back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Mario Vargas Llosa – Monstrat përreth nesh po i prodhon pragmatizmi

Gazeta

Marios Vargas Llosa (1936)
Marios Vargas Llosa (1936) 

Monstrat përreth nesh po i prodhon pragmatizmi

Interviste me Nobelistin Mario Vargas Llosa

Pak ditë më parë, Mario Vargas Llosa kujtonte se pasi kishte fituar Cmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2010, ai kishte parashikuar se deri në moshën 80 vjeç, ai vetëm do të lexonte dhe pushonte. Tani, në moshën 78 vjeç, ai thotë se nuk ka fare plane pensioni.
Mund të biesh dakord me të, ose jo – mund ta quash konservator ose liberal – por shumë pak njerëz janë indiferentë ndaj Vargas Llosës. Gjatë dekadave, ai ka ndryshuar afërsitë politike duke ruajtur një parim konstant, atë të nënshtrimit të dëshirave të tij ndaj ndërgjegjes dhe bindjeve. Kjo e ka larguar prej simpative të hershme marksiste, deri në ideologjinë e tashme dhe ndoshta të fundit, mbrojtjen e lirive personale dhe politike.
Shkrimtari i lindur në Peru, ndoshta një prej më të njohurve të botës spanjishtfolëse, flet si një liberal: respekton atë që i thua dhe krahason pikëpamjet e tua me të tijat, megjithatë gati të bjerë dakord për të mos rënë dakord, nëse ti këmbëngul.
Në shtator, Vargas Llosa fliste për gjendjen e trazuar të botës në një ese që e kishte titulluar “Luftërat e fundit të botës”, duke iu referuar kështu edhe njërit prej romaneve të tij. Ishte një vëzhgim skeptik i idesë së Francis Fukuyamës për Fundin e Historisë, pas rënies së komunizmit. Dy dekada pas rënies së Murit të Berlinit, shkruante Vargas Llosa, “historia është e gjallë si gjithmonë”.

Francis Fukuyama (1952)
Francis Fukuyama (1952)

Francis Fukuyama e interpretoi shembjen e bllokut sovjetik si triumfin e demokracisë dhe fundin e afërt të historisë, në kuptimin që po vinte një kohë “pa retë” e konfrontimit ideologjik. Megjithatë retë mbeten… kush do ta kishte parashikuar që ngjarjet do të vazhdonin si më parë, apo do të përkeqësoheshin në atë pjesë të botës? Në të vërtetë, ata kanë një shoqëri të frikësuar, nën thundrën e Putinit, që qeveris në një mënyrë tërësisht autoritare, i rrethuar nga një bandë njerëzish të tij.
Gjendja e botës është e frikshme. Nga se jeni më shumë i shqetësuar? Mendoj se gjërat më shqetësuese në botë janë fetare, dhe sidomos fondamentalizmi islamik, si edhe nacionalizmi. Këto janë dy lloje ideologjish kolektiviste që kanë qenë burim i fatkeqësive më të mëdha… dhe janë rikthyer në jetë, pikërisht atëherë kur mendonim se toleranca dhe bashkekzistenca fetare po përhapeshin në të gjithë botën.
Të marinuara mirë në kazanin e populizmit, gjithmonë thelbësor. Populizmi është ingredienti kryesor i nacionalizmit, ndonëse ai merr forma të ndryshme. Eshtë mposhtur në Skoci, por është gjallë në Spanjë, atje ku përbën një problem më të madh. Unë mendoj se shumica e spanjollëve nuk e duan nacionalizmin, por nuk kanë një ide të qartë se si ta përballojnë dhe mposhtin atë.
Cfarë e ka shkaktuar përkeqësimin e ambicieve të Europës dhe të botës? Korrupsioni. Ai ka prodhuar një pakënaqësi të jashtëzakonshme në vendet demokratike për shkak të përhapjes së dukshme. Kriza financiare dhe monetare vijnë shumë më tepër prej korrupsionit, se sa prej politikave të këqia.
Po sa i përket shpresës së disa ngjarjeve të kaluara, si për shembull Pranvera Arabe? Pranvera Arabe… kishte nevojë për një mbështetje shumë më të vendosur. Ishte një tragjedi në Siri, sepse mobilizimi i madh kundër një diktature udhëhiqej nga demokratë që dëshironin ta liberalizonin dhe modernizonin vendin. Mungesa e mbështetjes nga perëndimi ishte tragjike, dhe në fakt edhe më keq: Ai lejoi që ajo lëvizje të shndërrohej në një përcjellës për zgjerimin dhe fondamentalistëve më kriminalë. Këtu, dështimi i perëndimit është i dukshëm.

Gazetari amerikan James Foley
Gazetari amerikan James Foley

Prerja e kokave të pengjeve është një prej atyre hapave prapa që ju ia përmendni njerëzimit? Ky kolaps demokratik vjen jo vetëm përmes korrupsionit ekonomik, por edhe në degradimin e vlerave tradicionale. Eshtë e tmerrshme se si media e shfrytëzon në mënyrë cinike këtë horror, në vend që të shërbejë si barrierë. Ajo po e kthen horrorin e kohës sonë në një spektakël. Ka një kolaps të ligjshmërisë dhe vlerave, tërësisht i lidhur me rënien e ideve. Nëse idetë nuk përfaqësojnë asgjë dhe vlerat janë zhdukur, dhe jetojmë në një gjendje pragmatizmi të pastër, ne po mohojmë traditën e madhe libertare dhe demokratike, traditën e shpirtit kritik dhe të luftës ndaj të keqes. Kush e di se cfarë janë e mira dhe e keqja këto ditë? Ka një konfuzion total, dhe pragmatizmi po prodhon monstrat që shohim rreth e rrotull.
Në artikullin tuaj keni përmendur Amerikën Latine si një rreze shprese. Po Argjentina, të cilën e keni kritikuar? Shpresa tani është që të marrë fund epoka e çiftit Kirchner, që e ka çuar këtë vend drejt një… kaosi ekonomik, shumë pranë falimentit. Kjo gjë jep një shpresë, sepse askush nuk mund të jetë i kënaqur me mungesën e besueshmërisë së vendit tënd, sidomos kur ka qenë ekzemplar dhe ka patur një sistem arsimi të pakrahasueshëm në botë.
A vë në dyshim eseja juaj konkluzionin e Fukuyamë, për faktin që triumfi i demokracisë është i pakthyeshëm? Nuk ka fitore përfundimtare, liria ka disa fitore të pjesshme. Sigurisht që ka patur progres, por progresi nuk vjen vetë. Përparimet nuk janë aksidentalë. Prapa çdo hapi përpara ka një veprim njerëzor, që nevojitet të ruhet si dhe të çlirohet nga pesimizmi dhe paraliza.
A mendoni se mungesa e edukimit politik ka kontribuar në dëmtimin e demokracisë dhe lirisë? Njerëzve u është neveritur politika. Eshtë e kuptueshme, por tejet e rrezikshme: Nëse i kthen shpinën politikës, ajo do të mbetet në duart e njerëzve më të këqinj. Duhet që të binden njerëzit më brilantë, inteligjentë, të mirë, bujarë dhe idealistë për t’u angazhuar në politikë. Politika bëhet e mirë vetëm nëse në të marrin pjesë njerëz të mirë. Nëse ua lë të paqytetëruarve sepse mendon se janë të neveritshëm, atëherë edhe vetë politika do të bëhet e neveritshme. Clarin/
Përshtatur në shqip nga www.bota.al
Marrë nga http://www.flurudha.com/2015/03

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.