dimrin e mardhtë dhe kurrë dielli pranveror s’e kishte ngrohur.
.
Salisbury - qyteti mbi Avon (foto j. radi)
Salisbury – qyteti mbi Avon (foto j. radi)
Qyteti iu shfaq paprimtas buzë lumit që gjarpëronte i grizhdë, teksa qielli po përflakej nga e kuqja e purpurt.
Shipiklat e mbetura ndër gjethe dhe mbi çatitë rrëshqitse, shkëlqenin një çast përpara se të shndrroheshin në një tis të lehtë, që shkrihej me ajrin. Atje larg, mbi gjithë këmbanat dhe çatitë e qytetit iu shfaqën vijëzimet delikate të këmbanës së katedrales së Virgjëreshës, pranë së cilës një kullë e lartë ngrihej drejt qiellit, si një filigramë mjeshtërore.
Ajo pamje i shkaktoi një kumbim të tillë në shpirt, që i fshiu çdo gjurmë të deriatëhershme thërmimi dhe zëri i doli nga thellësia e kraharorit me një tingull të plotë e të kjartë. Me rikthimin e zërit një jetë e re filloi. Veç punës, iu vu studimit me afshin e një zeloti dhe në ato pak orë që flinte, këmbanorja dhe kulla i shfaqeshin përherë në ëndërr, teksa ngjyrat e ylberit thyheshin në to e fragmentoheshin në dhjetra ngjyra të tjera.
Takimi me Laurën, bijën e vetme të familjes Orsini, ndodhi kur narcizët kishin filluar të çelnin. Nga ai çast ndjeu ngrohtësinë e ardhjes së stinës së re, kur pemët gjethojnë.
Me të ftohtin që dita-ditës mpakej e tretej në ujrat e lumit nga ku anijet niseshin drejt botës së madhe, një syth i një peme të re nisi të hidhte shtat në zemrën e tij.
Grija e syve filloi të zbutej ngadalë dhe cirka të kaltra në blu u rishfaqën. Akulli që shkrihej në ta e bënte ngjyrën përherë e më të thellë, të ngjashme me blunë e rrallë rubensiane të mantelit të Virgjëreshës.
Ditën kur Laura iu përgjigj pyetjes së tij me një pëshpërimë pohuese në vesh, ndjeu që stina e ngrohtë kishte hyrë e plotë dhe shpirtin ia kishte mbështjellë me gjethnajë lumturie.
Në ag nga çanta tashmë e vjetëruar, nxori një kujtim të hershëm të fëmijërisë dhe me të në dorë doli e mori udhën që e çonte te lumi.
Pranë bregut u ndal e shikoi një çast anijet që mbi ujë rrëshqisnin, për t’u zhdukur pas brymës së lehtë bardhore.
Me një frymëmarrje të thellë, hodhi ndër valë kujtimin e vetëm që kishte nga mëma e tij.
Këmbanat filluan të bien teksa ai mori udhën e kthimit. Mbi ujë, një kukull lundronte me lëkundje të lehta, për t’u zhdukur pas pak në thellësi. Tisi i brymës hollohej përherë e më shumë nga ngrohtësia e rrezeve verdhore, derisa lumi u mbulua me xhixha vezulluese, që drejt detit me një thirrmë dashurie shkonin…
.
Marrë nga muri i Gentiana Kones, 12 korrrik 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.