“Lyra” e Haxhiademit, mes tragjikes dhe neoklasicizmit
nga Emrije Krosi (Pjesa e Dytë)
Parathënia si “paratekst” apo “ad hoc” i Parathanëjes së Haxhiademit
Në këtë kuadër, Haxhiademi është një ndër poetët e viteve ’30-të, që i shkruan vetë të gjitha parathanëjet në të gjitha veprat e tij. Që në fillesë, çdo studies ndeshet me korpuse kalimtare poetike, tekste autonome të shkruara në prozë, (që mund të jenë trajtesa të mëtejshme jashtë kopusit ekstra letrar), siç është paraqitur nga Arian Leka, (në Konferecën Shkencore për Haxhiademin, në qershor 2021); me temë: “tipare dhe veçori të estetikës dhe stilistikës së Etëhem Haxhiademit, vëzhguar përmes dëshmive të tij – Parathanëjet e Haxhiademit!” se prania e vazhdueshme e parathanëjeve si peritekste, në veprat e Haxhiademit, përjetohet si ritual ndërmjetësimi, që e shndërron në akt publik ndodhinë personale të autorit gjatë shkrim-botimit të librit, si peritekst dhe epitekst (Leka: 2021), një model tërësisht tekstor që shërben si ndërmjetësues komunikimi me lexuesin e sotëm, në një kohë me sulme e kundërsulme.
Kjo mënyrë paraqitëse modelore, sjell edhe një lloj “dialogu të brendshëm” me lexueisn shqiptar të kohës. Vetëm autori tek parathanëje e “Lyrës” shkruan: “me gjithë këto sá u tha sipèr, un prap përmblodha nji volum të vogël të vjershavet të mija dhe ja paraqis publikut shqiptar. Nji punë e pakët, por e kujdesëshme, qi besoj se do t’i vlejë mjaft literaturës s’onë të vorfën”
(Haxhiademi: 1937: 11), por si parafatëse të periteksteve, trishtueshëm duket sikur u shkrua edhe fati tragjik i tij: “dhe deri sá në kohën e soçme idealizma quhet nji marrëzi, duhet t’a këtë dhe shkrimtari fatkeq vendin në çmendinën e Vlonës” (Idem: 1937: 11), është vetëm një tendencë,
për të komunikuar më në thellësi, sidomos në bazë të teorive të interpretimit të teksteve klasike nën prirjet e studimeve bashkëkohore. Pozicioni im, është të përpiqem t’i rezistoj subjektivizmit nga njëra anë, por nga ana tjetër, të lidh analizën e formave simbolike me ngjarjet dhe rastet konkrete socio-shoqërore dhe publikun, se bota e jetës së përbashkët, organizohet atë në mënyrë të tillë, që lidhjet ndërmjet formave teorike dhe interpretimeve përshkruese, të kenë një objektivitet të plotë është e pamundur se vetë letërsia është subjektive (siç, natyrisht është), ku edhe njeriu mund t’i lërë të lira ndonjëherë, ndjenjat dhe dëshirat. Shtresimi social dhe “qëndrimi naiv” i një epoke të shkuar, lidhen pazgjithshmërisht me teoritë aktuale, që së bashku me praktikën letrare bashkëkohore, pësojnë “zhvendosje ekuilibrash të mëdha” në mënyrën, sesi ne mendojmë dhe ndoshta më e rëndësishme, është sesi të shkruajmë të kaluarën (Richter: 1998: 286).
“Lyra” – poetika e komunikimit përtej gjithkohërave
“Lyra” e vetmja vepër lirike me 10 poezi në një libër, që përveç disa shkrimeve të shkurtra përcjellëse, i vetmi që ka bërë një qasje më “imponuese” ndaj lexuesit të sotëm, (është poeti, përkthyesi Shpend Sollaku -Noè), por edhe si “imponim ndaj kritikës”, në kundërpeshë me kritikën e gabuar autobiografike, që e ndajnë akoma letërsisë në “klane” apo “prona”, duke ia mveshur asaj errësire degraduese të vetë poetit, që fillesën e pati në vitet ’30-të, pa një monument të rëndësishëm në panteonin e letrave shqipe, nëpërmjet magjisë së vargut (Sollaku: 2020). Në këtë qasje, kodet letrare të poetit, që nga parathanëja, janë një manifest i thjeshtë sipas Noè-s, deri tek një analizë për secilën poezi më vete. Ky libër akoma është i pakuptuar dhe i pavlerësuar, një harresë e qëllimshme, në kujtesën kolektive të lexuesit shqiptar të këtyre dekadave, sidomos “lexuesit elitar” apo kritika që akoma vuan nga kulisat e “madhështisë së rreme”, përpara një poeti klasik aq njerzor, që jetoi dhe krijoi në një realiteti më (përtej)njerëzores, mes reales dhe surreales. “Nji libër poezish që ndoshta as nuk u lexue, as u kuptue dhe as u respektue si dhe si duhet, mbasi menjiherë mbas botimit do të vinte pushtimi dhe bashkë me të edhe kriza ma e madhe morale e shoqnisë shqiptare, kështu që kjo vepër nuk mori jo mirnjoftjen e kohës kur ajo u shfaq, po as të krejt kohnave që erdhën ma pas…” (Çefa & Radi: 2020), kumti poetik është i hapur për çdo lexues bashkëkohor.
-Elementet përbërëse të lirikave dhe klasifikimi
Sipas këndvështrimin tim, këto lirika ndahen në:
-lirika e dhimbjes: (“Galatés” dhe “Nata e zezë” – një poemth në formë elegjie me stofa 10-vargjesh, ku strofa; 1/4/6/7/9/10 janë me 10/ 11-rrokësh, kurse strofat; 2/3/5/8 janë 6/5-rrokësha me rimave të përziera: [të puthura/të ndërthurura]:{a/ b, b/ a/ c/ d, d/ c/ e, e}),
-lirikat e dashurisë: (“Prej së largu” dhe “Asaj” një lirizëm modern i shikimit të dashurisë përtej kornizave të kohës, ku dëshpërimi i lë vendin shpresës me një strukturë vargore tek “Prej së largu” me 8 vargje: [me 8-rrokësha/ rimë të kryqëzuar {a,b/ a,b,/ c,d/ c,d} kurse “Asaj”, vargje: [6 strofësh me 7-rrokësh/ rimë e kryqëzuar]:{a,a/a,b/c.c}).
-lirika romantike: (“Andrra e jetës” dhe “Kohë e kaluëme”, janë vargje që duken edhe për cilësinë apo edhe nivelin artistike të një lirizmi më të skalitur, ku spikatin vargjet: shpesh her’ mallngjehem kur në mendje m’sillet,/ E bukura kohë e artë e rinisë s’ime/ dhe vaja ke qerpikët më mëshlltillet. Ndikimet janë nga neoklacizmi europian, por sidomos nga ai romantik, por sipas variantit të tij, me tercinat 12-rrokëshe).
-lirika atdhetare: (“Naim Frashërit” dhe “Kanga Shekullore 1912-1937” janë dy poemtha, ku poeti tek e para larton figurën e poetit tonë kombëtar Naimit përmes vargjeve: “O kangëtar hyjnor, a po qetsohe// Në pellgun e vorrezve të shkretueme/ Prej kohës së harrueme,/ Qi pasqyrohen n’ujin e Bosforit?/ Përpjet nuk ke si çohe/ Prej vendit ku ke mbetun,/ Se zemra t’u ka tretun/ Atdheun Të shohish qi aq shumë e deshe/ Edhé me bukuri të mdha e veshe!…” Poezia është shkruar me strofa 9 vargëshe: [v.1/2/4/8/9 janë 11- rrokësha, v. 3/5/6/7 janë 7-rrokësha me rimë të ndërthurur: {a/ b, b,/c, a / d, d, /e, e}, kurse poema “Kanga Shekullore 1912-1937” , krijuar për 25 -vjetorin e Pavarësisë, ku çmohet liria dhe simbolika e saj por edhe shpërdorimi i saj dhe dinjitetit njerëzor, por jo me përdhunë, pas vitit ’45. E ndërtuar me strofë 8 -vargore, me rima: [a,b/a,b/a,b/c.c ]).
-lirika alegorike: (“Lufta e dragonjve me kuçedrën” është një poemth satiro -alegrik, ku është marrë edhe lënda kryesore është ironia, që mesa duket shërbeu edhe si “lëndë” për anatemimin e poetit, kundër sistemit të së keqes dhe ligësisë, ku poeti i kundërvihet padrejtësisë, duke u rebeluar ndaj të keqes (robërimit të kuçedrës) për të jetuar i lirë dhe i gëzuar, e ndërtuar me stofa 10 vargore: [v.1/3/5/6/9/10 me 12-rrokësha, v. 2/3/4/8, ndërtuar me 7-rrokësha] me rima të puthura dhe të ndërthurura:{a,b /a,b /c/d.d /c/e, e}).
“Bukuria tronditëse” tek poema lirike “Nymfat e Shkumbinit ”
Poezia lirike e Haxhiademit, përfaqësohet nga poema “Nymfat e Shkumbinit” (Idem: 1939/ 2019) një përngjasim me modelin gjuhësor të shkrimit të neoklacistëve, por edhe futet në kategorinë e të mrekullueshmes në letërsinë shqipe. Një term që estetikisht njihet edhe tek krijimet e shumë autorëve dhe si simbolika e një bukurie të pambërritshme (Gjoka: 2018).
Në kufi mes përrallës dhe legjendës, stuktura artistike e poemës, është dhe në shtratin ë trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të vjetër, mbi të cilin shtrihet fantazia krijuese e Etëhem Haxhiademit (ashtu si “Nusja e Mrekullueshme” e Koliqit), që mbështetet në të pamundurën dhe të mrekullueshmen. Në këtë vepër jemi në botën e mrekullive të zanave si kategori estetike e të magjishmes, e në kuadër, të lidhjes edhe me përfaqsuesit e autorëve të brezit të largët të viteve ’20 -’30, në aspektin e boshtit tematik është fakt, se dukshëm dëshmohet një shkëputje dhe një distancim nga lëvrimi i temës atdhetare, mbizotëruese në autorët e brezit të parë. Tema atdhetare, vjen duke u rrudhur. Motivet erotike apo të natyrës (trajtohen gjerësisht tek poetët e atij brezi, Lasgushi dhe Asllani), duke u frymëzuar nga natyra e bukur e vendlindjes, si njejtësimi artistik i njeriut me bukurinë që e rrethon, është një bukuri estetike në veçanti (Neziri: 2004: 60 ). Shëmbëllimi në kohë relativisht të largët të Nymfave me Sibilat e Bogdanit: kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti,/ zihariq me dhanë e udhë të drejtë/ shekullit me çelë, e fajevet për mengji/ pagëzimnë predikon, mbë këtë jetë/ kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,/ ndë Parrisit vend të gjanje si do vetë,/ tue trusun kryet e asaj bishë,/ mirë t’u bamë e shpesh tu votë n’Kishë (1585, “Sibila persika”), tregon se kjo kategori e të bukurës së madhërishme ka një shtrat shumë të hershëm dhe në emërtimin e nimfave: [Kaliopeja, Uranija, Melomena, Helikona, Thalija, Eratoja, Terpsikora, Aglaja, Rufrosina].
Kjo simbolikë e Parnasit helenik (Koça: 1940) shtrihet përgjat gjithë poemës me:
simbolika e të mrekullueshmes magjike: (nyjfat dhe driadat me bukuri mitologjike), përshkrimi i natyrës, malit, pyjeve, lumit të Shkumbinit, si ndërtimi fabulor ka befasinë ([strofa 3 vargore, me 11-rrokëshe dhe gjysëm vargu me 5-rrokësh me rima {ab/ab}]. Poema përbëhet nga 80 strofa, që “hyjnizon” bukurinë e Nymfave, Najadave, Driadave, Oreadave etj., që jetojnë në ujërat e bukura të Shkumbinit): ndër zaje të Shkuminit ku rrëqethen/ E të shkumzuëme valet prap përndahen,/ Ku lisat buzës s’zij e rrisnin gjethen/ Nymfat po lahen, (iden: 2019, f.18),
simbolika e bukurisë tronditëse: ato jan’ndemun n’ujin e kullumun/ E trupat lark u duken bor’të bardha;/ Në krahanuer shkëlqejnë tyke notumun/ Gjijtë porsi dardha, (po aty, f 18), një flakrim i bukurisë dhe jetës përrallore të nymfave në viset e bukura shqiptare (Gjon Zaveri-Spasse: 1941),
simbolika baritore: përpara djalit bukurosh i ndehet/ Bagtija qi nga zilet përgëdhelet,/ Dhe me tërfil e bar ajo ushqehet/ Qingjat me delet, (po aty, f. 20)
-simbolika erotike/ sentimentaliste: djelmoshat qi prej bote s’lishin dije/ Ka kqyrshin se ç’ka lindur Eurinoma,/ Filluen t’u trakullin prej dashunije/ Zemrat e njoma, (po aty, f. 29), si pjesë e rrymës romantike të vonë, të përfaqësuar nga poeti elbasanas, që na e reciton kumbueshëm magjinë e vargjeve të veta me shpirtin e nji gjuhe që ai e beson hyjnore… (Radi: 2015),
simbolika e realizmit magjik, ku thjeshtësia dhe magjepsia nga bukuria e atyre femrave-nimfa, nuk çon në aktin e metamorfozës duke sendërtuar një kombinim poetik mes reales dhe magjikes, mes njerëzores dhe mitikes, si një kundërvënie mes një ngjarjeve fantastike dhe paraqitje së saj në mënyrë realiste, se lexuesi arrin ta kuptojë ku gjithçka e çuditshme, fantastike apo magjike pranohet si normale (Canosinaj: 2013), një model të realizmit magjik e sjell edhe M. Kuteli tek tregimi “Lugetërit e fshatit tonë”, një miksim me përfytyrimin e poetit, ku fantastikja është prania e nimfave, dhe habia e djemve të fshatit, (pra marrdhënia me fantastiken), kurse magjikja nuk arrihet, pra marrdhënia me djemtë, nuk realizohet: djelmoshat qi prej bote s’kishin dije/ Ka kqyrshin se ç’ka lindur Eurinoma,/ Filluen t’u trakullin prej dashunije/ Zemrat e njoma, (po aty, f. 29). Fantastikja jeton në kufirin mes dy zhanreve: të magjikes dhe të çudishmes, sipas C. Todorov-it.
-Poetika semantike dhe gjuhësore tek “Lyra”
Poezia e viteve 1914-1944 e kapërcen modelin dominant e të njëtrajtshëm të romantizmit dhe shfaq interesa të ndryshme: veçanërisht për botën e brendëshme të heroit lirik, por edhe shqetësime më të gjera, ku përthyhet bota e brendëshme e heroit lirik, i cili shfaqet me zërin e tij individual e të dallueshëm. Boshti tematik zgjerohet në përkatësi të ndryshimeve me frymën e poetikës së re, që tashmë lidhet me depërtimin në thellësitë e botës së brendshme të heroit lirik (veçanërisht në lirikën e viteve ’20-’30) dhe fokusimin në problematikat e shoqërisë shqiptare,
si dhe rritja e kontaktit me poetikat europiane, të cilat nxitën dhe çuan në ndryshimet në elementet formalë: si vargu, struktura ritmike, gjuha, figuracioni etj. Këto ndryshime bëhen më të shfaqshme në gjuhë, elementi thelbësor i sendërtimit të përmbajtjes, nëpërmjet të cilës arrihet të krijohen forma stilistikore të panjohura më parë. Materia gjuhësore, përpunohet në të gjitha njësitë e saj, si me ndryshimet në aspektin tematik e përmbajtësor, ashtue edhe estetikë gjuhësor, që reflektohet në një krijimtari poetike që kërkon një lexues më specifik, që fatkeqësisht rrit hendekun midis saj dhe lexuesit, pasi ky i fundit ishte mjaft i kufizuar. Nëse duhet të futemi brenda kodit poetik, përmes një vëzhgimi të imët gjuhësor, ku organizimi poetik gjuhësor i Haxhiademit, ka metër, rimë, figura gramatikore dhe vetitë fonetike poetike, dukshëm “dallohet një shmangie e mënjanime nga një përdorim i saktë i trajtave të pranuara ose të parapëlqyera brenda rregullave të variantit letrar që ka zgjedhur shkrimtari” (Stringa: 2003: 29). Në vëzhgimin e gjithë veprës së Haxhiademit, kemi një lëvizje gjuhësore, mes variantit të mesëm dhe variantit toskë (e. k.), pasi akoma nuk kishte një variant të njësuar të shkrimit të shqipes, pasi si një elbasanli që ishte, përdori gjuhën e Elbasanit, pra trajta kalimtare, e pastër, sepse e folmja e këtij qyteti ishte edhe kufiri mes toskërishtes dhe gegnishtesh. Me përdorimin e kësaj gjuhe Haxhiademi, futet në bërthamën e krijuesve të variantit të mesëm letrar, mbi bazën e elbasanishtes, që në atë periudhë, ky variant merrte rëndësi të veçantë se afronte dy dialektet e shqipes, në gjuhën e shkruar zyrtare, “gjithmon të përdoret dialekti i Elbasanit, i cili asht pranue si nji djalekt i përbashkët e zyrtar për shtetin t’onë” (Fletorja Zyrtare: 1923).
Aspekti fonetik tek “Lyra”
1.Ruajtja e zanores hundore a: zan, mâ, kan, t’amël, kang, rà, t’arta etj.
2.drejtshkrimi i dyzanoreve uë(e)/yë(e): kulluëm, nj’kruë ,vuë, kaluëme, duër, afruëm, qëndruën, rrotulluën, vuën, zuë,i fryën etj..
[futja e {ë}në mes diftongut {ue/ua} ishte procedurë shkrimore edhe e shumë poetëve të tjerë elbasanas, por më vonë ky diftong ra, dhe mbeten vetëm trajta e sotme {ue/ua/(u)}],
3-përdorimi i grupeve të bashkët ingëlloreve mb/nd/ng/ngj: kamb’t, kangutuan, nginum, kang, mallëngjyeshëm, ambël, tingëllonin, mbajshin, ngjajshin ngjomën,
4.Prania e zanores [ë] të pazëshme në pozicion fundor dhe jo fundor: kjartë, artë, t’kallzojë, n’dorë, hyjnorë, rrotulluën, bashkuën etj.
5.Prania e ndërzanores – n’: n’zaje, n’anë, n’ujë, n’breza, u ndehen, dashnin, t’plagosun, pasosun etj.
6-mbaresa e gjinisë femrore të shquar nga: [ia/ja]: bukurija, Poliymnija, Pellazgjija, Thalija, Uranija, dashunije etj.
7.përdorimi i [‘aspostrofit] dhe trajtat e shkurtra: t’detit, t’kohës, t’amël, t’kallzoj, ‘to, m’i, t’a, s’e, t’këndojë, n’mes, t’kërcimit, zan’, t’i, n’ato etj.
Sistemi foljor
1.Prania e paskajores: e kan fut, e ka vue, me ja nisun, tue fërkumun, asht tuj ndejtun, etj.
2.Përdorimi i përcjellores në format [tyke + pjesore]: e tyke lojtun, e tyke ecun, etj.
3.Prapashtesa [-un]: kullun, notumun, puthun, rrudhun, kangtumun, thimun, ngimun, trazumun, dallumun, qëndrumun, trazumun, takumun, bashkumun, pushun, përlotun, fërkumun, shkumun.
Haxhiademi me prashtesat [-un], që në “Lyrën” janë të shumta, por (është vjelur vetëm “Nymfat…”).
Poeti, në atë kohë e mendonte elbasanishten si themelin e gjuhës letrare shqipe, “një gjuhë” që duhet studiuar nga gjuhëtarët, si një nga variantet e mesme letrare, mbështetur tek elbasanishtja e gjysmës së parë të shekullit të kalur, ku regjimi ndryshoj edhe gjuhën edhe jetën e Haxhidemit, duke e fshirë fare nga sistemi i historiografisë dhe letërsisë shqipe, ku ende sot konsiderohet “armik i popullit”.
Sëfundmi:
poezia e Etëhem Haxhiademit, është një poezi që kritika duhet ta çlirojë atë nga “inkuzicioni ideologjik” dhe të aktivizojnë mekaniznin selektiv të vlerës. Çdo studiues, nga çdo anë apo çdo rrymë, përmes tekstit të hapur, mund të dekodojë kodet e veprës poetike të Haxhiademit, duke shpëfillur totalisht “lustrën biografike”, për të mbushur boshllëkun letrar dhe distancën e lexuesit të krijuar në kohë, me një të vërtetë: se veprat letrare janë të pakoha! Ato, janë mesazhe unike që dritërojnë të ardhmen e çdo kombi, përmes të vërtetës së fjalës së lirë, që është shenjtëruar që nga fillesa biblike.
Bibliografia:
-Bloom, Harold. (2000): How to read and why?. New York, London, Toronto, Sydney, Singapore.
-Cani, Defrim. (2010): “Dielli i vështirë” dhe koha e poezisë, “OMBRA GVG”, Tiranë.
-Canosinaj, Viktor. (2013): Realizmi magjik në Shqipëri, “Gazeta shqiptare”, 24 mars, 2013, Tiranë.
-Cefa. Anton & Radi, Jozef. (2020): Et’hem Haxhiademi, klasicisti i letërsisë shqipe, “Kult plus”, 14 mars, 2020. https://www.kultplus.com/libri/ethem-haxhiademi-klasicisti-i-letersise-shqipe/
-Elsie, Robert. (2006): Letërsia shqipe: Një histori e shkurtër, “Skanderbeg Books”, Tiranë.
-Fletorja zyrtare, Tiranë, vjeti 1923.
-Gjoka, Behar: (2018): Anton Pashku, fantastikja autoriale e tregimit Floçka, “Mapo letare”, 24 Mars, 2018, Tiranë.
-Haxhiademi, Etëhem. (1939 – 2019): Lyra, botim I, v. 1939, “Luarasi”, botim “Poeteka”, Tiranë. https://sq.wikipedia.org/wiki/Lyra.
-Jauss, Hans Robert. (1982): “Literary History as a Challenge to Literary Theory,” Ed. Towards an Aesthetics of Reception, trans. Timothy Bahti. Minneapolis: University of Minnesota Press
-Kastrati, Jup (1944): Përfaqësuesit e dramaturgjisë shqipe, “Revista letrare”, Tiranë, (ribotim nga “POETEKA”, 2019, Tiranë).
-Koça, Vangjel – (1944): “Abeli” dhe “Lyra” e Etëhemhaxhiademit, “Tomori”, Tiranë, (ribotim nga “POETEKA”, 2019, Tiranë).
-Koça, Vangjel. (1940): “Abeli” dhe “Lyra”: të Etëhem Haxhiademit, “Tomori”, Tiranë.
-Leka, Silvana. (2021): Etëhem Haxhiademi – çështje të rikonceptimit të termave brenda (neo)klasicizmit: (në konferencën shkencore mbarëkombëtare; “Dramaturgu – poet Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve gjuhësore dhe letrare”, Instituti i Studimeve Albanologjike dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë (Departamenti i Studimeve Letrare), Tiranë, 25 qershor 2021.
-Lleshi, Xhevahir. (2021): Libri shqip përpëlitet dhe po jep shpirt, “ExLibris”, Tiranë.
-Neziri, Ujkan Ymer. (2004): Poetika e krahasimit, “KGT”, Prishtinë.
-Plasari, Aurel. (1991): Portreti i vonuar i tragjikut Etëhem Haxhiademi, “Drita”, 9 qershor 1991, Tiranë.
-Radi, Jozef. (2015): Pak rreshta për “Lyrën” dhe Haxhiademin, “Radi & Radi ”, (botura së pari tek “Poeteka”, nr. 36/2015, e ripunuar): https://www.radiandradi.com/pak-rreshta-per-lyren-dhe-per-haxhiademin-nga-jozef-radi/
Richter, David H. (1998): The Critical Tradition Classic Texts and Contemporary Trends. Bedford Books: University of Chicago.https://qdoc.tips/david-h-richter-the-critical-tradition-classic-texts-and-contemporary-trends-3rd-ed-2006pdf-2-pdf-free.html
-Sollaku, Noe Shpend. (2020): “Lyra” – Etëhem Haxhiademi dhe sizma në hierarkitë letare të kombit, “Dielli”, 27 qershor, 2020, Nju Jork.
-Spasse, Sterio. (1941): Etëhem Haxhiademi -Lyra, “Shkëndija”, Tiranë.
-Stringa, Ruzhdi. (2003); Vëzhgime gjuhësore në veprën e Et’hem Haxhiademit, “Buletini shkencor UNIEL”, (seria e shkencave shoqërore1), nr. 1, Tiranë. https://www.fjalaelire.com/post/v%C3%ABzhgime-gjuh%C3%ABsore-n%C3%AB-vepra%C3%ABn-e-et-hem-haxhiademit