back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Majori i Mallakastrës, Mustafa Aranitasi, Themelues i Qeverisë së Parë Shqiptare në Korçë – nga Vepror Hasani

Gazeta

Mustafa Aranitasi (1872-1961)
Mustafa Aranitasi (1872-1961)

Majori i Mallakastrës, Mustafa Aranitasi,

Themelues i Qeverisë së Parë Shqiptare në Korçë.

nga Vepror Hasani

Qeveria shqiptare e Korçës e krijuar nga Mustafa Bej Aranitasi, që u mbështet nga oficerët hollandezë, mbahet mend për mposhtjen e kryengritjes së armatosur “vorioepiriote” të 2 prillit 1914 dhe ngritjen e flamurit kuq e zi mbi Korçë. Nga kjo kryengritje e përgatitur prej dhespotit Gjermanos për të kërkuar bashkimin e Korçës me Greqinë mbetën 112 të vrarë.
Ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Ushtria shqiptare prej 250 vetash hyri në Korçë më 2 mars 1914. Koloneli grek Kondulis, nënshkroi dorëzimin e Korçës. U formua Këshilli i Qeverisë shqiptare. Oficeri hollandez, major Johan E. Snellen van Vollenhoven mori Komandën e Mbrojtjes së Korçës. 
Bashkë me kapitenin Jetze Doorman organizuan xhandarmërinë shqiptare. Vunë në përdorim vulën zyrtare me shqiponjën dykrenare në mes, me nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça” (Komisioni i Kontrollit të Përkohshëm Korçë, i kërkuan dhespot Gjermanos shpërndarjen e “batalioneve të shenjta” (Ierus loqus), të krijuara prej tij pas vizitës së Jorgos, birit të Mbretit Kostandin, në Korçë, më 16 maj 1913.
Qeveria pati këtë përbërje: Pandeli Evangjeli, prefekt; Abdyl Ypi, nënprefekt; Themistokli Gërmenji, shef policie, Hysen Nikolica, komisar policie. 
Pas kësaj, Mustafa Bej Aranitasi shkoi në Kolonjë për ngritjen e Qeverisë Shqiptare, por atje përplasja mes forcave të Qeverisë së Korçës dhe andartëve të dhespot Gjermanos nuk do të vononte. Dhespoti i Korçës ndihej i favorizuar. Ushtria greke kishte bërë sikur ishte larguar, por në të vërtetë një pjesë e saj ishte fshehur në Mitropoli, të tjerë te spitali grek dhe pjesa tjetër përrenjve përreth Korçës. Batalionet e shenjta prej 1000 vetash qëndronin të armatosura.
Qeveria nën drejtimin Mustafa Bej Aranitasi e shpejtoi ngritjen e trupës së parë të xhandarmërisë. Organizoi paradën e parë ushtarake për të demonstruar forcën. Njerëzit vetofroheshin për të qenë në shërbim të Korçës. Për këtë arsye ata u quajtën “vetëdashës”. 
“Kurrë s’do të harrohet dita e dielë, që për të parën herë në histori të Përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët mundën të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin; kurrë s’do të harrohet themi, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës si ishte në kohët e kaluara, vinin nga frika e kërbaçit dhe e bajonetës…”(Gazeta “Koha”, 18 mars 1914).
.
Ushtarakë Hollandezë me mision në Shqipëri mbas Pavarsisë
Ushtarakë Hollandezë me mision në Shqipëri mbas Pavarsisë
Fillimisht numri i xhandarëve ishte 120, por çdo ditë regjistroheshin të tjerë. Edhe Gjermanos vijonte me përgatitjet. Nga trupa e vetëdashësve nisën të dilnin qëllonjëtarët e parë (snajperat), si Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci, Zenel Plasa etj, prej të cilëve do të krijohej batalioni i qëllonjtarëve. Në Moravë u dërguan 1500 burra të armatosur për të qenë gati në mbrojtje të Korçës.
Dita e kryengritjes mbërriti.
Më 2 prill 1914, rreth orës 03-04.00 të mëngjesit, qeveria shqiptare u sulmua nga kryengritësit e dhespot Gjermanos. “Batalionet e shenjta” u vunë nën komandën e Jorgji (Gjergji) Sulios. Gaqo Busho zuri vend te vreshtat e qytetit, për të mos i lejuar kapedan Kajos hyrjen në Korçë. Doktor Harisiadhi, (Epaminodha i Mit’hat Harizit), me 400 veta do të pengonte ardhjen e mborjarëve në ndihmë të Korçës. Ushtarët grekë që rrinin të fshehur përrenjve, u lajmëruan të niseshin urgjentisht.
Kryengritja zgjati 5 ditë e 5 netë. Në krye të forcave të qeverisë dolën: komandant i Mbrojtjes së Korçës, majori Johan E. Snellen van Vollenhoven; kapiteni Jetze Doorman; kapiten i xhandarmërisë Leopold de Gilard; kapiteni i misionit hollandez, Reimers në Pogradec; konsulli amerikan, major Harold Sherwood Spencer; Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Hysen Nikolica, major Mustafa Elmazi, kapiteni Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitant Ismail Hakiu, Ferit Frashëri, Riza bej Helmësi, Dervish Filja i teqesë së Turanit etj. 
Princ Vidi përcillte urdhërat nga Durrësi dhe ndiqte më vëmendje çdo hap të kryengritjes. Fundi i kryengritjes u shënua me ardhjen e çetave të kapedan Kajos, Agush Çaushit, Muharrem Moglicës, Zalo Prodanit, Gani Butkës etj. Nëpër rrugët e Korçës u gjetën 112 të vrarë
Andartët e dhespot Gjermanos u mbyllën në shtëpitë e tyre, duke nxjerrë nëpër dritare flamujt e bardhë të dorëzimit. Më pas nisën të dilinin me duartë lart. U bënë shumë arrestime. U arrestua edhe dhespoti Gjermanos.
Në mbrojtje të Korçës, mbrritën edhe gegët. Tmerri i grekomanëve u bë edhe më i madh. Përgjonin me ankth çfarë do të ndodhte. Hajdar Blloshmi në krye të 300 trimave tha: 
“Neve Gegët e kemi për detyrë të vijmë në ndihmë dhe të luftojmë për të shpëtuar dhe liruar Toskërinë nga armiku barbar, më parë edhe për Korçën se është e ditur dhe e provuar që Shqipëria pa Korçën s’mund të rrojë dhe të përparojë siç duhet”.(Gazeta “Koha” 3 maj 1914).
Bashkë me Hajdar Blloshmin kishte mbërritur dhe Shaban Blloshmi me të tjerë. Më pas arriti edhe taborri i xhandarmërisë së Tiranës: “Ardhja në Korçë e taborrit të xhandarmërisë së Tiranës nën komandën e z. Shaban Adil, lë të kuptohet edhe një herë më shumë vëllazëria e shqiptarëve. Vetëdashësit e Korçës duke bërë nderimet dhe gjithë populli e pritën me një gëzim të madh dhe me këngë kombiare”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 3 maj 1914)
Princ Vidi vijonte të interesohej për Korçën, dërgonte armë dhe veshje për ushtrinë, ndërsa grekomanët ende nuk gjenin dot qetësi: “Gjer më sot arrinë nga Durrësi në Korçë 400 barrë me armë dhe 500 barrë me fishekë. Armët janë nga më të mirat, të sistemeve të reja. Gjithë oficerët që kemi pyetur kanë mbetur fort të kënaqur… Nesër priten të arrijnë në Korçë dhe 12 topa që dërgoi qeveria jonë nga Durrësi. Topat, siç mësojmë, janë nga më të mbaruarat (përkryerat) që kanë dalë deri më sot”… Uniformat që porositi Qeveria e Korçës për ushtrinë e Korçës është fort e pëlqyer dhe e bukur. Pas tri ditësh shprehemi që do të jenë gati të vishen nga ushtria…”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 3 maj 1914)
Ndërkohë u ngrit një komision për analizimin e ngjarjes, ku “…të fajimit do të gjykohen prej komisionit nderçim (të ndershëm), që u formua nga z. prefekt Pandeli Evangjeli, nënprefekt Abdyl Ypi, komandanti hollandez Snellen van Vollenhoven, dhe Kristo Floqi” Grekomanët prisnin të merrnin vesh kush do të arrestohej…” (Gazeta“Koha”e enjte 17 prill 1914)
.

Kush është Mustafa Aranitasi

Mustafa Aranitasi (Aranitas, 12 prill 1872 – Spitali i Tiranës, 26 prill 1961) ka qenë ushtarak dhe ministër i shtetit shqiptar.
U lind më 12 prill 1872 në Aranitas të kazasë së Mallakastrës. Ndoqi Akademinë Ushtarake në Stamboll. Në korrik 1913, duke pasur gradën e majorit, ishte njëri nga 4 komandantët e deshtamenteve të vendit që u formuan nga oficerët holandezë gjatë ministrimit të Mehmet pashë Dërrallës. Së bashku me major Ismail Haki Tatzatin u caktua në krye të batalioneve të Korçës e Gjirokastrës. Më 1915 shërbeu si komandant i xhandarmërisë në Mirditë, më 1916-’18 komandant batalioni me forcat austro-hungareze. Më 1919-’20 komandant batalioni në Elbasan.
Më 1920-1922 ka qenë komandant i regjimentit të dytë me qendër në Tiranë. Më 1922-1923 qe kryetar i Gjykatës Ushtarake me gradën e kolonelit, më 19 gusht zëvendësoi Tatzatin në postin e ministrit të Luftës në qeverinë Zogu.
Më 1 qershor 1924 emërohet komandant i operacionit antikryengritje për jugun, kandidoi pa sukses për deputet në emër të grupit Nacional-Demokrat në Berat. Pas suksesit të lëvizjes së qershorit emigroi në Itali, ndërsa u shpall në kërkim nga qeveria e Nolit. Më 12 dhjetor 1924, Gjykata Politike e dënoi me burgim të përjetshëm duke e akuzuar se u kishte lehtësuar shpërndarjen e armëve forcave të Zogut dhe bashkëpunim në vëllavrasje.
U rikthye në Shqipëri pas Triumfit të Legalitetit më 24 dhjetor 1924. Vijoi në detyrën e kryetarit të Gjykatës Ushtarake deri më 30 mars 1927, kur doli në pension dhe u tërhoq në jetën private.
Më 1946 u dëbua nga kryeqyteti nga regjimi komunist me gjithë familjen dhe u internuan në Çermë të Lushnjës. Sëmuret dhe shtrohet në spitalin e Tiranës ku edhe ndërroi jetë më 26 prill 1961, u varros në Tiranë.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.