back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Luke Kaçaj, basi ma i famshëm shqiptar i të gjitha kohërave – nga Leonardo Voci

Gazeta

Luke Kaçaj (1924-2001)
Luke Kaçaj (1924-2001)

Luke Kaçaj, basi ma i famshëm shqiptar i të gjitha kohërave

nga Leonardo Voci

Kolosi i paarritshëm, miti i skenës operistike botërore, këndon e dëgjohet përsëri… falë Zotit.
Fati tragjik, lidhet me emrin e tij dhe shekullin e kaluar, si një e vërtetë e tmerrshme, dëshmi dhune kriminale komuniste, mbi kollosin e kantos shqiptare, i cili erdhi si një meteor i të gjithë shpirtrave që s’mundën të flasin.
Zani i i tij e çau universin, duke përçuar lajmin e të gjithë të vrarëve, e të pushkatuarve, e viktimave të pafajshme, të pambrojtura, në qiell te hapur.
Zotat që deshën shqiptarët, prej Zanit te tij, u zgjuan prej gjumit, engjëjt mbrojtës dërguan shpëtimtarët për shqiptarët, që të shpëtojnë pasardhësit e arbërit e bijtë e shqipes, nga darët e krimit ma te egër e te shëmtuar komunist-hoxhist.
Fati i gjeniut të lindur në Bajzë të Kastratit, të shkolluar në Shkodër në kolegjin franceskan, do te farkëtohej, duke djegur e shkelur barbarisht mbi të gjithë Veriun ee kulturën tij. Por zani i tij, mbijetoi mbi dhunën e poshtërsinë, mbi pabesinë e egërsinë, mbi vuajtjen e vetminë, që i rezervoi fati i pamerituar…
Mbijetoi zani hyjnor, emri e fama, e vërteta dhe e drejta, shpirti i pastër e i bardhë, besimi kristian katolik shkodran, dinjiteti dhe qëndresa malësore, shpirti fisnik e falja burrnore, qenia e plotë kombëtare shqiptare.
Basi gjigand shqiptar e lidhi jetën e fatin e tij me kombin, me atdheun, me familjen, me operën, me lirinë.
Rrethet e kritikës së muzikës klasike, operistike, u rropatën ta quanin të barabartë me Karuzon, me Shaljapin. Por, ai tejkaloi bashkëkohesit e tij me në krye Nikolai G’jurovin ne La Skala te Milanos.
Luk Kaçaj mbizotëroi skenat e operas botërore të Balshoj Theatër të Moskës e të Sant Petersburgut, të Pragës, të Budapestit, të Berlinit të Varshavës, të Bukureshtit dhe Tiranës. Ai do të mbetej timbri më i paarritshëm dhe sfidues dhe për yjet e mëvonshëm, Pavarotin dhe Domingon, të cilët dominuan skenat botërore të operës, në një kohë kur qëndronte i burgosur në Shqipëri, zani i të madhit Luk Kaçaj, prej diktatorëve gjakatare të Shqipërisëe komuniste.
Historia e muzikës klasike botërore, nuk njeh një shembull të tillë të ngjashëm, se si egërsia mizore komuniste, u turr si një bishë e çmendur mbi korifeun e vet.
Të tmerruar, prej famës dhe oshtimës së zërave të përbashkët që përfaqësonte, kuptuan se duke e burgosë dhe mbyllë në qeli, të shoqëruar me dhimbje dhe tortura, do të vrisnin magjinë e zërave hyjnore, që do shekuj për të farkëtuar gjeni të tillë, e ta dërgojnë në tokë, si dëshmitarë dhe komunikues.
Një kombi të caktuar, Shqipërisë, ja dhuruan për bamirësi Zotat e përjetshëm, që ne duam fort të besojmë se ato egzistojnë. E bash ky Zot i skenës operistike shqiptare, u kthye në, një za universal që i fali gjithë botës, në gjuhë të kompozuara dhe kënduara me mjeshtëri si në italisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht dhe padiskutim në shqip, ku shkëlqeu me arien …O ju male… kompozuar nga kompozitori shkodran Çesk Zadeja.
Tonaliteti i basit, ky zë i shtrirë, i gjerë, i thellë, që vjen e mbaron në male, ashtu, si prejardhja e Luk Kaçaj prej Bajzës së Kastratit, do të prehej më vonë në të njejtin mal, ku prehet dhe shenjtori gjithbotëror i shekullit të 12-të, Shna Ndou, tonaliteti i këtij zani shenjtnor, i bekuar katolik shqiptar, unik, universal, ndodhet në shenjtërine e vet, me famën dhe rrezatimin, në vuajtjen dhe dhimbjen, me dashurinë e faljen, me qetësinë e gjerësinë, me oshëtimën dhe bukurinë, me vërtetësinë dhe lirinë, në besimin dhe shpresën e përjetshme.
Ne shqiptarët e patëm këtë gjeni! Kriminelët komunistë na e vranë fizikisht. Të gjithë duhet të ndjehemi të poshtëruar.

Luke Kaçaj dhe Ana Jakova
Luke Kaçaj dhe Ana Jakova

Padiskutim edhe unë si qytetar i këtij vendi, si bashkëkombas shqiptar, me keqardhje them që nuk pata mundësine e moshën e reagimit, që ta mbrojmë këtë akt mizor.
Prandaj dua sot e mot ta kujtojmë këtë gjigand të madh, të artit elitar, të operës shqiptare.
Në këtë 100 vjetor, kur të gjithë kujtuan të ngjashmit e tyre, të afërmit e tyre, të ikurit dhe të kthyerit e dyshimtë, nëpër art e histori , në shkencë e letërsi, si dhe ata që paguan për t’u lavdëruar, që u vetdekoruan dhe që u ngritën në piedestale, përsëri gabuan, sepse Luk Kaçaj vezullon mbi zana të tjerë, oshëtin nëpër majet e skenave shqiptare, që të kujtojnë erërat që rikthehen tek ikonat, për të rikujtuar madhështinë, nëpër kohra, ashtu, si në kishën e Shën Sofisë në Konstandinopojë, Stamboll; dhe atë të Shën Pjetrit në Vatikan.
Luk Kaçaj, jo rastësisht prehet në një mal të shenjtë ku qëndron, kisha e Shna Ndoit në Laç.
Dua t’Ju risjell ndërmend kolonën zanore tek filmi “Skënderbeu”, ardhjen prej lashtësisë, të plakut të verbër me qengjin në dorë, duke kënduar kangën “ O ju male”. Ky është një përjetim biblik, ku arti prek historinë, e kinematografia shigjeton imagjinatën.
Luk Kaçaj këtu – bashkon zanin burrërror shumë shekullor shqiptar, me pathosin dhe heroin kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin, tokën e praruar me Krujën e bekuar, qëndresën e përgjakur.
Kangëtarin Lukë – lahutarin e verbuar, me qengjin në duar, ku paqen e mitologjinë e shkrin me mesjetën dhe jep shpresën për të ardhmen, duke ruajtur kujtesën.
Luk Kaçaj personifikon shkollën dhe shkallën më të lartë të të kënduarit me diafragmë, talentin e kombinuar me punë dhe përkushtim, zanin e lindur e të latuar me shkollim kishtar e profesional, aktorin e lindur për të zotëruar skenat botërore, ashtu si Aleksandër Moisiu i madh me qëndrimin elegant në skenë dhe zotërimin e saj, të kohës, kur ai këndoi dhe jetoi, e shekullit, që arriti të mbijetojnë artistikisht zani i tij.
Luk Kaçaj mbetet dhe për shekujt që do të vijnë, besoj, si zani më i madh i gjitha kohërave, ndër shekuj e ndër shqiptarë. Zani i tij do të oshëtijë ndër male dhe fusha, ndër pyjet e larta, në paqë e në amëshim, duke pushtuar të gjitha hapësirat qiellore e labirinthet, edhe përtej varrit, duke tmerruar e ndjekur të paaftët, ziliqarët, spiunët e diktatorët, dashakeqësit e puthadorët, hileqarët e ithnakët, të pabesët dhe dinakët, eunukët dhe të poshtërit, si një kod etik, moral e profesional.
E dua këtë Luk Kaçaj, si njeri, si shqiptar, si fe, si bestytni, si profesionist, si gjeni, sepse asht jo vetëm për mua, shembull i paarritshëm, se jam pjesë e dua të ndjehem produkt i shpirtit të tij, adhurues i përgjithmonshëm për këtë; idhull e mit, po ashtu edhe për të ngjashmit e mi.
Kjo legjendë e lindur, i dha çdo gja kombit të tij, dhe sipas dëshirës, u preh në këtë tokë shqiptarisht, në paqë hyjnore.
Të kërkoj falje personalisht, publikisht, njerëzisht, o Mjeshtër i Madh i Skenës së Operës Shqiptare po edhe asaj botërore… për dhimbjen që të shkaktuan, bashkëkombësat e tu e të mi njëkohësisht, në kohë të errëta, për vuajtjen e tmerrin që të gatuan qeniet e vogla, të pabesa, mizore – këngëtarucët ala shqiptare… që u banë spiunë dhe vegël, kundra botës e vetes..
Fali o Zot – se s’dinë çka bajnë – thuhet në Bibël. Kriminelët komunistë shqiptarë e ditën mire çka po banin, kur arrestuan Luk Kaçaj me 1975, në shkallët e Akademisë së Arteve, në prani të qindra studentëve e pedagogëve, gjeniun e skenës operistike… dhe si Jezusin e kryqëzuan dhe gjakosën me dëshminë e ulta dhe tinzare të jokolegëve te tij, shërbëtorë dhe spiunë të regjimit komunist.
Por s’arritën dot, as ata dhe as urdhëruesit gjakatarë komunistë të ulin madhështinë e tij, ta zhbanin zanin e tij. Për fat të keq, artistët bashkëkohorë u zbythën dhe pranuan mbijetesën, krijuan vetcensurimin.
Luk Kacaj u vetsakrifikua për të tjerët, për artin e madh, për operën, zanin e fatin e tij, për besimin e mësuesin e tij françeskan, Gjergj Fishtën që me vargjet e recituara nga fillimi deri në fund të “Lahutës së Malcisë”, vulosi shpirtin e dhanë për vendin e kombin e tij, për ne të gjithë bashkëkombasit shqiptarë për lirinë, për shpresën.
Dhe në këtë shekull të ri, kombi shqiptar që vjen prej lashtësisë dhe thellësisë së mijra vjetëve dhe maleve kreshnike, e pati dhe e ka, edhe këtë za të jashtzakonshëm – falë Zotit, që Zotat ja dhuruan – Luk Kaçaj. E ky Luk Kaçaj – na dhuroi ne – zanin e tij.
Sot nën tinguj e zanit buçues, e dua edhe më shumë dhe e shijoj lirinë, me Don Xhovanin e kënduar nga basi i famshëm shqiptar i të gjitha kohrave.
Për Krishtlindje e Vitin e Ri 2013, festuam shpresën, dhe me 100 Vjetorin, festuam lirinë dhe Pavarësinë.
Zani i tij, na risolli kujtesën, prejardhjen, kangën që e shoqëroi njeriun qysh prej lindjes së tij e përjetësisht…
Të njëjten gja, jua rekomandoj edhe juve, bashkëkombas shqiptarë, shijoni këtë bas madhështor shqiptar, krejt ndryshe dhe unikal, pasurohu me ndjenjë në shpirt dhe krenohu, mendohu se si arriti të mbijetojë emri dhe fama e tij, zani hyjnor dhe e vërteta, vuajtja, e shpirti i pastër, i bardhë, besimi i lashtë shkodran, dinjiteti dhe qëndresa malësore, fisnikëria dhe falja burrërore.
Asht rastësi dhe fat i madh, që kemi të ruajtur zanin e këtij basi gjigand shqiptar; këtë za limit e shkollë të veçantë, bas të thellë e të gjanë, që si bora që shkrin, ikën në damarë ujorë nëntokësorë, e përsëri buron nën akull, duke na falë ngrohtësinë e jetës, besës dhe shpresës, bukurinë e pushtimit të ndjenjës, dashurisë dhe kujtesës e na mbushë me magji…
Sheraton Tirana, Krishtlindje 2012

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.