back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Margaret Hasluck dhe busti i flijimit në Urën e Goricës – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Margaret Hasluck (1885-1948)
Margaret Hasluck (1885-1948)

Margaret Hasluck dhe busti i flijimit në Urën e Goricës

nga Kastriot Dervishi

 
Etnografia, fotografia dhe antropologia skoceze Margaret Hasluck (1885-1948) në vitet 1920-1939, udhëtoi nëpër Shqipëri, ku ndërmori kërkime antropologjike dhe etnografike dhe qëndroi në qytetin e Elbasanit për 13 vjet. Ka lënë një koleksion fotosh me mbi 500 fotografi të bëra në këto vite në rrjedhën e kërkimeve etnografike në Ballkan, kryesisht nga Shqipëria, Greqia, Turqia, Maqedonia, Kroacia dhe Kosova.
Fotot tregojnë peisazhe të qyteteve dhe fshatrave si dhe portrete të njerëzve, pamje të elementëve etnografikë dhe aktiviteteve të ndryshme. Nga fotot e Hasluck për qytetin e Beartit njohim dy figura mjaft interesante e cila i quan “Samson (Herkuli) me fustanellë” të fotografuara në Kishën e Shën Kollit në Paftal si dhe dy foto të Urës së Goricës. Por me mjaft interes janë fotot e bustit të burrit i gjetur në Urën e Goricës në vitin 1923, dhe studimi i saj i botuar në vitin 1946, në revistën “Man”, botim i Institutit Antropologjik të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, në artikullin me titull “The bust of Berat” (Busti i Beratit).
.
Busti i Urës së Goricës, 1780
Busti i Urës së Goricës, 1780
Deri më tani ky bust ka qënë i njohur vetëm si gojëdhënë, por jo si bust burri, por si një statuje e një femre të flijuar në Urën e Goricës. Ka pasur gjithmonë një gojëdhënë për flijimin në Urën e Goricës, të cilën e ka shkruar edhe Eqerem Bej Vlora në vitin 1911. Me mjaft interes është “Busti i burrit “ i gjetur në vitin 1923 nën një këmbë të Urës së Goricës.
“Busti i Beratit” është një fakt i njohur në Berat, por nuk ka pasur saktësi në identifikimin e tij në bust femre, apo djali, pasi nuk ka pasur foto dhe të dhëna për të. Në vitin 1923, Bashkia e Beratit restauroi Urën e Goricës, e dëmtuar nga austro-hungarezët gjatë largimit të tyre nga Berati në vitin 1918. Bashkia e restauroi dhe e zgjeroi me beton, por humbi shumë nga bukuria e saj. Duke vendosur skelën e parë poshtë një këmbe ata gjetën bustin. Punonjësit e rindërtimit të urës ja dorëzuan autoriteteve gjetjen dhe më pas busti u dërgua për ekspozim në Muzeun Kombëtar në Tiranë, i cili ishte ngritur për herë të parë në vitin 1922. Studiuesja skoceze studimin e ka kryer në vitin 1933, pikërisht në këtë muze, me rekomandimin e Lef Nosit, intelektual, atdhetar, politikan dhe studiues nga Elbasani.
.
Margaret Hasluck, Ura e Goricës 1923
Margaret Hasluck, Ura e Goricës 1923

Janë mjaft të njohura format e sakrificës për ne shqiptarët dhe gjithë Ballkanin në një ndërtimin të ri. Për të pasur një qëndrueshmëri në ndërtimin e tyre sakrifikohet një dele a një pulë si një formë e thjeshtë e sakrificës. Në kohët më të hershme nuk kishte sakrificë me dele a pulë, por me një qënie njerëzore.

Legjenda e Rozafës është më popullorja në Shqipëri. Mbi këtë teori është krijuar edhe busti i Beratit i gjendur në një nga këmbët e Urës së Goricës. Edhe sot akoma ruhet riti i flijimit në Berat. Në raste fatëkeqsie apo aksidentesh njerëzit sakrifikojnë zakonisht një pulë të zezë në vendin e ngjarjes, me besimin se do të largojnë të këqijat. Ky rit ende vazhdon në fillimin e ndërtimimeve të shtëpive të reja ku sakrifikohen dele ose pulë në emër të rezistencës dhe forcës së themeleve të shtëpisë.
Për flijimin në Urën e Goricës ka shkruar edhe Eqerem bej Vlora në ditarin e tij “Nga Berati në Tomorr dhe kthim” dhe në kujtimet e përmbledhura në vitin 2003 shkruhet: “Thuhet se këmbët e urës nuk mbanin. Kurt Ahmet Pasha pyeti dijetarët e kohës për shkakun dhe i thanë se shpirtrat e këqij kërkonin një theror njerëzor. Atëhere një grua u muros në një kamare ku ajo vdiq nga uria. Ta tregojnë sot vendin: në këmbëzën e parë, pak përmbi ujë, shihet një dritarëzë me hekura që I jep dritë një kthine të vockël”.
.
Kamare ne Uren e Goricës ku ka qene vendosur busti i flijimit)
Kamare ne Uren e Goricës ku ka qene vendosur busti i flijimit)
Kjo është gojëdhëna që ka qarkulluar dhe qarkullon akoma për ndërtimin e Urës së Goricës. Në rastin konkret, historia është e vërtetë, e njohur për gjetjen e një statuje femre që u gjend në këmbët e urës dhe që u dërgua në Tiranë. Askush nuk ka më tepër informacion që busti i gjetur, ishte bust i një burri, që ka qënë i ekspozuar në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
Margaret Hasluck përshkruan saktë bustin dhe rrethanat e realizimit të tij. Hasluck mendon se në atmosferën e vështirë të kohës, bëhet fjalë për në vitin 1780, skulptori do të kishte frikë të bënte portret gruaje pasi në publik do të mendohej se ish gruaja e tij, të njëjtin risk do të merrte një kristian apo një musliman. Në këto kushte të vështira Ahmed Kurt Pasha urdhroi skulptorin të bëjë kokë burri me shpresë se shpirtërat e keqij nuk do ta zbulonin mashtrimin. Nëse është apo jo ky shpjegimi, busti i Beratit na çon një hap më afër sakrificës njerëzore e cila është një zë me shumë se urat në Ballkan, mendohet se flasin.
Për autorësinë e bustit Margaret Hasluck shkruan se Lef Nosi i kish treguar se autori është Usta Zeneli nga Elbasani, usta shtëpish me reputacion si gjithë mjeshtrat e tjerë në Ballkan, ndërtonte, punonte drurin dhe gurin. Margaret Hasluck e përshkruan saktë bustin: “Busti është realizuar në dru meni të gdhendur, fytyrën, qafën, supet dhe bazamenti afër janë të punuar më imët. Buzët, faqet, vetullat dhe hunda kanë qenë pikturuar me të kuqe dhe sytë në kafe të errët, në të zeze, flokët nuk kanë qenë të ngjyrosur. Busti ka qenë i pikturuar me të zezë të mustaqet, janë tre vrima gozhdësh në mjekër që mendoj se kanë vendosur mjekër leshi në të. Floku është i shkurtër dhe nuk ka shenja që të mund të kenë vendosur flokë për ta kthyer në femër. Skulptori ka gdhendur në përgjithësi një portret tip shqiptari. Nuk ka ndonjë shenjë veshjeje.
Kisha e Shën Kollit në Paftal përfundoi së ndërtuari në mars 1875. Kisha është ndërtuar nga kryemjeshtri usta Veliko nga Opari i Korçës. Etnografia dhe fotografia skoceze Margaret Hasluck në këtë kishë ka fotografuar në vitin 1925 dy figura mjaft interesante e cila i quan “Samson (Herkuli) me fustanellë”.
.
Herkuli me fustanellë, Kisha e Shën Kollit në Paftal
Herkuli me fustanellë, Kisha e Shën Kollit në Paftal
Artisti që ka realizuar këto figurina është larguar nga rregullat bizantine dhe ka përdorur veshjet e ditës së banorëve të zonës për skulpturat e tij. Veshja popullore, por edhe portretet me mustaqet tipike të krahinës i bën më laike këto dy figura si pasqyrime të njerzve të zakonshëm të zonës, duke i bërë ndërhyrje të rralla me element laik në projektin krishtar të ndërtimit të një kishe ortodokse.
 
Herkuli me fustanellë, Kisha e Shën Kollit në Paftal
Herkuli me fustanellë, Kisha e Shën Kollit në Paftal

Bibliografi

1.Sharon R.Stocker. Broun University, Margaret Masson Hardie Hasluck (1885-1948)
2.Margaret Hasluck. The Bust of Berat. Revista “Man”, Vol. 46, (Mar. – Apr., 1946), pp. 36-38. Royal Anthropological Institute of Great Britain and Ireland.
3.Eqerem Bej Vlora. Kujtime 1885-1925. Shtëpia botuese e librit dhe komunikimit, 2003, faqe 54.
4.Foto te Beratit dhe Samson me fustanelle: From the collections of UCL SSEES Library
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.