back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Liria e fjalës dhe “Trubaduri” sllav në Korçë – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli

Liria e fjalës dhe “Trubaduri” sllav në Korçë

nga Frank Shkreli

Ja edhe këngëtari sllav Goran Bregoviq – e cilësoj si “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai – shkoi në Korçë, pa çka pau, këndoi dhe iku, por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e ftuan dhe sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se, megjithë zhurmën e madhe, pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë, personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e Birrës”, duke menduar se nëqoftse pjesëmarrja e tij atje ndihmon që të shitet ndonjë birrë më tepër, aq më mirë – ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë me vete.
Por siç duket, retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore shqiptare. Megjithëse i kuptoj shumë mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e Bregoviqit në Festën e Birrës në Korçë – por edhe ata brenda Shqipërisë që mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë – megjithë kundërshtimet mes dy palëve, unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është me rëndësi për t’u zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë e lirisë së fjalës për të dy palët, për ata që kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në Festën e Birrës dhe atyre që e mbështetën atë të shkonte e të këndonte në Korçë. E shikova si një debat midis dy a më shumë vëllëzërve e motrave që nuk janë dakort për një çështje me rëndësi për ta dhe për derisa diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar – s’ka gjë të keqe në këtë mes. Falë nderës Zotit këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, mund të diskutojnë me njëri tjetrin, por edhe me të tjerë – nga afër dhe nga larg, si të barabartë dhe të lirë – derisa lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama në mbrojtje të pjesëmarrjes së Bregoviqit dhe mbështetësve të tij në Korçë dhe duke sulmuar ashpër ata shqiptarë, sidomos, nga Kosova që kritikuan pjesëmarrjen e tij në festën e Korçës. Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose ashtu për Bregoviqin ose këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshijë edhe atë por reagimi i tij, më të thënë të drejtën, më la me gojë hapur. 
Z. Rama i doli në mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si, “Një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”. Z. Bregoviq është një figurë publike dhe si e tillë ai, patjetër, do të tërheqë kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tija ose heshtjen e tij kur duhej të fliste dhe nuk foli ose për këngët e tija nga pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e Ballkanit”, siç e cilësoi Z. Rama. Më habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga z. Rama, drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist e fashiste” nuk do i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala për diskurset politike ndër-shqiptare të vëllait me vëlla e motra shqiptare. Shpresonim se këto fjalë do i takonin një periudhe tjetër të zezë të historisë shqiptare lenë pas – periudhës së komunizmit. Fashistët e vërtetë, z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i njihni mirë dhe me të cilët bashkpunoni ngusht – dhe jo në Prishtinë, e besoj as në Tiranë!
.
Bregoviç - Në Festën e Birrës...
Bregoviç – Në Festën e Birrës…
Por mbi të gjitha, deklarata e z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë, ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet se pse ishte prekur aq personalisht, Z. Rama me kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë parasyshë se ç’mendon Z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “Zjarrnxitësit mendjefikur”, siç i cilësoi Kryeministri shqiptar “kritikët e Goran Bregoviqit”, me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë si të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, të drejtën e lirisë së fjalës, mohuar atyre nga fashistët e vërtetë sllavo-komunistë për një gjysëm shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë, fillimisht, në bashkpunim me njëri tjetrin. 
Prandaj, komentet e z. Rama nuk janë vetëm një sulm ndaj kritikëve të një trubaduri sllav, por mbi të gjitha një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç duket, edhe pas 30-vjet “post-komunizëm”, udhëheqësit shqiptarë ende e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës për të tjerët, si e drejtë bazë e njeriut e sanksionuar me marrveshje ndërkombëtare dhe e mbrojtur me ligje kombëtare, si një vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në radhë të parë. Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarë, na e ka dhënë ndoshta para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një shekull më parë. “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra…”, ka shkruar Faik Konica në Gazeta Albania, viti 1897, nr. 2, f. 32 /
Kjo është liria e vërtetë sipas Faik Konicës që po të respektohej dhe po të zbatohej nga shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre sot – do të nderonte “qytetarinë evropiane të shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë po ashtu”. Z. Kryeministër nuk e di nëse je adhurues ose jo i Faik Konicës, por ai do të këshillonte sot se megjithëse je në krye të qeverisë shqiptare, “Nuk ke të drejtë t’u presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të këngëtarit trubador të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në Korçë. Liria e fjalës është dhe mbetet e shenjtë, si për ju Z. Kryeministër ashtu dhe për kritikët e këngëtarit ballkanas në Korçë! 
Në fund të fundit, me këtë episod askush nuk doli fitues. Të gjithë humbës mbetën. Veçanërisht humbi keq liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç jemi mësuar të shohim se ndodhë shpesh në trojet shqiptare këto 30-vite tranzicion “post-komunist”. Z. Kryeministër, “Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde (dhe të tjerëve) për të thenë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe “çfarë të do zemra” (Faik Konica).
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.