back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Martesë e Artë (Noces d’Or) nga Lek Pervizi

Gazeta

Lekë dhe Gjuliana Pervizi Bruksel 2015
Lekë dhe Gjuliana Pervizi – Bruksel 2015

Kur të respekton i Huaji…

nga Jozef Radi

Kurrë ndër shqiptarë nuk ka ndodhë që pushteti të jetë afër shqiptarëve… Sepse ideja e pushtetit, ka humbur kaherë idenë e afërsisë dhe komunikimit me njerzit, kaferë ka humbë njohja me me vlerat e tyre, me jetën e tyre, me respektimin e jetës dhe ngjarjeve të tyre.
Ngjarja e mëposhtëmë ka ndodhur në Belgjikë, ku Burgmesteri (Kryebashkiaku) i Komunës së Saint Gilles të Brukselit, në nji ditë shtatori, ka ftuar dhe kremtuar me disa çifte të qytetit ku ai drejton “50 Vjetorin e Martesës” ose “Martesën e Artë” siç quhet në gjuhën e kremtimeve familjare. Në këtë festë të “Martesave” jetëgjata, për çudi ishin edhe dy çifte shqiptare Lekë dhe Angjelina Pervizi dhe Hilmi e Merjeme Xhelili.
Ajo që të bje në sy është fakti, se qytetatët shqiptarë as e kishin menduar dhe kërkuar nji ftesë të tillë, por ata janë gjendur përballë kësaj feste pa e ditur as vetë, gjë e cila dëshmon se sa vlerë ka kur njeriu i thjeshtë vlerësohet nga pushteti dhe administrata, të cilët nuk kanë bërë ndonji privilegj, por nji vlerësim dinjitoz dhe të barabartë me krejt qytetarët e atij vendi, ku ata jetojnë. Shtoj se për Lekë dhe Gjuliana Pervizin, kjo ngajrje ishte nji emocion i veçantë, mbasi të dy ata si çift, kanë jetuar për gati 50 vite në kampet dhe gulaget e interrnimit, duke krijuar edhe familje dhe rritur edhe fëmijet në këto gulage, ndërsa kremtimin e “Martesës së Artë” të tyre duhet ta gjejnë rrugëve të botës…
I uroj jetë të gjatë miqve të mi Lekës dhe Gjulianës (Bebës) kremtime të tjera edhe më të bukura!
Kur të respekton i Huaji… e kupton se i joti akoma se ka kuptuar se sa vlen te qenit Njeri!
6 dhjetor 2015 

Medalja "Noces d'Or" per Lek dhe Gjuliana Pervizi
Medalja “Noces d’Or” per Lek dhe Gjuliana Pervizi

Martesë e Artë (Noces d’Or)

nga Lek Pervizi

E kemi quejtë kështu ‘Editorial Special” sepse vërtet i tillë asht. Faktikisht ai i kushtohet vetë të nëshkruemit, për nji arsye të veçantë. Për nji ngjarje që në Shqipni s’do t’ishte përmendë kurrë dhe jo ma me u festue. Si qëndron puna?
Vërtet për t’u çuditë! Më vejn nji letër drejt nga Burgmesteri i Komunës sonë të Saint Gilles të Brukselit, ku më urohej 50 vjetori i martetsës dhe më njoftohej se Komuna Saint Gilles do të organizonte një Ceremoni speciale për “Martesën e Artë” (Noces d’Or), të disa çifteve që kishin plotësue 50 vjet martesë, ku ishim përfshi ne, unë me gruen time Gjuliana ose Beba.
Si datë qe caktue 24 shtatori 2015, në ora 12.00 në sallën e Ceremonive në Pallatin e Komunës. (Pallat që s’e gjen asgjëkundi në Shqipni). Mirë!
Dhe ja erdhi data. Në ora 12.00, ne ishim aty, gjashtë çifte, ku ne çifti shqiptar. Në sallën madhështore erdhi Burgmesteri, zoti Sharl Piké (Charles Piqué) me ekipin e kryesisë së Komunës. Ata u vendosën në podiumin e nderit përballë e ne çiftet, dy nga dy, në disa kolltuqe të bukura. E mori fjalën Burgemesteri, i cili lexoi me radhë biografinë e secilit prej nesh aty të pranishëm. U dalluen biografitë tona, ku u përmend “Koha e diktaturës” që na kishte mbajtë të “syrgjynosur” 45 vjet, e ku shpëtimin e kishim gjetë aty në Belgjikë e pikërisht në atë Komune, ku banonim prej 20 vitesh. Pastaj vetë Burgmesteri mori e na dorëzoi titullin e “Martesës së Artë”, Medaljen dhe letrën e urimeve nga Mbreti e Mbretëresha e Belgjikës!! Gjithashtu dhuratë qe nji vazo artistike prej kristali për secilin çift. Pra nderimi ma i madh për këto çifte, qytetarë të thjeshtë që kishin arritë nji jetë bashkëshortnore 50 vjeçare. E veçanta ishte për ne si çift shqiptar, që nderohej me respektin më të madh në një shtet të huaj dhe jo në a Atdheun e vet të origjinës, ku në vend që të nderoheshim ndodhte e kundërta, persekutoheshim e masakroheshim pa dhimshuri. Nji gjendje pothuej e tillë është edhe sot e kësaj dite, pasi familjes sonë nuk i janë kthyer të drejtat e humbura, as pasuritë e as pronat, që ende mbahen peng, shfrytëzohen e vidhen nga tipa mafiozë që nuk pyesin as për shtet e as për ligj, dhe e mbajnë veten shteti dhe ligji!!

Dy çiftet Shqiptare Lek e Gjyliana Pervizi dhe Hilmi e Mejreme Xhelili
Dy çiftet Shqiptare Lek e Gjyliana Pervizi dhe Hilmi e Mejreme Xhelili

Kjo historia e ceremonisë së 50 vjetorit të martesës sonë, të dy të dalun nga kampet e internimit të diktaturës. Aty pashë se nuk ishim ne i vetmi çift shqiptar, ishte edhe nji çift tjetër, Hilmi e Merjeme Xhelili, që jo vetëm 50 vjetorin, por ata kremtonin 60 vjetorin e martesës pra “Martesa e Diamantit”, e pikërisht në këtë Komune, 50 vjetori më 2005, dhe 60 vjetorin më 2015 së bashku me ne.
Ma interesantja ishte, shpjegoi  Burgemesteri, se “…në gjithë Belgjikën, vetëm këto dy çifte shqiptare i kanë mbrritë këto përvjetorë martese…!”
Si përfundim këtu del ndryshimi midis tandit dhe të huejit. I yti të jep shqelmin e s’do të dije për ty, as se kush ishe, as kush je as se si je. Edhe sikur të kishe ndonjë vlerë specifike, si intelektual, patriot ose qoftë edhe si ish i përndjekur egërsisht nga diktatura komuniste. E jo ma të kujtohej kush se ke 50 apo 60 vjet të nji martese shembullore…
(Marrë nga revista “Kuqezi” Nr. 99)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.