back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

“Mallkimi i Historisë Shqiptare”…! Nata ogurzezë e 21 gushtit 1823 nga Paulin Zef Zefi

Gazeta

Luftëtarët  Suliotë tërheqin trupin e Heroit Marko Boçari nga kampi osman.
Luftëtarët Suliotë tërheqin trupin e Heroit Marko Boçari nga kampi osman.

“Mallkimi i Historisë Shqiptare”…!

Nata ogurzezë e 21 gushtit 1823

nga Paulin Zef Zefi

Pranë lokalitetit Karpenisi (Greqi) dy ndër luftëtarët dhe kapedanët më të shquar të Kombit shqipyat u gjenden përballë njeri-tjetrit në një duel për jete a vdekje! Qe një përleshje e përgjakshme trup me trup, e cila përfundoi me vrasjen e Luanit suliot: Marko Boçari nga duart e Kapedanit të fuqishëm Mirditor Lleshi i Zi, i Gjomarkajt (Luftëtari më i frikshëm i kohës së tij)!
Këto dy shqiptarë të mëdhenj u gjendën në vendin dhe kohën e gabuar, po edhe në shërbim të dy kauzave respektive, të cilat realisht nuk ishin në shërbim të çeshtjes së tyre kombëtare, por nëse rrethanat e kësaj dite i analizojmë brenda kontekstit historik të kohës, nuk duhet të marrim guximin që të gjykojmë as njerin prej tyre…

Lleshi i Zi  Gjonmarkajve
Lleshi i Zi Gjonmarkajve

I pari, Kapidani i fuqishëm mirditor: Lleshi i Zi, i Gjomarkajt(?! -1837) ishte në shërbim të Pashai të Shkodrës, Mustafa Pashë Bushatlliut (1796-1860), të cilin e kishte urdhëruar Sulltani për të mbledhë forca dhe për të shtypur kryengritjen greke për pavarësi nga Perandoria Osmane. Përkrah Mustafë Pashë Bushatlliut qëndronte aleati i tij besnik nga Oroshi Lleshi i Zi i Gjomarkajt, i cili komandonte truprojen personale të Pashait të Shkodrës që përbëhej nga Pesëqind luftëtarë të zgjedhur nga treva autonome e Mirditës. “Lleshi i Zi” edhe pse më i madh në moshë, ishte nën komandën e nipit të tij: Dodë Preng Lleshit, sepse provizorisht, paria i takonte nipit të tij sipas rregullave të paracaktuara të “Derës së lavdishme të Gjomarkajve”, por realisht (de facto) për gjithçka veprohej në bazë të vullnetit të të fuqishmit “Lleshi i Zi”, sepse vetë Mustafë Pashë Bushatlliu, ia besonte edhe jetën…
Lleshi i Zi, ishte një personalitet shumë imponues, por edhe shumë i frikshëm për të gjithë armiqtë e tij, mbasi ai njihej për brutalitetin dhe mungesën e mëshirës kundrej çdo armiku, i cili guxonte që të bëhej pengesë për Autonominë e Mirditës dhe sidomos  ndaj ambicieve të tija personale… Ai ishte trupmadh, shumë i fuqishëm, besnik deri në vetëmohim, aspak tolerant, (në veçanti me armiqtë e tij), hakmarrës i pashpirt, por që shfaqej edhe si një Katolik i devotshëm kur i kërkonte puna  (Filipopol, Bullgari).
Nofkën “i Zi”, ai e ka marrë nga pamja e tij, pasi autorët e kohës e përshkruajnë si një burrë shumë të gjatë dhe të fuqishëm me ngjyrë të zeshkët të lëkurës dhe me një pamje shumë te ashpër prej malësori të vërtetë, i armatosur gjer në dhëmbë. Ai vishej gjithmonë me të zeza dhe në fushën e betejës të kallte frikën deri në palce…
Ishte meritë personale e Lleshit të Zi, që e katërfishoi sipërfaqen e Trevës së Mirditës brenda një intervali kohor shumë të shkurtë duke e çuar numrin e Bajrakëve të Mirditës nga 4-5 deri në 12 bajrakë që përfaqësojnë Mirditën e sotme etnografike, e cila është e ndarë padrejtësisht si pjesë integrale e 8-Bashkive të reja që janë krijuar nga reforma administrative territoriale e vitit të kaluar (Mirditë, Lezhë,Vau i Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz, Dibër, Burrel dhe Kurbin)… etj.

Heroi i Sulit Marko Boçari
Heroi i Sulit Marko Boçari

I dyti, Kapedani dhe luftëtari suliot: Marko Boçari (1788-1823), ishte personaliteti më i jashtëzakonshëm që ka dalë nga treva martire e Sulit. Ai ishte gjithashtu një intelektual i mirëfilltë i kohës së vet, dhe njihej për botimin e fjalorit të parë Shqip-Greqisht, të cilin e ka punuar në ishullin shqiptar të Korfuzit. Sipas gojëdhënave, familjet e vjetra suliote: “Boçari dhe Xhavella” ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të Dyqind luftëtareve të hyjnorit “Gjergj Kastrioti”, të cilët mbasi shërbyen edhe nën Komandën e Princit famëmadh “Leka I e i III-të Dukagjini (i caktuar si i tillë me amanetin e Gjergj Kastriotit, në ditën e tij të vdekjes: 17 janar 1468)”, këta luftëtarë të shenjtë nuk pranuan ta braktisin Atdheun e tyre të shenjtë “Arbërinë”, por morën Familjet e tyre dhe migruan drejt Jugut të Arbërisë për në malet e larta të Sulit (Epir), në perëndim të qytetit të Janinës dhe në pjesën lindore të Trevës së. Çamërisë… Aty ata ia arritën që me forcën e armëve, të ruajnë pavarësinë e tyre të plotë nga Perandoria Osmane, por njëherësh edhe besimin e tyre ortodoks, deri në ditën kur u masakruan nga Ali Pashë Tepelena, ku pjesa më e madhe e tyre u detyruan të braktisin “Malet e Sulit” dhe të shkrihen me popullsinë greke duke humbur gradualisht edhe identitetin kombëtar shqiptar, siç ndodhi edhe me familjarët e Marko Boçarit, të cilët luftuan duke dhënë jetën për pavarësinë e Greqisë duke hedhur gjithashtu edhe bazat e shtetit të ri grek, së bashku me mijra arvanitas të tjerë…”
Marko Boçari, përshkruhet nga autorët e huaj europiano-perëndimorë si një burrë trupmadh, luftëtar i fuqishëm, i mirëarsimuar, shumë besnik, ortodoks fanatik, i adhuruar nga të gjithë vëllezërit e tij arvanitas (Shqiptarët e Greqisë), frymezues i kryengritjes greke për pavarësi dhe modeli më i përsosur i heroit kombëtar sipas definicioneve të shumta të autorëve të ndryshem europianë.
Marko Boçari ishte pikërisht Kryetrimi i cili ju përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë nga ana e ish armikut të tij të përbetuar Ali Pashë Tepelenës (1740-1822), ndërkohë që ky i fundit kishte mbetur i rrethuar nga ushtria osmane në ishullin e liqenit të Janinës, e ku po rezistonte krejt i pashpresë, pasi tashmë e kishin tradhëtuar të gjithë miqtë e tij më besnikë, po edhe vetë 4 djemtë e tij, të cilët ishin bashkuar me Sulltanin.
Marko Boçari, i erdhi menjëherë në ndihmë Pashait plak në krye të luftëtarëve Suliotë, por tashmë ishte shumë vonë, mbasi koka e tij qe prerë nga shpata e tradhëtisë!!!
Marko Boçari ishte mishërim i virtyteve më të larta të një burri shqiptar… por vendi, koha në të cilën ai jetoi e sidomos influenca antishqiptare e Kishës Ortodokse greko-bizantine e tjetërsoi duke e larguar nga lidhjet e tij të gjakut (përkatësia kombtare shqiptare), por gjuha e tij amtare dhe fjalët e tij të fundit përpara se të jepte shpirt, ishin në gjuhën e ëmbël: “Arvanitika (shqip-dialekti toskë)”

Ali Pashë Tepelena (vaj në kanavacë Agim Sulaj)
Ali Pashë Tepelena (vaj në kanavacë Agim Sulaj)

Nata ogurzezë e 21 gushtit 1823
Në shatorren (çadrën) e Kapedanit Mirditor; Lleshi i Zi, Gjomarkaj.
Heroi suliot, Marko Boçari, ndërmerr një sulm vetëvrasës, në tentativën për të eliminuar Komandantin e përgjithshëm të ushtrisë osmane, shkodranin: “Mustafë Pashë Bushatlliu”, duke depërtuar fshehtas, gjatë mesnatës deri në zemër të pararojës osmane, e cila përbëhej nga 3000 luftëtarë shqiptare nga Pashallëku i Shkodrës, ku 500 prej tyre ishin katolikë(mirditorë) me në krye Dodë Preng Lleshin dhe xhaxhanë e tij, i fuqishmi Lleshi i Zi. Marko Boçari u nis së bashku me 350 luftëtarë suliotë dhe sulmoi me dinakëri kampin osman që kishte ngritur çadrat pranë qytetit të vogël grek Karpenisi dhe duke u zvarritur arriti deri pranë shatorrit të Mustafa Pashë Bushatlliut, por gabimisht sulmoi shatorrin e Prijësve Katolikë (Dodë Preng Lleshi dhe Lleshi i Zi) që ndodhej ngjitur me shatorrin e Komandantit të përgjithshëm. Aty për aty, filloi një përleshje e përgjakshme me mirditorin e fuqishëm Lleshi i Zi, i cili pasi e mundi në duel me jatagan Marko Boçarin, i erdhën në ndihmë edhe dhjetra luftëtarë të tjerë suliotë por Lleshi i Zi, i cili ishte një burrë i regjur ndër beteja gjakatare, ai mori koburen e tij dhe e qëlloi Marko Boçarin në kokë ku sipas këngëve epike dhe burimeve të kohës, plumbi e goditi në vetull, mbi syrin e tij të djathtë dhe sipas gojëdhënave, Marko Boçari kur po jepte shpirt, psherëtiu në gjuhën shqipe, gjë që shkaktoi hutim tek vrasësi i tij, Lleshi i Zi, i cili ngeli i shtangur ne vend. Legjenda thotë se ai shfryu me fjalët: “Pse flet Shqip, a je Shqiptar?!?!” Plumbi i shkrehur nga arma e Lleshit të Zi, shkaktoi vdekjen e menjëhershme të heroit arvanitas Marko Boçari, por zhurma e saj, zgjoi të gjithë kampin të cilët u vërsulën kundër luftëtarëve suliotë, duke masakruar shumicën e tyre… Ndërsa trupi i të ndjerit Marko Boçari u tërhoq zvarrë nga bashkëluftëtarët e tij, duke mos lejuar që kufoma e tij të përdhosej nga ushtria osmane.
Mbas disa ditësh Marko Boçari u varros në Misolongji të Greqisë perëndimore. Varri i tij u përdhos plot tri herë nga ushtrite osmane, por emri i heroit arvanitas Marko Boçari, u bë simboli më sublim i rezistencës dhe i pavarësisë greke, ndërkohëqë Marko Boçari ishte qind përqind Shqiptar…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.