back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Liturgjia” e Arbënit – nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Gazeta

Historija e Popullit Shqiptar - At Paulin Margjokaj
Historija e Popullit Shqiptar – At Paulin Margjokaj

Liturgjia e Arbënit

nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Përshkrim i shkurtën rreth librit
“Historija e Popullit Shqiptar” –
vepër e At Paulin Margjokaj

Ajo Shqipni,së cilës njerzit e penës, kulturës dhe artit ja morën komunistët e me pranga ndër duar e ja burgosën, internuan për të mos u dëgjue as Zani e as Zanafilla Arbënor, dikur me plot kumbim quhej Arbëni!
Sikur në Venedik e Vienë, Paris e në Romë,fëmija që lind, pagëzohej e një emër i vyer i shkruhej në distinë të emrave, edhe At Paulin Margjokës, së vogli i dhanë emrin “Bib” si Bib Doda, por së rrituni në udhë të Zotit, e udhëve që vetë Ati në Qiell ia ka falë Kçirës së Pukës, Bib Margjokaj sipas rregullit të fretënve, më datën 4 gusht 1925 u regjistrua në Urdhin e Fretënve të Vogjël të Shqipnisë me emrin Paulin si Pali i “Formulës së Pagëzimit” për t’u rritun si klerik dhe studies përlarg dheut të Kçirës, por pranë durimit e vullnetit të pasosur për t’i shërbye mot e jetë dheut të tij të origjinës.

Nuk është rastësore që në listën e autorëve kërkimtar dhe studiues të gjesh emrin e një kleriku si At Paulin Margjokaj, por prap nuk është rastësore që letrat e një frati besnik ndaj Fesë, Atdheut dhe historisë se Kombit të tij t’i fshihen auditorit shqiptar për dekada deri në orën kur do të shembej doktrina staliniste e bolshevike shqiptare.
Falë përkthimit të veprës së tij nga përkthyesi i talentuar Prof. Dr. Edmond Malaj, dhe falë përshtatjes në gjuhën shqipe dhe redaktuar nga zonja Shqiponja Marku, por edhe falë kontributit e bujarisë së të ndershmit patriot, studiues e veprimar i Mërgatës Shqiptare në Amerikë, z Tomë Mrijaj, kjo vepër vjen në gjuhën shqipe.
Si lexues, më kanë emocionuar dy fakte dukshëm të rëndësishëm e jo rastësore.
I pari fakt, është shtrirja e autorit me korrektesë të plotë prej akademiku ndër etapa historike dhe ndër kryqëzime historish, dhe e dyta: Guximi i redaktores për ta veshur veprën me një gjuhë rrokëse dhe rrëfimtare sikur merr udhë historia etapë pas etape.

E çmoj tej mase kaq guxim ndërmarrë si nga përkthyesi ashtu edhe nga redaktori sepse sot, ndër ditët e vështira të gjuhës shqipe, ndër ditët ku edhe Institutit të Albanologjisë i është beditur dryni i çuditshëm i shtetit, gjendet guxim prej intelektuali për t’u përballur me një vepër jo aq të lehtë në lëndën e përshtatjes…
Në vepër këndon historia dhe ndjell zogjtë e çdo epoke, thënë në mënyre figurative nga ana ime sepse nuk gjendet kënd ku përsëritet rutina. Autori ka lënë në mënyrë perfekte shteg për cilindo studiues që ta pasurojë veprën nëse dëshiron përmes kërkimeve të tij, por esenca e themelimit të historisë së një vendi deri tek modernizmi i sotëm gjenden mrekullisht tek ky libër.
Libri fillon me një përshkrim të saktë të paktën përaq sa është studiuar deri sot mbi qytetet e lashta shqiptare, lumenjtë, liqenet, rrugët po në lashtësi e zbret e merret me etnoninë e fjalës “Alban” deri tek studimi i prejardhjes dhe origjinës shqiptare.
Shtegtimi ilir dhe Shqipnia në kohë të perandorisë romake vijnë të studiuara qysh para kristianizimit për t’i lënë vend të dukshëm edhe kësaj etape, kulturimit fetar para epokës së Mesjetës.
Kjo epokë, pikërisht epoka e dyndjes së popujve deri në Sundimin Bizantin të Arbënisë, thuhet shkurt përmes argumentave historikë për t’i lënë vend studimit të ndarjes territoriale si e quajtuna Arbënia e Jugut nën sundimin bullgar,e Arbënit e Serbët – e përdorur kjo terme pasi Serbët kishin marrë në posedim, qysh në shekullin e VII, krahinën bregdetare të Dalmacisë.
Despotati i Epirit dhe Normanët në Arbëni marrin vend studimi në vepër pa asnjë shmangie deri në stadin e fillesave të Venedikut me Arbëninë.
Studime rreth origjinës së Gjergj Kastriotit, gjeografisë dhe fiseve shqiptare dhe periudhës së shkëlqimit të Katolicizmit në Arbëni mbyllin Kapitullin e Dytë.

At Paulin Margjokaj (1904-1975)
At Paulin Margjokaj (1904-1975)

Kapitulli i Tretë mban gjithsejt titullin “Shqipnija nën sundimin turk” dhe sjell studime e përshkrime rreth emigrimit të shqiptarëve, përpjekjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve kundër turqve,studime rreth islamizimit të Shqipërisë, sjell studime rreth ekonomisë shqiptare ndër epoka, rreth katolicizmit nën kulturo-protektoratin e Austrisë, rreth luftëtarëve për çlirimin e Greqisë si dhe shkruan për Ali Pashën dhe Bushatllinjtë.
Letërsinë Shqiptare si nënkapitull në libër, dëshirova ta cek tek së fundi sipas modës time sepse më duket meritë e veçantë e autorit si dhe përkthyesit për arsye të dukshme.
Qysh në fillim të herës, ndër të parat gërmime, At Margjokaj ka zbuluar versionet e qëndrueshme të hipotezave duke zgjedhur literaturë bindëse dhe të promovuar ndër breza larg klaneve të epokave dhe kaq kuptohet më së miri sepse At Margjokaj nuk komenton mbi tendencat e autorëve por në mënyrë krejt moderne përzgjedh pjesët më të qëndrueshme të studimeve duke lënë për të kuptuar se kapitulli i Autoktonisë Arbënore është mbyllur përkush ka vëmëndje tek historia reale dhe kjo çështje tashmë mbetet vetëm çështje e vetë Arbënve.
AtMargjokaj bind duke lidhur ngjarjet me gjeografinë shqiptare përmes fakteve dhe statistikave dhe kaq e bën mrekullisht si një civil e jo si një meshtar, pra nuk shihet ndokund tendenca e At Margjokaj për ta klerizuar veprën ose për ta malsorizuar veprën duke qenë se ai i përket me origjinë një territori mjaft të lavdëruar ndër treva, si Puka e sotme.
Merita ndër të tjerat është jovetëm literatura që ka zgjedhur ku të referohet, por edhe zërat letrarë të cilët ka përmbledhur në veprën e tij në një udhëtim të meritshëm përshkrues.
Autori është largpamës!
At Paulin Margjokaj ka pranuar të merret me kohët parahistorike, me mesjetën e ashtu edhe me të tashmen e tij, por nuk ka rënë si autor në hendekun e kohës së diktaturës edhepse ka qënë i mbrojtur nga jetesa sepse ka jetuar jashtë kufinjve shqiptar të pushtuar nga komunizmi për efekt të domosdoshmërisë së përçimit të historisë në një tjetër brez pa humbur kohë me një epokë, e cila për nga episodet, njihej botërisht si epoka tendencës së shkatërrimit të elitës dhe historisë.
Aq sa një lexues ësht i unshëm për historinë e vendit të tij, do të gjendet i shërbyer me stil të mrekullueshëm në këtë vepër prej më shumë motesh se fletësh përshkruar vetëm në 400 fletë.
Përgëzime së dyti përkthyesit, redaktorit dhe botuesit për punën e vyer e me vlerë bashkë me të falat e mia prej lexuesi të gjendur i befasuar para ksaj vepre të çmuar.
Artan Lleshi – Gjomarkaj
Mirditë

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.