back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lulja ose Nata e Shënkollit Flutra Malo-Kuqani

Gazeta

Shën Nikolla (Shën Kolli)
Shën Nikolla (Shën Kolli)

Lulja ose Nata  e  Shënkollit

(fragment!)

nga Flutra Malo-Kuqani

6 Dhjetori, asht Dita e Shën Kollit, e shenjtorit i cili mbetet nga ma të njoftunit, ma të dashtunit e ma të nderuemit e fesë kristiane… Pra, sot asht dita e këtij shenjtori me rranjë të forta në traditën dhe kulturën shqiptare, po asht edhe dita e gjithë atyne që në nderim të Tij gëzojnë emnat Nikollë, Nikollaq, Nikolin-a, Nik, Nicol, Kolë, Kolec, Nikoleta, apo edhe emna të përshtatun gjatë regjimit si So-Kol, apo Bes-Nik…
Nga kujtimet e mia të hershme mundem me kujtue nanën time, aq e devotshme ndaj këtij shenjtori, që në netët e ftohta të dhjetorit na mblidhte rreth shporetit në Natën e Shën Kollit ndërsa përgatisnim Pemën e Kërshndellave na këndonte nji kangë shumë të vjetër ku përmendeshin disa mrekulli të këtij Shenjtori të madh… disa vargje të cilat ende i kanë mbetë kujtesën sime përtej nji gjysëm shekulli, dhe më vijnë të gjalla edhe sot: “Deadati djalë dishiri/ kje grabitë e çu n’gurbet/ vjen Shën Kolli prej Misiri/ për hava e çon në shpi të vet…”
E përcjellin Ditën e Shën Kollit me nji rrëfim tejet të dhimbshëm të znj. Flutra Malo-Kuqani, të cilën gjejmë rast edhe ta falenderojmë… j.r.

Flutra Malo - Kuqani
Flutra Malo – Kuqani

***

Po afronte dhjetori…
Atë vit ishte nji dimën i ftohtë, dhe era frynte  e  hynte prej gjithë  plasave të drrasave të asaj  ndërtese që  ishte  ngritë  rreth  viteve  ’30.
Banesa si asnjiherë ishte e akullt, e ngrime, bosh si shpirti i saj ato muej… Po hynte në nji muej pak të veçantë… në fund ishin festat e  Krishtlindjeve… e  ajo nga  akullsia  e  shpirtit  s’ndinte  asgja… veç  ftoftë…
Edhe ajo banesë kishte historinë vet.
E ndërtueme nga mjeshtrit ma të mirë të kohës, me gurë dhe materiale  shumë të shtrejta nga dhandri i familjes, që ishte i punësuem si shofer mbas vdekjes së gjyshit të Lules, e  nanababë  e  detyrueme me pasë nji krah pune në shpi, se ishte  pa dy djemtë, i madhi i kish vdekë njizetepesë  vjeç nga malarja, i smuem në punimet e Urës së  Matit, ku ai ishte inxhinjer i sapokthyem nga Austria, ku qe  diplomue; dhe i dyti ishte në  universitet, në Firence të Italisë, kështu ia dha vajzën e vetme  pesëmdhjetvjeçe nji malcorit  prej Hoti, nji fëmijë  jetim me shumë motra e  vllazën ku dëshira për të mbijetue i kishte msue  rrugët ma të shkurta të zgjidhjes së çdo problemi, si ma vonë koha do e tregojë me mbytjen që i bani shokut ma të ngushtë te pusi i mahallës, për me  eleminue nji rival punet e jetet të përditshme… Marku, ky njeri shumë i djallzuem e i shkathët, kishte ndërtue kët shpi tuj shpresue se nji ditë do ta gzonte, dhe i erdh e papritun që do të vinte kunati nga shkolla bashkë me nusen, dhe shpia po ndërtohej për ata, me porosinë e nanës së Lules. Kur mori vesht kët vendim, la mbas dore shumë punime dhe nuk e mbaroi shpinë si duhet, edhe pse Dritës i mori treqindepesdhjetë  napoljona ar, hak punet për ndërtesën, megjithatë shpija ishte e re, e bukur, që e rrahte dielli gjithë  ditën, ishte hijerandë dhe e bukur, mbrapa u kufizonte me Gjakont, majtas ishte shpija  e  vjetër e nanëbabes, ku banonte halla e sapomartueme me Markun, e djathtas ishin  Daijtë, me nji kopësht shumë të madh plot pemë e lule, ku ma vonë u ba rruga që lidhi Rusin katolik me Ballabanen, e ata përfunduen punimet dhe e mbushën me pemë e lule. Me  kalimin e viteve ajo ndërtesë me at oborr plot pemë e hardhi ishte nji parajsë ku u rrit Lulja…***
U kthye nga kryesia e lagjes ku e kishin thirrë me  justifikimin se dëshronin ta ndihmonin… dhe  nga  tavolina… e kryesisë ndigjoj vetëm  kët sygjerim:
-Që nji grua e ndershme “s’duhej të ndahej”, dhe se lagja nuk e mbështeste, sepse ajo duhet t’i  bindej me fjalët e sekretarit të lagjes… si komunist… dhe të bashkohej me bashkshortin…” – këto ishin fjalët që shtoj kryetar Zefi nji komunist i egër, nji mësues… që nga mësuesi  kishte krejt pak… thjesht nji profesion për me  jetue vetëm, e ajo shprehje dukej aq mirë në turijtë e tij prej kafshe…
Gjysmën e shpisë e kish zaptue ish bashkshorti, e  ajo ishte në nji dhomë të madhe… që i dukej e tejmadhe, ngaqë ishte bosh dhe pa asgja  mbrendë, e po qëndronte në cepin mes dy  penxhereve ku qëndronte gjithnji nana kur lexonte romanet e saj të verdhë… Mendohej, ndërsa po  afronin  festat… Edhe pak ditë ishte nata e Shën Kollit… dhe ajo kish mendue të shkonte tek kushrini  Zefi… që kishte ditëlindjen e djalit, si për gjithë katolikët dhe për Lulen ishte  natë e madhe. Po bluente e stërbluente në  mendimet që nuk mund t’i bante peshqesh atij fmije që ajo adhuronte, një bumç i vogël me sy si raca e verdhë, shumë interesantë… e flokët si  presh. Sa netë kish zbardhun në shtratin pranë tij  duke pritë prindët që kishin shkue me kalue darkat nëpër shokët e miqësitë shkodrane që kishin e mblidheshin ndër festa vallzimit, që ishin  shumë në voga në at kohë, kështu ishte msue me  fëmijtë e tyne dhe afeksionue tej maset, e ajo i  donte shumë si Lazarelën ashtu dhe Edin.
Ishte mbasdrekja e ditës së premte, Nata e  Shënkollit… Kishte shkue përsëri në ora 6 në lagje për të kërkue punë dhe sekretari me fytyrë të  egër… tipike  greke, Thomai, ju përgjigj me nji  indiferentizëm dhe  mospërfillje, aq sa e trembi,
-S’kish nevojë të kërkonte punë, por të bashkohej me të shoqin që ishte njeri puntor dhe shumë  familjar – Hapi sytë dhe parasysh iu shfaq i njejti  person, që i kish trokitë sa herë në derë për t’i thanë që ajo ishte martue me nji ish të burgosun, e se ajo ish bijë mësuesish e duhej të merrte nji vendim të premë e të largohej nga nji  “anmik i popullit”, nuk deshi t’u besojë veshve nga fjalët e sekretarit të lagjes… E çoi  shikimin me e pa drejt e në sy, por ai humbte vështrimin sa majtas djathtas për mos i takue të sajtë… ato sy dhelpre, që vetëm me poshtërsi e spiunllëqe e kishte marrë at vend, e për ma tepër  ishte baba i nji shoqes së saj të shkollës, sa herë vinte te i jati të pregatiste ndonji material se nuk dinte as të formulonte nji fjalim për mbledhjet e partisë!
Shumë vite ma vonë mori vesh insistimin e tij, ish bashkshorti i kish dhurue nji komplet poltronash që në at kohë kishin nji çmim të naltë për xhepin e nji sekretari… e ai bënte avokatin e djallit… në  shpatullat e asaj grueje të vetme, e papunë, e midis katër rrugve!
Shpi karakteristike shkodrane
Shpi karakteristike shkodrane

Mbas takimit në lagje, shkoi te i kushrini me i urue at natë të madhe, me shpresën që mund t’u ndalte për darkë të paktën të nxehej pak, kishte dy ditë që s’kishte vu asgja në gojë… dhe ato pak të ardhuna që i kishin mbetë në llogarinë e librezës së kursimit në bankë i shoqi ia kish tërhjekun të gjitha… Pa punë, pa zjerm, e pa hangun… at natë dimri tuj ju dridhë buza shkoj për urime… të ftohtit i kish hy për palcë dhe veriu me pallton sintetike i hynte gjithandej e buzët i ishin nxi… Me duert akull  mundohej me i ngrohë duke i rrasë  fort ndër xhepa… e kërkonte në njifarë mënyre mos të  mendonte asgja.
Trokiti në derën e korridorit të gjatë të  shpisë… dhe mbas disa minutash nusja e kushrinit, Lina  që hapi derën, zakonisht kur ishin prindët e saj ajo i ftonte mbrendë me buzëqeshjen false në buzë, e kur pau Lulen iu errën sytrë sapo hapi  derën…
-Mirëmbrama, erdha me ju urue vec dy minuta  Shënkollin – tha… dhe pshtyma ju tha në fyt kur  pau shikimin e egër të saj… e si nji varfanjake e  kqyri në sy, po ajo kish sy të pajetë, të akullt e të  ftoftë si ajo natë dimri, Lina pa mendue shumë i  tha: “Të më falësh që s’mund të baj me hy mbrendë, por vijnë gjithë gjinia për ditëlindje të djalit… e jam shumë e xanun – dhe pothuej ia  përplasi derën e xhamave, duke ia mbyllë pa i thanë as natën e mirë…
Lulja uli shkallët, dhe s’desh me i besue veshve… Mbylli derën e madhe të hekurt të oborrit… dhe  ju drejtue me hapa e zemër të ngrime shpisë së saj ku terri mbretnonte si ajo natë dhjetori… hapi  sytë kur shtyu derën e oborrit në dhomën në krah  të djathtë të shpisë saj (dikur studioja ku punonte i ati) ishte drita ndeze… Ish bashkshorti, aty në shpi… si asnjiherë…
Njiti shkallët ngadalë, si hajdute në shpinë e  vet… për mos ta ndi kush… dhe u mundue të  gjente nëpër terr drynin që mbyllte derën, pa ba  zhurmë… Vetëm ai mos të kuptonte që po hynte  në dhomë… e kishte frikë.
Hapi derën e krisma u ndigjue në at qetësi të frikshme të mbramjes… Në çast porta përballë u hap, dhe reflektoi drita e lampadarit italian në dhomë të tij, që i dha dritë gjithë portës  së saj. Ajo shtyu kanatën dhe u mundue me hy, por ai ju afrue dhe me nji buzqeshje ironike e  shikjoj duke e ftue për darkë. Në tonin e zanit të tij kishte nji qësendi, që Lulen e bani t’i dridhej  kmisha në trup, me edukatë i tha se nuk ndihej  mirë dhe me ngut mbylli derën e hyni në dhomën e akullt dhe u përplas në divanin e vogël… e  kjau me lotë, deri në mjes, e kur pau rrezet e para të dritës, e pshtjellun me me nji batanije të hollë, e ulun mbi nji cep… e kish zanë gjumi deri në drekë… tuj andrrue kohnat e bukra me prindët e festat madhshtore që banin për çdo rast…
Nji guralec në xham e zgjoi…
Ishte Pina, nji shoqja e nanes, që i bante shej me  dalë, dhe e thirrte për drekë, edhe ajo tuj folë me  gishta e me duer, prej frikës së burrit të Lules…
U vesh shpejt e shpejt dhe zbriti shkallët. Ai nuk ishte në shpi, e ajo kishte tre ditë që s’kishte marrë as edhe nji kafe… te “mama e tata”, siç i thirrte ajo miqtë e familjes, dhe priste ngrohtësi e dashni  familjare. Shkoi me gzim. Tavolina ishte plot, dhe asaj i iku uja, por ishte e lumtun, pse aty ndjehej e mirëpritun dhe si në shpi të saj. Ngrohtësinë që i nepnin ata, vetëm te dajat e gjente!
Lulja nuk e harroi kurrë at Shënkoll të largët të tetëdhjetë e pesës. Zhurma e asaj feste u ndi deri vonë, dhe pse Lina, Zefi e familja, ia mbyllne derën, asaj që i kish dashtë gjithnji aq fort!
@Flutra Kuqani-Malo, Nandor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.