back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Manastiri i Parmës” – roman i Stend’hal – fragmente të përzgjedhura nga Desantilaj Qerimaj

Gazeta

Stendhal, pseudonim i Marie-Henri Beyle (1783-1842)
Stendhal, pseudonim i Marie-Henri Beyle (1783-1842)
“Manastiri i Parmës” – roman i Stend’hal,
Fragmente të përzgjedhura nga Desantilaj Qerimaj
“Krisi jashtë dhe u përpoq ta kalonte kohën duke shëtitur nëpër ato rrugë të bukura që rrethojnë teatrin La Scala, plot me kafene që në atë orë janë të mbushura plot me njerëz; përpara çdo kafeneje turma kureshtarësh, ulur në karrige të vendosura në mes të rrugës, hanë akullore dhe marrin nëpër gojë ata që kalojnë udhës”.

“Zgjuarsia s’të lë të flesh dhe pushteti s’të lejon të shëtitësh!”

“Duke pasur kështu një shqyt që e mbronte nga dëshira për t’ia shkrepur gazit posa hynte konti në lozhë, kontesha priste me padurim lajmet që do ti sillte, dhe vetëm aty e kishte mendjen; pa dyshim, kont Moska, më të shumtat e lajmeve i shpikte nga mendja”.

“Dukesha, gjithnjë e dhënë me mish e me shpirt pas diçkaje, gjithnjë aktive dhe e gjallë, kurrë ndonjëherë e lënë dhe e fjetur, kishte më shumë mend se gjithë oborri i Parmës me oborrtarët e tij; mirpo i mungonte durimi dhe gjakftohtësia e duhur për t’ia dalë mbanë në intrigat.”

“Pasioni i lirisë, moda dhe kulti i mirëqënies së shumicës, pas së cilave u dashurua shekulli i nëntëmbëdhjetë, atij i dukeshin një herezi që do të kalonte si çdo gjë tjetër, po pasi të kishte vrarë shumë shpirtra, si murtaja që vret shumë trupa, kur bie në një vend.”

“Më mirë ta vrasësh djallin se sa të të vrasë.”

Manastiri i Parmës - Stendal
Manastiri i Parmës – Stendal
“Një njeri, qoftë edhe gjysmëbudalla, po i vëmendshëm, i kujdesshëm e i matur gjithmonë, ia hedh shumë herë, e triumfon mbi njerëzit me fantazi.”

“Prania e rrezikut e bën gjenial njeriun e arsyeshëm, e ngre, si të thuash, përmbi vetveten, kurse njeriut me fantazi i frymëzon aventura romantike, vërtet të guximshme, po shpeshherë krejt të çmendura.”

“Shpeshherë, në renditjen e fjalëve është një fizionomi e tërë, që nuk do të mund ta jepte asnjë përkthim, dhe ju mund të shihni aty gjëra që unë s’jam i zoti t’i shoh.”

“Dhe ja, me plot të drejtë, mund të themi se midis interesave të ulët materialë e mendimeve të forta e pa ngjyrë që mbushin jetën tonë të përditshme, veprimet e frymëzura nga një pasion i vërtetë s’kanë si të mos bëjnë efekt, thuajse një hyjni dashamirëse kujdeset për to duke i marrë përdore e duke i nxjerrë në krye.”

“Nga të gjitha sa janë thënë mund të nxjerrim këtë moral: njeriu që i afrohet oborrit kompromenton lumtuninë e tij, në është i lumtur, dhe në çdo rast, bën që e ardhmja e tij të varet nga intrigat e një kamariereje. Nga ana tjetër, në Amerikën republikane, je i shtrënguar të mërzitesh gjithë ditën e ditës duke i marrë me të mirë e duke u bërë qejfin gjithë dyqanxhinjve të rrugës, të katandisesh në kafshë si ata vetë, dhe, ajo që është më e keqja, atje s’ka opera!”

“Princi ishte kokëfortë si gjithë frikacakët.”

“Ishte një nga ata fatzinj që torturohen nga fantazia e tyre; kjo e keqe është e rëndomtë në Itali, në njerëzit e mençur.”

“Duhet të mos kem as hijen më të vogël të zemërimit kundër princit; të tregohem përsëri shend e verë si zakonisht, dhe kjo do t’ju pëlqejë edhe më shumë këtyre shpirtrave baltë e llum: para së gjithash, sepse do t’u dukem sikur i nënshtrohem me hir sovranit të tyre; së dyti, sepse, jo vetëm që nuk do të tallem me ta, po do të tregoj kujdesin më të madh për të vënë në dukje edhe meritat e tyre më të vogla; për shembull, do të përgëzoj kont Zurlën për bukurinë e pendës së bardhë të kapeles së tij, që e solli pikërisht këto ditë nga Lioni me anën e një korieri, pendë e cila e bën të lumtur tani për tani.”

“O padije dhe druajtje! Sa shpesh që i përngjani asaj, që është më e shëmtuar e më e zezë.”

Fragmente janë shkëputur nga Stendal, “Manastiri i Parmës”, përktheu nga origjinali Sotir Caci, Shtëpia Botuese: “Naim Frashëri”. Tiranë, 1989

Marrë nga Muri i FB Desantilaj Qerimaj Rranza, 7 tetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.