back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Marie Tuci, e lumja në përjetësi – nga Ndue Dedaj

Gazeta

Martirja e Kishes Marie Tuci (1928-1950)
Martirja e Kishes Marie Tuci (1928-1950)
Marie Tuci, e lumja në përjetësi
nga
Ndue Dedaj

Marie Tuci, e vetmja grua në 38 martirët e kishës katolike në Shqipëri, ishte aq e re për të pasur një biografi me shumë fjalë, por po e krijonte atë dita-ditës, nëse nuk do t’ia këpusnin pemën e jetës bash kur kishte nisur lulëzimin. Përpiqemi të përfytyrojmë fëmijërinë e saj, në Mirditë, sigurisht si e të gjithë moshatarëve, derisa në trurin e saj të fekste një dritë e të ndizej një shkëndijë naltësuese. Ishte lindur në Ndërfushaz, buzë Fanit të Vogël, më 12 mars 1928, në kullën e përmendur të Mark Tucit, të Derës së Gjomarkajve, trungut të Preng Bib Dodës, Princit të Mirditës, një nga figurat e rëndësishme politike shqiptare me fund tragjik. Sado të kalojnë kohët, fëmijëria dhe rinia e njeriut gjithnjë “fërshfërijnë” në gjurmët dhe hapat e parë që ai hedh në jetë, pa e ditur se cili do të jetë fati i tij…

Familja, nga Mali i Shenjtë në “Oroshin e Poshtëm”
Para tre shekujsh, si shumë familje të tjera oroshiane, të parët e Maries kishin zbritur nga bjeshkët e Oroshit në zonën e ulët fushore, përkufi me Rrëshenin, duke u shtrirë nga Ndërfushazi e Qafë-Molla në Bukmirë, Livadhëz, Qurkëz e Shpërdhazë, që thirreshin “Oroshi i Poshtëm”. Në anën veriore, aty ku ky areal oroshas takohej me Kaçinarin, një kodër jo fort e naltë do të quhej “Maja e Lleshit të Zi”. Nuk është e rastit që në anën e tejshme të Fanit të Vogël, kapidani legjendar Lleshi i Zi pati ndërtuar një kanal vaditës, “Vijën e Madhe”, që në Mirditë do të ishte vepra e dytë ujore arkitektonike, pas Ujësjellësit antik të Domgjonit. Ky ishte kompensimi i oroshasve të zbritur nga Mali i Shenjtë për ndërfanorët vendalinj, që u kishin bërë hise në miranë e tyre.
Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përmendet Kapidan Marka Tuci i Ndërfushazit, si një ndër figurat kryesore të Mirditës në atë kohë, i cili në vitin 1880, mori pjesë në luftën për mbojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës nga sulmet malazeze. Portreti i tij, ashtu si i luftëtarëve të tjerë mirditas, del në një foto të “Marubit” të atij moti. I ati i Marie Tucit, Nikollë Mark Tuci dhe i vëllai Zef Mark Tuci ishin bijtë e Kapidan Mark Tucit.
Kur Marie Tuci erdhi në jetë, Mirdita, siç del nga shkrimet dhe monografitë e autorëve Zef Mark Harapi, Dom Nikollë Kimza, Dom Prend Suli, Stavri Frashëri etj., ende nuk kishte dalë nga “izolomi” i shekujve, mungonte infrastruktura, si rrugët automoblistike, telefonia, energjia elektrike etj. Shkollat gjithsesi ishin të pakta. Shërbimi shëndetësor i papërfillshëm në raport me nevojat që kishin banorët. Bujqësia ishte e kufizuar në kulturat që mbillte, si misri, fasulja etj. Tregtia ishte në një shkallë të ulët, me pak dyqane të tregtarëve shkodranë e krutanë. Industria e bakrit sapo kishte filluar me sipërmarrës italianë. Rrjedhimisht, kushtet e jetesës ishin të pakta. Krahina, ndër më të përmendurat e botës shqiptare, krenohej me historinë qendrestare ndaj pushtuesve ndër shekuj, ndërkohë që epopeja e saj e qendresës do të vazhdonte dhe përgjat shekullit XX, mishëruar në figura të papërsëritshme si ajo e të Lumes, Marie Tuci.
Djepi që përkundi fëmijërinë e saj ishte një kullë, një zallnajë dhe një pyll lisi midis Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël. Në trollin ku ajo lindi janë aq të pakta kujtimet, ngaqë të moshuarit nuk rrojnë më. Qenë tre fëmijë të një votre, një vëlla dhe dy motra, që do t’i përpinte revolucioni ideologjik, lufta e klasave, përsekucioni gjysmëshekullor. Ndokund, gabimisht, është shkruar se ata ishin katër.

Qelia e Marie Tuci - Burgu në Shkodër
Qelia e Marie Tuci – Burgu në Shkodër

Dy pisha në Ndërfushaz, të mbjella nga Marie Tuci dhe e motra Liza
Si për ta bërë më të prekshëm rrëfimin tonë për Marie Tucin kemi ardhur në vendlindjen e saj në Ndërfushas. Jemi bashkë me Bardhok Filopatin, nip Gjomarkajsh, nëna e të cilit Tereza na pati rrëfyer vite më parë ndodhi nga jeta e “Sarajeve” të Kapidanit në Orosh, si dhe për kushërirat e saja, Davidën e Marien. Në oborr na pret nipi i Marie Tucit, Zefi, avokat, i cili na rrëfen për kullën, që tashti është përshtatur si vilë moderne. Kanë qenë dy kulla bashkë, trekatshe, ndërtuar nga mjeshtrit gollobordas nga fundi i shekullit XIX, në një “vit zije” buke. Kullën e Marka Tucit e pati marrë në përdorim kooperativa, siç bëri dhe tjetërkund qeveria me shtëpitë e kulakëve dhe “reaksionarëve”, duke ua hequr të zotëve për një kohë të gjatë. Poshtë në breg të Fanit ishte “Mulliri i Gjomarkajve”, ku vinin nga ana e anës për të bluar misrin.
Ajo që të mbetet në mendje janë dy pisha, që motrat Marie dhe Lizë kishin shkulur në Ndërshenë (Orosh) dhe i kishin mbjellë në zabelin e lisit afër shtëpisë. Ato dy pisha që i kanë mbijetuar kohës janë drurët më të lartë e më të vjetër aty, si një kujtim i rrallë i një kohe të shkuar. Dy pisha që janë bërë të mëdha si në bjeshkë, edhe pse toka aty nuk është e përshtatshme për këtë dru pyjor. Ngjajnë si dy pisha amanet!… Si dy gjymtyrë të blertë që zgjatën në kohë për kah pavdekësia. Maria nuk do të mund t’i shihte më, kurse Liza, e martuar në familjen Gega të bajraktarit të Kryezezit, sa herë vinte në derën prindërore, ndalonte një çast e përlotur nën kurorën e tyre. Lisnaja përreth pishave ka krijuar një oaz të bukur, çlodhës e meditativ, por që mund të zhvillotej paksa për t’u bërë pishat më të dukshme për vizitorët që duan ta prekin disi realitetin në të cilin kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e Lumja Marie Tuci.
Nuk është e rastit historia e shtegtimit të drurëve të bekuar, si dy ultinjtë e kishës antike të Oroshit në Nënshejt etj.
Ndërkohë biseda me Zefin nuk mund të mos rrokë selinë e Gjomarkajve në Shkodër, me kullën karakteristike të projektuar nga Kol Idromeno, ku kemi qenë disa herë dhe kurrë nuk mund t’i harrojmë portretet fisnike të mohikanëve të fundit të saj, fëmijëve të Kapidan Gjonit: Dedë Gjomarkajt, motrave të tij Martes dhe Bardhes, që e kishin shkrirë jetën në burgje politike e internime, si dhe të Gjonit që u shua shpejt, më 2003, duke lënë pas gruas e tij të fisme Gjildën, që u bë pjesë e kësaj familje të shquar, duke u kujdesuar aq shumë për të moshuarit e saj të shumëvuajtur.

Skeda e Marie Tucit
Skeda e Marie Tucit

Kryqëzimi prej “Jezusi” i mësueses në mesin e shekullit XX
Kemi marrë një dëshmi të tërthortë rreth arrestimit të Marie Tucit, që publikohet për herë të parë. Frrok Gjoka, 80-vjeçar, nga Ndërfushazi, kujton: “Më 1964 isha ushtar shofer në Pogradec. Një ditë, njëri nga rezervisitët, B. L., që kryente zborin në repartin tonë, më tha: Kam qenë ushtar me Forcat e Ndjekjes në Rrëshen, kur një grup prej 5 – 6 vetash, kemi arrestue një mësuese, që quhej Marie Tuci. Kishte një kullë të madhe. Kur thirrëm në oborr, doli e ëma. Ishte një grua si burrë. Është filanka këtu? – pyetëm. Na e nxirr se do ta marrim me vete. Hajde e pini një kafe, sa të bëhet gati, tha ajo. Nuk hymë se kishim frikë mos na hidhte ndonjë granatë. Mësuesja e re doli e veshur allafranga. E kemi marrë pa e lidhur derisa kemi kaluar oborrin. U zbathëm të gjithë për të kaluar lumin e Fanit. Ajo ishte e lidhur dhe përpiqej të mos i lagej fustani. Ishte më shumë kulturë. E lamë te një kullë në kodër, ku ishte komanda. Nuk kam dëgjuar më se çfarë u bë me të”. Ngjarja ishte e freskët për ish-ushtarin e Ndjekjes, pasi kishin kaluar vetëm 14 vjet. Ishte jo larg “Manit të Lalë Ndreut” në qytet, që mirditorët ia dinë mirë historinë e kobshme.
Ku ta kërkojmë dhe si ta rindërtojmë portretin e saj fisnik? Te buzëqeshja e menduar që na vjen nga ato pak fotografi që kemi? Fytyrën e saj të hijshme e shpërfytyruan në dhomat e hetuesisë dhe qelinë numër 13 të ish-burgut të Shkodrës. Një qeli me një dritare të verbër, si një sy katallani. Torturat ndaj Maries ishin të përbindëshme. I duhej përkulur karakteri e gjunjëzuar krenaria. Ky ishte kryqëzim në mesin e shekullit XX. Ku e gjen forcën që nuk dorëzohet, pyesnin veten gjeneralët “ponspilatë” të Punëve të Brendshme, që orë e çast kryenin punë të zeza mbi njerëzit e fesë, nacionalistët etj. Për herë të parë në historinë tonë femra ishte shndërruar në pré e përgjakshme e sadistëve me uniformë shtetërore. “Toger Baba” kishte kryer mizori të pashembullta në Mirditë dhe Zadrimë, duke dhunuar burra e gra, përfshi dhe një murgeshë në Zadrimë. Disa dëshmi jetësore e të dhëna biografike rreth jetës së martires Marie i gjejmë në librin “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë Martirë”, përgatitur nga At Leonardo Di Pinto dhe botuar nga Argjipeshkvia Shkodër – Pult më 2016, ku bien në sy sidomos kujtimet e të motrës, Lizës, dy vite më e vogël se Maria, e cila e përshkruan me detaje fëmijërinë e tyre të përbashkët në fshatin e lindjes. Ajo kujton se Maria “në gishtin e dorës së djathtë mbante një unazë me fytyrën e Zojës, ndaj së cilës ishte shumë e devotshme”. Ishte rritur në një familje katolike, ku praktikoheshin rregullisht uratët, rruzarja, lutjet. Edhe pse fshati nuk kishte kishë, sa shkonte ora 12, të moshuarit kujtojnë se Maria dilte në derën e kullës dhe bënte kryq. Me siguri që atë çast i dëgjonte kumbonët zemra e saj.
Ishin aq të rralla vajzat që asokohe dilnin nga kulla e tyre për të shkuar në shkollë, mbase vetëm pak që mësonin për t’u bërë murgesha. Maria e kishte pasur këtë fat. Kishte mësuar në Kolegjin e Motrave Stigmatine në Shkodër që kur ishte 12 vjeçe dhe më mbylljen e tij në vitin 1946 ajo kthehet në Mirditë. Ja si e përshkruan jetën e saj ajo gjatë dëshmisë në hetuesi: “Në vjetin 1940, jam shkëputun nga familja që banonte në katundin Ndërfushaz dhe kam ardhë në Shkodër, për me vazhdue shkollën në vjetin e ardhshëm 1941. Kam kalue tri klasat e para të fillores deri në fundin e 1943-it. Në vjetin ’44 jam futun në Normale, ku kam mbarue klasën e parë e të dytë për nji vjet dhe kam vazhdue të tretën. Jam largue nga shkolla në vjetin 1946 dhe jam kthye në shtëpi. Në mbarim të dyzet e gjashtës e deri në prill të dyzet e shtatës kam drejtue punët e Rinisë në fshat dhe në prill të dyzet e shtatës kam fillue si mësuese në fshatin Gojan, ku kam qëndrue deri në prillin e dyzet e tetës. Në këtë kohë jam pushue nga puna në arsim me motivacionin se familja jeme nuk kishte qëndrue mirë politikisht. Prej asaj kohe e deri në gushtin e dyzet e nandës kam qëndrue shtëpiake…” Maria ka shërbyer si mësuese për një vit dhe në Sang të Fanit. Shtëpia e Marka Tucit kishte miq në të gjithë Mirditën, pra dhe në Gojan e Sang, prandaj ajo banonte atje ku shërbente. Kanë qenë fatlumë ata vocrrakë mirditas që i ka mësuar një vajzë e fisme, në një kohë kur të gjithë mësuesit ishin burra që kishin kryer Konviktin e Oroshit, Pedagogjiken e Elbasanit, Gjimnazin e Shkodrës etj. I nipi, Zef Mark Tuci, kujton: “Në vitet ’80 të shekullit të kaluar punoja në gjeologji në Spaç, kur një ditë më drejtohet një burrë nga Sangu: “Çfarë e ke pasë Marie Tucin?” “Hallë”. I thashë”. “Ëh, ka qenë mësuesja ime. Çfarë mësuesje që ka qenë!…”

Marie Tuci (1928-1950)
Marie Tuci (1928-1950)

Kundër të Lumes Marie, një proces politik kafkian
Marie Tuci ishte njeri i besimit dhe kishës dhe nuk lidhej me politikën. Hyjnorja ishte prarimi i saj shpirtëror, ashtu si dhe e paraardhësës së saj, motrës saleziane Marie Gjomarkaj, në gjurmët e së cilës po ecte. Për më tepër ajo ishte formuar për gjashtë vite në Shkodër, një qytet me tradita të shquara në rrafshin e kulturës dhe krishtërimit. Kundër saj u ngrit një akuzë e paqenë, u zhvillua një proces tipik kafkian, ku njeriu i vënë nën akuzë, pavarësisht mosfajsisë duhej të merrte patjetër dënimin kapital. Kështu dhe martirja jonë. Ajo me ditë e me orë shtyhej nga regjimi drejt fundit të saj të pakthyeshëm. Duhej mbyllur ajo gojë përgjithmonë. Nuk duhej t’i fliste kohës. Duhej përçudnuar bukuria e saj fizike dhe shpirtërore. Ish – i dënuari politik i Spaçit Gjetë Kadeli na dërgon në CD dosjen penale në ngarkim të Maries, që nuk arrin ta fajësojë dot atë me prova për bashkëpunim me grupet e rezistencës antikomuniste, takime me të arratisurit në mal, strehim e furnizim me ushqim të tyre, që duhet thënë se është akuza stereotipe ndaj të gjithë atyre që arrestohen nga viti 1945 deri në vitin 1953. Dhe ku një akuzë e tillë absurde? Në vendin e mikpritjes tradicionale, ku shtëpia ishte e Zotit dhe e (ar)mikut! E megjithatë, në gusht të vitit 1949, e gjitha familja e saj goditet rëndshëm politikisht, Maria vetë mbahet në në qeli për 14 muaj gjersa vdes, prindët internohen në Tepelenë dhe për vdekjen e së bijës njoftohen thjesht me një telegram në dy rreshta, i vëllai Marku dënohet me pushkatim, por me ndërhyrjen e një të afërmeje me ndikim në pushtetin e kohës, Marte Bib Marku, i kthehet në 25 vite burg politik. Zor të gjendet një emër për gjithë këtë tërbim të shtetit ndaj njerëzish që nuk kishin kryer asnjë krim që mund të njihej si i tillë në Europë, por që thjesht kanë refuzuar apo kundërshtuar komunizmin. Ndërsa sistemi ishte verbuar, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët nuk e kishin humbë vetëdijën dhe kodet morale të shqiptarit. Pas viteve ’90, kemi shkuar në Shkodër në shtëpinë e mbesës së Imzot Frano Gjinit, Rozinës, në shtëpinë e motrës të Dom Nikollë Mazrekut, Maries, si dhe atë të studiuesit të vjetër shkodran Kol Shtjefni, i cili na kishte folur për miqësinë e hershme që kishte pasur me familjen e Mark Tucit, ku ishte kujdesur dhe për varrimin e Maries në varret e Rrmajit.
Marie Tuci ishte ëndrra e ndërprerë e ndryshimit dhe emancipimit social-kulturor në trevën e saj, por jo e vetmja. Krahas saj përmendet dhe martirja tjetër, Bardhe Krosi nga Kaçinari, që gjithashtu vdiq nga torturat çnjerzore në burgjet komuniste, në vitin 1949, e akuzuar dhe ajo se kishte ndihmuar nacionalistët e arratisur në male. Asokohe, ndonëse në Shkodër, Tiranë, Korçë etj. kishte një elitë grash të botës së artit të rangut europian, si Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, Lola Gjoka etj., në përgjithësi zëri i vajzave qytetare ishte i mbytur dhe motoja e tyre ende ishte “Sikur të isha djalë”. Kurse në Mirditë pati vajza dhe gra që u përfshinë në jetën publike, si mësuese për zhdukjen e analfabetizmit, aksioniste në hekurudhat e para të vendit etj. Vetëm nga Oroshi qenë tri gra arsimtare, kushërirat Marie Tuci e Davida Gjomarkaj, si dhe Prena Përkola e të njëjtës derë me to. Por kjo qe njëherësh dhe drama e tyre, pasi të gjitha ato, paçka frymëzimeve politike të ndryshme të disave prej tyre, e paguan me jetë idealin e emancipimit shoqëror. Ato gra ishin më përpara se koha në kapërcyell sistemesh politike, se shteti i diktaturës së proletariatit, se familja patriarkale etj. “Fisheku në pajë” në qindra vjet nuk kishte shkaktuar vrasje grash sa do të ndodhnin në këtë periudhë.

Babai i Maries le amanet ta fusnin në një varr me të bijën!
Zefi thotë se historia e familjes së tij kishte qenë një plagë për shumë mote, ndaj dhe nuk e kishte pyetur dhe aq të atin si për të mos e lënduar me kujtime të trishta. “Gjyshi Nikollë Mark Tuci, ndonëse i pashkolluar vetë, i shkolloi dy fëmijët e tij në shkollat më të mira të kohës, gjë qe do t’u kushtonte jetën me hyrjen e regjimit komunist. Ai pas një burgosje për ndihmë ndaj forcave të Mark Gjomarkut, vdiq në vitin 1956, në spital në Shkodër. Duke e ditur se familja kishte mbetur në gra, la amanet që ta varrosnin në varrin e Maries. Amaneti tij u përmbush me ndihmën e Luigj Bardhokut (Shtija) nga Jezulli, me banim në Shkodër, i cili ishte i afërm i gjyshit. Tregojnë se kryetari i Këshillit të fshatit kishte nxjerrë tre ndërfushaxhinj për të pritur kufomën te Ura e Fanit, me qëllim që ta varrosnin pa i bërë ceremoni. Ata pasi pritën deri në muzg u kthyen dhe e njoftuan kryetarin se arkivoli nuk kishte ardhur. Ai e kishte kuptuar ndaj kishte thënë: “E, mor Nikoll Marku, edhe i vdekur u tregove më i mençur se ne…”
Mark Tuci i ri kishte mësuar në Normalen e Elbasanit, por nuk e kishte ushtruar asnjëherë mësuesinë. Ai kishte qenë shpallur kulak dhe ka vazhduar edhe pas daljes nga burgu në vitin ‘57 të paguante borxhin që ishte marrë nga familja për të paguar detyrimin tatimor. Në vitin 1980, kur e arrestojnë për herë të dytë për agjitacion e propagandë, hetuesit morën nga shtëpia çdo letër të vjetër e dokument, ndër to dhe fotografi të Preng Bib Dodës etj. që kishin shpëtuar deri atëherë pa u sekuestruar. Ndër reliktet e vjetra familjare Zefi ruan dhe dy fotografi të rralla, një të Luçies, të shoqes së Prengë Pashës, dalë me vëllanë e Marie Tucit, Markun, asokohe fëmijë dhe gruan e axhës së saj, Dilën e Zef Marka Tucit. Fotografia tjetër është mortore, bërë në Shkodër më 1956, dhe i përket të atit të Marie Tucit, ku te kryet i qëndrojnë tri gra të shtëpisë së tij: e kunata Dila e Zef Mark Tucit më e vjetra, nusja e djalit Luçia e Mark Tucit në mes dhe e bija Liza Tuci (Gega).
Në Ndërfushas trajtoheshin si familje e deklasuar, pa asnjë të drejtë për t’u zgjedhur, veç asaj për të votuar. Kur vdiq nëna e Maries, Dila Tuci (Fusha) më 1973, kulla ka qenë plot, pasi fshati mori pjesë në varrim, por u bë problem në organizatën bazë të Partisë. Por fshati nuk mund të “gabonte” dy herë, prandaj Dila e Zef Marka Tucit, që ndërroi jetë më 1981, u përcoll për në varreza veç nga një grusht njerëzish të rrethit të afërm familjar, si Preng Nikoll Lleshi etj.

Rrëshen, Sheshi “Marie Tuci” para Katedrales
Marie Tuci shpresonte se do të mund t’i mbaronte mësimet fetare e të bëhej murgeshë stigmatine, por kjo nuk ndodhi pasi Kolegji nuk u rihap. Kështu që ajo nuk ishte një motër. U shua në moshë të re, pa u bërë e tillë, përpos se në shpirt e në përshpirtni. Nuk e kishte shkuar asnjëherë ndërmend se do të bëhej protagoniste e një kohe, aq më tepër simbol i qendresës njerëzore. Ajo ishte një bijë e traditës, e mbrujtur me besimin në Zotin dhe i mjaftonte kjo. Por ndoshta të gjithë ata që dëgjojnë thirrjen dhe vendosin t’i kushtohen kishës, e shkojnë nëpër mend se një ditë mund të jenë dhe martirë, mbasi kjo është historia e Krishtërimit, gjithë salvime. Maria ndërroi jetë më 24 tetor 1950, në spitalin civil të Shkodrës, kur ishte veçse 22 vjeçe e gjysmë, por nuk u shua. Shëmbëllesa e saj është në Motrat shqiptare dhe ato të kombësive e kongregatave të ndryshme, që veprojnë mes nesh. Ato janë aty ku nuk janë të tjerët. Pa kurrëfarë krenie. Misioni i tyre është i “padukshëm”. Kanë më shumë se tridhjetë vjet në Rrëshen, Rubik, Fan, Perlat, Suç, motrat françeskane italiane, motrat vinçensiane kosovare “Bijat e Dashurisë”, motrat e Nënë Terezës, ashtu si motrat bamirëse gjermane të Fushë-Arrëzit etj.
Sheshi para katedrales së Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës” prej disa vitesh mban emrin “Marie Tuci”, ku njerëzit pushojnë dhe meditojnë për hirin e martirizimit. Në hyrje të Katedrales, në ballinë, janë fotografitë e martirëve të Abacisë së Mirditës, abati Frano Gjini, famullitari i Oroshit Dom Mark Gjani, famullitari i Gëziqit Dom Jak Bushati dhe Marie Tuci. Jo thjeshtë për kurreshtje, ajo kishte qenë pagëzuar në kishën e Gëziqit bash nga Dom Jaku, që sot e ka në krah, i Lum dhe ai. Portreti i saj, ashtu si dhe ai Zojës Lurdë, shfaqet dhe një kapele lutjesh në spitalin e Rrëshenit.
Jo se është bërë si modë kjo puna e shtëpive muze, por në rastin e kësaj martireje, një dhomë kujtesë në vendlindje do të ishte e nevojshme, pasi do t’i kushtohej jo vetëm një individi të flijuar politikisht, por një familje fisnike të zhbirë nga komunizmi. Zef Tuci thotë se kanë ardhur njëherë katër furgona me pelegrinë nga Berati, që donin të njiheshin më vendlindjen e të Lumes Marie. Njerëzit që do vijnë këtu nesër, pasnesër, përherë, me siguri do të thonë: Pamë dhe prekëm “Pishën e Marie Tucit”. Si Pisha e Shën Françeskut…

20 maj 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.