back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lirime, ridënime, rikthime… dhe kujtime! – nga Maks Rakipaj

Gazeta

Burgu i Spaçit - i braktisur
Burgu i Spaçit – i braktisur

Lirime, ridënime, rikthime… dhe kujtime!

nga Maks Rakipaj

…Pas revoltës së ’73-it, ishte e vështirë për të burgosurit e ndershëm të liroheshin edhe pasi e kishin kryer dënimin. Kush nuk kishte pranuar ofertat e operativit Kosta Prifti dhe atij që e zëvendësoi mbas vitit ’80, Shyqyri Toska, e kishte të pamundur lirimin. Edhe nëse ndokush arrinte të lirohej, brenda pak muajsh kthehej përsëri. Ridënimi ishte i modës ato vite… Qarkullonte një barcoletë nga humori i zi i burgut: “Sa je dënuar ti? 7 vjet. Sa vjet ke bërë deri sot? 14 vjet. Edhe sa të kanë mbetur? Edhe 15 vjet.”
Mbas “vetvrasjes” së Mehmet Shehut, sikur u la pas dore moda e ridënimeve, ndoshta për t’ia lënë atij fajin për ashpërsimin e luftës së klasave… “Poliagjenti” kish vepruar me qëllim për të armiqësuar partinë me popullin… Sidoqoftë, kush plotësonte vitet e dënimit, për çudi, tani lirohej nga burgu. Para kësaj, një shkodran me emrin Paulin e patën arrestuar pikërisht në ditën e lirimit, sapo kishte dalë nga porta e madhe e Spaçit. Kurse tani po lirohej një nga monumentet e burgjeve komuniste shqiptare. Kishte bërë 34 vjet e 7 muaj. I arrestuar qysh më 1945, në moshën 19 vjeçare sepse kishte qënë sekretar i rinisë balliste për zonën Korçë-Pogradec. Ky ishte krimi i tij. Quhej Haxhi Mekolli, 55 vjeç. Ngjante mbi 70, por ishte i kthjellët, ende i fortë. Kur e lajmëruan për lirimin, i tha oficerit kartelist: -E pse s’më lini edhe 5 muaj, të shkretën… bëhen 35 vjet plot… unë prapseprapë 35 vjet do të them.
Nuk mbaj mend të jetë përcjellë tjetërkush me më shumë dashuri dhe respekt nga të burgosurit e Spaçit. T’i jepje dorën atij ishte si të merrje një bekim.
Para disa muajsh u lirua edhe N. në moshën 34 vjeçare, ngjante mbi 45. Kishte hyrë në burg 17 vjeç. Mbas 17 vitesh burg u lirua, por nuk e lejuan të shkonte pranë familjes. E dërguan në një qytezë-minierë të njohur diku në jug. Nuk di nëse bëri 6 muaj N. i lirë. Me hyrjen e vitit të ri ’82 edhe N. rihyri në Spaç. Sapo kaloi portën e madhe u lëshua vrap poshtë drejt shoqërisë së tij… të gjithë ishin të pikëlluar, ndërsa N. ishte shend e verë, qeshte me atë zë karakteristik grykor, të ngjirrur:
-Ku jeni more, zot i math, sa më ka marrë malli! Hahahaha, ç’keni more? Unë thashë shyqyr që erdha prapë… Plasa, zoti math, plasa jashtë. Unë e di si ia bëra pa ju… o Rako, si të ka vëllai tyja… prapë me Bolin fle? Hahahaha… Jalla, zot i math, shpëtova… Kush ma ka zënë krevatin? Kush? Thojini mutit të më lëshojë vendin, se e çqeva… hahahahahah.”
.
Burgu i Spacit... prill 2016
Burgu i Spacit… prill 2016
Është i lumtur N. që është rikthyer në Spaç. “Nuk ka faj, – më thotë Zydiu, – ka ardhur që fëmijë këtu. Kjo është e gjithë bota e tij. Jashtë burgut nuk njeh asnjeri, s’ka asnjë shok. Doli, e pa si ishte dhe prandaj është i lumtur që u kthye!”
Fillon punë në minierë sapo bëhet organika e muajit. Në zonën I. Është në brigadë tjetër, por jemi në një turn. Sot jam turni 2. Sa le punën dhe dal nga miniera, shoh N. ulur rrethuar nga të tjerët. Kushedi se ç’qyfyre tregon sepse të gjithë po gajasen. Afrohem. Po tregon për jetën jashtë burgut:
-E pashë që jashtë nuk e shtyja dot. Miniera e qymyrit ta qi nënën. Për zotin. Shkoja për natë në klub, mblidheshin djem të mirë atje. Mua më respektonin shumë. Zhanvalzhan ma kish ngjitur njëri, hahahahah. Ç’është ky zhamazhan që më thua, mos është ndonjë bythqirë, se për zotin e ke keq me mua. Jo, jo, më thanë, është një film francez dhe ky zhamazhani paska qënë, si thosh ai horri, njësoj si unë, një burgaxhi i fortë, hahahahaha. Hë, mor mut, ti je me shkollë, i ngjaj apo jo? Jo? Hahahaha, o ka tallur bythën ai atje, ose ti, hahahaha…”
-Po mirë o N., po ndonjë femër takove a jo a… hë, bëre gjë apo jo? – e shpon një shoku i tij vlonjat.
-Aaaa po, more, po. Jalla, zot i math. Më thotë një ditë ai që ma ngjiti zhamazhan… E dinte, se i kisha thënë unë: ja kaq u bëra dhe femër s’kam bërë me shëndet, për zotin, ja zot i math. “Mos e çaj kokën, më thotë, të gjen vëllai ty.” Kur do ti që e kish gjetur megjithmend qeni? Jalla, zot i math! Po, ore, po! “E njeh Zenepen ti”, më thotë. “Po ia fut kot emrit se nuk e quanin ashtu, të më vrasin s’e them emrin e vërtetë, për zotin. Kjo ishte një vejushë, nja 35 vjeç, yll ju them, bythë e sisë që aman o zot. Mos u tall me mua, i thashë. Jo, ky, nuk tallem… Ti e di ku e ka barangën Zenepi? Shko gomar i mutit. Mirë më tha, le të vijë, më pëlqen. Por mos fol me njeri se na hap punë… ata të mijtë janë me biografi të mirë. Kështu më tha, në orën 8 të darkës shko, bjeri derës dhe futu.” Shkova unë… zdruq-zdruq te porta… tak tak… “Ajde brenda, futu…” Hyra unë, që thua ti, dhe shyqyr që u ula se po më dridheshin gjunjët, për zotin ju them… Më nxorri një gotë raki kjo, mua më merreshin mentë… “Ç’e deshe rakinë, o Zenepe, i thashë… s’jam për raki i varfëri.” Qeshi kjo, më hodhi duart në qafë dhe më ngjiti një të puthur or ti… dhe aty e në krevat. Mos më pyesni qysh e tek, as unë s’e di si arrita aty dhe si u gjendëm të dy lakuriq në mes të krevatit… “Hajde hypma”, thotë kjo…“Prit, i thashë, të keqen. Dua ta shoh njëherë si e keni ju femrat atë plaçkën. Zoti që është një, s’kam parë ndonjë herë.” Një të hapur shalët kjo…“Ja ku e ke, më thotë, shihe dhe ngopu.” U shtriva përballë asaj plaçkës unë dhe se si më shpëtoi: “Jallaa, o zot i math, paska p… me gjithmënt… s’më paskan gënjyer…” “Të keqen motra, sa ke vuajtur, mor i shkretë”, më thotë kjo dhe më fërkon kokën… unë budalla i math… më hipi një e qarë, që thoni ju… “Çke, të keqen motra jote? Mos qaj, ç’pate?” “Vishu, i thashë, dhe biem të flemë, jam i lodhur sot”… dhe fshihja sytë unë… “Edhe mos më thuaj më motër e vëlla, dëgjove, se përndryshe me mua si motër e vëlla do flesh.” Ia fshimë lotët njëri tjetrit dhe fjetëm, si motër e vëlla, për zotin. Dhe si motër e mbajta. Femra gjeta plot, nuk them, po atë grua nuk e prekja dot si femër… Eh, jetë muti…!
…Kishte kohë që s’po qeshte më njeri… ndonjëri bënte sikur shfrynte hundët dhe fshinte sytë…
 .
Fragment nga libri im “Gjallë pas Mbytjes së Anijes” dhe “I mbijetuar” (botim i ripunuar)
Burgu i Spaçit - Foto me pranga
Burgu i Spaçit – Foto me pranga
Maks Rakipaj
Të dashur miq, nqs ndokujt i kujtohet emri i personazhit të këtij fragmenti, është i lutur qe për etike të mos e bëjë publik emrin e personazhit N. Faleminderit
 
Qesk Drangu
Përshëndetje Maks! Shkodrani me emrin Paulin Gugaj është arrestue ditën e lirimit, ka mbaru në BS, ka qenë ndër spikerat e parë te radio Tirana. Ka 3 vjet që ka vdekë. Ndjesë pastë!
 
Maks Rakipaj
Pastë dritë i paharruemi Paulin ka qënë vërtet xhentelmen
 
Gezim Pëshkepia
Ka qënë spiker i Radio Moskës për Shqipërinë gjatë kohës që ishte student. Ishte martuar atje, por nuk e lejuan ta sjellë gruan në Shqipëri. Në Shqipëri veç punës së tij ishte në Kinostudio spiker i dokumentarëve për shkak të zërit kumbues që kishte. Në familje jetoi me nënën Rexhina, të atin Gjon e vëllezërit Aldo e Nikolin e motrën Ciljeta.. Punoi në N.I.Sh mjete mësimore dhe në fund në ndërrmarjen e Porcelanit ku dhe u arrestua me 18 Tetor 1975. U dënua e u ridënua më pas, mbasi u lirua ndërroi jetë pas një kalvari internimesh e burgimi. Vuajti nga sindromi i përndjekjes (mania e persekutimit) derisa mbylli sytë. Nuk po e zgjas historine e tij që përfundon me gruan dhe një djalë, sepse ka plot për të thanë për të. Një rast tragjik i një njeriu që siç thotë Maksi ishte një xhentelmen i vërtetë. Ndjesë pastë!
Në Spaç erdhi i vëllai Aldo në ditën e lirimit ku operativi i Burgut, Shyqyri Toska i dha lajmin e ridënimit. Me vonë u transferua në Burgun e Ballshit.
 
Mark Bajri
Fantastike shume e bukur. Per te qeshur dhe per te qare
 
Shefqet Dobra
Dëshmitar i doli shoku që punonin bashkë Shaqir Peka atë ditë thanë se e shoqja me djalin kishin ardhur dhe e prisnin në Laç! Paulini punonte në një zyrë me Shaaqirin, kur do lirohej nuk e festoj si të gjithë ata që liroheshin që i shkonin ta uronin të dënuari. Atë ditë nxirte ngai karameleje jepte ndonjërit në dorë, sikur po e ndjente të keqen!
 
Maks Rakipaj
Mendonte të ruhej Paulini i shkretë po të shoqërohej me lëtyra si Shaqiri. Paulini punonte në një zyrë me Shaqirin, kur do lirohej nuk e festoj si të gjithë ata që liroheshin që i shkonin ta uronin të dënuari. Atë ditë nxirte nga i karamele e jepte ndonjërit në dore, sikur po e ndjente të keqen…
 
Lek Mirakaj
Maks Rakipaj Paulini nuk shoqërohesh me Sh. Pekën. Ti e din se si pregaditeshin dëshmitarët.
Maks Rakipaj e kam pasë njoftë mirë Paulinin se pati qenë i internuem në Gradishtë, ishte zotni dhe e parandjente të keqen. Kam pi kafe me Paulinin ditën para lirimit, ishte dobësu dhe kishte të drejtë. Nuk ishte Shaqiri, po Kosta Prifti që nuk e pati bërë agjent.
 
Maks Rakipaj
Lek Mirakaj e mbaj mend mirë, madje që shoku im e pati paralajmëruar të ndjerin. Paulini i përgjigj: “Du me shkue në shpi, prandaj rri dhe me njerëz qi i njof mire ça janë, nuk flas me kërrkënd pa i mat mirë fjalët..:” por qe në listë për t’u ridënuar, nuk shpëtoi dot pa ridënim. Lek, ishin kohë kur rrallëkush lirohej pa u ba spiun, dhe i ndjeri Paulin ishte zotni burrë!
 
Lek Mirakaj
Maks Rakipaj e dija që do arrestohesh. Ma pati thënë Doda, ti e din se si ishin punët atje, ata spiunët i tregonin njëri-tjetrit e bile mburreshin se operativi i kishte në konsideratë. Piva kafe me të, me tregoi se do i vinte i vëllai po unë nuk i thashë asgjë, nuk kishte asnjë kuptim vetëm ta lije një natë pa gjumë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.