Martin Camaj: Ky Uliks që s’mbërriti kurr n’Itakë…
nga Primo Shllaku
me rastin e 30 vjetorit të ngjitjes n’amshim të Poetit
Sot u mbushën plot 30 vjet prej ditës kur poeti Martin Camaj mbylli sytë në Langgries të Gjermanisë në moshën vetëm 67vjeçare. Jeta e tij për ne deri tashti e panjoftun, po zbulohet ngadalë dhe po hapen drita të reja që tregojnë shkaqet e emigrimit të një malësori që kaq të vështirë e kishte mërgimin. Pushteti i ri që zbriti nga mali e përmbysi krejt mendësinë dhe për nevojat e tij filloi veprën shkatërrimtare kundër njeriut të lirë dhe “në punë të vet”. Ai regjim ishte zotue në heshtjen e tij të frikshme që të mos lente njeri në kambë. Por ose ratë e të nënshtruem, ose ratë e tue u kalbë në vorr.
Kushtet e shtrëngimit për t’u ba “spiun” e gjetën krejt të befasuem dhe të papërgatitun Martin Camajn në lulen e rinisë. Ai i rreku organet e regjimit, sepse duhej pritë nji kohë kur të hapeshin shtigjet dhe ato u hapën vetëm kur regjimi u prish me Jugosllavinë, më 1948.
Dalja e Martinit në liri nuk shënoi lirinë e Martinit. Ai mbeti i lidhun me gjuhën shqipe e me kujtimet e tij të vendlindjes, me botën shqiptare e me malet e peizazhet e tyne të virgjëna që do të ishin drita e fundit që duhet të jetë shue në kokën e poetit atë ditë fillimpranvere këtu e tridhjetë vjet ma parë.
Martini u shkollue ma parë në Beograd, mandje shkoi në Romë dhe, përfund, u instalue përfare në Munih, ku drejtoi edhe katedrën e albanistikës për disa vjet të mira.
Poezia e tij asht pasqyra ma autentike e udhëtimit të tij të mbrendshëm shpirtënor. Aty ai rrëfehet thellë e ndërton pozicionet e tij estetike e artistike të vijimësisë së letërsisë shqipe që nuk duhet të hynte në eksperimentin e realizmit socialist. Në indin e imët të asaj poezie, mes shum motiveve, dallohet motivi i marrëdhanieve të tij me nanën e tij, e cila, e detyrueme prej kushtesh ekstreme vorfnie, e nisi djalin e saj në shkolla, tue e nda prej gjinit të familjes. Ky fakt do të bahej për poetin nji plagë e randë që nuk do t’i shërohej, kurr edhe kur e kapërceu moshën e adoleshencës dhe hyni në periudhën e rinisë. Këtë plagë nuk do ta lejonte që të cikatrizohej marrëdhania e tij e re me atdheun e vet që, në paralaleizëm asimetrik me nanën e tij, do të instalonte në psiken e këtij individi krizën e përjetshme të “dëbimit”. Martini nuk erdhi ma kurr në Shqipni. Edhe pse fati deshti që ai t’i shkelte ato dy vjet “lirie” kur mbase edhe mund të vinte në atdheun e tij për të shue dëshirën e tij të zjarrtë të prekjes së mureve të plangut, ai refuzoi. Shum thonë se ishte i sëmundë, por nji poezi e tij shum e fshehtë në qitjet e saj personale e autobiografike. “Mysafir i paftuem në Berishë”, duket sikur na e ndriçon shkulmin e fundit të këtij malësori të shkolluem e të ditun sa rrallëkush mbrenda e jashtë Shqipnie, Kosove e Maqedonie, i cili megjithse e çoi mesazhin se shqiptarët kurdo i përkasin njeni tjetrit, ai e ruejti dinjitetin e tij para nji atdheu të cfilitun e të përdhosun prej deformimit gjysmëshekullor të eksperimentit komunist. Ky Uliks që nuk mbërriti kurr në Itakë, bani zgjedhje të ashpra dhe të pashoqe. Prestigji dhe dinjiteti njerëzor e bajnë individin e dënuem me mërgim ta marrë atdheun me veten dhe vetë ai të bahej ndoshta plisi ma i nxehtë e ma djegës i nji periudhe kur, për shumicat, po derdhej me bollëk iluzioni i ardhjes së lirisë.
Trupi i tij tretet në tokën njerkë të Gjermanisë jugore dhe sipër kokës së vorrit të tij randon nji shkamb i verdhë, sjellë prej viseve ku kishte jetue brez mbas brezi familja e Camajve në Temal, në bregun e djathtë të Drinit, këtij lumi që i rrin Shqipnisë e Shqiptarisë si nji shtyllë kurrizore prej uji.
12 mars 2022