back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lodrat e diplomacisë (1944) Ushtima e Sharrit – Pseudonim i Lazёr Radit

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940
Ndёrsa pёrgatis Veprёn e 9 e Lazёr Radit, “Publicistika 1934-1944”,
dhe merrem me shkrimet e botuara gjatё kёsaj periudhe nё shtyp,
u pёrballa me shkrime tё mahnitshёm pёr mёnyrёn dhe thellёsinё
si ai i ka trajtuar shumё prej problemeve tё shoqёrisё shqiptare.
Mёnyra analitike tejet qartё dhe trajtime tejet tё thukёta,
si tё ishte fjala pёr njё testament tё dramёs qё po jetohej dhe asaj qё po vinte.
Ai i u pёrball me kёto problemet, duke marrё parasysh tё gjitha konseguencat
qё mund tё sillte njё trajtim i tillё… Njё shkrim i pashoq, qё i vlen shumё kohёs qё jetojmё,
ёshtё edhe “Lodrat e Dipllomacisё”, firmosur gjithnji me pseudonimin e tij
tashmё tё tё njohur “Ushtima e Sharrit”. Habia ёshtё se disa prej kёtyre shkrimeve
iu lexuan edhe nё Gjyqin Special pёr ta rёnduar, simbas dokumentave tё vetё kёtij gjyqi!!
Lexim tё kёndshёm! jozef radi
.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender Lazer Radi anash me te bardha.

Lodrat e diplomacisë (1944)

Ushtima e Sharrit – Pseudonim i Lazёr Radit

Sikur të kishim një histori diplomatike të Shqipërisë – ndёrkohё qё na mungon edhe historia kombëtare që është “Shpirti i Atdheut” – do të kishim mundun me e pa nën dritën e saktësisë se çfarë lojnash janë bërë në kurrizin tonë prej kurtheve të diplomacisë së fuqive të mëdha. Nga kjo histori, do të mund të vërenim se bota – deri më sot – e ka marrë “çështjen” shqiptare si një çeshtje që nuk u përket shqiptareve, por që i përket sferës së rregullimit të çështjeve ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë e kanë marrë si nji “çeshtje që u përket interesave të shteteve fqinje: këndej e andej Adriatikut!”
Mbasi mbaroi Lufta e Parë Botërore, aleatët e mëdhenj, fitues të luftës, duheshin t’ia bënin qejfin aleatëve të tjerë ma të vegjël që u kishin ndihmue… Gja e natyrshme kjo!!
Si me komandue grekun? Si me komandue serbin? Si me komandue italianin?
Filloi me u përtypë “çeshtja” shqiptare dhe merresh në gojë vetëm nën këtë prizëm! Kërkesat e aleatëve të vegjël duhesh të plotësoheshin! Dikush duhej të sakrifikohesh. Dhe viktimë do të binte toka shqiptare…!
Toka e jonë nuk kishte zot. Vendi i ynë ishte në përleshje të mbrendshme. S’kishim kohë ne atëherë të mendonim për tanësinë tokësore!!
Këtë përleshje ndërshqiptare aleatët e shfrytëzuen. Diplomacia nuk hoqi fort zor të arsyetonte atentatin kundra imunitetin tokësor të vendit tonë. Ne ishim nji rrezik për paqen dhe qetësinë e gjithë popujve të botës!! Nën këtë formulë do të coptohesh e gjithë Shqipnia, sikur të mos binin në kundërshtim vetë interesat e fqinjëve tanë. Por aleatët e vegjël nuk dolën pa gja: serbi mori Kosovën, greku mori Çamërinë dhe italiani Sazanin. Puna u rregullua me dëmin e pa çmueshëm të Shqipnisë. Këto sende duhej të na i mësonte historia e diplomacisë shqiptare. Duhej të na mësonte që t’i kapërcenim dhe të shihnim se ne si Komb e si shtet nuk kemi asnjë mik, por kemi vetëm armiq. Armiqtë e kombësisë dhe të racës shqiptare na kanë rrethuar nga të katër anët. Këtë e di mirë populli shqiptar. Ne e dimë se çfarë vendimesh u morën në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913; ne e dimë gjithashtu edhe prapaskenën e Konferencës së Paqes. Aspiratat serbe, greke dhe italiane – mbi vendin tonë – ishin kaq të mëdha sa vetëm nga ky kundërshtim interesash mundёsoi lindjen e kёsaj Shqipnie e gjymtuar dhe e copëtuar.
Më 1912, e fituam pavarësinë.
Rrethanat e mbrendshme, intrigat e huaja, ngatёrresat ndërmjet shqiptarve ishin kaq të mëdha sa ne nuk mundëm të konsideroheshim as si një strukturë e rregullt politike.
Mungesa e një shteti të fortë e të bashkuem na e shkatërroi interesin jetësor të vendit; ne nuk mundëm të çoheshim kundër dhe të impononim vullnetin e egzistencës sonë ndër çastet vendimtare të mavonshme. Vetëm kryqëzimi i interesave të hueja, më vonë, krijoi interesin e gjallë të fuqive të mëdha për vendin tonë.
Në Konferencën e Paqes bisedohej rreth kufijve të Shqipnisë, si për nji “plaçkë” lufte dhe kontraktohesh mbi tokën shqiptare, njashtu si bajnë cubat për një send të grabitun. Në Konferencën e Parisit, Venizellos arriti të thotë: “…mbasi Shqipëria nuk di të jetojë e pavarur pa një tutor të huaj; nuk merret vesh pse popullsia greke duhet të përfshihet në shtetin shqiptar që është i pa zoti, së paku për tani, për një qeveri autonome…!” Kështu thanë grekët. Ma keq folën serbët. Më mirë folën italianët… por, edhe fjala e tyre e bukur ishte nji mashë e qëllimeve të këqia!
Këtë na e mëson historia e re e Shqipërisë. Nga kjo histori ne duhet të nxjerrim mësimet ma elementar po deshëm të sundojmë vetë, po deshëm lirinë tonë kombëtare, po deshëm qeverinë dhe popullit tonë, duhet ne vetë t’i falim lirinë, duhet, ne vetë, ta mbrojmë – me gjakun tonë shpirtin e atdheut. Nga i huaji mos të presim të mira. Asnji i huej s’ka për të na dashtё ashtu si mund të duem ne vetveten tonë.
I huaji punon për qëllimet e veta, e ne s’duhet ta ndihmojmë në qëllimet e tij në dam të interesave tona kombëtare. A mund të lidhet kontratë me dreqin, pa ia shikue shpirtin (qëllimin)?!
E ardhmja ka me na sjellë shumë të paprituna. Nëse këto të paprituna do të na gjejnë në gjendjen e mjerueme në të cilën ndodhemi sot: verdikti i vdekjes i kombit shqiptar asht i sigurt.
Ashtu si një mikrob në një trup të sëmunë gjen vendin e përshtatshëm dhe e shkatërron, ashtu armiku do të futet në grindjen tonë, në përçarjen tonë, e në vllavrasjen tonë dhe do të na shuej si komb e si shtet. Në kulmin e mjerimit të kombit ne do të pendohemi thellësisht për krimin që i kemi ba, po atëherë do të jetë tepër vonë. Kemi nevojë për bukën e gojës përndryshme brezat e ardhshme do të na mallkojnë e do të na thërrasin në gjyqe para historisë për tradhëtinë që i kemi ba kёtij kombi.
.
(“Ushtima e Sharrit” – Bashkimi i Kombit, Viti i II Nr. 51, 2 mars 1944)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ndёrsa pёrgatis Veprёn e 9 e Lazёr Radit, “Publicistika 1934-1944”, dhe merrem me shkrimet e botuara gjatё kёsaj periudhe nё shtyp, u pёrballa me shkrime tё mahnitshёm pёr mёnyrёn dhe thellёsinё si ai i ka trajtuar shumё prej problemeve tё shoqёrisё shqiptare. Mёnyra analitike tejet qartё dhe trajtime tejet tё thukёta, si tё ishte fjala pёr njё testament tё dramёs qё po jetohej dhe asaj qё po vinte. Ai i u pёrball me kёto problemet, duke marrё parasysh tё gjitha konseguencat qё mund tё sillte njё trajtim i tillё… Njё shkrim i pashoq, qё i vlen shumё kohёs qё jetojmё, ёshtё edhe “Lodrat e Dipllomacisё”, firmosur gjithnji me pseudonimin e tij tashmё tё tё njohur “Ushtima e Sharrit”. Habia ёshtё se disa prej kёtyre shkrimeve iu lexuan edhe nё Gjyqin Special pёr ta rёnduar, simbas dokumentave tё vetё kёtij gjyqi!! Lexim tё kёndshёm

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.