back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Magjia e letërsisë – esse nga Leon Lekaj

Gazeta

Leon Lekaj
Leon Lekaj

Magjia e letërsisë

esse nga Leon Lekaj

Që në moshë të vogël, atëherë kur fëmija kërkon të bëjë një lidhje midis përrallave të të rriturve dhe mjedisit, vetëdija e tij mbarset me irealitetin magjik të rrëfenjës duke ngacmuar kështu fantazinë e tij ende të brishtë. Në kohën kur libri qe nga argëtimet e pakta, dhe kur ai nuk ishte ende i konkretizuar në ekranizime, të cilat do ta binin të gatshme lëndën, fantazia ngjiste shkallë në vetëdijen e lexuesit, shëtiste lirshëm në trurin e tij të ngarkuar me emocionet që i dhuronte përshkrimi i një pylli, një fshati, një liqeni apo një sendi fare të rëndomtë. Lexues të brezit tim, besoj se i kanë akoma të freskëta skenat e “Dinpaku dhe shokët e tij”, “Aventurat e Çipolinos”, “Pinoku”, “Djemtë e rrugës Pal”, apo “Katedrales së Parisit”, “Oliver Tuist”, Tesi i Debërvileve”, “Lulet e mollës” “Ana Karenina” e qindra libra të tjerë, që “mizorisht” na gllabëronin kohën e lirë,
Ç’gjë e mistershme fshihej brenda tyre që aq bukur dinin të na rrëmbenin në vorbullën e rrëfimit?
Mendoj se ka vetëm një përgjigje: magjia e letërsisë.

Carlo Collodi - Pinocchio
Carlo Collodi – Pinocchio

Një gjë e pranojmë të gjithë: që interesi për librin artistik po shkon me shpejtësi drejt niveleve më të ulëta të njohura. Në disa testime të publikuara nëpër gazetat më me zë të Shqipërisë, pjesën më të madhe të librave të shitur e përbëjnë përkthimet, prej të cilave shtëpitë botuese nxjerrin të ardhura të mira. Autorë shqiptarë, qofshin këta prozatorë, dhe aq më shumë poetë, të pikëllojnë me pamjen e tyre tek zverdhen vitrinave të librarive në pritje të ndonjë dashamiri të librit.
Vitet e gjata të mungesës së lirisë në vendin tonë e kthyen pothuajse në shterpë magjinë e letërsisë. Një realitet i veshur me dorashka të rënda e të zbukuruara ndjeshëm përballë një mjerimi të tejkaluar migjenian, më parë se gjithçka vranë atë: dëshirën për të lexuar krijues bashkëkohorë vendas. Kërkimi i autorëve të huaj apo librave “të ndaluar” qofshin ata edhe me një nivel të dyshimtë artistik, u shndërrua në makth, në një dëshirë të çmendur, vetëm e vetëm pse në to lexuesi kërkonte të abrogonte mohuesit e magjisë së letërsisë.
Kam mendimin se koncepti i magjisë së letërsisë sot është praktikisht i abuzueshëm në shumë pikëpamje. Shkrimtarë dhe poetë të ndryshëm, e shpërdorojnë termin duke veshur me petkun e magjisë një kozmetikë metaforike të fjalës apo të shprehjes, e cila mbetet si objekt i mbyllur në vetvete. Kjo mbyllje hermetike tejkalon vëmendjen e një mase të madhe lexuesish dhe mbetet e paaftë të nxisë më tej fantazinë e tij. Ideja për të bërë letërsi elitare nuk mund të jetë e pranueshme për të gjithë. Shumë autorë, përfshi këtu edhe një nga më të lexuarit e sotshëm, Aleksandër Dyma, e rrokën suksesin tepër vonë, kur trupat e tyre preheshin në palën e dheut. Por sipas mendimit tim, rendja e detyruar drejt nga shumë autorë, të cilëve iu mungon kultura e mjaftueshme dhe njohuritë për autorët bashkëkohorë, nuk sjell gjë tjetër veçse një “de crescendo” të ndjeshme të krijimtarisë së tyre, një përcjellje indiferente të lexuesit të mirëfilltë dhe një heshtje të qëllimtë apo acarim të kritikës letrare.
Ndryshe nga muzika shqiptare, e cila rrezikon të humbasë identitetin e saj me një prapaktheu drejt ca vulgarizmave orientale, apo në ca këngë mejhanesh të marra borxh nga fqinjët sllavë, grekë apo turq, të përkthyera e interpretuara mjerisht keq, shumica më e madhe e autorëve të sotshëm shqiptarë të letrave nuk pranojnë kurrë sesi terrenin që i ka servirur koha. Prapambetja e shkaktuar prej cerberëve të dogmës ndjehet akoma dukshëm edhe sot, kur kanë kaluar gati dy dekada prej kohës së rënies së murit fatkeq të Berlinit.
Pikërisht këtu merr udhë një xhindosje e pajustifikuar, një mllef i fshehtë i cili i përzier me frikën e kalimit të viteve, i bën ata të kërkojnë shtigje të shkurtra që t’i “vërsulen majave”, me qëllimin që t’i pushtojnë sa më shpejt ato, për t’u rrëzuar përfundimisht në një pellg të paevitueshëm dështimi, apo në masën amorfe të anonimatit.

Privimi e vendos dëshirën në piedestal! (l. lekaj)
Privimi e vendos dëshirën në piedestal! (l. lekaj)

Ligjin alfabetik mund ta shkelin vetëm gjenitë. Vetëm ata do të mund të jenë të denjë të shkapërcejnë etapat, rrymat dhe t’i paraprijnë njerëzimit me idetë e tyre.
Për të qenë një hemetik, Camajt, i ardhur nga shkolla letrare shkodrane, i është dashur të njihet mirë me historinë dhe teorinë e letërsisë, të njohë shkëlqyeshëm traditën, të përdorë mjeshtërisht vargun, dhe si një instrumentist virtuoz, të krijojë variacione mbi temën, duke e bërë atë të kapshme vetëm prej atyre lexueseve që e njohin përsosur subjektin e zanafillës. Pjesa tjetër do të mbetet dëshpërimisht jashtë, e paaftë të deshifrojë variacionet mbi të cilat lajtmotivi endet hijshëm dhe sigurisht e pakënaqur që s’mund të thithë asgjë prej ideve virtuoze të poetit. Këtu e kemi të pamundur të mos themi që Camaj ia ka shfaqur magjinë e letërsisë lexuesit të vet elitar, duke servirur virtuozitetin, si një stad avangardist të saj.
Dino Buxati, një prej autorëve më të njohur italianë dhe botëror, i famshëm sidomos për tregimet e tij por edhe për romanin e njohur “Shkretëtira e tartarëve”, di të flasë ndryshe për magjinë e letërsisë, edhe pse i përket shkrimtarëve të shekullit të shkuar (1906-1972). Ai nuk e mistifikon fjalën mes metaforave të pafundme, për ta bërë më pas të lodhshme e gati të pa deshifrueshme për lexuesin e mesëm por, ai di të luajë me mrekullinë e një gjetjeje të përsosur artistike, të një fabule që ngjizet mes një toni narrativ përrallor, për të na çuar më pas atje, tek magjia e letërsisë, e cila mplekset fuqishëm me frikën e vdekjes, me zhgënjimin e një jete, me shpresën për të jetuar, me mospërfilljen e njeriut përpara çastit të mbramë etj.
Fatos Kongoli dhe Suzana Tamara, dy nga autorët më të shitur të fundshekullit që shkoi, i pari në Shqipëri dhe e dyta në Itali kanë edhe një tjetër gjë të përbashkët: mënyrën e thjeshtë të të shkruarit, narracionin e rrjedhshëm tërheqës, i cili më pas rrëmben lexuesit, dhe kësaj here edhe ata “të mesëm” edhe “elitarët”, nuk kanë se si të mos bien në grackën e magjisë së letërsisë.
Sigurisht që edhe efekti i magjisë së rrëfimit mbetet në vetvete i rrezikuar. Ai kalon nëpër zgripe dhe tehe të mprehta, sidomos kur është fjala që lënda rrezikohet të kalojë në një spekullim ndjenjash, të cilat bashkëudhëtojnë momentalisht me lexuesin e kohës. Letërsia nuk duhet dhe nuk mund t’i përkasë kurrë vetëm të tashmes. Autori duhet të jetë i kujdesshëm që “të mos gëlltisë diku një çorbë të prishur e më pas ta vjellë gjithë jetën”. Këtu nuk e kam fjalën për pjesën më të madhe të shkrimtarëve puthadorë të regjimit, të cilët, mjerisht, iu duhet të vjellin një kohë të gjatë krijesat e tyre fatkeqe, por për ata të sotshmit, që vazhdojnë të luajnë ende, krejt bruto, kartën spekulative të fenomeneve të kohës. Bashkëkohësia kërkon medoemos kohën e vet të fermentimit, me qëllim që “mushti” i përfituar prej saj të mos shkaktojë më vonë “dhimbje koke”, apo pasoja të pandreqshme në CV-në e autorit.
E thashë edhe më lart që me këtë shkrim nuk kam aspak qëllim që të mohoj përpjekjet e atyre krijueseve që mendojnë se kontributi i tyre mund të jetë produkt i rrymave cilado qofshin ato, por të tund një kambanë të lehtë, e cila të mund të tërheqë sadopak vëmendjen e shkrimtarëve dhe poetëve, që kur të shkruajnë të kenë parasysh edhe atë: magjinë e letërsisë.
Botuar në revistën “Pelegrin”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.