back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Lyra e Tragjedisë Shqipe – Requiem për Et’hem Haxhiademin… nga Jozef Radi

Gazeta

Et'hem Haxhiademi (1902-1965)
Et’hem Haxhiademi (1902-1965)

Lyra e Tragjedisë Shqipe*

Requiem për Et’hem Haxhiademin…

nga Jozef Radi

Elbasani është qytet i katakombesh. I vetmi qytet shqiptar katakombesh, ashtu si Roma, si Parisi e ndonji tjetër. Qytet ku të vdekurit jetojnë nën tokë, ndër labirinthe të gjata e të shetitshme, e ku ata kanë nji jetë të dytë, e të pacënuar…
Elbasani, ky qytet i lashtësisë shqiptare, shërbeu si udhëkryq e pikënyje perandorish, ushtrishë, kulturash po edhe barbarësh… Duket se prej aty Europa turrej drejt Botës, po ama edhe Bota vërsulej drejt Europës po prej këtij qyteti në hyrje të Maleve… Prandaj i nevojitej këtij qyteti, që krahas jetës së dukshme, të ishte edhe ajo e padukshmja, e nëndheshja, e përjetshmja… Jeta e katakombeve.
Për katakombet e këtij qyteti të lashtë, është folur fare pak… dhe prej emrave që duhen të dalin prej këtij katakombi është edhe s’është edhe nji Emër i Madh, nji Gjigand i këtij Qyteti, nji emër i përblatur, i pluhurosur, i i shpërfillur, nji emër fisniku që i bën aq nder e lavd këtij Qyteti, po që ai ende s’e ka kuptuar vlerën e tij, o më keq akoma: e ka kuptuar, po s’dëshiron të dalë nga ai mjerimi i Heshtjes së Gjatë ndaj tij…
Po kush është ky Njeri, kush është ky Emër i Madh i këtij Qyteti Katakombesh…
Eshtë Tragjiku i Madh Shqiptar, Tragjiku i Vetëm Shqiptar, është Eskili Shqiptar, përndryshe Haxhiademi Ballkanas, nji Tragjik ende i Heshtur po që me dinjitet mund të rrinte edhe krah Tragjedianëve të Mëdhenj të Egjeut.

Et'hem Haxhiademi - Disa nga Tragjedite
Et’hem Haxhiademi – Disa nga Tragjedite

Po pse kjo Heshtje e Madhe pse kjo Shpërfillje e Padenjë ndaj Tragjedianit të Madh Shqiptar… Për Eskilin Lashtësisë na ka dalë kohë të shkruajmë… edhe gjatë bile… e për Eskilin Shqiptar asnji rresht, asnji rresht i vetëm për be…!!!
Por, unë mendoj se po vjen ajo ditë (duhej të kishte ardhë kahera) e t’i pritej Gjuha Heshtjes dhe Fjala Solemne ngjitet atje ku e ka vendin… dhe bashkë me të, të ngjitet edhe Njeriu Sakrifikuar i Fjalës… Tragjiku i Madh Shqiptar: Et’hem Haxhiademi!
Ai u dënua me vdekje, ashtu si në Tragjeditë e tij Vdekja dënonte heronjtë… dhe nëse ai i shpëtoi dënimit me vdekje, kurrsesi s’mundi t’i shpëtojë burgut të gjatë dhe të dilte i gjallë nga katakombet e skëterrat e Burrelit… Si duket nuk ka qenë Nji dhe i Vetëm që nuk e dëshironte jetën e tij, po kanë qenë shumë, ndoshta Lukuni Ujqish Qimekuq, që kanë dashur jo veç ta shohin vdekjen e tij, po të gëzojnë edhe heshtjen fyese që rëndonte mbi veprën e Tragjikut të Madh… Po si Monument i Tragjedive të veta duke ndjerë krimin pas shpine ai lëshoi Mallkimin e Madh ndaj krejt atyre që rrënojnë jetë të pafajëshmish dhe dënojnë veprat e tyre… Rast i pashembullt në krejt Historinë e Tragjedisë dhe Tragjedianëve, ku nji Tragjedian i Madh jeton nji Tragjedi të Vërtetë në vetë të parë!!!
Po Tragjedia më e Dhimbshme e Tragjedianit të Madh mbetet Heshtja e Madhe që rëndon sot e kësaj dite padrejtësisht mbi të dhe veprën e tij.
Pse vallë?!? Cili ishte krimi i tij dhe cili qe akti që e tërboi Zeusin e Kuq dhe krejt Centaurët Kuqalashë që vërtiteshin rrethas tij?? Cili qe Mallkimi i Madh, që i ra për hise këtij Njeriu të Fjalës aq të ambël shqipe?!
Jua them unë… Ishte Shqipja e Haxhiademit!
Shqipja e Haxhiademit është monumenti i munguar i Gjuhës Shqipe, sepse Ajo është gjuha e konvergimit të gjithë strukturave të saj; Shqipja e Haxhiademit është deti ku mund të mblidheshin gjithë përrenjtë e rrëmbyer të kësaj gjuhe, është ajo e mesmja e artë e dhe e paqme që ende i mungon kësaj gjuhe dhe kësaj kulture, e që Vepra e Haxhiademit e pasqyron si askush tjetër… Ai qe Modeli dhe si i tillë… bëhet mëse e qartë se ishte Gjuha e Veprës së Haxhiademit që u bë edhe tragjedia e Jetës dhe Veprës së tij… Prandaj, ende sot, sundon aq shumë heshtje mbi të; prandaj s’bzajnë akademikët për veprën e tij; prandaj i bien herë gozhdës e herë patkoit dhe asnjiherë thelbit… sepse Haxhiademi u kishte treguar dy të Vërteta të Mëdha: se Tragjedia Greke jetonte në fqinjës me Tragjedinë Shqiptare, po mbi të gjitha ai u kish lënë brezave Veprën e tij, modelin magjik të konverigimit të shqipes. Ai u kishte ofruar pa shumë zulmë e fjalë, modelin e vet të Tragjedive, dhe Lyrën e tij përplot muzikë shqipe…
Dhe Lyra e Shqipes së tij, mbetet Tragjedia ende e pashpallur e Et’hem Haxhiademit të Madh…

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi – Vepra poetike – Lyra 1939

Nata e Zezë

Elegji nga Et’hem Haxhiademi

“Lyra” – 1939

******

Kur’ nat’ e zez’ më sillet muë në mendje,
Qi nan’e ime shtrohesh
Me vdekje të bashkohesh,
Për t’a përmbajtun vehten s’jam në gjendje;
As më harrohet vaja,
Qi deri n’kulm të qiellit t’errët ngrihesh
Dhe me të natës fllad të holl’ përzihesh
E qi t’vjetra e t’raja
Me melodí të dhimbshme e lavdoshin,
Kur sytë e saj mâ botën s’e shikoshin!

Sá kish fillumun mir’ qi të errsohesh,
Atropja t’i shkurtonte
Fijen e jetës donte
Dhe mbramja ndër minare lajmërohesh;
Trazuë qe gjith’ shtëpija,
Se diell’ i krejt familjes perëndonte
Dhe n’çastet mâ të vogla qi kalonte
Dobsohesh nga fuqija,
Gjersá për her’ të fundit si shikoi
Fëmijët e vet me mall syt perëndoi.

Un shtanga bashk’ me motrat e me vllan
Për tmerrin qi na gjeti,
Se gas për na nuk mbeti
Dhe gjith’ të afërmit me na, zun’ qanë;
Prej helmit t’ma(d)h u hudha
Mbi të qi shtres’n e vdekjes zbukuronte,
Por mâ si nan’ e par’ s’më dhelatonte
Ndonse shum’ herë e putha,
Si t’amblin zan’ të saj mâ s’e ndëgjova,
Me helm të shpirtit n’qafët e pushtova!

Gjimonte krejt shtëpija nga blegrimet
E grat përplasshin durët
E rrihshin krahanurët
E shkulshin nga ky tmerr të kokës qimet;
Por nana mâ s’ndëgjonte,
As klithmat t’ona sa s’përmbahshim dot
As se i lagshim na trupin me lot
Nuk çilte syn t’shikonte.
Dhe pa lëvizje dergjesh n’shtrat e qetë,
Se funt i kishte dhanun t’amblës jetë!

O qiell i egër, pse e shkatarrove
Kaq shpejt ti për gjithmonë
Lumnin e jetës s’onë
Sá zemrat t’ona krejt i përcëllove?
Prej gjinit pse shkëpute
Até qi midis nesh si drit’ shkëlqente
Dhe ambëlsi e saj për shum’ koh’ vlente
E n’dhè të shkretë e fute?
Ah, prej mëshirës s’ate kurr s’kam shpresë
Qëkurse n’mendje m’sillet nat’e zezë!

Në kohën ma të bukur qi shijon
Edhè njeriu i shkretë
Me ambëlsi kët’ jetë,
Shigjet’e jote për nji herë e shpon;
E pse ahere s’pret,
Sa t’rrotullohet t’paktën tetdhet herë
Rrota e motit për njerin e mjerë
E kushdo n’mosh’ të vet,
T’i uli qafën drapnit tand mizorë,
Pa na lajmumun tmerrin në ç’do orë?

Të gjith’ at’ natë e shkuëm na me vajtime,
Edhe nga lark ndëgjohesh
Nji kang’, sepse gëzohesh
Ndër ara bujku tyke mbledh’ prodhime;
Ç’ndryshime na sjell bota!
Ke na mbretnonte helmi edhe vaja
Dhe bujku rrinte n’ar’ më shpresa t’raja,
Ah shpresa krejt të kota,
Sepse edhè ay nuk do t’shpëtonte
Nga kos’e vdekjes, qi at’ koh’ këndonte!

Por n’mes të vajës që zemrat rrëqethte,
Më mallëngjeu at’ ças,
Kur bujku plot me gas
Në heshtje t’natës kangën e përdrethte,
Se nana kishte mallë
Të rrinte në dritare të ndëgjonte,
Puntorin nëpër ara kúr këndonte
Ahere kur qe gjallë;
E tash nuk kishte vesh’ me e ndëgjumun,
Atè qi natën qe tyke këngtumun!

Hei sa ndryshuke botë e pabesuëme!
Sa her’ pranvera kthente
Edhè ç’do pem’ zbërthente
Në lule, nana n’kopësht e gëzuëme
Me muë së bashku shkonte
Dhe në blerim të tij syn e zbaviste
E kur për t’bardhën koh’ të shkuëme fliste,
Gëzimi e mbulonte;
Por ah, mâ nuk ndëgjohet zan’i sajë,
Prandaj shpërthehen zemrat t’ona n’vajë!

Por gjithë at’ nat’ ne lotët nuk na u shterën,
Gjersá agimi ardhì.
Dhe drit’e ditës zbardhi
E malet përkundrejt përndashin erën;
Nga lindja xixillonte
N’hapsin të qiellit ylli i mëngjezit
E po dëgjohej zani i këndezit,
Qi ditën lajmëronte;
Fëllimi qi po frynte, kur e rrifte
Fëtyrën t’on’, gjith’ trupi na mërdhifte.

Ah, kjo ish koha qi ndër dit të para,
Ajo nga shtrati ngrihesh
Edhè me t’rat përzihesh,
Për t’shkumun punët e shtëpis të mbara;
Por at’ dit’ nuk po zgjohësh,
Se gjumi i përjetshëm e kish zanun
Dhe pa lëvizje fare e kish lanun
E me cip’ vdekje mbulohesh,
Prandaj edhé ma shum’ nga mallëngjimi
Deri në kulm të qiellit shkoi vajtimi.

Haxhiademi - Fragmen nga elegjia "Nata e zeze"
Haxhiademi – Fragmen nga elegjia “Nata e zeze”

O bija t’natës, Parce plot gjykime,
Pse fjalën prá të trija
S’e poqët edhé fija
Të zgjatesh e jomakut t’nanës s’ime?
Ti, Klotho, s’u kurseve
T’a tjerrish ambël jetën e asaj
Dhe ti, Lekez’, s’i pate ndonji faj,
Se as pak s’u rrëmbeve;
E pse mbas jush Atropja mos të shkoj’.
Por n’mes të gazit jetën i shkurtoi?

Ajo qe në të bukrën koh qi rronte
Edhe nuk pat nevoj’
Për gjâ se s’i mungoi,
Dëshira i plotsohesh për ç’ka donte;
Nuk prishte gojë e shkreta
Edhé zili e kishin shoqet t’jera,
Por veç prej fatit rá në sy e mjera,
Qi t’i shkurtohet jeta;
Até edhé të huëjët e vajtuën
E jo fëmijt e vet kú n’dhe e vuën.

Por shpirt’i im shërim kurr s’ka me gjetë,
Dhe sá herë e kujtoj
Si shi lotët i lshoj,
Se mâ e dashmja qe për muë në jetë;
Në vende t’huëja dola,
I vogël dhe prej gjinit t’saj u ndava
Edhè për përgëdhelje t’saj u thava
E n’koh’ të fundit fola
Me të qi kishje nji dashni të gjanë;
Por ah, muë kurr s’më thot’ mâ goja nanë!

Në mes të blegërimave t’agimit,
Qi krisi atëhere
Edhé me shum’ potere
Na nuk përmbaheshim prej mallëngjimit,
Në mezin e shtëpis
E vuni gufomën e asaj të zbeme,
Qi rrinte n’shtresën e mëndafshtë e ndeme
Dhe i mbyllte syt gjithsis;
N’at gjendje kúr e pashë un prap u hudha,
Në qafët e shtrëngova dhe e putha!

E kush munt t’më përmbante muë ahere?
Vllai dhe motrat e mjera
E të gjith’ grat e t’jera
I kishin bamun petkat si lëvere;
Kush sipër saj i binte
E kúsh me melodi niste vajtimin,
Qi shtonte helmin dhe mallëngjimin
E fare t’qet s’na linte;
Por nana porsi aklli s’na ndëgjonte
Se n’paqën e për jetshme po pushonte!

E kishte marrun vesht i gjith’ qyteti,
Edhe miqt t’on vraposhin
Te na, t’na ngushulloshin
Për gjamën aq të madhe qi na gjeti;
Por un në gjendje s’isha
As numurin e atyne t’numuroje,
As ndonji fjal’ me to të bisedoje,
Sepse mendjen e kisha
Ke vaja qi me ajrin po përzihesh
Dhe deri mu ke ret e nalta ngrihesh.

Oh, sa e errët ajo dit’ gëdhini!
Përpara vuëjtjesh t’mija
Përmbysesh krejt gjithsija
Dhe sa e tmerrshme qe nuk mund t’a dini;
Për muë jeta nuk vlente:
E humbi shijën qi e pat përpara
Dhe as blerimi qi derdhesh ndër ara
Gëzimin s’m’a këthente;
Me vajën qi t’rrëqethte n’koh’ t’mëngjezit,
Përzihesh edhé kánga e këndezit!

Muë s’më kujtohet mâ tutje ç’far’ ndodhi;
Se si atè e çumë
Edhè me dhe e mblumë,
Qi n’zemrat t’ona ngashërim përmblodhi;
Por vetëm mend e mbajë,
Se porsa kthym’ nga vendi i mënershëm,
Ku prehje bajn’ gjithmon’ njerzit e hershëm,
Me lot në sy rrëkajë
Dhe plot dëshprim un mà të gjat s’e bana,
Por hyna n’dhomën ku qe dergjun nana!

E ç’far’ të shoh? Nuk kishte gjà me kqyrë.
Veç nji kandil me vaj,
I ndez’ për kújtim t’saj,
Aty ku qé ajo e shtrenjt’ fëtyrë!
Por un prap e kërkoja,
Të paktën dhe gufomën me ja pamun,
qe má shum’ me lotët t’onë e lamun
Dhe doja t’a shtrëngoja,
Pastaj si foshnje qava jo si burr,
Se nana kishte ikë e s’kthehesh kurr!

14-IV-1934 

*Kjo faqe u mundësua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së pakursyer të Mbesës së Et’hem Haxhiademit, Hortensia Haxhiademi – Pëllumbi, të cilën gjej rast ta falenderoj për gjithë materialin, e vënë në dispozicion për këtë shkrim.

 

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Vaso Papaj Kam njohur të birin, Rezart. Ishte i pari kryetar Bashkie në Elbasan i zgjedhur demokratikisht. Shumë herë kemi folur për veprën e të atit. Ka qenë nga Rilindasit e fundit të vërtetë. Humbi nëpër ferrin e burgjeve komuniste, ndërsa i biri humbi mes përplasjeve hipokrite të demokomunistëve. Prej shumë vjetësh nuk rron më.
    (Marrë nga testata e fb, e Rezart Palluqit 15 qershor 2015)

  2. Si me paska shpëtuar mua, ky gjigant elbasanas? Përse flitet kaq pak në Elbasan për Et’hem Haxhiademin?
    Mos ndoshta, ngaqë Dhimitër Shuteriqi, flet me zë shumë të lartë, flet me borinë e Partisë??
    Et’hem Haxhiademi!
    Po vij drejt varrit tënd! Po vij drejt veprave tuaja! Po vij, me penën e mprehur!
    Bëj edhe ca minuta durim, Et’hem Haxhiademi!
    Shumë shpejt, do të na përshëndesësh përbri Kostandin Kristoforidhit!
    Dramat tuaja, tragjeditë tuaja, janë tragjeditë tona!!
    Poezite tuaja, kane qenë o Haxhiademi, një profeci e ardhjes së diktaturës hoxhiste!!
    Duhet falenderuar, edhe Jozef Radi, për ndjeshmërinë dhe respektin që u kushton personaliteteve të harruara shqiptare!
    (Marrë nga testata e fb, e Rezart Palluqit 15 qershor 2015)

  3. Duke lexuar veprën e Haxhiademit jam përballur me të vërteta emocionuese. E ndërsa përgatisja nji nga elegjitë më të bukura të tij (po me siguri edhe të letërsisë shqipe) “Nata e Zezë”, të cilën Haxhiademi ia kushton Nënës së tij, mendova t’i bëja nji përcjellje kësaj Poeme Elegjiake me 20 strofa 10 vargëshe të nji klasiciteti dhe bukurie të rrallë… Në të vërtetë desha të shkruaj diçka për gjuhën e kësaj poeme dhe të Haxhiademit në përgjithësi, po si duket s’arrita ta bëj atë më të thjeshtën dhe bëra diçka më të vështirë: nji requiem për Haxhiademin… Nëse s’kam qullosur ndonjë gjë të rëndësishme të jeni të sigurt se poema është e nji bukurie të rrallë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.