back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Marrëveshje e posaҫme Mirëkuptimi nga Eugjen Merlika

Gazeta

Ambasadori Visar Zhiti
Ambasadori Visar Zhiti 

Marrëveshje e posaҫme Mirëkuptimi

nga Eugjen Merlika

“Popuj, dëgjojeni poetin,
dëgjojeni ëndërrimtarin e shenjtë.
Në natën tuaj,
që pa të do t’ishte e gjitha errësirë,
vetëm ai e ka ballin të ndriçuar.”
Viktor Hugo nga “Rrezet dhe hijet”
Autori Eugjen Merlika 2008
Autori Eugjen Merlika 2008

Pak ditë më parë prof. Dr. Thanas Gjika, nëpërmjet shtypit dhe rrjeteve sociale, bëri një propozim të hapur për zgjedhjen e pritme të kryetarit të Shtetit shqiptar, një veprim institucional që diktohet nga kohët kushtetuese, sepse detyra e Kryetarit të tanishëm mbaron në verën e këtij viti.

 
1.Gjika, si një qytetar shqiptar, edhe se me banim në SHBA, e quajti me vend t’i këshillonte politikës një emër për vendin e Qytetarit të parë të Republikës shqiptare. Mendoj se është një nismë e lëvdueshme fakti që z. Gjika vendosi të shprehë opinionin e tij, në lidhje me një ngjarje të rëndësisë së shkallës së parë në jetën institucionale të Vendit të tij. Më pëlqen ta quaj atë nismë si një përçapje për të filluar një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë ndërmjet politikës e shoqërisë shqiptare. Duhet të jetë një hap i nisur nga e dyta e jo i diktuar nga e para, një veprim që duhet të tregojë se shoqëria është e gjallë dhe politika synon të vendosë marrëdhënie ndërtimtare me të, duke u munduar të mos thellojë hendekun që e ndan, por të vendosë ura lidhjeje të mendimeve e veprimeve.
Në këtë kontekst dua të shpreh edhe un një opinion, i cili përputhet me atë të z. Gjika. Është fjala për emrin e personit, të cilin nismëtari e quan si më të përshtatëshmin për t’u ngjitur në krye të Shtetit. Ai emër është z. Visar Zhiti, i njohur në Vendin e tij, në mjediset shqipfolëse e në botë. Mbi atë emër do të duhej të gjendej një mirëkuptim i përgjithshëm i politikës shqiptare, në tërësinë e saj.
Me gjithë vështirësinë e madhe që paraqet kjo sipërmarrje, për një sërë arsyesh e motivesh, të trashëgimisë e të çastit të tashëm politik, po të merret me përparësinë e idesë se Presidenti i Republikës duhet të jetë më shumë shprehje e vullnetit të bashkuar të qytetarëve, se sa e një partie apo grumbulli të tillash që fitojnë zgjedhjet, ndoshta mund të gjindet udha e mirëkuptimit.
Visar Zhiti është një figurë kaq e njohur sa që nuk ka nevojë për asnjë paraqitje. Vlera e tij letrare i ka kaluar me kohë sinoret e botës shqiptare dhe është bërë një përfaqësuese e shkëlqyer e saj në botën e madhe. Pa rradhitur mendimet e shumë intelektualëve shqiptarë e të huaj për veprën e tij, po mjaftohem me një shprehje të studjuesit të shquar të botës shqiptare, kanadezit Robert Elsie: “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar jeta dhe vepra e të cilit, mbase, pasqyron më mirë historinë e kombit të tij.”
Papa Françesku dhe Visar Zhiti
Papa Françesku dhe Visar Zhiti

Një vlerësim të tillë besoj se nuk e gjejmë në asnjë jetëshkrim të Kryetarëve të Shtetit shqiptar.

Duke shtjelluar mendimin tim vetiak, që besoj se përkon edhe me atë të shumë të tjerëve, sidomos me atë të bashkëvuajtësve tanë në regjimin komunist, do të mundohem të rrjeshtoj këtu, në këtë shprehje të lirë opinioni, se pse bashkohem me yshtjen e z. Gjika e pse e quaj Visar Zhitin kandidatin më të përshtatëshëm për postin e Kryetarit të Shtetit.
Zgjedhja e z. Visar Zhiti do t’ishte një shenjë e prekëshme, jashtë çdo lloj demagogjie, e shkëputjes së Shqipërisë nga e kaluara e saj diktatoriale. Për klasën politike shqiptare, përfytyresa e një dukurie të tillë në opinionin ndërkombëtar është tepër e rëndësishme. Mjafton të kujtojmë se vende të tjera si Ҫekosllovakia e Polonia, në fillimet e demokracive të tyre, patën në drejtimin e Shteteve të tyre personalitete të njohura të disidencës kundërkomuniste, të cilët përfaqësonin kursin e ri të politikës. Kjo dukuri e shtoi besueshmërinë e “botës së lirë” kundrejt atyre shoqërive, me pasojat pozitive të njohura. Tek ne ka qenë një dukuri pozitive prania e dy Kryetarëve të Kuvendit nga rradhët e ish të përndjekurvet, Pjetër Arbnorit e Jozefina Topallit, por dhe ajo ishte shprehje e vullnetit të një shumice partiake (PD), e jo e një mirëkuptimi shumëpartiak, siç kërkohet tani në personin e z. Zhiti.
Sendërtimi i një synimi të tillë, nëpërmjet një mirëkuptimi të politikës në tërësi, do të ishte një tregues edhe i një tjetër dukurie pozitive e të rëndësishme, asaj të dëshmisë se përballë sfidave të mëdha kombëtare, vetë kombi nxjerr në pah e i bën zotërues faktorët e bashkimit, duke u dhënë përparësi në vendimet madhore të tij. Do të ishte edhe tregues i një tjetër fakti, në kundër prirje me të shkuarën tonë, atë të vlerësimit të pasurive të vërteta intelektuale kombëtare e vënies së tyre në vendin e duhur.
Figura e poetit të nivelit botëror, i njohur dhe i vlerësuar nga shumë personalitete e institucione të botës së sotme, do t’i jepte një prestigj e një zë të mirë edhe vetë institucinit të Presidencës së Republikës shqiptare, shumë më tepër se sa qenia në të e një përfaqësuesi të politikës së vjetër apo të re, apo më keq akoma, e një kukulle në duart e atyre që fitojnë zgjedhjet. Përvoja e tij e gjatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare do t’ishte një tjetër atù e domosdoshme në kryerjen më së miri të detyrës së tij, ashtu si edhe pjesëmarrja që herët në proceset demokratizuese, vitet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, detyra si ministër e të tjera veprimtari politike e shtetërore.
Për vetë natyrën e tij, për formimin kulturor, për lidhjen shpirtërore që ka me Vendin e tij, mendoj se është një njeri që bashkon e nuk ndan, një figurë e cila mund të bëhet pikë riferimi e vlefshme për të gjithë qytetarët, por edhe për të gjithë segmentet e politikës, të cilët mund të shohin në të një siguri, në drejtim të barazpeshave institucionale.
Shtati moral e dinjiteti vetiak, të dy të shprehur pakundërshtueshmërisht, si në provën e madhe të burgjeve politikë gjatë diktaturës, ashtu sikurse edhe gjatë ushtrimit të detyrave të ndryshme në vitet e demokracisë, përbëjnë një çertifikatë sigurie se ai do të jetë njeriu i duhur në vendin e duhur, në një periudhë kur jeta politike dhe administrative shqiptare paraqet zbrazësira, deri në humnera, sa i përket faktorit moral. Një Kryetar i tillë do të jepte ndihmesën e tij themelore në moralizimin e institucioneve.
Visar Zhiti "Ferri i çare"
Visar Zhiti “Ferri i çare”

Kryetari i shtetit shqiptar duhet të jetë edhe një figurë e njohur në të gjitha bashkësitë shqipfolëse që jetojnë nëpër botë, qoftë si pakica kombëtare, si qytetarë të shtetit të dytë shqiptar, apo si pjestarë të mërgatave shqiptare në Vende të ndryshme të botës. Mendoj se figura e z. Zhiti mund të jetë ajo më e vlerësuara në gjithë këta mjedise, një figurë në të cilën çdo shqiptar do të ndihej i përfaqësuar. Si një personalitet i njohur në të gjitha mjediset mbarëkombëtare, në sajë të veprës së tij letrare, mund të bëhet një pikë e rëndësishme riferimi edhe për problemet e përgjithëshme e të veçanta të gjithë kombit.

Ishin këta disa nga motivet për të cilët vendosa t’i bashkohem nismës propozuese të z. Gjika, të cilin e falënderoj shumë për mendimin e tij të vyer. Nëse këta motive shihen si qenësore, të vlerta e të bashkëpranueshme nga aktorët kryesorë të politikës, është rasti që këta të fundit, kur të vijë çasti, të lenë mënjanë mëritë vetiake e politike, të ulen në një tryezë të përbashkët, në të cilën të vendosin me vullnetin e tyre të lirë, pa shtysat apo detyrimet e të tjerëve, të votojnë në krye të Shtetit një koleg të tyre, disi të veçantë, një nga intelektualët më në zë të hapësirës mbarëshqiptare, z. Visar Zhiti.
Uroj që kjo zgjedhje, gjatë këtyre muajve, t’ishte objekt rrahje mendimesh, në shkallë të gjerë, edhe për të vërtetuar se jetojmë në një demokraci, në të cilën mendimi i lirë gëzon plotësisht të drejtë qytetarie.
Janar 2017
http://gazetadielli.com/marreveshje-e-posa%d2%abme-mirekuptimi/ Janar 22, 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.