back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Lola Shehi – Floriri poetik i një zonje të talentuar – V. Mato

Gazeta

Lola Shehi - "Rrugetoj mes dashurive"
Lola Shehi – “Rrugetoj mes dashurive”

Lola Shehi: “Rrugëtoj mes dashurive”

Ka dalë këto ditë libri i parë poetik i Lola Shehit: “Rrugëtoj mes dashurive”  i Shtëpisë Botuese “Vllamasi”…
Mbas ftohtësisë dhe thjeshtësisë së këtij lajmi, ti mendon se një urimi mirsjellje e shlyen detyrimin… Por, nuk është ashtu… Fakti që Lola është edhe “vajzë e nahijes sonë”, meriton shumë më tepër, dhe kjo bëhet edhe më entuziazmuese kur mendon se dalja në dritë e këtij libri prej nji gruaje mbas nji pritje të gjatë, duhej të ishte nji festë, nji festë e vërtetë sepse aty janë mijra ditë dhe ëndrra, mijra dëshpërime dhe gëzime të vogla jete, është vetvetja e një gruaje po dhe vetvetet tona përballë saj… edhe pse sot, botimi i nji libër ka rënë në nivelin e një kafe që pihet mbasdite diku… dhe ti trishtueshëm pyet: Po pse kaq poshtë ky tregu i dashurisë ndaj librit…?!
Me Lola Shehin nuk njihemi dhe as jemi moshatarë… Po edhe njihemi… sepse jemi shkolluar në shkolla të përbashkët, kemi ecur me qindra herë në të njejtën rrugë, kemi pasur mësues të përbashkët, ndoshta jemi ulur edhe në të njëjtën bangë, (sigurisht në kohë të ndryshme), kemi mjaft miq të përbashkët që nëse unë i them nji ajo më thotë dy, kemi pirë ujë në të njejtat çezma, i kemi lagur këmbët në të njejtin përrua që kishte një emër të ëmbël Lunja, gjë e cila sot më jep nji nostalgji të pamasë… Prandaj unë s’mund ta përcillja ashtu thjesht me një urim të thatë botimin e librit të saj të parë… Unë do të dëshiroja që gjithë miqtë e saj, shokët dashamirët e poezisë, fisi i saj i paepur, ta përcillnin kët ngjarje magjike për Lolën dhe për ta si nji festë, ku këto grimca shpirti të kësaj vajze,  (edhe pse vitet sigurisht e kanë bërë të vetën, ajo ende ndjehet e tillë), të gjenjë ngrohtësinë e meritueshme… Dhe ky libër i ri është nji provë kokfortë e atyre njerzve kokfortë nga të cilët vjen Lola Shehi edhe poezia e saj delikate… j.r      

Autorja e Librit Lola Shehi
Autorja e Librit Lola Shehi

Floriri poetik i një zonje të talentuar

Parathënie nga Vullnet Mato

Pasi shfletova deri në fund poezitë e këtij libri, mendova i befasuar për disa çaste: Njerëzit dikur, mblidhnin gjatë jetës me shumë kujdes, floririn e tyre të shtrenjtë dhe e ruanin në një qyp, për të ardhmen e nevojshme. Kjo zonjë e talentuar, ka mbledhur qysh nga vitet e rinisë, të gjithë floririn e saj poetik, pa botuar apo publikuar asgjë deri tani, për të dalë me dinjitet artistik në mejdanin krijues të ditëve të sotme.
Mund të ketë edhe krijues të tjerë që e kanë bërë këtë lloj konservimi poetik. Por poetesha Lola Shehi, dëshmon me nivelin e lartë artistik të poezive të saj, se me një durim të pazakonshëm, ka arritur të përsosë, pothuaj të gjithë elementet stilistikë të vargjeve të poezive, për të debutuar sot, si një krijuese me përvojë dhjetëravjeçare, por edhe me tingëllimin poetik bashkëkohor.
Mjaftojnë këto dy strofa për të ilustruar idenë e shprehur më lart:

Ç’ishte vallë, ajo ndjenjë, që më riktheu,
Të derdhem vrullshëm drejt vargjeve të mia,
Me ç’përralla të ëmbla, shpirtin më gënjeu,
Të gjej prehjen magjike aty ku çel poezia?…
Ndoshta qe dhimbja, që shpirtin kishte mbushur,
E ndoshta prej kohësh, po kërkonte shërim.
Nga frika e humbjes, po më rëndonte çatia,
Binarët kërcisnin, si kukuvajkat në vajtim…
(Kur të puth poezia)

Vullnet Mato
Vullnet Mato

E them me gojën plot, se kushdo nga krijuesit, do ta kishte zili poezinë me titull: “Ti s’e di ç’është dashuria” për thellësinë e mendimit përcaktues, se ç’është një dashuri e vërtetë në jetë:

Të më thuash, shpesh “të dua”, vallë kjo quhet dashuri?!…
Të thuash dhe të duash vërtetë, është krejt gjë tjetër.
Dashuria është ndjenjë, është gjak zemre, lot e pafajësi,
Dashuria, nuk është dy firma, në librin e celebrimit të vjetër!
Të thuash, “të dua”, janë dy fjalë, si fije kashte të tharë,
Dashuria është mijëra fije, është, mijëra ngasje e ndjesi,
Dashuria është fllad, është flakë, është diell rrezear,
Dashuria është puls në lëkurë, është në damar ngrohtësi!
Dashuria është, libër i hapur, është gjethe vjeshte,
Që vallëzon edhe kur era me shi e përplas pa mëshirë,
Dashuria është, gjëmim, është furtunë, është tallaz jete,
Dashuria është aroma e njeriut të sinqertë, si lulja erëmirë!

Lola Shehi shquhet në këtë libër, jo vetëm për ndërtimin me gurë të gdhendur të vilës  së saj poetike, por edhe për llojin e gurit dekorativ, të zgjedhur me mjaft shije e merak, nga e gjithë gjeografia tematike dhe problematike e shoqërisë shqiptare. Dashuria, familja, tradhtia bashkëshortore, veset e ulëta të depersonalizimit njerëzor, janë tullat që ndajnë muret e dhomave dhe tjegullat që mbulojnë çatinë e kësaj ndërtese të bukur, të titulluar” “Rrugëtoj mes dashurive”.
Ja, si e shpreh ajo, si nënë me përvojë jetësore, shqetësimin e saj, për kotësinë e shtyrjes së ditëve, nga disa të rinj:

I shoh të mbledhura bashkë, diku në një mjedis,
Secila, një gotë verë të bardhë në dorë dhe një celular.
Nuk shoh të trokasin gotat, a të ngrenë ndonjë dolli,
Nuk dëgjoj biseda, bashkëbisedues, është tymi në cigar.
Po ç’bën kështu, o e bukura rini, në lulen e jetës?
Ku është kënga, ku është fjala, ku është vrulli rinor?
Keni harruar të flisni, të shpalosni brendësinë e vetes,
Po dhe kur mblidheni bashkë, ju mbetet celulari ne dorë?
(Rini është kjo?)

Një nga veçoritë e spikatura, të kësaj poeteshe, është ndërtimi dhe ecuria logjike e mendimit poetik, nga fillimi, në fund të çdo krijimi, pa u endur nëpër lëminj vargjesh parazitarë, që përsëritin ide te shprehura më parë, siç ndodh shpesh sot me poetë që kanë pak për të thënë. Lola është një nikoqire e mirë në çdo gatim me shije për lexuesin, duke shprehur gjithmonë ide të reja, të pathëna nga të tjerët dhe duke lënë ide të tjera të nënkuptohen, në thellësinë e ajsbergun të vet. Nuk po zgjatem më tej, për t’ia lënë lexuesit të gjykojë, pasi t’i dalë në fund këtij libri, me bindjen e plotë, se do të gjejë shumë herë me tepër pluse, për t’u shtuar vlerave të këtij botimi dhe në poezi të veçanta, do të emocionohet si rrallë herë, nga vargu i saj, që ka brenda melodinë e këngës, ritmin e ëmbël, dhe mendimin e koncentruar në një figuracion plot elegancë dhe finesë femërore.
Vullnet Mato – shkrimtar, redaktor i librit.

Nostalgji...
Nostalgji…

Shtatë Poezi nga Lola Shehi

I bekuari mall…

Paskam mall të paharruar, shumë mall;
Kam mall dhe s’di më tepër se për kë…
Për nënën, a vajzën që kam larg…
A ndoshta, kam mall, për… dikë!

Përse më ka pushtuar, kështu ky mall,
Ndërsa shpirti i lodhur, kërkon qetësi?
Fanepset një dritëz, që s’ka emër, as fjalë,
Nuk di… në është mall… apo dashuri…!

Nuk di, në është këngë, apo zjarr e flakë,
Prej meje, nuk di tani çfarë kërkon,
Herë shfaqet si rimë, herë shfaqet si varg,
Herë shfaqet si marsh nostalgjie që gjëmon…

Nuk po di vërtet, çfarë emri t’i vë,
Nostalgji, apo dashuri, jam tepër në hall…?!
Më ka kapur për gjoksi, të marr frymë, s’më lë,
Bekimin po ta jap, o i bekuari mall…!

Rikthim

Po rikthehem tek ti, e imja poezi,
Po rikthehem sërish, i ëmbli vargu im,
Më ndje, që të largova padashur si fëmi,
Teksa priste të ushqehej në gjirin tim…!

I mblodha fjalët, një nga një i ledhatova,
Pluhurin e viteve, ua fshiva nëpër natë,
Pak drit’ e frymë, nga shpirti im u hodha,
Dhe ato nisën të flasin, të rreshtohen varg…

Vargje që pa kuptuar, mblidheshin në strofa,
Vargje që zemrën time, e bënë të rrahë fort,
Vargje që për dashuritë e mia, gjëmonin si lodra,
Dashuri, që nga shpirti im, zbrazeshin si lot…

Në vendlindje…

O fushë me dritë të gjelbëruar
Kam lënë ca ëndrra, këtu tek ti,
Kam qeshur, qarë edhe vrapuar,
Si zog shtegtar, vij përsëri!…

E ëmbla ime, si vashëz e bukur,
U ktheva prapë, ndihem fëmijë,
Vallë nuk të kujtohet ajo flutur,
Çelur mes shkurresh, atje nën ullinj?!

Vite më parë e veshën nuse,
Lulet i zgjodhën prej gjoksit tënd;
Lotët që derdhi, çelën burbuqe,
Si s’të kujtohem, si s’më mbake mënd?!

Kujtimesh shkundu, vendlindja ime,
Dil e priti vajzat, se paskan shumë mall,
Buzët zhuritur, nga rrug’e largësive,
Djegur dashurie, a nuk je dhe ti, vallë?

Gjuhomania

Keni provuar të kërkoni një punë?
Doni të shikoni kriteret e kërkuara?
Kërkohen diploma, njohuri për majmunë,
Dhe gjuhë të huaja, të folura e të shkruara?

Thua mos vallë jam ngatërruar
Dhe ç’ka flas, janë vetëm vegime?
Në Shqipërinë time, ndihem e huaj
S’punoj dot, duke folur gjuhën time?

Nëse punëdhënësi këtu, nuk flet shqip,
Të gjithë duhet të flasin gjuhën e tij?
Më thoni, kush mendoi për vendasit e mi
Kur ata ikën, larg diku në emigrim?

Ata, që paskan vendosur kriteret,
Të vjen për të qeshur, s’shkruajnë as shqip,
Plot gabime e shkarravisin, të mjerët
Frikem, do harrojnë dhe ta flasin një ditë!

Dhe tribunat, buçasin me gjëmim:
“Rilindje, rilindje, për Shqipërinë!

Politikani dhe gomari

U takuan në rrugë, një gomar e një politikan.
U puthën me mall e nisën të kuvendonin.
Gomari ankohej, kam halle, sa shpina s’m’i mban.
Po hallet e politikanit, atyre të gomarit ia kalonin.

Të dy, tha gomari, kemi të njëjtin zanat,
Mua, gjithë jetës, nuk m’u hoq ngarkesa,
Eh, psherëtiu, me shpirt politikani,
Ty gomar, të paktën, s’të vret pendesa!

Të drejtë ke, i tha më në fund gomari,
Un’ s’premtoj gjë, mbaj ç’më vënë mbi shpinë,
Kurse ti, miku im, sapo merr detyrë-samarin,
Me gënjeshtra e premtime, mbush njerëzinë…!

Robert William Vonnoh - Mbledhset e Lulkuqeve
Robert William Vonnoh – Mbledhset e Lulkuqeve

Ëndrra të braktisura…

Për vite me radhë, shpesh kam menduar,
Sikur me Ty të isha, fati im të ishe Ti!
Çdo ishte jeta ime, më e lumtur, a më e trishtuar?
Ndjenjë që zien vullkan, drithërim, a qetësi?!

Pranë teje në ëndrra, natën shpesh kam ardhur,
Me buzët zhuritur, nga puthjet përvëluar,
Vetëtimë jam kthyer, dita akoma pa zbardhur,
Dihatur, djersitur, në shtrat tjetër jam zgjuar!

Shpeshherë, eh jam ndjerë, edhe në faj,
Shpeshherë nga ëndrra dhe jam turpëruar…
Një çast, fliste zemra… unë heshtja pastaj,
Në ëndërr me Ty, mijra kilometra, udhëtuar!

Magjinë e ëndrrës së largët e ruaj në gji,
Zemrën që rreh fort, e shtrëngoj me duar,
Çlirohem, marr frymë, se Ti… nuk e di,
Sa herë në ëndërr, jemi dehur e përvëluar!

Të të urreja, nuk munda, nuk ia arrita dot,
Se të urrej, jo, jo, nuk qenkam gatuar,
Të paskan falë, veç buzët… por më kot,
S’të ka falur zemra, aq keq plaguar…!

S’e di, nëse ndonjëherë malli të djeg shpirtin,
Si ulkonjë e plagosur a klith: po Ti, ku je?
S’e di, nëse Ti, magjepsur, më sheh në ëndrra,
Apo dhe ëndrrat, si mua braktisur i ke!…

Melodi e fyellit

Kam mall… shumë mall, për Djalin me fyell,
Që shpirtin më mbushte, me të ëmblat melodi.
Mbi kaçurrelat e zeza, vallëzonin lulet e shegës
Dhe zogjtë spektatorë, gëlonin lart në pafundësi.

Ndonjëherë, me ngulm i kërkoja, një melodi me fyell,
Nga ato simfoni shpirti, që dinte t’u frynte, vetëm ai.
Lehtë, tundte kokën, shikimin nga unë përdridhte…
S’jam aq i trishtuar, sa melodia të më burojë, moj bijë!

Isha e vogël dhe gur më rëndonin, ato fjalë…
Si mundej, që melodia e kënga, të lindte në mërzi!…
Si zog mblidhja supet, atë që thoje, s’e perceptoja:
“Melodia s’del nga gazi, por nga marazi, moj bijë!”

Kur zemrën e artë, hera- herës, trishtimi ta pushtonte,
Mes gjelbërimit aromë trëndeline, puhizë vinte një melodi,
Një lot si rubin më rrokullisej mbi faqet e njoma,
Me buzët si trëndafil i çelur, belbëzoja ritmin e tij.

Ato melodi, si thesar i çmuar mbaj brenda shpirtit tim,
Kur më rënkon shpirti, si dikur shpirti yt, baba,
Kur këmbët s’më përgjigjen, kur frikem se rrëzohem,
Ajo melodi fyelli… më mban peshë… më ngre në krah!

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Lola Shehi-Çela (është kushërira ime dhe unë ndjehem shumë e entuziaste nga dalja në dritë e librit të saj të parë: “Rrugëtoj mes dashurive..” Vërtet kjo është festë për të gjithë ne që e duam Lolën. Sigurisht këtë festë ne do ta organizojmë në Gusht, ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, gjatë leximeve të poezive të Lolës sonë, dhe ku do të marrë pjesë i gjithë Fisi Çela, por edhe shokët e shoqet e fëminisë të lindur e të rritur bashkë me ne, në Karbunarën e Madhe. Pra në vendlindjen tonë…
    Me kët rast unë po citoj edhe disa vargje të Lolës “O fushë me dritë gjelbëruar,/ Kam lënë ca endrra këtu tek ti/ Kam qeshur, kam qarë,/ Edhe vrapuar si zog shtegtar, do të vij përsëri…” Sa bukur…!
    Miqte e mi po e mbyll për sot… Duke falenderuar shokun tim të fëminisë Jozef Radin, i cili nuk është asnjëherë indiferent në evenimentet tona, ku edhe ai ka një pjesë të fëminisë së bashku më ne në Karbunarë…
    Edhe një herë Falemnderit Nini!

  2. “Kjo është një provë kokfortë, nga ata njerëz kokfortë që vjen kjo vajzë…”
    Ky rresht është mrekullia e këtij shkrimi, që askush më shumë se ai që i ka njohur nga afër këta njerëz, nuk do mund ta përshkruante…
    Faleminderit Jozef Radi

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.