back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Llum nga Arben Kallamata

Gazeta

Arben Kallamata
Arben Kallamata

Llum

nga Arben Kallamata

Identitetin tim, përkatësinë time nuk mund ta përcaktojë askush veç meje. Askush nuk ka të drejtë të më tregojë ose të më thotë mua sa shqiptar jam apo nuk jam, cilit grup i përkas apo nuk i përkas. Se kush jam unë atë e di unë. Atë ma kanë përcaktuar rrethanat e jetës që nga dita kur kam lindur. E ka përcaktuar familja që më ka rritur, njerëzit që më kanë rethuar në çdo hap të jetës. Se si dhe çfarë ndjehem unë, atë e di unë dhe jo ti me ato statuset mjerane që marrin pëlqime nga njerëz që i klikojnë lajkat duke u menduar po aq pak sa edhe ti që ke shkruar.
Pasi të kesh kuptuar këtë, ndoshta do ta kesh më lehtë të kuptosh që duke qënë ai që jam, duke u ndjerë ai që ndihem, jashtë dhe pavarësisht përfytyrimeve të tua, kam të drejtë të shkruaj dhe të jap mendimin tim të lirë për gjërat ashtu siç i shoh dhe i ndjej unë. Kam të drejtë të shprehem si të dua për atë vend që e ndjej si timin, siç kam të drejtë të shkruaj si të dua edhe për vende për të cilat s’kam kurrfarë ndjenje. Kjo quhet liri, liri e shprehjes. Kam të drejtë të jap mend e të shes mend; kam të drejtë të them gjëra të sakta, por edhe të gaboj. Ndërsa ti do bënje mirë që të diskutoje vlerën (ose mungesën e) e atyre që them unë. Do bëje mirë të shpreheshe nëse kam të drejtë apo gaboj. Kjo është e logjikshme. Ndërkohë që është e palogjikshme t’i shtosh vetes sikletin për të më përcaktuar mua kufirin se për çfarë të flas e për çfarë të mos flas nisur nga vendi ku jetoj.
Dy herë brenda pesëvjetësh u ktheva nga SHBA. Të dyja herët kisha vajtur për shkollë. Të dyja herët kisha lënë pas një Shqipëri që ndodhej në pikën e saj më të ulët ekonomike. Kur u largova herën e parë ishte vjeshta e vitit 1992. Janarin e atij viti, me dy fëmijë të vegjël që ushqeheshin me qumësht pluhur të skaduar, e kishim kaluar pa energji elektrike në një apartament të ftohtë betoni parafabrikat. E megjithatë, në verën e vitit 1993 mezi prisnim të linim një prej vendeve më të mrekullueshme në botë, për t’u kthyer te i njëjti apartament. Pse? Sepse kishim shpresë. Dhe ndoshta sepse ti në atë kohë nuk e dije ende ç’ishte kompjuteri dhe s’kishe mundësi t’i shprehje përçartjet e tua as në Facebook dhe as në Tëeeter.
E njëjta shpresë më ktheu edhe dy vjet më vonë. Mendoja që tani që ajo diktaturë e fëlliqur ishte hequr qafe, diçka do të bëhej. Ne nuk na trembte varfëria. Na gëzonte dhe na jepte shpresë liria. E drejta për të qënë të lirë dhe të pakushtëzuar nga askush ishte gjëja më e çmuar për ne. (Ti s’e di, por ka ca gjëra si liria, marrëdhëniet midis njerëzve, atmosfera shoqërore, që janë shumë më të rëndësishme për jetën e njeriut se sa shkalla e pasurisë apo tufat e eurove.)
Por pastaj u ndesha me ty, sepse erdhi koha jote e quajtur 1997. Erdhi koha kur ti dole në plan të parë, kur shpërtheje depot e armëve në të katër anët, kur vidhje dhe grabisje pa pikë turpi magazinat shtetërore e private; kur shqyeje dyert e universiteteve jo për të marrë dije, por për të vjedhur ca pajisje të çuditshme që quheshin kompjutera të cilat nuk i dije fare si përdoreshin dhe prandaj ua shkatërroje Hard Drive-in si të panevojshëm dhe iu mbaje monitorët që shpresoje t’i shisje si televizorë. Ishte koha kur ti dilje rrugëve i palarë, i pakrehur, i pluhrosur, me kallashnikov në sup, me sy të skuqur dhe fytyrë pa shprehje (pa shprehje pasi as vetë nuk e dije ç’bënje dhe përse po e bënje).
U ndesha me ty që rrije natën zgjuar duke hedhur plumba në ajër dhe duke iu prishur ëndrrat fëmijëve. U ndesha me ty që shkrepje kallashnikovin për të hyrë pa rradhë te furri i bukës, për të trembur tridhjetë burra e gra që kishin dy orë që prisnin aty dhe që s’ua bënte syri tërr nga hekurishtja që mbaje në dorë. U ndesha me ty që grabite atë makinën përpara ballkonit tim, në mes të ditës, në mes të rrugës së mbushur me fëmijë që luanin. Po, po, ishe pikërisht ti, pavarësisht se fytyrën i kishe të mbuluar me maskë. Ishe ti që ia zbraze të gjithë karikatorin atij rojes që të kishte informuar se ajo makinë transportonte para. U ndesha me ty që dogje Vlorën, Përmetin, Fierin, Beratin, Cërrikun… Me ty që i vure zjarrin gjithë vendit pa t’u dridhur fare qerpiku.
Pastaj të pashë kur hyre në zyrat e shtetit. Si vazhdoje të shikoje i çuditur kompjuterat dhe të pyesje si përdoren. Se si u bëre ministër, drejtor, shef kuadri. Dhe se si pastaj i hoqe të gjithë ata që punonin aty për t’i zëvendësuar me shokët e tu, të cilët më vonë i hoqe, sepse fillove t’i shisje vendet e punës me Euro.
E di ti cila është pyetja që më ka munduar më shumë në vitin 1997? Si ka mundësi që ai vend aq i vogël, aq i bukur, me lumenj të rrjedhshëm dhe të pastër, të jetë në gjendje të prodhojë aq shumë llum? (Nëqoftëse nuk e kupton figurën letrare, llumi je ti.)
.
Bandat e '97...
Bandat e ’97…
Disa duruan dhe vazhduan të shpresonin. Ishte e drejta e tyre. Unë isha ndër ata të cilëve iu tha shpresa. Është e drejta ime.
Ti kujton se ikja ime ishte vendim i marrë lehtë. Nuk ishte. Lija pas, veç njerëzve të mij të dashur, edhe gjithë jetën time – shkollimin, kulturimin, përvojën, karrierën.
Ti kujton se hedhja rrënjë këtu ku jam ka qënë e lehtë dhe pa emocion. Nuk ka qënë. Ka qënë shumë e vështirë, me të papritura dhe zhgënjime, me sakrifica dhe stërmundime, me punë dhe me studim. Jam përballur me indiferentizëm, me përbuzjen, me ftohtësinë, me përçmimin, me cmirën, madje edhe me përpjekje të vullnetshme për të më penguar. Por këtu ka një ndryshim thelbësor nga atje. Këtu po pate dëshirë për të punuar, i gjen mundësitë për të punuar. Dhe po punove, je i fituar (është ky nocioni “punë“ me të cilin ti s’para ndihesh shumë mirë.)
Por, ta thashë edhe më lart. Për mua liria është gjëja më e shtrenjtë. Dhe këtu ka liri. Duhet vetëm punë që ta gëzosh atë. Unë nuk kam frikë të punoj.
Unë jam bërë ai që jam sepse kam jetuar atje, e njoh mirë atë vendin atje – e njoh shumë mirë atë vendin atje – por kam punuar dhe jetuar edhe këtu ku jam dhe e njoh shumë mirë edhe këtë vendin këtu. I dua të dy vendet.
Para disa vitesh m’u dha rasti të shoqëroja si përkthyes një grup parlamentar që vinte këtu për vizitë zyrtare. (Natyrisht, në përbërje të grupit ishe edhe ti që ishe bërë ministër dhe që kur hyje nëpër shitore kishe qef të nxirrje nga xhepi dhe të shfletoje një tufë të madhe letrash jeshile njëqind dollarëshe.) Ndër njerëzit që iu pritën, ishte edhe kryeministri i vendit këtu. Në zyrën e tij ai gjeti një çast dhe m’u drejtua mua, përkthyesit: “Ti nga je?” Unë iu përgjigja pa u menduar: “Shqipëria”. Dhe në çast e kuptova që ai nuk pyeste ngaqë ishte kurreshtar për identitetin tim, por sepse donte të dinte se cila palë më kishte pajtuar si përkthyes. Prandaj, i skuqur, nxitova ta sqaroj se isha nga pala kanadeze.
Duke qënë këtu, unë ndoqa se si ti e le kallashnikovin dhe u fute zyrave. Se si mësove kompjuterin. Se si i more ata që gjuanin në ajër e në mish gjatë atij viti të mbrapshtë 1997, dhe i vure në poste. Pashë ata dhe soj e sorrollopin tënd të vijnë këtu si diplomatë e të na shesin dëngla për zhvillimin e kombit dhe se si duhet ta duam ne atë vend. Të gjitha këto unë i shihja dhe i ndiqja me shumë vëmendje, sepse kishin të bënin me vendin tim. Pashë si ti kalove nga kallashnikovi te IPhone 7 dhe mezi pret të dalë teta.
Tani ti ke hyrë edhe në facebook, ku ndihesh si në shtëpinë tënde. T’i përdor smartphone ose kompjuter me atë gishtin që përdorje për të tërhequr këmbëzën e kallashnikovit. Mendësia e të shkrepurit nuk të ka ndryshuar. Prandaj del e më thua mua që s’kam të drejtë të flas për atë vend sepse nuk i përkas atij vendi ngaqë jam larguar prej tij. Ti shkruan ca statuse qesharakë, me një shqipe të shkatërruar që të ngre qimet e kokës përpjetë dhe entuziasmohesh kur sheh se dalin dyqind vetë që ta pëlqejnë dhe të bëjnë komplimenta për mendjen tënde të zgjuar. Përkrahja e tyre të bind se ke të drejtë dhe ti harron që ata janë po ti. Prandaj vazhdon shkruan edhe një status tjetër, edhe një artikull, edhe një pamflet që të kënaqësh veten tënde dhe të kënaqesh nga vetja jote. Nuk është çudi që të propozosh dhe të miratosh edhe ndonjë ligj për të më përcaktuar mua se kush jam, si duhet të ndihem, çfarë duhet të them e të mos them. Dhe po e propozove, do ta miratosh, sepse ti e ke mbushur parlamentin plot. Për fat të mirë, unë s’varem fare nga ligjet e tua.
Ti që voton rrugaçët sa herë që të jepet rasti; ti që i vure zjarrin atij vendi dhe iu trembe ëndrrat fëmijëve më akuzon mua se nuk e dua sa duhet atdheun.
Unë vazhdoj të pyes veten – si ka mundësi që ai vend aq i vogël të ketë mundësi të nxjerrë aq shumë llum?

https://arbenkallamata.blogspot.it/2017/08/llum.html

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.