back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Madhështia e mos-harresës… Shpëtim Hereni rrëfen kujtime të Bajram Herenit

Gazeta

Shpetim Hereni
Shpetim Hereni

Madhështia e mos-harresës… 

Shpëtim Hereni rrëfen kujtime të Bajram Herenit 

Kur të nderon edhe kundërshtari!

Ishim duke punuar në Uzinën e Superfosfatit në Laç, vjen komandanti i kampit Hazbi Lamçe, dhe na nxjerrin në oborr. Ishim 700 të burgosur politikë e 300 ordinerë, na rreshtoi dhe filloi duke na folur:
“Këtu do vendos ca rregulla! Politikanet do e pinë cigaren në baraka, se e di që kam të bëj me burra, kurse ju rrugeçër do e pini në shi! – ju drejtua ai ordinerëve… Dhe duke ecë i drejtohet Ndre Markut nga Mirdita
-Dil pak para ti!
 Dhe Ndrea i shkretë doli 
- Hape pak gojën – i thotë Hazbi Lamçja – Ku e ke thyer këtë dhëmb?
 Ndrea rrudhi supet 
- Pse nuk më flet? – e pyet Hazbiu
-Po si të flas! Ti me spaletat e majorit dhe unë me duar të lidhura?? 
- Dëgjoni këtu, – iu drejtua me zë të lartë Hazbiu – që sot e deri sa të jem unë komandat kampi në daç të dalë në punë në daç jo, normisti do t’i shkruajë dy norma. 
Sa herë të ketë festa fetare me makinën time do të shkojë te shpia e tij për festa. 
Unë nuk kam fuqi me të liru, por këto i bëj me kompetencat e mia, dhe iku duke mërmëritur me vete 
- Po ça ishte kjo punë i them o Ndre?
 – Në kohën kur Koci Xoxe ishte në fuqi, Hasbiun e kishin futë mbrenda dhe ishim në të njëjtën qeli. Ia kishin shtrëngu aq shumë shumë prangat, sa vetëm rënkonte. 
- Cfarë ke i them?
 – Vdiqa nga duart! – me thotë 
- Kthehu i them dhe fillova me dhëmbë duke u përpjekur t’ia liroj sado pak. 
Disi ia lirova, por duke ja liruar thyeva njerin dhemb.
Mbasi u pushkatua Koçi Xoxe, Hasbiu u lirua dhe u kthye përsëri në detyrë.
Dhe ja, ndodhi që erdh te ne komandant kampi!!
Kjo ishte historia e Ndre Markut dhe Hasbi Lamçes

Asnjëherë mos fol më shumë se duhet

Në mes shumë të burgosurve ishte edhe Mehmet Sokoli nga Hasi, nji burrë i urtë dhe i mençur, i falte 5 vaktet, agjëronte 30 ditë ramazan, dhe çdo të hënë e të enjte. Një ditë komandanti i kampit Vangjel Rrëmbeci nga Korça, tentoi ta vinte në lojë.
-A po falesh o Mehmet?
-Po – i përgjigjet Mehmeti
-Po a po agjëron?
-Po – i përgjigjet me qetësi ai
-Po pse të ka dënuar Zoti?
-Po, ku di unë se ku kam bërë një faj e më mban zotnia jote brenda – iu përgjigj Mehmeti.
-Po pse nuk i lutesh Zotit tënd që të të lirojë!?
-E di vetë ai se kur me liron, unë po i lutem ndërkohë.
Mos ki merak se kur të vijë Zoti të të lirojë, për ideal të partisë do u them ushtarëve ta vrasin
Po jo or zotni komandant, kur të më falë Ai, nuk ka nevojë me ardhë vetë, por të thotë ty që hapi derën Mehmetit.
Pas tre muajsh ishin festat e nëntorit dhe u bë amnisti, dhe nga amnistia përfitoi edhe Mehmeti.
Ditën që do të lirohej kishin ardhë njerëzit e tij me e marrë, dhe në momentin kur po dilte, komandanti i kampit po hynte
E shikon zotni komandant se sot Zoti më fali e të tha ty me ma hapë derën, nuk pat nevojë me ardhë vetë…
Këtë histori ma ka tregu baba jem, rahmet pastë në ’91, kur filluam të agjëronim për herë të parë.

Bajram Hereni
Bajram Hereni

Njeriu që e pa Zotin…

Nji ditë diku nga viti ’92, një mik në shtëpinë tonë e pyet babën tim:
-O Bajram, a e ke pa Zotin?
-Po, – i përgjigjet baba rahmet paste – e kam pa.
-Si ka mundësi, unë asnjiherë s’e kam paa!!
-Epo unë i kam pasë sytë me vete gjithmonë – ja ktheu baba.
-Po ku e ke parë?
-Në vitin 1960, kur u prishëm me rusët, ishim në kampin e Bubullimës në Lushnje dhe bënim bonifikimin e fushës. Krizë për bukë, realisht vdisnin njerëzit për bukë, plus dhe terrori në maksimum, kishte vajtë ku nuk mbante më, 2 muaj lejleket dhe pelikanët zinin peshq, ngjala, bretkosa, zhaba, në Karavasta, dhe vinin e i zbraznin në kampin ku ishim ne, dhe koha kur i zbraznin, ishte mbas orës 3:30, kohë në të cilën ne ktheheshim nga puna… Kush i mësoi pelikanët dhe lejlekët të na sillnin ushqim? Ja pra që kështu unë e pashë Zotin, – ju përgjigj baba im mikut të vet.

Gajlja e Nanës…

Seç m’u kujtua nji ngjarje sot, 3 javë mbas vdiq Qoftlargu, i vdes edhe nana nji bashkëfshatarit tonë, dhe baba jem rahmet pastë bashkë me dy xhaxhallarët e mi shkojnë për me e ngushëllu
Hyjnë mbrenda dhe fillon biseda:
-A u mërzite or ti… për nanën – i thotë baba sipas zakonit
-Eh, bre Bajram… Ka vdekë shoku Enver e gajlja e nanës teme… ja ktheu përgjigjen babës tem ai që i kishte vdeke nana…
Deri këtu kishte mbrritë paradoksi shqiptar…

(Marrë nga muri i Fb i Shpëtim Herenit)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të lumtë Shpëtim…
    Respektin për të mirën, për historinë kombëtare dhe për familjen e prindët, s’mund të tregohet ma mirë se kështu, pra duke publiku kujtimet e tyne që na vlejnë të gjithë neve, pasardhësve të tyne.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.