Mark Ndoja
Mbi përkthimin e “Komedisë Hyjnore”
(Nga Epistulari i Ishullit të Zvërnecit drejtuar gruas)
14 prill 1965,
Për tashti po merrem me përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes. Këto ditë fillova kangën e IX të Purgatorit. Puna po më shkon mjaft mirë, megjithëse Purgatori mue më duket ma i vështirë se Ferri për t’u përkthye shqip. Kushedi sa ma i vështirë do të më duket Parrizi (Parajsa). Po pse, do të thuesh? Sepse poezia e Dantes në këto dy pjesë vjen tue u ba ma filozofike, ma abstrakte, ma e vështirë si formë arti e si gjuhë në përgjithësi. Megjithatë unë, siç e di ti fort mirë, do të ve gjithë fuqinë time me e përkthye në mënyrë të denjë këtë vigan të mendimit e t’artit njerzor, për t’ua dhanë brezave t’ardhëm në nji gjuhë shqipe sa ma të kuptueshme e sa ma të bukur. Kjo ishte e mbetet gjithmonë dëshira ime! Sa do të realizohet, e ardhmja do ta thotë. Në përkthimin e deritanishëm unë kam besim. Me këtë besim e dëshirë po vazhdoj. Si thue ti, a s’asht nji andërr e bukur të japësh përkthye bukur në gjuhën tonë Dante Alighierin? Unë kam besim se do t’ia dal. S’mërzitem fort për ç‘thonë bota për aftësitë e mia letrare sepse vetë Dante thonte: “Segui il tuo corso e lascia dir le genti” që shqip tingllon: “Vazhdo rrugën tande e le të thonë bota!” Tashti që kohë kam mjaft të merrem me këtë punë të randë, besoj edhe ma tepër në suksesin e përkthimit, sepse nji punë e tillë do punim e ripunim të gjatë, do lluks kohe në dispozicion, siç e kam unë aktualisht.
23 qershor 1965,
Nji pjesë të ditës e kaloj me përkthimin e Dantes. Zbavitem shumë me të, por edhe lodhem për t’i gjetë formën shqipes, pa u largue nga origjinali, për të respektue teknikën letrare aq rigoroze të tekstit, për t’i dhanë shije gjuhës letrare të përkthimit. E vërteta asht se deri tash nuk jam i pakënaqun. Eksperienca e përkthimit të mundshëm të Ferrit po më ndihmon shumë. Stili sa vete po bahet ma i zhdërvjelltë e i kuptueshëm, megjithë vështirësitë e origjinalit që asht aq enciklopedik e, për pasojë, edhe tepër i randë hera-herë. Shkurt, unë besoj se përkthimi im do të mund të lexohet me andje e pa vështirësi edhe prej lexonjësve me nji kulturë nën mesataren. E përkthej njiherë e pastaj i jap dorën e dytë në të pastër. Do të duhej edhe dora e tretë, por për atë do të mendoj mbasi të jetë mbarue gjithë puna. Ti je dëshmitare vetë që më ke pamë se Ferrin e mora nëpër duer 7 herë fillim e mbarim. Për Purgatorin s’besoj se do të detyrohem të veproj ashtu. Kushedi kur t’arrij te Parrizi a do të më dëfrejë kështu? Besoj edhe atje Danteja mbetet Dante, do të më dëfrejë e të më mahnisë, në rast se i gjej fjalët dhe teknikën e përshtatëshme si në Ferr e në Purgator.
18 gusht 1965,
E vërteta asht se poetët kanë frigë çdo kritikë, edhe ato ma inkopetentet, edhe ato ma të dobëtat, por ashtu bajnë, gjoja sikur s’duen t’epen! Ky asht fati i tyne; këtu i çon vetë arti me të cilin kanë lidhë jetën, ndjenjat e fantazitë e tyne. Por kritiku ma i ndershmi, ma i madhi e ma i pagabueshmi, koha, vetëm ajo do të vërtetojë qëndresën e veprës së tyne përpara kritikës ose grumbullit të kritikavet që i vërsulen si dallgët e detit, si rrebeshet e motit, si tërmetet e tokës e s’e rrëzojnë dot. Vetëm atëhere gjindemi përpara nji artisti me të vërtetë të madh e të pavdekshëm për sa të ketë njerëz mbi dhe. Ti s’pretendon që unë të shkruej të tilla monumente letrare! E dij! Por unë jam nji maniak i pandreqshëm, nji mik i paepun i Muzavet, e ndoshta diçka të pavdekëshme do të mund kisha krijue, po të mos më shkonte nji pjesë tepër e madhe dhe e vlefshme ndër punë kote e peripeti të jetës sime endacake që në moshën time 8 vjeçare. Sidomos kjo gjendje e izolueme tash në fund të moshës produktive i sjell veprës sime të pambarueme e të pakrehun shumë dame, ndoshta çvleftësimin e saj definitiv. Kam shpresë të baj nji përkthim për të qenë me “Komedinë Hyjnore”. Përkthimi po shkon mirë e mjaft me shpejtësi.
1 shtator 1965,
Vazhdoj me vrull të pandalueshëm përkthimin e Purgatorit dantesk. Jam i kënaqun për marshimin e shpejtë e të mirë të punës. Pas shinave të para që paralajmojnë vjeshtën, kam pasë edhe frymzime për të shkrue gjana origjinale. Vetëm ndonji thërmi të vogël kam mundë të fiksoj në letër. Frymzimet artistit mund t’i vinë në çdo stinë të motit e në çdo çast të ditës, por unë kam vu re në jetën time se mue më vinë zakonisht ma fort në vjeshtë kur shpërthejnë stuhitë e bumbullimat e para dhe në çastet e qetësisë së natës. Merre me mend seç mund të baj unë në të tilla kushte për t’i regjistrue e renditë në letër me “fjalën fluturake” këto frymzime që vinë e ikin, vinë e ikin, e ma në fund qetësohen e zhduken dikund në fund të shpirtit, e shuhen në harresën e përherëshme. Me të drejtë Migjeni u thotë vargjeve të veta se ai asht djepi i tyne e ndoshta, vorri i tyne.
15 shtator 1965,
Letra jote e fundit më kënaqi me shprehjet e tua kritike, sidomos ato të qëndrimit tat ndaj Muzës! Por gjithë ata poetë bashkë me Homer tatëgjyshin e Danten ku i çon ti? Apo atyne u falet, të thonë edhe gjana abstrakte, gjepura me nji fjalë, meqë ata ishin të mëdhej? kurse ne të vegjëlve të vdekshëm sus!? Po përmendëm Muzën qenkemi abstraktë, pa përmbajtje, klasikegjantë, formalista, e s’dij çka tjetër?
Pikëpamjet e tua mbi kritikën letrare koincidojnë shumë me kritikën letrare të shekullit tonë. Por për mue shekulli ynë s’asht fort i lavdishëm në fushën e letërsisë, e ca ma pak në fushën e kritikës letrare. Ky shekull vetë asht në këto fusha mjaft formalist, në drejtimet ma të ndryshmet që mund t’imagjinohet në fushën e krijimeve artistike. Tërbimi për krijime rrymash të reja e ka tërbue, e ka vijosë shumë, dhe nën presionin e tmerrshëm të përparimeve fiziko-kimiko-matematike asht hutue e s’po di nga t’ia mbajë në fushën e zbulimeve të reja artistike. Atëherë, o burra, hiqni Muzën se asht vjetrue! Hiqni klasiçizmin se asht vjetrue! Hiqni rimën se asht formalitet! Hiqni vargjet e matuna, siç ban Uollt Uitmani, Migjeni e Majakovski! Thoni gjana ekstravagante. Shani Muzat! Shani vjetërsinat, si tekstet e Gjon Buzukut. Dhe rroftë poezia e re! me përmbajtje moderne, modernissima, për shijet e reja, zhenitë e reja, brezat e ri. Ti e di, o Milenë, se unë kam qenë dhe mbetem kundërshtar i kësaj llapje e llapashitje në llucat e modernizmit n’art, në të gjitha fushat e tija, në të gjitha vendet e drejtimet ku ka futë hundët dhe kërkon të degjenerojë shijet artistike të njerzvet! Por letrat tona po bahen kritikë letrare!! Ç’ti bajsh manisë sime të vjetër që tashma asht smundje kronike!
P.S. Po të gjindet në “Librin Sovjetik” përkthimi i Komedisë Hyjnore nga Mihajl Lozinski, do të dëshiroja ta kem për ta krahasue me përkthimin tim shqip. Idem
13 tetor 1965,
Ti më thoje se e dije dhe e njihje emnin e dëgjuem të përkthyesit rus të Komedisë së Dantes. E pra ai quhet Mihajl Lozinski, i cili më 1948, fitoi çmimin e I “Stalin” për përkthimin e Komedisë Hyjnore, dhe u ba i famshëm në Rusi e në botë për punën e tij të lëvdueme nga kritika. Nejse! Më çudit ajo që thue se ndoshta ma vonë do të mund ketë libraria ndonji përkthim tjetër. Kjo asht përrallë, o Milenë! Unë s’njoh as dij të kenë përkthim tjetër ma të mirë se këtë rusët! Unë atë që dija e njoh, atë kërkova, për kuriozitet krahasimi, e jo për ndonji nevojë të domosdoshme. Aspak! Ti e di se unë për interpretimin e Dantes kam përdorë drejt për drejt origjinalin me komentatorët ma të dëgjuem italianë e të huej, dhe s’kam asnji nevojë për përkthyesit e botës, përveç se për kuriozitet krahasimi. Anipra meqë përkthimi i të ndjerit Lozinski s’gjendet, s’ka gja fare dhe mbaroi!
Unë mbarova kangën XXV të Purgatorit.
Qe nji punë e vështirë. Më lodhi me silogjizmat e filozofisë mesjetare, dhe me stilin mjaft të vështirë për t’u dhanë disi qartë në shqipet. Shumica e 139 vargjeve që ka kanga ishin arsyetim mesjetar mbi formimin e njeriut fiziologjikisht, mbi formimin e tij mendor sipas Aristotelit e Shën Tomës, mbi destinacionin e shpirtit të tij etj. Të shoh se do të mund e rregulloj në dorën e dytë, se për tash s’jam i kënaqun për përkthimin tim të nxjerrun zvarrë e zvarrë, me zor të madh!
27 tetor 1965,
Sa për gjendjen shpirtnore s’kam se ç‘të them. Me të thanë se s’mërzitem do të gënjeja. Por mërzinë e kam kalue me punë, siç ta kam thanë edhe në letrat e tjera, tue u kënaqë me përkthimin e “Purgatorit” të Dantes. Edhe kangën 25 ma në fund e rregullova sipas dëshirës sime, me nji përkthim të pëlqyeshëm, sado e vështirë që ishte, siç ta kam shpjegue në letrën para kësaj.
Për fat të keq s’kam pranë ndonji lexues kompetent me ma pohue ose me ma hedhë poshtë vetëkënaqjen time për këtë punë monumentale që duhet m’e krye me ndërgjegje të lartë artistike, dhe jo siç bajnë disa me klasikët e pavdekshëm të letërsisë botnore.
10 nentor 1965,
Ndjenjat e fantazinë i kam të mobilizueme, por mundon faktori i tretë: ekspresioni, ose forma që asht gjysma e punës n’art. Ata që i japin gjithë randësinë ose randësinë themelore e kryesore temës n’art, gabohen randë. Brendia e forma janë nji e tanë e pandame dhe e pandashme, nji unitet dialektik i fenomenit art. Kush e kupton ndryshe filozofikisht artin, ai asht antidialekticien, dhe ka rrezik të katandiset në nji sharlatan ordiner që bluen si mullini pa kokrra. Gjendja poetike (ndjenjë + fantazi) përftohet e përsëritet në shumë mende e zemra njerzore; vetëm ata që dinë t’i japin formën adekuate kësaj gjendje janë poetë, artistë të vërtetë. Pra pres momentet e përshtatshme të frymëzimit për t’u gjetë formën ndjenjave e fantazisë sime rreth temës që do të trajtoj, e që më ban presion me dalë e qartë, e bukur, e ndritun, komunikative e muzikale. Uromë të kem sukses!
22 dhjetor 1965,
Unë për vete e kaloj vitin e ri këtu i mbyllun, në nji copë ishull plot selvija gjelbrore, të cilat kur fryn era më këndojnë sinfonitë e fuqishme të tokës shqiptare, nanës që më ka dhanë jetën e dritën, ku rroj i qetë e me zemër të pathyeme e të pastër, me nji pikëllim të vetëm që më mundon herë pas here: se ndoshta s’do të mund i kryej veprat e mia letrare të fillueme, e që më ziejnë herë pas here në zemër e në fantazi, të cilat e ndjej për detyrë patriotike, të shejtë e kategorike të ja la të përfundueme e sa ma të përkryeme Atdheut që më ka dhanë jetën, për të cilin kurrë në jetën time s’i kam kursye jetën as aftësitë e mia. Gjithë atyne që më duen u lutem të m’urojnë shëndet me rastin e këtij viti të ri, që të kem mundësi në t’ardhmen ta kryej këtë detyrë ndaj vendit tim dhe breznive të tij t’ardhme. Se ç‘do të jetë vepra ime letrare le t’i mbetet historisë ta gjykojë! Unë as kam qenë kurrë as do t’jem nji nga ata që digjen për lëvdata e dekorata. Në mund bafsha ndonji gja të mirë do të vdes i gëzuem se kam ba detyrën kundrejt jetës e shoqnisë njerzore, kundrejt ditunisë e moralit, që janë dy lokomotivat e fuqishme historike që shkojnë tue e shkëputë njeriun nga kafsha, për ta ngjitë në kulmet ma të lartat e qytetnimit e të përparimit njerzor, atje ku njerzimi do t’i ketë harrue të gjitha veset e do të ketë përvehtësue të gjitha virtytet, të cilat do të vejë duke i perfekcjonue e transformue në procesin e pandërpremë historik.
Frymzim! do të thuesh ti për kët letër timen? Unë shkrova ato që më thotë zemra por zemra edhe mund të të gabojë ngandonjiherë!
2 shkurt 1966,
Ti do të kesh kujdes të më sjellësh këtu edhe ato 8 kangët e para të “Purgatorit” që i kam pasë përkthye e hedhë në fletore të holla, siç besoj se i di dhe i ke pamë nëpër dorëshkrimet.
Puna letrare këtu më dëfren dhe më heq mërzinë. Puna krijuese asht dëfrim e gas i vërtetë.
27 prill 1966,
Vazhdoj rishikimin e 8 kangëve të para të “Purgatorit” të Dantes. Bana mjaft ndryshime nga dorëshkrimi i vjetër. Më kishin shpëtue edhe disa gabime interpretimi të origjinalit dantesk. Sa keq do të kishte qenë sikur të mbeteshin ashtu! Tashti kam shumë shpresë se s’më ka shpëtue ndonji gabim Edhe nga pikëpamja e formës së bukur e të qartë të gjuhës shqipe, përkthimi ka fitue në këtë dorë të fundit. Por kushedi a do të jetë vallë dora e fundit? Ti e di se “Ferrin” e pata marrë nëpër duer 7 herë.
11 maj 1966,
Më mbeten 8 kangët e fundit mbi të cilat jam vu. Kur të vish më siell edhe përkthimin e Pashk Gjeçit të “Purgatorit” që e ke aty në shtëpi. Due ta krahasoj me timin, megjithse unë e kam lexue, dhe e dij mirë se ai asht nji përkthim nga i cili s’kam se ç‘përfitoj, përveç gabimeve trashanike që ka dhe të nji gjuhe shqipe të pakuptueshme edhe për mue që jam profesionist, e le ma lexuesit, e sidomos për lexuesit e moshës së re. Ai përkthim asht i dështuem për të mos thanë ma keq. Unë po ve të gjitha forcat e mia, dhe besoj t’ia dal patjetër me vu në vend nderin e gjuhës shqipe në nji burrë kaq të randë, saqë edhe i ndjeri Fan Noli, përkthyesi ynë i ndritun e absolutisht ma i miri deri sot, s’desh ta marrë përsipër pa nji pregatitje të gjatë. Por fajin e ka kritika letrare që s’ia hoqi veshin Pashko Gjeçit që me botimin e “Ferrit”, ku u pa qartë se s’ishte nji përkthim i denjë për t’u botue integralisht.
6 korrik 1966,
Unë jam mirë në përgjithësi me shëndetin. Kam fillue banjot e diellit që shihet në mënyrë të qartë se më bajnë mirë. Eliotherapia dihet se asht gja e madhe për shëndetin e njeriut. Jo për kot popujt e vjetër primitivë ose edhe me njifarë kulture, diellin e identifikonin me Zotin, e me të drejtë ekzakte e quenin jetëdhanës. Kështu pra edhe nëpër mjegullat idealistike e fantastike shpesh herë gjinden embrionet e shkencës, bërthama të së vërtetës reale që pastaj shkenca i qëron nga guaskat idealistike, i ndreq e i përdoron gjithmonë tue i kritikue e tue vërtetue ç‘asht esenciale ose formale ndër to…
Sa për punën, vazhdoj me përkthimin e “Purgatorit”, jam në kangën XXXI, që gati po e mbaroj. Pra mbeten edhe 2 kangë për të mbarue gjithë “Purgatorin”, dhe atëherë kam ndërmend t’i jap dorën e fundit.
9 nentor 1966,
Përnjiheri me këtë letër po të nis me postë edhe përkthimin tim të “Purgatorit” të Dantes që e hodha në të pastër. Ka aty këtu ndonji shtesë fjale të korrigjueme, po përgjithësisht shkrimi asht i qartë dhe lexohet mjaft lehtë. Në faqen 37 janë ndryshue 2 tercina (strofa treshe) të shkrueme mbi nji rryp letër e të ngjituna në vendin përkatës sipër tekstit të ndryshuem e të prishun me vija të kryqëzueme. Sapo të të bjerë në dorë më lajmo me letër. Kopja që kam unë këtu ka pësue ndryshime në tekstin definitiv që po të dërgoj, prandaj kij mendjen ta ruesh shumë mirë.
7 dhjetor 1966,
Kam nji çikë mërzitje në këto ditë të zymta, pothuejse gjithnji me erna e me shi, por e kaloj mërzinë me ndonji lexim ose me vazhdimin e punës së përkthimit të “Parrizit” të Dantes. Kjo punë edhe më lodh edhe më zbavit. Asht punë tepër e vështirë dhe për të shprehë shqip mendimet e holla e të kapërthyeme të poetit në këtë pjesë të fundit të Komedisë së tij, le pastaj për t’i gjetë fjalët e duhuna formës së tij aq flurore, fjalët gjithë muzikë e dritë Parrizi, ku fantazia e poetit lëviz e mahnitun n’aq liri e bukuri shpirtnore. Deri tashti kam mbarue kangën I, kam kalue gjysmën e së II-ës, dhe herë pas here kapërcej ndër disa pjesë të bukura e të vështira për t’u thanë shqip, dhe baj prova me gjetë fjalët e format e shprehjes.
Do të më mundojë, po në fund do t’ia dal, mesa shoh deri tashti, m’e përkthye siç kam dëshirë.
15 mars 1967,
Unë për vete jam mirë krejt me shëndet, dhe tashti që po fillon prendvera vazhdoj me ritme të shpejta përkthimin e “Parrizit” të Dantes; kënaqem me përkthimin e kësaj muzike kozmike që shpërtheu nga mendja gjeniale e të Madhit Fjorentin pothuejse këtu e 7 shekuj përpara; kënaqem kur fjala shqipe më bindet, kënaqem tue mendue se nji ditë do t’arrij ta kryej me sukses këtë detyrë e barrë të randë që ia kisha vu vetes prej kohësh në planet e mia letrare.
Dante Alighieri (1256-1321)
S’ka shkrimtar në gjithë letërsinë botërore
që veprën e tij krijonjëse ta ketë lidhë aq ngushtë me kohën,
sa lidhi Danteja veprën e tij me Mesjetën.
Danteja u shfaq si poet i fundit të kësaj epoke të gjatë
dhe të errët e njëkohësisht si paralajmeronjës i kohës së re, Rilindjes.
Mark Ndoja
Jeta e Dantes
Danteja u lind në Firencë në vitin 1265. Shumë pak dijmë mbi fëmininë e tij. I ati duhet të ketë qenë një qytetar i thjeshtë, pa ndonjë randësi të veçantë në jetën shoqërore politike të Firencës, sepse emri i tij nuk përmendet n’asnjë vend.
Megjithëse Danteja kish mbetë jetim kur ish ende fare i vogël, kujdesi për edukimin e tij nuk duhet të ketë mungue. Mësimet e para i mori në vendlindje d.m.th. në Firencë; dhe pastaj mësimet ma të nalta i vazhdoi në Bolonjë, pranë dijetarëve dhe artistëve ma të dëgjuar t’asaj kohe.
Një randësi të madhe për jetën e brendëshe të Dantes dhe për veprimtarinë e tij letrare pat dashuria e tij për Beatriçen.
Thuhet se ai e njohu këtë vajzë për të parën herë kur ishte vetëm 9 vjet, dhe se qysh atëherë në shpirtin e poetit u përftue një ndjenjë e lartë dashurie që i jetoi në shpirt për gjithë jetën. Më 1290, Beatriçja vdiq. Vdekja e saj e tronditi tepër poetin e madh dhe zgjoi në të një dashuri edhe ma të thellë, e cila me kohë u kthe në një veneracion të vërtetë. Lindja, formimi dhe kthiellimi i kësaj ndjenje të thellë në shpirtin e Dantes bajnë momentin e parë lirik të fiorentinasit të madh.
Momenti i dytë me randësi në jetën e brendëshme të Dantes janë studimet e tija shkencore dhe filozofike, studime që ai i bani me seriozitet dhe në të cilat ai zhytet për të mundë me harrue vdekjen e Beatriçes. Ai lexon shumë, viziton shkolla të larta, merr pjesë në disputacione filozofike, studion shkrimtarët e vjetër dhe nën influencën e tyne fillon të krijojë vetë. Këto studime serioze i dhanë mundësi Dantes të përfshinte gjithë arsimin dhe dituritë e atëherëshme.
Periudha e tretë e zhvillimit të jetës së tij të brendëshme lidhet me pjesmarrjen e tij në luftat politike e shoqërore të Firencës. Kur Danteja u ba 30 vjeç u shkrue në korporatën e 7 arteve: gramatikë, dialektikë, retorikë, aritmetikë, gjeometri, muzikë dhe astronomi. Danteja qe herë pas here në shërbim të Republikës dhe kreu shërbime të ndryshme për të. Në vitin 1300, ai u zgjodh prior, d.m.th. antar i Këshillit të Lartë që përbahej prej tre vetësh të cilët qeverisnin Republikën me radhë. Danteja bante pjesë në partinë e “të Bardhëve” të cilët atëherë kishin pushtetin në dorë.
Po shpejt “të Zezët” ua morën pushtetin. Prandaj Danteja më 1302, u detyrue ta lejë Firencën përgjithmonë. Filloi kështu për të jeta e zorëshme e emigrantit. Në këtë jetë të vështirë ai mësoi “sa krypë ka buka e huej dhe sa e randë asht të hypësh nëpër shkallët e shtëpive të hueja”.
Në mbarim të jetës së tija Danteja e gjeti një strehë të qetë tek Guido da Polenta, zot i Ravenës, i cili sillej mirë dhe kishte respekt për fiorentinasin që tashma ishte ba njeri me famë. Ma vonë ai u bashkue dhe me të bijtë në mërgim. Kjo e gëzoi pamasë pleqërinë e tij. Më 1321, kur po udhëtonte për një mision, Danteja u sëmur randë dhe vdiq. U varros në Ravena ku edhe sot ruhen eshtrat e tij.
Danteja si njeri qe burrë me karakter të jashtëzakonshëm: i fortë në fatkeqësi, i papërkulun në mendimet e tija, konsekuent dhe kokëfortë në ndjekjen e një parimi të caktuar. Ai qe përkrahës i mendimeve të ndershme, dhe prandaj u vërsul gjithnjë kundër padrejtësive dhe gjithë atyne që krijonin dhe ushqenin çrregullimin politik n’Itali.
Veprat e Dantes
Vepra letrare e Dantes merr shumë të hapët. Përpara se të dilte nga Firencia ai shkroi “Canzoniere” dhe “Vita nova”. Libri i parë asht një përmbledhje kangësh lirike dashunore që përfaqësojnë provat e para letrare të poetit:
Magji (nga “Canzoniere”)
Sa fort, o Guido*, zemra do t’ma donte
Që Lapit, mue dhe ty t’na bajnë magji,
E të tre bashkë në nji voglore aní,
Gjithkah duem ne në det era t’na çonte;
E kurrnjigrimë të mos mund e pengonte
Aninë furtuna as moti me stuhi,
Po tue jetue gjithmonë me nji dashni,
Dëshira me ndejë bashkë paprâ t’na u shtonte.
E zojën Lagjë mandej e zojën Vanë
Megjithë atê që numri i thotë tridhjetë**,
T’i çojë me ne nji magjistar i zoti:
E për dashni tui folë të na shkojë moti:
E fort kënaqë secila sosh të jetë
Si besoj unë, do t’ishim ne të tanë.
*Guido Kavalkanti
**Në atë kohë, e dashura e Dantes. Ishte e tridhjeta ndër gjashtëdhjetë gratë më të bukura të Firences.
Libri Vita nova asht një përmbledhje vjershash dhe pjesësh në prozë ku pasqyrohet dashuria e tij e thellë për Beatriçen.
“Beatrice Portinari,
mbeti përjetsisht dashnia e jetës sime,
pse ajo vdiq shumë herët (vetëm 24 vjeçe),
dhe babai im me martoi me Gemma Donati,
me të cilën pata tre djem…”
Dante Alighieri
Përshëndetja e Beatriçes (nga “Vita nova”)
Të gjan aq e njerzishme e aq bujare
Kur shkon tue përshëndetun zonja ime,
Se ngec çdo gjuhë e heshtun prej drithtime,
E syt guxim nuk kanë ta kqyrin fare.
Nisë e stolisë në përvujtni mitare,
Kalon tui ndie ta reshin me lavdime,
E gjan nga qielli zbritë me rrezëllime,
Me qenë mbi tokë për mrekull dëshmitare.
Sa kush e pa, të gjithë mahnitun mbetën,
Se u ra prej sysh në zemër nj’ambëlsi,
Që kush nuk e provon s’mund ta kuptojë.
E thue po sheh fytyre t’i flurojë
Nji afsh i kandshëm plot me dashuni
Që shkon tue t’i thanë shpirtit: “Ah, të shkretën!”
Përveç këtij libri Danteja shkroi edhe vepra filozofike alegorike si “Il Convito” (Gostia), vepër që e kish konceptuar pas vdekjes së Beatriçes dhe e mbaroi në mërgim. Danteja ka lanë edhe dy traktate shkencore në gjuhën latinishte: “De monarchia” (Mbi monarkinë) dhe “De vulgari eloquentia” (Mbi gjuhën popullore).
Po vepra e madhe e Dantes, vepra që do të mbetet e pavdekshme ndër shekuj dhe një nga shtyllat centrale të literaturës botnore asht “Divina Commedia” (Komedia Hyjnore).
30 korrik 1967