back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Maja e Salomonit nga Ndoc Selimi

Gazeta

Maja e Solomonit - Koman
Maja e Solomonit – Koman

Maja e Salomonit

nga Ndoc Selimi

Maja e Salomonit apo thirrë ndryshe nga vendasit Guri i Salomonit qëndron si i vetmuar në mes gjithë këtij rajoni. Kjo majë shifet qysh nga larg, sapo të hysh në kufinjtë e Komanit dhe shtrihet sipër Vaut të dikurshëm e sot mbi digën e Hidrocentralit, pikërisht aty ku fillon Liqeni i Komanit, por edhe në një distancë jo të largët nga kalaja e Dalmaces dhe Nekropoli në afërsi të saj. Johann Georg von Hahn duke iu ngjitur Drinit përpjetë në vitin 1863, ndalon varkat pikërisht në Murgë dhe shikon një shkëmb të zhveshur. Ai shkruan: “Që një ditë më parë ne kishim përparuar deri në këtë pikë, e cila, për arsye të cilat nuk mundëm t’i mësojmë dot, mbante emrin bombastik “Shkëmbi i Salomonit”. (Hahn, “Nëpër viset e Drinit e të Vardarit” fq. 118). Ky emër hebré në këto gryka të bën të mendosh e të analizosh këtë toponim në disa domethënie. Eshtë një shkëmb i dalë nga mali në formën e një kurrizi dhe i parë pëballë të jep pamjen e një trekëndëshi dybrijënjënjëshëm dhe mund të hamendësojmë që përfaqëson njërin nga trekëndëshat e Yllit Davidit.
Kujtojmë se Salomoni ishtë biri i Davidit që mbretëroi Izraelin në vitet 970 – 931 para Krishtit dhe janë gjeneratat në gjakun e të cilëve do të vinte Mesia, Jezu Krishti. (Dom Simon Filipaj “Bibla” Ferizaj,1994, fq 402) Ndërsa i trajtuar thjesht si toponim mund të spjegohet nëpërmjet gjuhës latinë. “Salamoia” vjen prej latinishtës “salemoriam” që do të thotë një përzierje e ujit me kripë e erëza të ndryshmë aromatikë që i hidhen mishit, etj. Një përzierje të tillë e bëjnë edhe sot blegtorët për tua hedhur pastaj bagëtive. Ata shtypin kripë me sherbelë, milëz (melissa) etj. e pastaj produktin e vendosin në rrasa guri që quhen gjollë. Shumë studiues që kaluan në këto ana dhe panë me sy këtë shkëmb dhe më shumë kur mësuan për këtë emër, e përmendin vetëm si fakt e nuk i japin spjegim. Salomon mund të jetë edhe emër njeriu që është përdorur dikur. Kunata e Skënderbeut, motra e Donikës e quajtur Vojsava,që ishte e bija e Aranit Komnenit, qe martuar me Ivan Cernojeviçin e Malit Zi. Sipas Gjon Muzakës “Prej tyre lindën dy fëmijë: i pari u quajt Gjergj, i dyti u quajt Skënderbeg, i pari nga djemtë e Gjergjit quhej Salomon…” (E. Polito “Muzakajt e Beratit”, f 86″). Po ashtu në Regjistrin e Kadastrës së Shkodrës të viteve 1416 – 1417, gjendën dy emra pronarësh me mbiemrin Salamoni si Dom Lazër Salamoni prej qytezës së Balecit dhe Domenik Salamoni nga qyteti i Shkodrës. (por me një ndryshim nga Salomoni në Salamoni, që këtë deformim e ndeshim shpesh te vetë komanasit sot). (Regjistri i kadastres dhe Koncensioneve per rrethin e Shkodres 1416 / 1417, fq 29,69.) Duke përdorur fjalen “bombastik” të Hahn po analizojmë edhe disa emra të tjerë që i përkasin të njejtës prejardhje, të cilat gjenden në zonën e Komanit dhe tingëllojnë si toponime hebreje. Në pjesën jugore të Kalasë Dalmaces, janë dy emërtime “Shëlbatër”, si Kroni i Shëlbatrës mbi lagjen Shënkollë, nga ku merrej uji për në Kalà dhe toponimi tjetër në fshatin Gushtë i quajtur Kisha e Shëlbatrës. (gjithashtu një fshat me emrin Batër dhe një mal me po këtë emër ndodhen në Mat). Po të fillojmë të hamendësojmë këta emra vëndesh na çojnë shumë larg në kohë e në hapësirë gjeografike. Një emër i tillë ndodhet në gadishullin e Sinajt në lindje të Jordanisë e quhet qyteti Petra që thirret Bactra latinisht, që do të thotë Battra dhe formonte mbretërinë Nabatai, para se Troiano (Traiani) të ndërtonte këtu provincën romake (106 pas Krishtit), por para kësaj ishte nën dominimin helen, siç thotë Ptolemeu. Flitet në Bibël se më 931 para Krishtit ka kaluar mbreti Salomon dhe ky popull e quan vehten origjinë Salomonide. Një legjendë e tyre thotë se ishin popull hebre dhe u kthyen ne fenë e krishterë. Më 1270, pas Krishtit mori emrin “Regjina Di Saba”. Edhe Gjon Muzaka përmend një vend me emrin Shën Saba (San Saba) “Erçeku – thotë ai – ishte zoti i Dukatit të Shën Sabës (San Saba) që ndodhet në mbretërinë e Bosnjës, nga ana e Raguzës e kufizohet me të” (Gjon Muzaka “Historia dhe gjenealogjia e familjes së Muzakajve” fq 128). Sipas At Marin Sirdanit në Pultin e Poshtëm ishin qendra me rëndësi: “Shurdhahu, Deja, Capa, (Saba, Sava, Fshati e Varoshi)… (At M. Sirdani “Pulti i Dukagjinit” Hylli i Dritës 1934, fq. 185 – 191). Pra edhe në Shqipëri na del një “Saba” që është “Batra” dhe që lidhet përsëri me hebrejtë. Si toponim “Saba” ashtu edhe “Batra” përfaqësojnë të njejtin emër që do të thotë në shqip “Gur”. Në shqipen tonë kemi fjalën “Bat” që është një rasë prej guri e përdoret si grackë për të zënë zogj. Fjala “bat” është e barasthënë “gur” dhe vjen si një udhëtim i largët si “Bactra” (lat), “Battra”, “Pietra” , Sabba” e barabartë me Gur (në italisht sabbia është rëra po prej guri). Kujtojmë se Komàni dhe rrethinat kanë pasë një zhvillim shumë të madh duke filluar që në kohë të Ilirisë dhe më vonë me romakët. Qytetërimi bregadrinas që nisë me Sapën, Danjën, Sardën, Komani, Dushmani e deri në Va Spas, ku me pastaj lidhej me Gjakovë e Prizren (Ulpianë) etj. Këndej kalonte rruga e Bregut ose e Dimrit që nisej nga Shkodra, apo Danja dhe përcillej me tre ura mbi Dri prej guri në kohën romake. Këndej rridhte e fjala e urtë që thotë: “Zihet orizi në Shkodër e hahet i ngrohtë në Prizren”. Shumë autorë sot janë të mendimit se ardhja e ushtarëve nga provinca të tjera të Perandorisë romake kishte si pasojë jo vetëm shpejtimin e procesit të romanizimit, por edhe përhapjen e kulteve të tyre. Stipçeviq e përkrah këtë ide duke thënë se: “Sirianët, egjiptianët, çifutët, etj që si ushtarë romakë qëndruan në tokat ilire për shumë kohë dhe më vonë u faleshin hyjnive të vendlindjeve të tyre, kështu që veç kontributit që jepnin si ushtarë romakë në përhapjen e shumë fryteve të kulturës dhe të qytetërimit romak, kontribuan në përhapjen e religjoneve orientale si dhe të vlerave kulturale në visët ilire” (A.Stipçeviq, “Ilirët” fq. 66). Derisa nuk kemi fakte të drejtëpërdrejta, këto hipoteza do t’i lëmë të hapura.
(Marrë nga faqja e fb e Ndoc Selimajt)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.