back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mallakastra dhe Arianitët – nga Eduart Ruzhdi Aranitasi

Gazeta

Eduart Aranitasi flet mer Mustafa Aranitasin
Eduart Aranitasi flet mer Mustafa Aranitasin

Mallakastra dhe Arianitët

nga Eduart Ruzhdi Aranitasi

1.
E shtrirë në ekstremin jugor të rajonit perëndimor të vendit, Mallakastra është një nga krahinat gjeografike dhe etnografike të Shqipërisë. E kufizuar në veri dhe në perëndim nga Myzeqeja, në jug nga Labëria dhe në linje Toskëria, ajo ka një sipërfaqe prej 500 km2, duke u shtrirë në rrethet e sotme të Fierit, Mallakastrës dhe Tepelenës. E quajtur nga historia edhe si “Toka e bazilikave” ajo është e pasur me site arkeologjike, objekte kulturore, folklor dhe trashëgimi etnografike, të krijuara gjatë shekujve në të 50 fshatrat-vendbanime te saj. 
Si një ndër rajonet e populluara që nga periudha parahistorike ajo ka nxjerrë jo vetëm përfaqësues të traditave luftarake, por edhe njerëz të shquar në të gjitha fushat e jetës. Midis personaliteteve të shumta të saj përmendet edhe Mustafa Aranitasi një nga ushtarakët e shquar të ushtrisë shqiptare.

 

Mit'hat Araniti 1938
Mit’hat Araniti 1938

2.
Aranitasi është një nga fshatrat e përmendur të Mallakastrës, i cili me emrin e tij dëshmon drejtpërdrejtë pushtetin në këto anë të familjes feudale të Arianitëve. I vendosur në qendër të krahinës, rrëzë malit të Shëndëlliut, ai përbëhet nga tetëmbëdhjetë blloqe të vogla banimi të quajtura në gjuhën e popullit, mëhalla. Pikërisht këtu nga ky ambient dolën për t’u bërë të njohur nga historia, ministrat e luftës: Mustafa Elmazi (Araniti) Aranitasi e Xhemal Ibrahimi (Araniti) Aranitasi; publicisti, përkthyesi dhe eruditi Mit’hat (Araniti) Aranitasi!
Mustafa Aranitasi lindi në vitin 12 prill 1874, në një nga familjet më të njohura, atë Aranitasi! Nuk dihen shumë hollësi për fëmijërinë dhe rininë e hershme, por njihet fakti se Akademinë ushtarake e kreu në Stamboll, kurse specializimin ushtarak në Austri. Gjatë viteve të shkollës pati fatin të ishte bashkënxënës me Ataturkun me të cilin ishte edhe pjesëmarrës në Revolucionin Xhonturk të vitit 1908.
Ashtu si shumë shqiptarë të zhgënjyer prej këtij revolucioni nacionalist edhe ai pas një viti e braktisi Armatën Turke dhe si patriot u kthye në atdhe duke ju bashkuar çetave të kryengritjeve të mëdha të viteve 1909-1912, që sollën pavarësinë e Shqipërisë.
Pjesëmarrja e tij dokumentohet në kuvendin historik të Sinjës të 23 korrikut 1912, ku përfaqësuesit e 49 çetave kryengritëse të Shqipërisë së jugut shpallën kërkesat e Lëvizjes Kombëtare, duke autorizuar Hasan Prishtinën që ta përfaqësonte edhe këtë pjesë të hapësirës shqiptare në bisedimet shqiptaro-turke, që do të sillnin autonominë dhe më pas pavarësinë.
Me krijimin e Shtetit shqiptar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, Mustafa Aranitasi do t’i vërë të gjitha energjitë e tij në shërbim të vendit, për të vendosur edhe ai një gur në themelet e tij.
Në faqen 30 të librit të tij “Historia e shtetit shqiptar”, botim i vitit 2005, autori i njohur Kastriot Dervishi, midis të tjerave shkruan se: “Ministri i luftës Mehmet Pashë Dërralla i ndihmuar nga 15 oficerë holandezë të drejtuar nga koloneli De Weer, formoi Xhandarmërinë, e cila zgjodhi një uniformë të përafërt me atë italiane, e përbërë prej 500 vetash. Në korrik 1913, erdhën si organizatorë oficerët holandezë, të cilët formuan katër detashmente në komandën e major Mustafa Aranitasit, kapiten Mustafa Maksutit, kapiten Kasëm Qafëzezit dhe kapiten Rexhep Shalës”.
Kontributin e tij patriotik dhe profesional M. Aranitasi e dha edhe gjatë aktivitetit që ushtroi qeveria e Princ Vidit gjatë viti 1914. Fillimi i kryengritjes fshatare të Shqipërisë së Mesme dhe shtrirja e saj drejt jugut të vendit, edhe në Mallakastër e nxiti atë që ashtu siç kishte vepruar vite më parë të kthehej në vendlindje, ku do të drejtonte kundër rebelëve forcat e armatosura të krahinës. 
Në njërën nga këto ndeshje, pikërisht në janar 1915, ai do të kapej prej tyre, por për fatin e mirë do t’i shpëtojë ekzekutimit, gjë që nuk ndodhi me patriot të tjerë si Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi. Shtypja e kryengritjes nga ushtria serbe dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore e angazhoi përsëri Mustafa Aranitasin. Ashtu si të gjithë patriotët që kishin luftuar për pavarësinë e Shqipërisë edhe ai nuk e fshehu simpatinë për mbrojtësen e të drejtave të shqiptarëve, Perandorinë Austro-Hungareze.
Në shkurt të vitit 1916, major M. Aranitasi do të inkuadrohet në trupat shqiptare që ju bashkuan armatës Habzburge dhe do të drejtonte një batalion në luftimet kundër italianëve në frontin e Vjosës. Për kontributin dhe meritat, Perandori Franc Jozef, e dekoron në 17 korrik 1917 me Kryqin e Artë të Kurorës, një dekoratë e lartë dhe e respektuar që jepej nga dinastia Habzburge.
Përfundimi i Luftës dhe fitorja e Bllokut të Antantës solli një situatë të rrezikshme për një copëtim të ri të Shqipërisë. Zbatimi i mundshëm i Traktatit të Fshehtë të Londrës i vuri përsëri në lëvizje patriotët shqiptarë, për të mbrojtur integritetin territorial të vend it. Në këto kushte qeveria e Turhan Pashë Përmetit e dalë nga Kongresi i Durrësit në vitin 1918 e angazhoi përsëri M. Aranitasin, këtë herë në krye të batalionit të xhandarmërisë me bazë qytetin e Elbasanit.
Ndërkohë që krahas detyrës të cilën e konsideronte të shenjtë M. Aranitasi do të merret edhe me veprimtari atdhetare. Gjatë gjithë vitit 1919, populli shqiptar, në mbledhje, takime politike dhe mitingje të gjera do t’i drejtohej qeverisë së Durrësit dhe Fuqive të Mëdha të Antantës për respektimin e vullnetit dhe të drejtave të tij për vetëvendosje. Në peticionin e nënshkruar në mitingun e zhvilluar nga popullsia e Mallakastrës në 22 mars 1919, në Ballsh, spikat edhe firma e M. Aranitasit.
Me rikrijimin e shtetit të ri shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës do të ngrihen nga fillimi edhe strukturat e ushtrisë dhe xhandarmërisë shqiptare. Kështu, me gradën nënkolonel M. Aranitasi do ta gjejmë në fillim të vitit 1920, si komandant të regjimentit të Korçës dhe më pas të atij të Tiranës.

Në 19 mars të vitit 1922, Këshilli i Lartë i cili kryente funksionin e kryetarit të shtetit e emëron atë kryetar të gjykatës ushtarake dhe gradën e kolonelit. Me këtë gradë të lartë ai do të arrijë edhe majën e karrierës së tij ushtarake pasi në 30 maj të vitit 1924, kur ai do të emërohet ministër i Luftës në qeverinë e kryeministrit Iljas Vrioni.
Qeveria Vrioni u krijua gjatë periudhës së krizës së rëndë politike të viti 1924, pas dorëheqjes së kryeministrit Shefqet Vërlaci. Kabineti kishte këtë përbërje. Ilias Vrioni, kryeministër dhe ministër i jashtëm; Abdurrahman Dibra, ministër i brendshëm; Mustafa Aranitasi, ministër i luftës; Benedikt Blinishi, ministër i drejtësisë; Myfid Libohova, ministër i financave; Kostaq Kota, ministër i punëve botore dhe Fahri Rushiti, ministër i arsimit. Qeveria për vetë zhvillimet politike e pati jetën të shkurtër dhe ministri i luftës e pagoi “haraçin” e detyrës duke u internuar nga qeveria e Fan Nolit, si kundërshtar politik në Itali.
Pikërisht si protagonist në ngjarjet e kohës, emri i tij ndeshet edhe në botimet historike që i dedikohen kësaj periudhe. Në librin e tij “Ballafaqime Politike në Shqipëri – në vitet 1897-1942”, botim i vitit 2000, autori Sejfi Vllamasi, ish deputet i parlamentit të viteve 1920-të, e përmend M. Aranitasin si personazh të ngjarjeve të kohës në faqet, 104, 347 dhe 349 të tij. 
Po kështu edhe Eqrem bej Vlora, një tjetër pjesëmarrës në ngjarjet politike të periudhës midis dy luftërave botërore, në librin e tij “Kujtime” botuar në vitin 2003, në faqen 510 të tij thekson se “Mustafa Aranitasi ishte një ushtarak i zoti dhe me aftësi të mira teknike”.
Ky përcaktim i Eqrem bej Vlorës, një prej njerëzve më të kulturuar të Shqipërisë së shekullit XX, është më se real dhe i vërtetë. Kur shumica e ushtarakëve organizuan grushtin e shtetit ky njeri përpiqej t’i qëndronte besnik uniformës, duke vlerësuar më tepër atdheun se karrierën.
Qëndrimi prej shtetari të ndershëm dhe zyrtari të pjekur, i cili qëndronte larg kompromiseve e çoi M. Aranitasin që në vitin 1927, për shkak të mosmarrëveshjeve me politikën e kohës të jepte dorëheqjen, si kryetar i gjykatës ushtarake. Këtë gjë e bëri pa ekuivoke, ku për të mos ndërmarrë vendime të pabazuara preferoi më mirë “të hidhte çelësat” në tavolinë.
Si rrjedhim i këtij qëndrimi të lartë moral, vitet e Monarkisë i kaloi si pensionist në Tiranë, duke e vëzhguar jetën politike nga jashtë. Edhe periudhën e okupacionit italian dhe më pas atij gjerman, i kaloi i paangazhuar, duke u marrë vetëm me problemet familjare dhe shoqërore. 
Por, rrjedha e pashmangshme e ngjarjeve do ta përfshijë edhe familjen e tij në vorbullën e saj. Ai që kish ditur të shmangej në qetësi tanimë nuk do të jetojë jetën e vet. Në 1943, italianët i djegin shtëpinë në Aranitas. Të gjitha andrallat nisën me pjesëmarrjen e të birit, përkthyesit dhe publicistit Mitat Aranitasi në organizatën e Ballit Kombëtar. 
Në fund të luftës do të arrestohet nga partizanët në 21 nëntor 1944, vetëm disa ditë pas çlirimit të Tiranës. Për arsye pafajësie do të lirohet pas pak kohe, por dënimi më i madh do të vinte më pas. I goditur moralisht ai do të vuante dënimet e njëpasnjëshme të dy djemve, Mit’hatit dhe Qemalit. 
Do të përjetonte në mënyrë tragjike vdekjen e këtij të fundit së bashku me të nipin, Skënderin 17 vjeç, si dhe do të niste kalvarin e gjatë të shoqërimit të familjes nëpër kampet e internimeve. Vdiq në moshën 89-vjeçare në 24 prill të vitit 1961, në një fshat të Lushnjës.
Mustafa Aranitasi (1872-1961)
Mustafa Aranitasi (1872-1961)
3.
Në 19 shkurt të vitit 2011, Këshilli i Bashkisë Ballsh organizoi ceremoninë e dhënies së titujve qytetarë nderi, për disa prej personaliteteve të shquar që ka nxjerrë në kohë krahina e Mallakastrës. Midis emrave të njohur ishte edhe ai Mustafa Aranitasit. 
Kështu, u deshën 94 vite që kjo figurë e spikatur e Forcave të Armatosura Shqiptare të nderohej përsëri, këtë herë jo nga të huajt, por nga vendlindja, jo vetëm për kontributet profesionale si ushtarak i lartë dhe ministër, por edhe për qytetarinë, kulturën, dhe tolerancën. 
Ndërsa komunizmi e dënoi fizikisht, koha ndoshta pa qëllim e la në harresë për shumë vite. Ndoshta tashmë ka ardhur koha që kjo figurë elitare të njihet nëpërmjet historisë nga opinioni i gjerë publik. 
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.