back to top
4.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Lutje e dëshprueme – poezi nga Ernest Koliqi

Gazeta

Ernest Koliqi
Ernest Koliqi

Lutje e dëshprueme

– poezi nga Ernest Koliqi

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni ndër murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
dëshmor’, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.
 
Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrt e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim’ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,
 
ju qi n’mësime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín’ kreshnike zgjedh’ e kishit për nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,
 
sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.
 
U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por nâma e fatit, nâma qi befas mbi né krisi.
 
N’heshtim t’natës shqiptare s’ndigjohet kund zâ njerit,
prân’ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit’ furín ahmarrse qi t’thej’ t’prîmunt e mnerit.
 
Jo váj por gjâm’ e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.
 
O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet’ qindavjeta na u end e ndershme jet’,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujue larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.
 
Memzi strehueme trupin nga shiu e breshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt’ qejfet e holla, pa dijt’ ç’janë miradinat,
pa njoft’ doket e lmueta të kombeve fatbardha.
 
E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht’, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.
 
Nânat me qumsht’ të pastër andjen n’shpírt t’on’ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
 
O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt’ për fmín’
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik në shpín’
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.
 
Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin’ e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on’ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?
.
Shkurt 4, 2019
http://oxygenpress.info/lutje-e-deshprueme-poezi-nga-ernest-koliqi/
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.