back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mall e mërzi… poezi nga Ernest Koliqi

Gazeta

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

***
Prej Bep Çobës, e lexova kët poezi – ndër ma të amblat e Koliqit…
Nji poezi malli dhe moshe, nji poezi kushtue sa nji mikut aq edhe vedit… nji poezi që ashtu si n’jehonë ma solli të gjallë tim atë, kur mbramjeve ulun te qoshja e vet… e donte “at të shkretë faqore njiqind gramshe”, me pak meze dhe krejt bota bahesh e tija…!
Ajo pak raki e tjetërsonte… e çlodhte, ia kthente humorin, dhe ai ia niste rrëfimeve pafund të nji bote që s’shte ma…
I ktheheshin shokët dhe miqtë e dikurshëm, i ktheheshin krejt pasionet dhe andrrat e mbetuna përgjysë… I kthehej ajo që ia kishin vra!
E lexova dhe e rilexova disa herë kët poezi antologjike dhe m’u duk sikur Koliqi e kishte shkrue jo veç për vedi dhe Karl Gurakuqin, po edhe për babën tem e për gjithë tjerët…
Si duket njerzit që dijnë me e dashtë njeni tjetrin, e induktojnë edhe pa e kuptue atë çka ata ndjejnë e çka shkruejnë… j.r

Bahçe Shkodre (Pikture Altin Muçiqi)
Bahçe Shkodre (Pikture Altin Muçiqi)

Mall e mërzi…

poezi nga Ernest Koliqi

Kujtim i nji mbramjeje shkodrane
kushtue mikut Karl Gurakuqi

N’kopsht mbas shpis pran njaj tryeze
po flladitem ndej n’vetmi
tue përsjellun, me’i grim’ meze
freskue n’pus nji pikë raki.

Sylarushkën e syzezën
s’i dishroj me i pasë n’shoqni
sytë e tynë, anì le t’ndezen
për ndoj tjetër dashuni…

M’la dashnija e u vok dishiri
prenduen stin’t plot farfuri
nuk m’ka mbetun veç putiri
me largue mall e mërzi

Djath e presh, buk’kallamoqe
meze e mirë për terjaqi,
Kjo rakia aman sa shoqe
ngushulluese asht në zymti…

Rrshet mbi barë nji rreze hane
lehtas gjetht dridhen n’puhi
me za t’marrun nji qemane
ambël fshan diku n’kojshi

Shum kërkova e s’mund e gjeta
kërkund n’botë t’bardhën lumni
s’u kujtove ti, Ernest-shkreta,
se e ke pasë mbrenda n’avllì

N’avllì t’nji shpisë shkodrane
n’kopshtin tand tue pi raki
me shpirt t’knaqun m’sa ‘i qemane
ambël fshante n’largësi…
Romë, 12 korrik 1960

U botua te “Shejzat” në Pranverë të 1964 (k.marku)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shumë e bukur, plot ndjenjë, varg, sensualitet gjithçka ka brenda kjo poezi…
    Për ne që s’pijmë raki, me vetminë do të na bënin shoqëri perfekte keto vargje… se vetmia ndonjëherë është frymëzim,është ndjenjë, është shumçka…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.