back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Marinari i motovedetës së “Duelit të Heshtur” nga Kastriot Dervishi Dokumente dhe Opinione – 70 vite më vonë

Gazeta

Abdi Mati dhe Spiro Kote

Marinari i motovedetës së “Duelit të Heshtur”

nga Kastriot Dervishi

Dokumente dhe Opinione – 70 vite më vonë

Për vite me radhë brezat kanë fiksuar në kujtesën e tyre historinë e një arratisje të dështuar në det, dhënë kjo në filmin artistik “Duel i heshtur”. Pretendimi ishte se më 1 qershor 1947, motovedetën e nisën në det detarë profesionistë dhe e solli në breg një njeri që nuk kishte drejtuar kurrë një mjet të tillë. Gjithë ngjarja është zhvilluar brenda 4 orëve. Ajo nuk mund të jetë zhvilluar shumë larg bregut. Ngjarja është zhvilluar midis 4 personave. I katërti që u bë “hero kombëtar” nuk dinte as ta drejtonte motovedetën. Këtu nuk ka pasur as histori komisari e as të tjera që janë shikuar në film me civilë që hyjnë në motovedetë. A ishte vërtet një pengim arratisje nga 22 vjeçari Spiro Stojan Kota, apo ishte një përgjakje në mes të detit dhe një ngjarje e shfrytëzuar më pas? Të gjitha shenjat e dhëna, çojnë në drejtim të arsyetimit se një njeri që nuk ishte marrë me drejtim mjeti, nuk mundet për dy orë të bënte kthimin e motovedetës, nuk mundej të bëhej hero. Por gjithsesi, regjimit i duhet si ngjarje, jo vetëm për ta përdorur si shembull brenda forcave të armatosura, por edhe për të treguar para popullit se ashtu përfundojnë ata që do largohen nga Shqipëria. Ngjarja ka ngelur e hetuar pak. Mungojnë të dhënat që do lidheshin me çështje të ekspertizave apo çështjeve të tjera të këtij lloji. Vetëm një raport i thatë është ajo që dokumentohet, ndërkohë që ato që e përjetuan tashmë nuk jetojnë më. Sigurisht ngelet gjithmonë intriguese sesi tre detarë të sprovuar që mund ta hidhnin në det kur të donin, e lanë veten të vriteshin në atë mënyrë. Si teza më e fortë shfaqet versioni se një grindje mes tyre kishte qenë gjithçka dhe kjo jo larg bregut se po të ishte larg, Spiro Kote, pa busull do vërvitej kot së koti nëpër det.
Para disa kohësh kolegu ynë Fatos Baxhaku ka botuar një reportazh interesant nga Durrësi lidhur me këtë ngjarje. Reportazhi sjell dëshmi të pathëna nga të afërt të personave që përzihen në këtë histori si dhe të atyre që e përjetojnë atë akoma nëpërmjet kujtimeve të së kaluarës. Ja çfarë shkruan Fatos Baxhaku në mbyllje në shkrimit të tij:
“Historia nis të ngatërrohet edhe më kur disa durrsakë të vjetër na thonë me bindje një version që e kanë dëgjuar nga Ndoc Gjeluci, kapiten i Portinerisë së Portit asokohe. Gjeluci u ka thënë njerëzve të tij të afërt se historia e vërtetë e ngjarjes është pak a shumë kështu: Të tre marinarët nuk kishin aspak ndërmend të arratiseshin, thjesht donin të dilnin për qejf në det. Oficeri i parë që ka takuar Spiro Koten teksa rrinte i shokuar mbi anijen e hallakatur, ka qenë Anastas Qendro, pikërisht ai që e vendosi anijen në port, të cilit i ka thënë “Nisën të vriten me njëri – tjetrin. Vetëm Vlashin kam vrarë unë”. Pas këtij rrëfimi “heroi” përsëriste atë avazin e vjetër “gëërr të parit, gëërr të dytit, gëërr të tretit” dhe misteri sa vinte e fshihej atje tej, 30 milje larg Durrësit”.
Të vrarë në këtë ngjarje ishin:
.
Motovedeta Mujo Ulqinaku - 15 gusht 1945
Motovedeta Mujo Ulqinaku – 15 gusht 1945

1-Kapter Vlash Bushi, i Vasilit dhe i Katerinës, datëlindja 5 korrik 1912, lindur dhe banues në Durrës.

2-Marinar Xhemal Kërrniqi, biri i Mustafait dhe i Bedries, datëlindja 13 shkurt 1920, lindur në Shkodër dhe banues në Durrës.
3-Marinar Enver Kruçi, i Alushit, datëlindja 24 qershor 1924, lindur dhe banues në Shkodër, që të tre në shërbim të kapitenerisë së portit Durrës, duke mashtruar rojen e motovedetës “Mujo Ulqinaku”, marinar Spiro Kote me pretekste të ndryshme janë nisur për t’u arratisur për në Itali.
Në raportin e datës 5 qershor 1947, të Drejtoria e Punëve të Brendshme Durrës, ndër të tjera thuhet:
“Kur ishin larguar 30 milje në afërsi të Mezokanalit i njoftojnë marinarit roje qëllimin e tradhtisë dhe ikjen për në Itali. Atëherë marinari në fjalë duke parë tradhtinë dhe mashtrimin që ata i kishin bërë, mendohet dhe merr masat për t’i vrarë me një automatik që ndodhej i varur në dhomën e fjetjes së motovedetës. Duke përfituar nga rasti se dy tradhtarët ndodheshin në timon, vret të tretin në dhomë dhe pastaj vret edhe dy të tjerët një nga një. Pasi kryen këtë vepër, merr vetë drejtimin e motovedetës (megjithëse nuk kish përdorur ndonjëherë, pasi ishte marinar i ri) dhe kthehet për në Durrës në orën 20.00 duke vënë në dijeni për ngjarjen kapitenerinë dhe si kish mundur të evitonte tradhtinë”.
Në një raport të datës 4.6.1947 të sekretarit politik të Durrës, Iljaz Reka, për Komitetin Qarkor të Partisë Komuniste të Shqipërisë për Spiro Koten shkruhen gjëra pozitive, ç’ka rrit edhe më shumë dyshimet se kjo është një ngjarje e sajuar. Biografia e hartuar nga PKSH-ja vendore nuk e vlerëson fare Spiro Koten.
.
Dekreti per Spiro Kota "Herojt Kombëtar"
Dekreti per Spiro Kota “Herojt Kombëtar”

Origjina e familjes nga Maqedonia fillimisht në Korçë. Babai ka ardhur i vogël në Durrës para 16 vjetësh. Spiro Kote ka lindur në Korçë, por vjen i vogël në Durrës. Mbaron filloren dhe 2 klasë bujqësore në Kavajë. Atje ka parë dy herë partizan dhe ka nisur t’i simpatizojë. Në vitin 1943, Spiro lë shkollë dhe shkon në Tiranë ku punon marangoz. Më 1945 vjen në Durrës ku punon karpentier në port. Thirret në armë në Gjirokastër. Meqë punonte në port, e mbajnë aty. Në 1946, 10 ditë para ngjarjes, futet në radhët e rinisë komuniste, por nuk ka marrë pjesë në mbledhje.

“Ky jetën e ka kaluar para se të shkonte ushtar në vuajtje, d.m.th. vazhdimisht me punë të vështira. Në qytetin tonë nuk ka qenë i organizuar për arsye se në vogëli nuk ka pasur qëndrim të mirë moral. Tani të jep përshtypjen e një punëtori të thjeshtë e të padjallëzuar, punëtor aktiv dhe të disiplinuar. Gjatë gjithë okupacionit ka qenë i paorganizuar, por interesohej të gjente komunikata dhe t’i lexonte” – mbyllet raporti i Iljaz Rekës për të.
Me dekretin nr. 343, datë 6. 6.1947, Presidiumi i Kuvendit Popullor Spiron Koten e dekoroi me urdhrin Hero Kombëtar, me këtë motivacion: “I pajisur me ndjenjat më të larta të dashurisë ndaj atdheut e popullit, me heroizmin abnegacionin dhe besnikërinë e tij të pafund, u bë shembulli i luftëtarit besnik të ushtrisë kombëtare”.
Historia e tij e dhënë jo siç ndodhi, sigurisht do ishte pjesë e propagandës së regjimit për të motivuar spiunllëkun në rastet e arratisjeve si dhe për të bërë sa më shumë mendjelehtë të imitonin “trimërinë” e personazhit të filmit.
Bashkëlidhur, Spiro Kote me urdhrin e “Heroit Kombëtar” duke hyrë në sallën e kongresit të parë të PKSH-së, nëntor 1948, si dhe pjesë nga dokumentacioni i ngjarjes apo i dekorimit të tij.
.
Heroi i Popullit Spiro Kote- delegat ne Kongres
Heroi i Popullit Spiro Kote – delegat ne Kongres
Edmond Hasani
Në një version tjetër mediatik tre persona u vranë në bregdet dhe meqë duhej një inskenim u krijua legjenda e arratisjes gjoja vrasje tradhëtarësh në arrati… Siç tregojnë dëshmitarë të kohës Spiro Koten e çonin repart më repart, shkollë më shkollë e ndërrmarje më ndërrmarje ku tregonte versione të ndryshme të përrallës patriotike! Tipike për soc-realizmin që shpikte heronj idiotë dhe super idiotë që adhuronin heronjtë idiotë e të rremë!
 
Malion Hoxhallari
Jane vrarë në motovedetë. Njoh njerëz që kanë qenë në marinë dhe të pranishëm kur u kthye Kota në Durrës. Në ’47, pak para kësaj ngjarjes u arratisën edhe dy oficerë të marinës Jugosllave, të cilët dolën si dëshmimtarë në gjyqin e Hagës për çeshtjen e minimit të kanalit të Korfuzit. Këta 3 me shumë mundësi do të dëshmonin për palën britanike. Eshtë një dosje ende e padeklasifikuar në arkivat britanike. Vetëm faqja e parë është “deklasifikuar”, megjithëse është plot redaktime të bardha… Mendoj se kur të deklasifikohet ajo, do të dali edhe puna e këtij.
 
Edmond Hasani
Një ish sigurims dëshmitar në inskenim ka pohuar atë që them unë!
Kur po pregatitej filmi për xhirim në shesh të xhirimit heroi fallco ishte komplet jashtë orbite kur pyetej nga skenaristët e filmit lidhur me ngjarjen… Gjithmonë kjo ngjarje ka patur dyshimet për çka ndodhi në të vërtetë…
 
Kastriot Dervishi
Nuk ka asnjë lidhje kjo ngjarje me gjyqin e Hagës.
.
Heroi i Popullit duke rrefyer heroizmat
Heroi i Popullit duke rrefyer heroizmat

Elmaz Taka

Kastriot, unë mendoje se ka, nga informacionet e familjes së njerit prej tyre… (ime shoqe është mbesa e Xhemalit, vllai tij vjehrri im) është dënuar 22 vjet, nën akuzën për eleminimin e Spiros dhe tentativë arratisje… Xhemali ka ardhur i gjallë deri në molo dhe është ekzekutuar tek brryli 2 orë më vonë… Një kërkesë e tij për ujë, ja ka mbushur gojën me rërë, nga një nga kapitenët e “famshëm” të asaj kohe!!!
 
Artur Mecollari
Kastriot. Historia është disi më e komplikuar. Po t’i referohesh fakteve, Motovedeta Mujo Ulqinaku ka mundësi të ketë qenë e përfshirë në minimin e Kanalit të Korfuzit. Ish Komandanti i Marinës Shqiptare Kapiteni i Parë Abdi Mati ka qenë në bordin e minaheqëseve jugosllave me 20 tetor 1946. Por, mundësia që ai të kete hipur në bord të minaheqëseve është në Sazan, duke shkuar me motovedetën Mujo Ulqinaku nga Durrësi. Unë besoj se personeli i motovedetës ka qënë dëshmitarë në minimin e Kanalit të Korfuzit. Përpara rastit të Motovedetës Mujo Ulqinaku, anglezët kanë tentuar me dëshmitë e dy ushtarakëve jugosllavë, të arratisur, por që nuk patën sukses.
 
Kastriot Dervishi
Mundet, prandaj i kanë vrarë si dëshmitarë.
 
Artur Mecollari
Unë besoj kanë tentuar të arratisen për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës, në favor të Britanisë. Por, unë besoj se Spiro Kote vonë e ka marrë vesh, sa i rëndësishëm ka qenë shërbimi i tij.
 
Kastriot Dervishi
Komunikimi me britanikët ka qenë i pamundur në këtë kohë. Megjithatë çdo variant diskutohet. Ata nuk mendoj se do i tregonin Spiros dëshirën e tyre. Fakti që Spiro nuk dinte të drejtonte motovedetën e cila ka qenë edhe pa busull, e vë në dyshim arratisjen. Bindja ime është se ky rast nuk është arratisje, por thjesht vrasje.
 
Artur Sami Picari
Asgjë nuk ka të faktuar se i vrau se do dëshmonin kundër Shqipërisë. Janë ca iluzione që kërkojnë të ngrenë akoma ‘madhështinë” e një injoranti që as vetë ai s’e di se çfarë u gatua në atë mesele! Një oficer i vjetër i flotës se atyre viteve që pata fatin ta njoh më tregonte se trupat ishin të ngrohtë dhe dyshonte se ishte një mashtrim.
.
Ngjarja e Motovedetes Ulqinaku - dhe filmi "Duel i heshtur"
Ngjarja e Motovedetes Ulqinaku – dhe filmi “Duel i heshtur”

Gezim Maloku

Vërtet historia është disi më e komplikuar. Vallë ajo ka qenë Motovedeta Mujo Ulqinaku? Pak rëndesi ka kjo. Motovedeta Mujo Ulqinaku ka mundësi të ketë qënë e përfshirë në minimin e Kanalit të Korfuzit. Ish Komandanti i Marinës Shqiptare Kapiteni i Parë Abdi Mati ka qenë në bordin e minaheqëseve jugosllave me 20 tetor 1946.
Përpara rastit të Motovedetës Mujo Ulqinaku, anglezët kanë tentuar me dëshmitë e dy ushtarakëve jugosllavë, të arratisur, por që nuk patën sukses. (Kush tentoi të arratiset? Jugosllavët? Ku dhe përse? Dhe çminimin e minave të vendosura nga jugosllavet, e kryen anglezët dhe jo ata që i vendosën. Puna e arratisjes së “shqiptarëve” me Motovedetë, nga Durrësi, po qe e vërtetë ashtu siç e kemi parë në film, edhe mund të pranohet, pasi Spiro Kote u shpall Hero i Popullit, se ktheu në Durrës një Motovedetë, me tre persona të “arrestuar”, nga një Marinar trim. Enverit dhe Partisë Komuniste, ky akt i shërbeu vetëm për Propagandë, si puna e Dëshmorit Llesh Pali!
 
Benon Mustafaj
Kastriot, po Spiro a ka folur vetë ndonjëherë?
 
Kastriot Dervishi
Ka rrëfyer një variant të varfër për ngjarjen në vitim 1947. Ndërsa rrëfimet e tij para nxënësve mund të ketë dijeni Gjergji Thanasi.
 
Gjergji Thanasi
Spiron e merrnin shpesh t’u tregonte pionerve dhe nxënësve të shkollave të mesme “Trimëritë e Herkulit”, por për shkak të inteligjencës minimale, që kishte i ngrati, me zor lidhte tre fjali bashkë! Im atë ka qenë marinar rekrut në Durrës në 1947, dhe ka lënë në ditarin e tij mbresa interesante nga mbrritja e motovedetës Mujo Ulqinaku në Durrës me Spiron në bord dhe një oficer nga kapitaneria e portit. Interesant është fakti qe specialistët jugosllavë (2 kroatë nga ishulli i Korculës) me gjithë kundërshtimin e komandantit të portit, Çelo Arrzës ish partizan i Brigadës I, ngulën këmbë dhe e morën në pyetje me përkthyes Spiron para se ta pyeste Sigurimi ynë. Nga fundi i seancës së pyetjeve mbërriti edhe ëillis-i (fuoristrda) e pot pukovnik Safet Filipoviçit, një plehër nga Bosnja, që në atë kohë bënte ligjin në Minsitrine e Brendshme shqiptare dhe në rradhët e Sigurimit e të Divizionit të mbrojtjes së popullit.
 
Literature House
Në një nga numrat e revistës “Literatura jonë” jepet direktiva që shkrimtarët dhe artistët të frymëzohen nga kjo ngjarje. Rezultati: një poezi nga V. Skënderi dhe skenari e më pas filmi “Duel i heshtur”.
Marre nga muri i fb, i Kastriot Dervishi, 2 qershor 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.