back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Maks Velo (1935-2020) Opinione rreth Njeriut dhe Artistit

Gazeta

Maks Velo - Skice nga Bashkim Alushi
Maks Velo – Skice nga Bashkim Alushi

Maks Velo (31 gusht 1935 – 7 maj 2020)

Opinione rreth Njeriut dhe Artistit

Liridon Mulaj

Unë nuk e kam njohur Maks Velon personalisht dhe pse çdo ditë kafenë e pasdites e pinim në të njëjtin vend, në “Bar Epiri” në pedonale. E shikoja ashtu të heshtur teksa pinte çajin e ngrohtë të cilin nuk e ndante nga vetja dhe në ditët e nxehta të gushtit. I kërrusur, i vetmuar që belbëzonte pothuajse gjatë gjithë kohës pa zë. Kam tentuar shpesh t’i flas, ta ftoj në tavolinë apo t’i ulem në tavolinë. Madje në një nga ditët kur e kisha ndarë mendjen top të ulesha dhe të bisedoja me të (falë një artikulli që kisha lexuar për jetën e tij) prap nuk e gjeta guximin pasi m’u kujtua një deklaratë jo fort e hijshme për veriorët. Druajta se mos nuk do të më mikpriste dhe ju frigova mënyrës se zhurmshme me të cilën ai fliste ndonjëherë. U ngrita, mora për nga tavolina e tij dhe në fund ndërrova mendje. Bëra pagesën dhe plus kafesë e konjakut, pagova dhe çajin e Maksit dhe i thashë kamarierit, thuaj që e ke nga një admirues i yti, i fshehtë, por pasi të kem ikur unë. Mbase i vetmi njeri para te cilit pata drojë të flas.
Uroj të kesh gjetur në qiell, paqen e munguar në tokë.
.

Lekë Tasi

U njohëm qysh në vitet ’50. Mbas disa vjet pianoje në Korçë, ishte student Inxh-Arkitekturë, por shumë entusiast për vizatime urbane. Përdorte boj-kinën rëndshëm që ia donte temperamenti dhe ia pëlqeu një shtëpi botuese në Leipzig. M’i tregonte te dhoma e tij Rr. Kont Urani. Më vonë edhe punimet në bakër. Kishte një tërheqje nga arti modern, ndryshe nga shumica, por edhe ishte ndryshe atëhere klima, lejohej diçka.
Mbas ’74 u shtrëngua tepër, dhe nga fshati ku ndodhesha mora vesh arrestimin e tij. Mënyra e tij piktorike pas Spaçit shprehu për mjaft vite neverinë e thellë për stampën tonë të dhunës në gjyqe-burgje-kampe, të cilën e konkretizoi në figura humanoidësh të reduktuar në gjallesa pa formë, por vetëm instinkte dhe egërsi gjë që pati jehonë edhe në botë. Më ka dhënë edhe librat që shquhen edhe ato për stil bashkohor. Unë e inkurajoja të kultivonte paralel edhe damarin e tij lirik me portrete të thjeshta por mjaft të fokusuara.(shëmbull Puzanovët) por edhe me tipa popullore, lab, kurbatka, etj. Kishte ndryshuar, dhe kohët e fundit bëmë edhe fjalë. Kështu pasioni i përbashkët për muzikën, u artikulua në karrike afër o larg njeri-tjetrit në sallën e Univ. Të Arteve, në vartësi të këtij tensioni variabël mes nesh. I uroj paqe dhe ndjesë.
.
Maks Velo - "Veriu" vaj
Maks Velo – “Veriu” vaj

Marjan Bunaj

“Mbrojtës të veriut” e të “islamit” nuk ishte më i rrezikshmi prej armiqve tuaj, por mos i mbani mëri pasi vetëm fakti që jemi bashkatdhetarë të tij na bën të ndjehemi fajtorë për trajtimin që iu rezervua. Ndoshta ndonjëherë natyra e tij kontroverse nuk e lejonte të ishte dipllomatik dhe i matur. Çfarë i sollët atdheut me “maturinë tuaj”?! Mjaft e dënuat për së gjalli tani të heqim kapelet e të përkulim kokën se ka vdekur një disident në një vend ku disidenca është pothuajse e pakonceptueshme.
“…unë kam lindur skandaloz dhe i lirë…” – thoshte Rreshpja
.

Sadik Bejko

Maks Velo u nda nga kjo botë. Ai ishte një personalitet i fortë, me të cilin jo gjithmonë mund të ishe dakord. Por ai me jetën e tij të gjatë e të mbushur me ngjarje të dhimbshme ishte dëshmia e gjallë e njeriut të fortë, e një personaliteti unik të pathyer nga vështirësitë.
Maksi i pagoi shumë shtrenjtë pasionet, artin, idete e tij dhe kurrë nuk hoqi dorë prej tyre.
Lamtumire Maks Velo!
.

Maks Velo (2012) - duke lexuar dosjen e vet të dënimit
Maks Velo (2012) – duke lexuar dosjen e vet të dënimit

Kastriot Dervishi

Kjo foto është e datës 19.7.2012. Maks Velo është duke prekur dhe lexuar dosjen e tij të dënimit në Drejtorinë e Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Brendshme. Atë ditë pimë një kafe dhe zhvilluam një bisedë në lidhje me persekutimin komunist, Spaçin, kujtesën, shkrimin e librave, etj. Nuk e dija pse u vonua aq shumë në këtë lexim, mbase nga keqkuptime apo impenjine të tjera. Fotoja është realizuar prej meje me mirëkuptimin e tij. Është çasti kur sheh një nga punimet e tij të shkatërruara, por të fotografuara më parë për arsye hetimore.
.

Ilirjan Blloshmi

Maks Velon e kemi pasur mik shtëpie. Njohja me tim xhaxha, por dhe ndarja e qelisë me xhaxhanë e time mëje kishte krijuar një miqesi që vazhdoi dhe gjatë demokracise.
Maksi kur vinte në fshat, kishte qejf manat e kuq. Sa here vinte. Ime gjyshe ose ime më më dërgonin të mblidhja mana.
Ndarja nga jeta e Maksit më kujtoj manat e kuq. Maksi ishte ai lloj njeriu që kishte gjetur paqen me veten, ai ishte një shembull i gjallë i disidencës antikomuniste shqiptare.
Pusho i qetë o rebeli i heshtur.
 


 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.