“Made in Tufina” Marsida T. Najdeni (M.T.N)
I pari shkrim prej asaj që sjell marsi… nga Jozef Radi
Marsida osht nji vajzë e thjeshtë po ene kureshtare e lindun, nji tironse e apasionueme, nji enciklopediste e mshefun, nji oratore e padeklarume, nji vajzë me humor t’pashoq, nji studente që s’lodhet së mësumi e së studiumi, nji vajzë që mërzitet shpejt se s’i pranon lehtë gamorlliqet, po s’i metet hatri për asigjo e me askend, nji gjysëtufinse – po shpirtnisht ndjehet tufinse doc; nji lexuese që e do librin, që e do kulturën, që e do sportin, që e do Tironën dhe tironsit, dhe e vun si pakkush kët shpërndamje të tyne nëpër botë, dhe të vetmen gjo “internacionaliste” në shpirt ka shprehjen: “Tironsa, në krejt botën ku jeni shpërnda, bashkohuni!”
Marsida ka 13 vjet që nuk i jeto as mjeset dhe mbromjet e Tironës, dhe ky osht trishtim i modh për të… por ajo beso se shpejt do t’jetë aty… Marsida osht nji rrebele e butë, nji muhabetqare zamoni, nji tradicionaliste e thekun, nji lokaliste e pandreqshme, nji bardheblu e fantaksun, nji zemerbardhë e pashoqe… nji idhnake… qi mos i rafsh n’teh të gjuhës, se t’bon copa… haha
Marsida, osht nji dhe e vetme… Model jashtë serie!
Prej kohësh i kërkoj t’më shkruj ndoj gjo prej atij informacioni të pafund qi ka, por ajo sikur i druhet diçkaje, sikur friket mos e tepro me pasionin e saj të lindun, mos shkel diku o dikënd në të mirë a në të keq padashtas…
Derisa, mo n’fun e pashë kët shkrim të saj, ne me të lutme po e fus në sitin tim, sepse vetëm kështu, ajo bohet mo e shlirtë, mo e sheshtë, mo pak rrebele… mund të shfaqet vërtet si Marsidë… nji vajzë që sjell marsi… siç ia vuni i jati emrin ditën kur emni aq shum i dashtun për gjyshin e saj: Perla! u quejt i papranushëm për zyrat e gjendjes civile të regjimit…
9 gusht 2013
Made in Tufina” Marsida T. Najdeni (M.T.N)
“Qysh se e kemi hap kët faqe FB, kom vu vetëm nji her fotografin e gjyshve të mi. Pse s’kom dasht me folë shumë për familjen time? Sepse duket sikur nxjerr vetëm ato n’pah, duke lon mas dore shumë familje të tjera t’mrekullushme tironase. Shto masnej qi ne tironsit e kemi ene içik si për turp me fol për veten tonë, zaten pranej ene Shqipnia s’na di asigjo për ner sot e k’saj dite. Megjithatë, nji dit isha tu fol ene me kushrinin tim, Ard Llagomin, ene ai ma mushi menien, qi s’mund t’rrija pa shkrujtë për nji familje që ka bo shumë për Tironën ne tironasit e vet.
Kjo osht familja ime, Tufina, që njihet gjonsisht jo veç m’Tironë e në rrethin e saj, jo vetëm në Shqipninë e Mesme, e jo vetëm në trevat Shqiptare por, edhe ma gjonë në Ballkan ene n’Europë. Ky fakt, me jep nji gzim t’pamasë, sepse kudo qi shkoj nigjoj vetëm fjalë të mira e dashamirse karshi genit tim. Kjo gjò m’shtyn ene mu personalisht me qen dita ditës nji njeri mò i mirë në kët jetë.
Familja Tufina osht prej mò t’vjetrave familje kryeqytetase; ata njihen gjithsisht për zanotin e tyne të t’qenit sahatçinj me emën. Kjo dinasti ka nxjerr mbi 35 sahatçinj në rang kombtar e ndërkombtar.
Këtu e 200 vjet të shkume, do t’ishte Ismail Tufina, i pari qi do t’sillte pri Londre sahatin me 4 fusha, të cilin e bleu personalisht prej vllezënve Prior me ja vendosë Kullës së Sahatit, objekt pa të cilin Tirona jonë s’do të kishte simbolin ma të ronsishëm të saj. Brez mas brezi Tufinsit ju përkushtun Sahatit deri n’vjetin 1973, kur Partia Punës do t’ja hiqte kët të drejtë gati dyshekullore, e qysh athere Sahati s’ka hecë as i herë si mo parë, ene kumonat (këmbanat) s’jon nigju mo qysh athere. Familjes Tufina i njihet ene ndërtimi i Urës së Mzezit, qi njihet random si Ura e Molit, e cila s’mujti me i rezistu çmendurisë shoqnore të shkatrrimit të trashigimisë kulturore. Ura u ndërtu si bamirsi, që katunarët të vinin sa mò kollaj me shit mallnat e tyne në tregjet e shumta të Tironës. Tufinsit ishin ndër koleksionusit mò të mdhej në Ballkan të orave zvicerane. Fakt osht, se n’vitin 1928, kompania Swiss do t’u jipte eksluzivitetin familjes Tufina për markën e shtrenjtë “Eberhard” për ta shitë në krejt Europën Lindore. Falë këtij bashkpunimi të stërgjatë me zviceranët, miqtë europianë do t’i kushtonin dhe Sahatet e Murit me këmbana familjes Tufina duke i qujt “Vlleznit Tufina” ose “Tufina Brüder”. Sot dy nga kto ora të prodhume prej zviceronve në ner të familjes time gjinen nji në kryeministri dhe nji ke presidenca. Megjithatë, kto ora ne kjo pasuni e rritun brez mas brezi do t’u vidhej randomte me ardhjen e komunistave famkqij. Vetëm napolona Tufinsave do t’i merreshin plot 9 mijë copë, edhe kamunistat e Dullës do t’shënonin nëpër arkivat e tyne se i kon mor vetëm 900 cop… 8100 napolonat e florinit i harxhoi Dulla nëpër bllok, kur Tufinsit kalbeshin burgjeve.
Siç lexojmë në librin e z. Alimehmeti, në vitet 1910-1920, kjo familje ishte ene organizatore e nji nër kampionateve t’para futbollistikë në ven, qi njifej si “Kupa Tufina”, ku çdo mahallë e Tironës do të merrte pjesë me ekipin e vet. Fituesve veç Kupës, siç lexojmë në librin e z. Alimehmeti, lojtarve u shpërdahej ene ka nji orë Longines për kokë. Nji familje e përkushtume ndaj venit të vet, nji familje e dhonme mas qytetarve të vet, që kontriboi pa kursim për t’mirën e përbashkët shoqnore, po, qi do t’rrënohej pa mëshirë prej revolucionarve të ri kamunista, të cilët i shërbyen çeshtjes sllave dhe thuj se aspak asaj shqiptare.
Zija Tufina pse luftoi përkrah Bajraktarit të Mirditës nuk ju kursyen persekutimet pri komunistave të kuq. Fiqiri Tufina do të vritej prej tyne dhe pse n’lule të moshës, nji ka djemtë ma të modës m’Tironën e asaj kohe. E kam nji fotografi t’Fiqiriut mbi motorrin Vespa duke e bo pazarin n’Itali, nji kujtim i larë me flori. Shumë të tjerë do t’burgoseshin pri ksaj familje si Shaboni, Haxhiu, Basriu, Bahriu, Rifi, Gëzimi, Feti, etj. Torturat qi kaluan në birucat e komunistave gjyshi im, Bahriu, s’do t’i harronte deri ditën që u da ka jeta. Bahriut gjer sa vdiq gropat ke kyçet e durve nuk do t’i ndaheshin fal prangave të torturave çnjerzore që ai kishte kalu. Ene pse u lëndun kaq rond si familje, ato vazhdun jetën e tyne të vështirë ama me nder dhe dinjitet. Populli i nershëm vazhdoi t’i donte e t’i respektonte Tufinasit. Rastësia më çoi me lexu për nji orëndreqse femën, Aneta Diamanti, edhe pse jo pinjolle e familjes Tufina, ajo shprehte mirënjoftjen e saj mò t’mòdhe karshi mjeshtrit Shefki Tufina, që siç u shpreh ajo… “edhe pse sigurimsat e ruanin hap mbas hapi, kishte dashurinë e durimin të merrej me në të rinjtë e të na mësonte një profesion që të ndryshon jetën”. Kjo gjò përforco ene nji herë idenë se Tufinsit kanë nxjerrë ene shumë sahatçi të tjerë, që vijshin me mor zanot ke ato. Kështu janë sahatçit e Kavajës, qi gjyshi i tyne erdh me mor zanot ke Tufint për shumë kohë, e në nderim të ktyne zanotalive, kur u kthy m’Kavajë e ktheu mbiemrin në Tufina. Ky rast s’ka ndodh nji here, por disa herë. Pra mund t’gjejmë ene familje tjera, që e majn kët mbiemën për ner të kësaj familje.
Bahri Tufina osht i vetmi qi mbrriti me prodhu ora totalisht “Made in Albania”, ku çdo familje shqiptare ta kishte nji prej orave të tij në shpitë e tyne.
Sot vazhdojnë pinjojt e ksaj familje me zanotin e të parve në Tironë, mjafton me përmen Astrit, Alban e Blend Tufinen, të cilët kon dyqonet e tyne n’Kryeqytet. Po ashtu Enis Tufina ka kompani orash prej 14 vjetësh m’Gjermani. www.tufina-uhren.de Eh, mër bab, thoshte gjyshi tem: “Oxhaku s’bohet kurrë buxhak!”
Historitë për kët familje, qi kom fatin të them se osht familja ime, janë të shumta e s’kan fun, mund të zgjatem me orë e ditë duke ju folë për secilin personazh të ksaj familje, e megjithatë sot venosa me nda vetëm nji grimcë të tyne ne timen bashkë, me ju o tironas të shtrejtë, e me ju o shqiptarë të dashtun!” (M.T.N)