back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Liqeni i Luciferit – nga Muç Xhepa

Gazeta

Luciferi
Luciferi

Liqeni i Luciferit

nga Muç Xhepa

“Neroni” i ngrirë mes e poshtë në liqenin, që Luciferi krijoi me lot, pasi tradhtoi Zotin, rënkonte netëve me zë.
Skënder Tufa, mik i imi, azilant politik në Zvicër prej shumë vitesh, më tregon në mesinxher një ngjarje të cilën e kishte mësuar në burg, Gulagun shqiptar.
“Pantera” merr në duar raportin, ulet në vendin, ku “Neroni” thurte planet kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, ndez abazhurin dhe lexon e përqendruar. Lotët s’e lënë të shohë qartë. “Të jenë të ikur nga spitali psikiatrik, apo vuajnë nga deluzioni… iluzioni. Rrena, rrena!” thërret si e marrë. Dëshminë e kishin dhënë ushtarët e shërbimit dhe punonjësi që mirëmbante varrin. Të nesërmen, jo në orën e caktuar, sepse pas varrimit e kish bërë zakon të shkonte me buqetë lulesh dhe qirinj. Lutej që t’i faleshin krimet. Priti të bjerë muzgu. Ashtu, në fshehtësi, mori Sulon, besnikun e “Neronit” dhe u nis për te varri. Vendosi të dy duart në pllakën e ftohtë, uli ngadalë kokën duke prekur me veshin e majtë mermerin e lëmuar. U drodh e tëra. Në fillim dëgjoi zhurmë. Përplasje duarsh mbi një gjë të fortë. Pëllëmbësh, grushtesh. “Neroni” kërkonte të çlirohej nga diçka që e kishte mbërthyer. Pastaj zëri. I tij. I mbytur. “Ndihmë, ndihmë, jam brenda! Liqen gjaku! I ngrirë!”.

Prushi i Kujteses - Tregime nga Muçi Xhepa
Prushi i Kujteses – Tregime nga Muçi Xhepa

Pranverë. Njerëzia kanë filluar të shpresojnë për ditë më të mira. Ai që mbyti vendin në gjak ka shkuar të gjykohet. I ktheu këmbët nga dielli, thotë populli. Miku im Jorgji Santo, punojmë mësues në të njëjtën shkollë, më fton për kafe tek hotel “Skampa”. Është i shoqëruar me një mesoburrë. Ulemi te veranda në katin e dytë, që shikon nga “Rrapi i Bezistanit”. Jorgji porosit fërnet, miku i tij dhe unë pije freskuese.
-Arbeni është kushëriri im i parë. Është mjek.
Arben Santo me sy inteligjentë, hundë malësori e fytyrë të tërhequr buzëqesh.
-Më ka folur Jorgji për ju.
-Jemi miq të besës.
-Familje të vjetra elbasanase.
-S’mjafton të qenurit nga i njëjti qytet. Duhen prova. Dhe, ne i kemi dhënë.
Jorgji ka të drejtë, them me vete. Kemi folur hapur për gjendjen e rëndë ekonomike. Natyrë impulsive, varfëria ekstreme e nxënësve, e revoltonte aq, sa shpërthente me të shara të hidhura kundër “Neronit”.
-Arben na trego si ia bëre autopsinë… ekzaminimin për të zbuluar shkakun e vdekjes… Shtrirjen e sëmundjes.
Jorgji s’i përmend emrin kufomës.
-Si çdo të vdekuri tjetër.
Arbeni buzëqesh me sy.
-Raportin e autopsisë. Si ta besuan.
Jorgji më shkel syrin.
-Petrit Gaçja më rekomandoi. Vetë s’besonte… s’donte ta besonte se kishte vdekur…
Edhe Arbeni s’ia zë emrin.
-Përse, mund të ishte gjallë… vërtet.
Jorgji s’e mban të qeshurën.
-Jashtë çdo dyshimi. Organet i ishin bërë blozë… duhej të kish mbaruar… ditë më parë.
Eh, ashtu bënë për Leninin, Stalinin… punë djajsh them me vete.
-Mënyra si po ma tregon, më ngjeth mishtë.
-Duro se ka edhe më.
Skënderi buzëqesh.
“Ç’bëre moj Nënë Tereza”, – i tha Papa shenjtores, kur u kthye ajo nga vizita në Shqipëri. “Vajte te varri i djallit. U lute t’i faleshin mëkatet”.
-Në fakt të tërëve na bëri shumë përshtypje sjellja e saj.
-Që prej asaj dite, “Neroni” ra në qetësi. Liqenin e Luciferit e shkrinë lutjet e Nënë Terezës.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.