Marie Tuci (1928-1950)
– Mirditorja që sfidoi komunizmin
Si e masakruan vajzën 22 vjeçare
dhe vdekja e saj makabre
me një mace të egër futur në thes…
Marie Tuci (12 mars 1928 -20 shtator 1950)
murgeshë shqiptare e masakruar nga regjimi komunist
mbas vrasjes së Bardhok Bibës.
Një nga 38 martirët e Kishës Katolike.
.
Nuk janë të paktë ata shqiptarë që guxuan dhe ngritën krye kundër diktaturës dhe komunizmit në Shqipëri. Shumë intelektualë dhe fetarë dolën kundër sistemit të egër, dhe fati i tyre dihet.
Ato u masakruan dhe u pushkatuan. Më me fat ishin ata që u burgosen për vite ose u internuan në kampe të ndryshme.
Mbase tortura e tyre ishte më e madhe se atyre që vdiqen, sepse në burgjet e komunizmit u kryenin krime të tmerrshme. Një prej emrave që ngriti krye kundër komunizmit ishte Marie Tuci.
Marija ishte një vajzë e re nga Mirdita, e cila sfidoi xhelatët e diktaturës komuniste, në emër të Zotit, përmes besimit katolik. Pas përmbysjes së komunizmit, historia e saj e trishtë u njoh në të gjithë vendin dhe më gjerë.
Maria, vdiq masakruar nga torturat e xhelatëve të diktaturës duke dhënë shpirt mes mundimesh të jashtëzakonshme.
Marie Tuçi, lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilë Fushës.
Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër.
Më pas ajo zgjodhi rrugën fetare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës. Marie Tuci u arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë.
Ajo vdiq në spitalin e Shkodrës mbas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.
Sakrifica e saj u vlerësua edhe nga Papa dhe nga Vatikani. Ajo renditet ndër 38 martirët e Kishës Katolike.
Për ta torturuar deri në vdekje, xhelatët e zhveshën dhe e futën në një thes bashkë me një mace e egër. Hetuesit e godisnin macen e egër me gjëra të forta duke e egërsuar më shumë. Maria vdiq duke e masakruar dhe e shqyer nga macja e egër.
Historia e saj u bë edhe më shumë e njohur përmes poezisë së Meti Fidanit.
.
Po vdes nanë, sot po vdes (Meti Fidani)
Nan’e dashtun, sot po vdes
më kanë futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kanë mbyll, në thes linace
.
N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë
.
Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kanë ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë
.
Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kanë mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri e as dhe burgu
bollshevikë e as titista
as hetues komunista
.
Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një pal’ ndrresa
njëzetedy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë as atje thellë
as në Fan e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë
.
Zoti nanë, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes!