back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Luanët nuk bëhen kurrë dele! – nga Ervina Toptani

Gazeta

Fiqiri Llagami (1913-1978)
Fiqiri Llagami (1913-1978)

Në nderim të kujtimit e vuajtjeve të djemve tiranas,
një pjesë të të cilëve i kemi ende në mesin tonë fatmirësisht,
që nuk i përkuli diktatura, as terrori që ajo mbolli,
e as torturat makabre që provuan në trup e shpirt. 
Bujar Bakalli, një ndër “çunat tironas”, që disa prej atyre përjetimeve
të kohës në burgjet e ferrit e ndau me mua e unë me lejen e tij,
kam dëshirë ta ndaj me ju. Ajo që do të lexoni më poshtë është dëshmi e tij,
e plotësuar nga unë në një shkrim të plotë,
në kujtim të 43 vjetorit të ndarjes nga jeta
 të gazetarit, kritikut letrar, publicistit e analistit, Fiqiri Llagamit.

Bujar Bakalli
Bujar Bakalli

Luanët nuk bëhen kurrë dele!

nga Ervina Toptani

…Kam parë dhe unë si shumë njerëz të tjerë këto vite, dokumentarë, filma e rrëfime nga njerëz të ndryshëm për Luftën e Dytë Botërore. Trajtimin e ligsht të hebrenjve në kampet e përqëndrimit e burgjet e kohës në disa vende të Europës. Shumë prej nesh, sikurse dhe unë e kanë parë filmin “Pianisti” nën interpretimin e mrekullueshëm të Adrian Brody, transformimin e çuditshëm që pëson një gjigand i skenës, i lënë në kushte të tilla çnjerëzore, frika e terrori që e bën njeriun të harrojë kush është e kush ishte. Kthehesh në një qenie, e cila përveç dëshirës për të shpëtuar gjallë, nuk reflekton asgjë tjetër më shumë. Por mendoj se torturat që shumë njerëz provuan nuk ishin asgjë në krahasim me çfarë njohën ata nga sadismi njerëzor. Ata panë në vetë të parë, mbi lëkurën e tyre transformimin e njeriut në kafshë, panë torturuesit e tyre të shndërruar në hiena, që ndoshta dhe historia e mesjetës, ajo më e hershme ende, do i kishte rradhitur ndër “të tmerrshmit” e njerëzimit. 
Ndoshta torturuesit nuk pësuan ndonjë “zhgënjim” nga vetvetja. Ata vetëm kishin pritur rastin më të favorshëm të tregonin sa të zotë ishin me intelektualët, djemtë e pambrojtur e me hekura në duar e këmbë, shpesh edhe me gra, pleq e fëmijë, të cilët i përdorën deri për t’u marrë gjakun me shiringë e për të ushqyer me të, të keqen e madhe që kishte marrë emrin “sundues”. Viktimat e tyre ishin thjesht numra, njerëz që kishin reshtur së trajtuari si të tillë, që nuk kishin më një të shkuar e aq më pak një të ardhme. Në sytë e armikut, diktatorit e shumë të tjerëve që me zell të veçantë i shërbyen misionit vrasës e transformues të njeriut, ata ishin skllevër pa asnjë të drejtë… 

Në fund të vitit 1977, mbërrij në spitalin e burgut të Tiranës. Vagoni ku ne nxirrnim bakër nga minierat në Spaç, më kishte rënë përmbi këmbë, e të pestë gishtat më ishin dëmtuar rëndë aq sa ishin bashkuar në një… Të nesërmen, dy mjekë kirurgë bënë një punë të shkëlqyer duke “rregulluar” aq sa mundën nga dëmi i shkaktuar në këmbën time. Gjatë operacionit dëgjoj shefin e spitalit që u thotë: “Rregullojani mirë këmbën djalit se duhet të nxjerrë dhe shumë vagonë të tjerë bakri ky atje!!”. Tre ditë më mbas, mbërrij në Burgun e Tiranës, i cili ishte plot e përplot me djem të rinj. Aty gjej shokun tim të dashur Ylber Darova, i cili duhet të kishte dalë nga burgu pesë a gjashtë muaj më parë. Por ditën që do të lirohej, mes entuziazmit të shokëve të burgut e përcjelljes masive që ata i bënin çdo shoku të tyre në ditën e lirimit, oficerët e “vdekjes” i dolën tek porta kryesore dhe i thanë shprehjen parrullë, e cila supozohej të ishte “surpriza” që ata vetë e gëzonin kaq shumë: “në emër të popullit jeni i arrestuar!” 
Kështu pa dalë ende nga porta kryesore, shoku im po edhe shumë bashkëvuajtës të tjerë tanët, riktheheshin në qelitë e vdekjes. 
Sigurisht nuk mund të përshkruhet vuajtja që njeriu i pafajshëm ndjen në këtë moment. Ankthi, dhimbja dhe emocioni negativ që e bëjnë zemrën të shpërthejë, kalon vetëm prej ngushëllimit të shokëve që ke pranë, përndryshe njeriu vdes…! 
Para dy ditësh pata mundësinë të takoja një njeri nga familja e kisha disa ushqime në trastë. E ndamë bashkë atë copë bukë e Beli thotë: 
“Si këtë herë rrallë më ka bërë vaki. As në ‘45, as në ‘55 e as në ‘70 nuk kanë bërë kështu. Mua më bënë si top futbolli!”. 
Filluam të qeshnim… se dhe ne dinim të qeshnim, por vetëm me vuajtjet tona… Zvogëlohej dhimbja kur ti i qeshje vuajtjes sipër. Beli vazhdon: “më bënë dhe këtë në birucë, më bënë edhe atë tjerën, prit se dhe këtë ma kanë bërë. Ore se harrova këta më shtuan dhe 10 vjet të tjera, pa akuzë fare…!”. 
Qeshëm sa qeshëm se luanët nuk qajnë dhe ne këtë e dinim mirë e në fund shtoi: “S’lanë gjë pa bërë mbi ne. Shkurt, Bujar, këtë rradhë m’i bënë të gjitha!”. 
Dy a tre orë më vonë hapet dera e qelisë dhe hyjnë tre të burgosur. Mes tyre dalloj një njeri të mbledhur gati krruspull që mezi ecte e mezi dallohej që ishte njeri… 
Ishte Fiqiri Llagami, i shkatërruar plotësisht. Nuk e njohu askush nga ne në fillim. Ishte orari i çajit të mbrëmjes që kishim racion si vakt ushqimi. U munduam që dhe Fiqiriu të hante diçka sado të vogël. Pastaj bashkë më një djalë tjetër të ri i cili dhe ai sapo kishte ardhur në atë burg e morën në krahë, e ndërruam, e ndihmuam sa mundëm gazetarin, publicistin, kritikun letrar dhe analistin që kishte mbaruar universitetin e Sorbonës në Paris, shkëlqyer dhe ishte kthyer për t’i shërbyer Shqipërisë! 
“Rrofshi, Zoti ju ruajtë e ju dashtë” – na tha. 
E mbështeta në supin tim, e mbulova me batanije dhe shpejt e zuri gjumi. Në krah kisha Belin, i cili e shihte Fiqiriun që dremiste si fëmi e më thotë: 
“Bujar, nuk kam pasë rast kurrë të jem i pranishëm kur hapet një varr pas vdekjes së një njeriu. Ta shoh si duket njeriu kohë pas vdekjes. A thua na ngjan ne? Ty të ka rënë ndonjëherë rasti ta shohësh këtë gjë?” 
“Po unë s’kam punu vorraxhi mor Bel, që më bën kësi pyetjesh!” – i përgjigjem e qeshëm përsëri. 
“Dëgjo Belin çfarë po të them Bujar. – vazhdon ai – Transformimin që i bën njeriut sadizmi i komunizmit shqiptar nuk ia bën as varri!”. 
Unë e shokët e mi i kemi parë këto skena me qindra herë. Ishim dhe ne çdo ditë në listën e vdekjes… 

Fiqiri Llagami me zonjen e tij Hedije Sharra - Llagami
Fiqiri Llagami me zonjen e tij Hedije Sharra – Llagami

Po kthehem dhe njëherë së fundi tek filmi “Pianisti”, që rrëfen historinë që më dhemb shumë se kam parë dhjetra e dhjetra intelekualë të mirfilltë që kishin mbaruar universitetet më të mira të botës e që u kthyen në vendin e tyre për të gjetur vdekjen në format më makabre. Transformimi që pëson artisti në këtë film, nga gjeniu i skenës në një mjeran që dridhej mes predhash që i lëshonte herë njëra ushtri vrasëse e herë tjetra, përpjekjen e tij titanike për të shpëtuar e për të mbrojtur jetën, më kthejnë edhe njëherë tek kujtimi për zotninë e mrekullueshëm që nuk i kthehet më këtij vendi, Fiqiri Llagami. E lanë të vdiste pa asnjë ndihmë mjeksore e askush nuk iu përgjigj vuajtjes së tij në grahmat e fundit të jetës, në “Vorrin e Ballshit”, siç e ka quajtur atë vend i madhi Patër Zef Pllumbi. 
Fiqiri Llagami ishte një prej patriotëve të Panteonit të lartë që iu bashkua thirrjes “Jemi Europë e vjetër”, që punoi e dha gjithçka kishte për të kontribuar në formimin e shqiptarëve, që sakrifikoi jetën për lirinë e fjalës e të shtypit të lirë. 
Ndoshta u zgjata paksa për të treguar një kujtim që e kam jetuar vetë, por më shumë doja ta tregoja këtë në formë proteste se ne të gjallët kemi për detyrë të tregojmë për ata që nuk janë më midis nesh, sa kohë që askush në Shqipëri, nga instancat që e kanë për detyrë, nuk kujtohet t’i shkruajë dy fjalë në nderim të djemve më të mirë që kishte kombi e që diktatura me në krye “njeriun e ri” i çoi drejt varrit prej frikës që kishin nga drita që ata rrezatonin. Por, përsëri dritën e tyre nuk e shuan dot edhe pse i vranë, i masakruan familjet, e i lanë edhe pa varr. Ajo dritë nuk do të shuhet kurrë.

“Transformimin që i bëri komunizmi shqiptar njeriut nuk ia bën as varri!”, kjo shprehje e Ylber Darovës, mikut tim të dashur, mbetet postulat i thënë në burgun e vdekjes. 
E siç thonë, fjala ka këmbë dhe fjala e hidhur erdhi deri tek ne, në Spaç, në ditët e para të vitit 1978, vdiq Fiqiri Llagami. Vdiq një djalë që nuk i vjen më Shqipërisë. Shqiptarët sot e kanë për detyrë t’i nderojnë heronj të tillë, por siç kam vënë re ende heshtja për yje si këta burra, mbretëron njësoj si varri pa emër… 

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Kujtime të zotit Bujar Bakalli, në 43 vjetorin e ndarjes nga jeta në Burgun e Ballshit, të gazetarit të shkëlqyer, analistit, kritikut letrar e publicistit Fiqiri Llagami. 
Sjellë për ju, me respekt e përulje për këta djem tiranas që nuk i vijnë më këtij vendi, 
Ervina Toptani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.