Malësori i Veriut…
sipas Indro Montanellit (1938)
“Malësori i Veriut është njeri fizikisht i bukur, i bukur pa naze: i gjatë, i thatë, i skalitur në tipare të ashpra, burrëror në të gjitha shprehjet e tij, i vetvetishëm; instikti dhe veprimi i shpërthejnë pothuaj njëherësh, pa diafragmën e të menduarit. Është njeri i fortë, prej shkëmbi; zor se dallohet nga flora dhe fauna që e rrethojnë. Edhe pse shumë i varfër, ai është zotëri i vërtetë, ka një linjë të tij elegante, një dinjitet të tijin fizik, të pacënuar aspak nga varfëria e të veshurit dhe thjeshtësia e jetës së tij.
Unë mbeta i mallëngjyer dhe befasuar përballë disa orendive të barinjve mirditorë që stolisin banesat e tyre: gjethe fiku të lakuriqësive spartane. Do të doja t’i blija disa syresh, por kur ua kërkova këtë miqve të mi, ata nxituan të m’i bënin dhuratë – e atëhere m’u desh të heshtja. Sepse ky bari i varfër i Veriut, në mjerimin e tij është një zotëri i vërtetë, ai është estet jo tregëtar, nuk e kupton paranë dhe për rrjedhojë, nuk do dinte ç’të bënte më të, nuk shet… por dhuron. Ndërsa ti borgjez perëndimor mbetesh i ndrojtur dhe plot nderime përballë kësaj bujarie krejt instiktive, të çiltër dhe aspak për t’u dukur.
Dhe të vjen turp që je njeri i qytetëruar…
Një jetë e tillë e vetmuar dhe e ashpër, e zhvillon tej mase personalitetin e këtyre njerzëve. Çdo njeri ka një botë të veten dhe në këtë botë është despot absolut.
Duke iu afruar ndjen menjëherë o ti europian i zvogëluar nga shoqëria, gjigandizmin e këtij qytetërimi primitiv duke iu nënshtruar pa pasur mundësinë ta masësh dhe ta gjykosh…
Shqiptari i veriut ka virtytet e tij të veçanta që janë virtyte homerike të guximit dhe trimërisë. Për malësorët ashtu sikur për grekët e hershëm, forca dhe mirësia janë një gjë e vetme, kështu edhe ligësia dhe dobësia…
Luftëtarë dhe poetë nga instikti, çdo heroizëm është objekt kënge për ta. Aspirata e madhe e malësorit është të kujtohet edhe pas vdekjes si protagonist i aventurave të rrezikshme…
Secili prej tyre kur lind, vë kandidaturën për pavdekësi…!”
*Indro Montanelli (1909-2001), gazetar, historian dhe shkrimtar italian. Një nga pesëdhjetë Heronjtë e Lirisë së Shtypit në Botë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Shtypit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Montanelli vazhdoi punën e tij në Corriere della Sera, ku pat filluar të punojë në vitin 1938, dhe u dallua si një kolumnist i vendosur konservator për shumë dekada. Intransigjent, antikonformist dhe antikomunist, ai mbrojti idenë e një të drejte tjetër politike, e cila ishte e matur, e kulturuar…